Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 24

Mund të shpëtosh nga grackat e Satanait!

Mund të shpëtosh nga grackat e Satanait!

‘Dilni nga laku i Djallit.’​—2 TIM. 2:26.

KËNGA 36 E ruaj zemrën me kujdes

PËRMBLEDHJE *

1. Në ç’kuptim është si një gjahtar Satanai?

NJË gjahtar ka një qëllim të vetëm—të zërë ose të vrasë prenë. Ai mund të përdorë lloj-lloj kurthesh a grackash, siç tha edhe një nga ngushëlluesit e rremë të Jobit. (Jobi 18:8-10) Si mund ta tërheqë gjahtari kafshën në kurth? Duke e vëzhguar me kujdes. Ku shkon? Çfarë i pëlqen? Ç’lloj kurthi mund ta zërë në befasi? Satanai vepron si një gjahtar. Ai na vëzhgon me kujdes. Vëren ku shkojmë e çfarë na pëlqen. Pastaj ngre një kurth që shpreson të na zërë në befasi. Megjithatë, Bibla na siguron se edhe po të biem në kurth, është e mundur të çlirohemi. Ajo na mëson edhe si t’i shmangim krejtësisht këto kurthe.

Krenaria dhe lakmia janë dy nga grackat më të efektshme të Satanait (Shih paragrafin 2) *

2. Cilat janë dy nga grackat më të efektshme të Satanait?

2 Dy nga grackat më të efektshme të Satanait janë krenaria dhe lakmia. * Ai i ka përdorur me sukses për mijëra vjet këto cilësi të shëmtuara. Satanai është si një gjahtar zogjsh që e josh prenë e vet drejt një gracke ose e zë me rrjetë. (Psal. 91:3) Por nuk ka pse të biem në kurthet e tij, sepse Jehovai na i ka zbuluar taktikat që përdor Satanai.—2 Kor. 2:11.

Nëse mësojmë nga shembujt paralajmërues, mund t’i shmangim grackat e Djallit ose mund të çlirohemi prej tyre (Shih paragrafin 3) *

3. Për ç’arsye i ka ruajtur Jehovai disa shembuj në Fjalën e tij?

3 Një mënyrë si na paralajmëron Jehovai për krenarinë dhe lakminë është duke na nxitur të mësojmë nga ajo që u ndodhi disa shërbëtorëve të tij. Vër re te shembujt që do të shqyrtojmë se Satanai arriti të fuste në kurth edhe disa që i shërbenin Jehovait nga shumë vjet. A do të thotë kjo se edhe ne do të biem se s’bën në grackën e krenarisë e të lakmisë? Aspak. Jehovai i ruajti këta shembuj në Bibël si «paralajmërim për ne». (1 Kor. 10:11) Ai e di se mund të mësojmë nga shembujt paralajmërues. Kështu do t’i shmangim grackat e Djallit ose do të çlirohemi prej tyre.

GRACKA E KRENARISË

Shih paragrafin 4

4. Si mund të përfundojmë nëse lejojmë të na pushtojë krenaria?

4 Satanai do që të zhvillojmë një krenari të çekuilibruar. Ai e di se po të lejojmë të na pushtojë kjo krenari e papërshtatshme, do të bëhemi si ai dhe do të humbim mundësinë që të jetojmë përgjithmonë. (Prov. 16:18) Ja pse apostulli Pavël na paralajmëroi të bëjmë kujdes se ‘mos krekosemi, e marrim të njëjtin gjykim si të Djallit’. (1 Tim. 3:6, 7) Kjo mund t’i ndodhë çdonjërit nga ne, qofshim të rinj në të vërtetën, qofshim shërbëtorë të Jehovait prej vitesh.

5. Siç tregon Eklisiastiu 7:16, 20, si mund ta shfaqë krenarinë dikush?

5 Krenaria është një formë egoizmi. Satanai përpiqet të na shtyjë të bëhemi egoistë, të përqendrohemi më tepër te vetja sesa te Jehovai, sidomos kur përballojmë një vështirësi. Për shembull, a të kanë përbaltur ndonjëherë me akuza të rreme? Ose a të kanë trajtuar padrejtësisht? Satanai do të kënaqej sa s’ka po të zemëroheshe me Jehovain ose me vëllezërit. Djalli dëshiron edhe të mendosh se e vetmja rrugëdalje nga ky problem është t’i bësh gjërat sipas mënyrës sate, në vend se të ndjekësh drejtimin që jep Jehovai në Fjalën e tij.—Lexo Eklisiastiun 7:16, 20.

6. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i një motre në Holandë?

6 Mendo për shembullin e një motre në Holandë. Ajo ishte mbushur me mllef nga papërsosmëritë e të tjerëve dhe e ndau mendjen të mos e duronte më atë situatë. «Ndihesha shumë e vetmuar dhe s’arrija t’i ndryshoja ndjenjat që më trazonin përbrenda,—thotë ajo.—I thashë burrit se duhej të transferoheshim në një kongregacion tjetër.» Pas kësaj, ajo pa programin e marsit 2016 në JW Broadcasting®. Në të jepeshin disa sugjerime si të veprojmë kur përballemi me papërsosmëritë e të tjerëve. Motra thotë: «Kuptova se duhej të mendoja me ndershmëri dhe përulësi për gabimet e mia, në vend që të përpiqesha të ndryshoja vëllezërit e motrat në kongregacion. Programi më ndihmoi të përqendrohesha te Jehovai dhe te sovraniteti i tij.» Çfarë mësimi mund të nxjerrësh nga kjo? Kur has një sprovë, mbaji sytë të përqendruar te Jehovai. Përgjëroju të të ndihmojë t’i shohësh të tjerët siç i sheh ai. Ati yt qiellor i vëren gabimet e tyre, e megjithatë është i gatshëm t’i falë. Ai dëshiron që edhe ti të veprosh kështu.—1 Gjon. 4:20.

Shih paragrafin 7

7. Çfarë ndodhi me mbretin Uziah?

7 Për shkak të krenarisë, Uziahu, mbreti i Judës, hodhi poshtë një këshillë të mençur dhe kaloi caqet me arrogancë. Ai ishte mjaft i zoti dhe korri sukses në fushata ushtarake, në projekte ndërtimi dhe në bujqësi. «Perëndia i vërtetë bëri që t’i shkonte mbarë.» (2 Kron. 26:3-7, 10) «Por, me t’u bërë i fortë, zemra e tij u bë fodulle aq sa e rrënoi»,—thonë Shkrimet. Jehovai kishte urdhëruar se vetëm priftërinjtë duhej të digjnin temjan në tempull. Por Uziahu u tregua arrogant dhe shkoi në tempull për të djegur temjan. Kjo nuk i pëlqeu aspak Jehovait, dhe Ai e goditi me lebër atë njeri krenar. Uziahu mbeti i lebrosur gjithë jetën.—2 Kron. 26:16-21.

8. Siç tregon 1 Korintasve 4:6, 7, çfarë mund të bëjmë që të mos biem në grackën e krenarisë?

8 A mund të biem edhe ne në grackën e krenarisë e të gabojmë si Uziahu? Të mendojmë për shembullin e Hozesë. Ai ishte një biznesmen goxha i suksesshëm dhe plak i respektuar në kongregacion. Mbante fjalime në asamble e kongrese, dhe mbikëqyrësit qarkorë këshilloheshin herë pas here me të. Por ai pranon: «Mbështetesha tek aftësitë dhe te përvoja ime. E kisha lënë në hije Jehovain. Mendoja se isha i fortë, prandaj nuk ua vija veshin paralajmërimeve dhe këshillave të Jehovait.» Hozea bëri një mëkat të rëndë dhe u përjashtua. Para disa vjetësh, u rivendos në kongregacion. Tani thotë: «Jehovai më ka mësuar se ajo që ka rëndësi, nuk është titulli që kemi, por të bëjmë atë që kërkon ai prej nesh.» Të mos harrojmë se çfarëdo talenti që kemi dhe çfarëdo privilegji që marrim në kongregacion, vijnë të gjitha nga Jehovai. (Lexo 1 Korintasve 4:6, 7.) Po të jemi krenarë, Jehovai s’ka për të na përdorur.

GRACKA E LAKMISË

Shih paragrafin 9

9. Çfarë bënë Satanai dhe Eva të shtyrë nga lakmia?

9 Kur mendojmë për lakminë, na shkon mendja te Satana Djalli. Si një nga engjëjt e Jehovait, Satanai duhet të ketë pasur shumë privilegje fantastike. Por nuk ishte i kënaqur, donte më tepër. Donte adhurimin që me të drejtë i takon vetëm Jehovait. Satanai dëshiron të bëhemi si ai, prandaj bën çmos të ndihemi të pakënaqur me atë që kemi. Këtë taktikë e përdori për herë të parë me Evën. Jehovai i kishte siguruar me dashuri Evës dhe burrit të saj një bollëk ushqimesh të shijshme; ata mund të hanin «nga çdo pemë e kopshtit» me përjashtim të njërës. (Zan. 2:16) Por me dredhi, Satanai e shtyu Evën të mendonte se kishte nevojë të hante tamam nga ajo pemë që Jehovai ua kishte ndaluar. Eva nuk i vlerësoi të mirat që gëzonte, donte më tepër. E dimë çfarë pasoje solli kjo. Eva mëkatoi dhe me kalimin e kohës vdiq.—Zan. 3:6, 19.

Shih paragrafin 10

10. Si ra në grackën e lakmisë mbreti David?

10 Jehovai i kishte dhënë mbretit David plot dhurata—pasuri, famë dhe fitore mbi shumë armiq. E Davidi e pranonte me mirënjohje se ato dhurata ishin ‘ku e ku më tepër nga sa mund të numëronte’. (Psal. 40:5) Por më vonë u bë lakmitar dhe harroi çfarë i kishte dhënë Jehovai. Davidi nuk ishte më i kënaqur, donte më tepër. Ndonëse kishte disa gra, lejoi që t’i hidhte rrënjë në zemër një dëshirë e papërshtatshme për të pasur gruan e një burri tjetër. Gruaja ishte Betsheba dhe bashkëshorti i saj ishte hititi Uriah. Me egoizëm, Davidi kreu marrëdhënie seksuale me Betshebën, dhe ajo mbeti shtatzënë. E sikur të mos mjaftonte mëkati i kurorëshkeljes, Davidi i manovroi gjërat që Uriahu të vritej. (2 Sam. 11:2-15) Ç’i tha mendja Davidit? Mos pandehu se Jehovai nuk shihte?! Ndonëse i kishte shërbyer besnikërisht Jehovait prej vitesh, ai ra në grackën e lakmisë dhe e pagoi shtrenjtë. Por shyqyr që më vonë, Davidi e pranoi gabimin dhe u pendua. Sa mirënjohës u ndie që gëzonte prapë buzëqeshjen miratuese të Jehovait!—2 Sam. 12:7-13.

11. Sipas Efesianëve 5:3, 4, çfarë mund të na ndihmojë ta luftojmë lakminë?

11 Çfarë mësojmë nga shembulli i Davidit? Mësojmë se mund ta luftojmë lakminë nëse nuk lejojmë të na venitet mirënjohja për gjithë të mirat që na ka dhënë Jehovai. (Lexo Efesianëve 5:3, 4.) Duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi. Kur fillojmë të studiojmë Biblën me dikë, e inkurajojmë të mendojë për një gjë të mirë që i ka dhënë Jehovai e ta falënderojë. Po ta bëjë këtë çdo ditë, në fund të një jave do ta ketë falënderuar Jehovain për shtatë bekime të ndryshme. (1 Sel. 5:18) Po ti, a bën diçka të ngjashme? Nëse mediton për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty, kjo do të të ndihmojë të jesh mirënjohës. Dhe kur je mirënjohës, ndihesh i kënaqur. Kur ndihesh i kënaqur, lakmia nuk ka më pushtet mbi ty.

Shih paragrafin 12

12. Çfarë bëri Judë Iskarioti i shtyrë nga lakmia?

12 Si pasojë e lakmisë, Judë Iskarioti u bë një tradhtar i urryer. Ama në fillim nuk ishte njeri i tillë. (Luka 6:13, 16) Jezui e zgjodhi si apostull. Patjetër që Juda do të ketë qenë i zoti dhe i besueshëm, sepse i lanë në ngarkim kutinë e parave. Jezui dhe apostujt i përdornin ato fonde për shpenzimet e veprës së predikimit. Pra ato ishin si dhuratat që jepen sot për veprën mbarëbotërore. Por në njëfarë pike, Juda filloi të vidhte edhe pse i kishte dëgjuar paralajmërimet e shpeshta të Jezuit për lakminë. (Mar. 7:22, 23; Luka 11:39; 12:15) Juda i shpërfilli ato paralajmërime.

13. Kur nxori kokë lakmia e Judës?

13 Lakmia e Judës nxori kokë pak para vdekjes së Jezuit. Jezui dhe dishepujt e tij, mes të cilëve Maria dhe e motra, Marta, ishin mysafirë në shtëpinë e Simonit, të lebrosurit. Gjatë darkës, Maria u çua dhe i derdhi në kokë Jezuit një vaj aromatik që kushtonte shtrenjtë. Juda dhe dishepujt e tjerë u indinjuan. Dishepujt e tjerë mendonin se ato para mund të ishin përdorur për të ndihmuar të varfrit, kurse Juda nuk kishte atë motiv. Ai «ishte hajdut» dhe donte të vidhte para nga kutia. Më vonë, lakmia e shtyu Judën ta tradhtonte Jezuin për aq para sa paguheshin për një skllav.—Gjoni 12:2-6; Mat. 26:6-16; Luka 22:3-6.

14. Si e zbatoi një çift mësimin që përmban Luka 16:13?

14 Jezui u kujtoi dishepujve të tij këtë të vërtetë themelore: «Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Lexo Lukën 16:13.) Kjo është e vërtetë edhe sot e kësaj dite. Për shembull, një çift nga Rumania lejoi që këto fjalë të Jezuit t’i drejtonin në jetë. Atyre u ofruan një punë për disa muaj në një shtet më të pasur. Të dy pranojnë: «Kishim marrë një kredi të madhe në bankë që duhej ta shlyenim, prandaj në fillim menduam se ajo punë ishte bekim nga Jehovai.» Por kishte një kleçkë. Ajo punë do t’i pengonte në shërbim të Jehovait. Pasi lexuan artikullin «Të qëndrojmë besnikë duke pasur zemrën të bashkuar» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2008, morën një vendim. Ata tregojnë: «Nëse do të shkonim në një vend tjetër me motivin për të fituar më shumë para, do ta kalonim marrëdhënien me Jehovain në vend të dytë. Ishim të sigurt se kjo do të na e dëmtonte miqësinë me të.» Prandaj e refuzuan ofertën. Çfarë ndodhi më pas? Burri gjeti një punë që plotësonte nevojat e tyre. Gruaja thotë: «Dora e Jehovait nuk është asnjëherë e shkurtër.» Sot ndihen të lumtur që zgjodhën si Zotërinë e tyre Jehovain, jo paratë.

SHMANGI GRACKAT E SATANAIT

15. Çfarë na siguron se mund të çlirohemi nga grackat e Satanait?

15 Po nëse dallojmë se kemi ngecur në grackën e krenarisë ose të lakmisë? Është e mundur të çlirohemi prej tyre! Pavli tha se ata që «i ka zënë të gjallë» Djalli, mund të dalin nga laku i tij. (2 Tim. 2:26) Kështu ndodhi edhe me Davidin. Ai ia vuri veshin qortimit të Natanit, u pendua për lakminë që kishte treguar dhe e rimëkëmbi miqësinë me Jehovain. Kurrë të mos harrojmë se Jehovai është më i fuqishëm se Satanai. Prandaj, nëse e pranojmë ndihmën e Jehovait, mund të çlirohemi nga çdo lak ose grackë që ngre Djalli.

16. Çfarë do të na ndihmojë të shmangim grackat e Satanait?

16 Patjetër, do të ishte më mirë t’i shmangim fare kurthet a grackat e Satanait, sesa të çlirohemi prej tyre. Këto gracka mund t’i shmangim vetëm me ndihmën e Perëndisë. Prandaj duhet të ruhemi nga siguria e tepërt te vetja! Edhe disa që i shërbenin Jehovait prej vitesh ranë në grackën e krenarisë ose të lakmisë. Ndaj përgjëroju çdo ditë Jehovait që të të ndihmojë të kuptosh nëse këto cilësi të shëmtuara kanë nisur të ndikojnë te mënyra si mendon e vepron. (Psal. 139:23, 24) Mos i lejo kurrë të hedhin rrënjë te ti!

17. Çfarë do të ndodhë së shpejti me kundërshtarin tonë, Djallin?

17 Satanai ka mijëra vjet që ngre gracka si gjahtar. Por së shpejti do të lidhet e në fund do të shkatërrohet. (Zbul. 20:1-3, 10) Mezi e presim atë ditë. Deri atëherë, rri syçelë që të mos biesh në grackat e Satanait. Përpiqu me të gjitha forcat të mos i lejosh krenarinë ose lakminë të të pushtojnë zemrën. Ji i vendosur ‘t’i kundërvihesh Djallit, e ai do të ikë nga ti’.—Jak. 4:7.

KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!

^ par. 5 Satanai është një gjahtar i zoti. Ai përpiqet të na zërë në kurth, sado kohë të kemi që i shërbejmë Jehovait. Në këtë artikull do të shohim si përpiqet t’i përdorë Satanai krenarinë dhe lakminë që të na shkatërrojë marrëdhënien me Jehovain. Do të ndalemi edhe te shembulli i disave që ranë në grackën e krenarisë e të lakmisë, e kështu do të mësojmë si t’i shmangim këto gracka.

^ par. 2 SHPJEGIMI I FJALËVE: Ky artikull përqendrohet te krenaria e papërshtatshme, pra ndjenja se dikush është më i mirë se të tjerët, dhe te lakmia, pra dëshira e tepruar për më shumë para, pushtet, seks a gjëra të tilla.

^ par. 53 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Me krenari, një vëlla hedh poshtë drejtimin e mençur që i japin pleqtë. Një motër që ka plot të mira materiale, lakmon të ketë akoma më shumë.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Krenaria infektoi një engjëll të Perëndisë dhe mbretin Uziah. Për shkak të lakmisë, Eva hëngri nga fryti i pemës së ndaluar, Davidi kreu kurorëshkelje me Betshebën dhe Juda vodhi para.