Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 29

Gëzo për përparimin tënd!

Gëzo për përparimin tënd!

«Secili . . . të ketë arsye për t’u gëzuar vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»—GAL. 6:4.

KËNGA 34 Do të jetoj me integritet!

PËRMBLEDHJE *

1. Pse nuk na krahason me të tjerët Jehovai?

JEHOVAIT i pëlqen shumë larmia. Kjo pasqyrohet te krijimi i tij i mahnitshëm, ku përfshihet edhe njeriu. Secili nga ne është unik. Prandaj Jehovai nuk të krahason kurrë me të tjerët. Ai shqyrton zemrën tënde, ç’lloj njeriu je. (1 Sam. 16:7) Gjithashtu mban parasysh pikat e tua të forta, pikat e dobëta dhe mënyrën si je rritur. E nuk kërkon prej teje më shumë nga ç’mund të japësh. Kemi nevojë ta shohim veten siç na sheh Jehovai. Kështu do të kemi «mendje të shëndoshë» dhe një mendim të ekuilibruar për veten.—Rom. 12:3.

2. Pse është e dëmshme të krahasohemi me të tjerët?

2 Patjetër që mund të mësojmë nga shembulli i mirë i të tjerëve, si për shembull nga një vëlla a motër që ka sukses në shërbim. (Hebr. 13:7) Kështu mund të kuptojmë si të bëhemi edhe ne më të efektshëm në shërbim. (Filip. 3:17) Ama të imitosh shembullin e mirë të dikujt nuk do të thotë ta përdorësh shembullin e tij për të matur vlerën tënde. Nga krahasime të tilla mund të bëhesh ziliqar, mund të shkurajohesh ose mund të ndihesh i pavlerë. E siç e pamë në artikullin e kaluar, nëse konkurrojmë me të tjerët në kongregacion, do të dëmtojmë marrëdhënien me Jehovain. Prandaj Jehovai na nxit me dashuri: «Secili të shqyrtojë veprimet e tij, dhe atëherë do të ketë arsye për t’u gëzuar vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»—Gal. 6:4.

3. Cilët hapa në adhurim të Jehovait të sjellin gëzim?

3 Jehovai dëshiron të gëzosh për përparimin tënd. Për shembull, nëse je pagëzuar, mund të ndihesh i lumtur që e ke arritur këtë synim. Ai ishte vendimi yt. E more i motivuar nga dashuria jote për Perëndinë. Mendo sa shumë ke përparuar qysh atëherë. Për shembull, a është shtuar etja jote për të lexuar e për të studiuar Biblën? A janë bërë më domethënëse e më të ndiera lutjet e tua? (Psal. 141:2) A je bërë më i aftë të hapësh biseda në predikim dhe të përdorësh mjetet që kemi për shërbim? Nëse ke familje, a të ka ndihmuar Jehovai të bëhesh burrë, grua a prind më i mirë? Mund të ndihesh i lumtur për gjithë këta hapa që ke hedhur në adhurimin e Jehovait.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Mund t’i ndihmojmë të tjerët të gëzojnë për përparimin që po bëjnë. Mund t’i ndihmojmë edhe të mos krahasohen me dikë tjetër. Në këtë artikull do të shohim si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët, si mund ta ndihmojnë bashkëshortët njëri-tjetrin dhe ç’mund të bëjnë pleqtë e të gjithë ne për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat. Në fund do të shqyrtojmë disa parime nga Bibla që mund të na ndihmojnë të vëmë synime të arsyeshme sipas aftësive dhe rrethanave tona.

Ç’MUND TË BËJNË PRINDËRIT DHE BASHKËSHORTËT

Prindër, sigurojeni secilin fëmijë se gjërat e mira që bën jua gëzojnë zemrën (Shih paragrafët 5-6) *

5. Sipas Efesianëve 6:4, çfarë nuk duhet të bëjnë prindërit?

5 Prindërit duhet të tregojnë kujdes që të mos e krahasojnë një fëmijë me një tjetër ose të mos presin nga fëmija më tepër nga ç’mund të japë. Krahasimet dhe kërkesat e paarsyeshme mund ta shkurajojnë fëmijën. (Lexo Efesianëve 6:4.) Një motër që quhet Saçiko * thotë: «Mësuesit pritnin që unë të shkëlqeja mbi shokët e klasës. Veç kësaj, mamaja donte të dilja shumë mirë me mësime, sepse kjo do të ishte një dëshmi e mirë për mësuesit e për babanë që nuk është në të vërtetën. Në fakt, ajo donte të mos bëja as edhe një gabim në provime, gjë që ishte e pamundur. Ka vite që e kam mbaruar shkollën, por prapë dyshoj hera-herës nëse Jehovai është i kënaqur me mua, ndonëse po bëj më të mirën.»

6. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga Psalmi 131:1, 2?

6 Psalmi 131:1, 2 përmban një mësim të rëndësishëm për prindërit. (Lexoje.) Mbreti David tha se nuk ‘rendte pas gjërave tepër të mëdha’ ose të paarritshme për të. Ai ishte i përulur e modest, ndaj ndihej i kënaqur dhe e kishte shpirtin të qetë. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga fjalët e Davidit? Ata tregojnë përulësi e modesti jo vetëm duke mos pritur tepër nga vetja, por edhe duke mos pretenduar tepër nga fëmija. Prindërit mund ta ndihmojnë fëmijën të mbajë parasysh pikat e tij të forta e të dobëta dhe të vërë synime të arsyeshme. Kështu fëmija do të fitojë siguri te vetja. Një motër që quhet Marina kujton: «Mamaja nuk më krahasonte kurrë me tre vëllezërit e mi ose me fëmijë të tjerë. Ajo më mësonte që çdokush ka aftësitë e veta unike dhe që secili nga ne është i çmuar për Jehovain. Falë saj, rrallë ndodh që të krahasohem me të tjerët.»

7-8. Si mund ta nderojë një burrë gruan e vet?

7 Një burrë i krishterë duhet ta nderojë gruan e tij. (1 Pjet. 3:7) Të nderosh dikë do të thotë t’i kushtosh vëmendje të veçantë dhe ta respektosh. Për shembull, një burrë e nderon të shoqen kur e trajton me dinjitet. Nuk kërkon prej saj më tepër nga ç’mund të japë. E patjetër që nuk e krahason me gra të tjera. Si do të ndihej një grua nëse i shoqi do të bënte krahasime të tilla? Një motër që quhet Roza nuk e ka burrin Dëshmitar, dhe ai e krahason shpesh me gra të tjera. Nga fjalët e tij të ashpra Roza ndihet pa pikë vlere. Veç kësaj, ajo thotë: «Kam nevojë vazhdimisht për përkujtues se Jehovai më çmon.» Në kontrast me këtë, një burrë i krishterë e nderon gruan e vet. Ai e di se kjo ndikon për mirë qoftë te marrëdhënia me të shoqen, qoftë te marrëdhënia e tij me Jehovain. *

8 Një burrë që e nderon gruan, flet mirë për të, e siguron se e do dhe e lavdëron. (Prov. 31:28, 29) Duke vepruar kështu, burri i Katerinës, e cila u përmend në artikullin e kaluar, e ka ndihmuar të shoqen të luftojë ndjenjat e pavlefshmërisë. Kur ishte e vogël, mamaja e kritikonte dhe e krahasonte shpesh me shoqet e saj e me vajzat e tjera. Si pasojë, Katerina filloi ta maste vlerën e vet duke u krahasuar me të tjerët—madje kjo vazhdoi edhe pasi përqafoi të vërtetën. Gjithsesi, burri i saj që është Dëshmitar e ka ndihmuar ta luftojë këtë prirje dhe të ketë një pikëpamje më të ekuilibruar për veten. Katerina thotë: «Ai më do, më lavdëron për gjërat e mira që bëj dhe lutet për mua. Më kujton edhe cilësitë e mrekullueshme të Jehovait e më ndihmon të mos mendoj në mënyrë negative.»

Ç’MUND TË BËJNË PLEQTË E DASHUR DHE TË GJITHË NE

9-10. Si e ndihmuan pleqtë e dashur një motër që të mos krahasohej më me të tjerët?

9 Si mund t’i ndihmojnë pleqtë ata që kanë prirjen të krahasohen me të tjerët? Të mendojmë për shembullin e një motre që quhet Hanuni, e që gjatë fëmijërisë nuk dëgjonte thuajse kurrë ndonjë lavdërim. Ajo kujton: «Isha e ndrojtur dhe fëmijët e tjerë më dukeshin më të mirë se unë. Fillova të krahasohesha me të tjerët që kur isha e vogël fare.» Madje edhe pasi u bë Dëshmitare, Hanuni prapë e krahasonte veten me të tjerët. Si pasojë, i dukej sikur nuk kishte pikë vlere në kongregacion. Mirëpo sot është një pioniere e lumtur. Çfarë e ndihmoi të ndryshonte qëndrim?

10 Hanuni thotë se ndihma i erdhi nga pleqtë e dhembshur. Ata e siguronin se ishte e çmuar në kongregacion dhe e lavdëronin për besnikërinë. Hanuni shkruan: «Në disa raste, pleqtë më kërkuan të inkurajoja disa motra që kishin nevojë për ndihmë. Ato caktime më bënin të ndihesha e dobishme. Më kujtohet kur ata pleq të dashur më falënderuan për inkurajimin që u kisha dhënë disa motrave më të reja. Pastaj më lexuan 1 Selanikasve 1:2, 3. Kjo ma çoi zemrën peshë. Falë atyre barinjve të dashur, tani jam e sigurt se kam një vend të çmuar në organizatën e Jehovait.»

11. Si mund t’i ndihmojmë ata që janë ‘të dërrmuar e të brengosur’, siç thotë Isaia 57:15?

11 Lexo Isainë 57:15. Jehovai merakoset thellë për ata që janë ‘të dërrmuar e të brengosur’. Të gjithë ne, jo vetëm pleqtë, mund t’u japim zemër këtyre bashkëbesimtarëve të dashur. Një mënyrë si mund t’i inkurajojmë është duke u interesuar sinqerisht për ta. Jehovai dëshiron që nëpërmjet nesh t’u shpreh deleve të tij shtrenjta sa shumë i do. (Prov. 19:17) Mund t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat edhe duke qenë të përulur e modestë. Nuk e përqendrojmë vëmendjen te vetja, pasi kjo mund t’u fryjë flakëve të zilisë. Përkundrazi, i përdorim aftësitë dhe njohurinë që kemi për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit.—1 Pjet. 4:10, 11.

Dishepujt kishin qejf të rrinin me Jezuin, sepse nuk sillej sikur qëndronte më lart se ata. Ai e shijonte shoqërinë e miqve të tij (Shih paragrafin 12)

12. Pse kishin qejf të rrinin me Jezuin njerëzit e thjeshtë? (Shih figurën e kopertinës.)

12 Mund të mësojmë shumë si t’i trajtojmë të tjerët duke medituar për mënyrën si i trajtonte Jezui dishepujt e tij. Ai ishte njeriu më i madh në historinë e njerëzimit. Megjithatë ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër». (Mat. 11:28-30) Nuk i valëviste si flamur inteligjencën e pashoqe dhe njohurinë e tij të pafund. Kur mësonte, përdorte një gjuhë të thjeshtë dhe ilustrime tërheqëse që u preknin zemrën njerëzve të thjeshtë. (Luka 10:21) Ndryshe na krerët fetarë arrogantë, Jezui gjithmonë i siguronte të tjerët se ishin të vyer për Perëndinë. (Gjoni 6:37) Ai u jepte dinjitet njerëzve të thjeshtë.

13. Si tregoi Jezui dhembshuri dhe dashuri për dishepujt?

13 Dhembshuria dhe dashuria e Jezuit pasqyroheshin te mënyra si i trajtonte dishepujt. Jezui e dinte se ata kishin aftësi dhe rrethana të ndryshme. Prandaj nuk mund të mbanin të njëjtat përgjegjësi e as mund të jepnin në të njëjtën masë në shërbim. Gjithsesi, ai çmonte përpjekjet me gjithë shpirt të secilit dishepull. Mirëkuptimi dhe çmueshmëria e Jezuit pasqyrohen tek ilustrimi i talentave. Në këtë ilustrim, zotëria i caktoi secilit skllav një punë «sipas aftësive». Dy nga skllevërit punuan pa përtuar, por njëri fitoi më shumë. Ama, zotëria i lavdëroi të dy me të njëjtat fjalë: «Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik!»—Mat. 25:14-23.

14. Si mund ta imitojmë Jezuin në marrëdhëniet me të tjerët?

14 Jezui na trajton edhe ne me dhembshuri e dashuri. Ai e di se çdokush ka aftësi e rrethana të ndryshme dhe kënaqet kur secili jep më të mirën e vet. Duhet t’i trajtojmë vëllezërit e motrat siç i trajtonte Jezui dishepujt e tij. Kurrë nuk duam t’i bëjmë të ndihen të turpëruar ose të pavlerë ngaqë nuk japin dot aq sa të tjerët. Përkundrazi, duam të kërkojmë mundësi për t’i lavdëruar ndërsa bëjnë më të mirën në shërbim të Jehovait.

VËR SYNIME TË ARSYESHME

Gëzo kur vë synime të arsyeshme dhe i arrin (Shih paragrafët 15-16) *

15-16. Cilat dobi nxori një motër ngaqë vuri synime të arsyeshme?

15 Kur kemi synime në adhurimin e Jehovait, jeta jonë është domethënëse dhe ka një qëllim. Ama, këto synime duhet t’i vëmë sipas aftësive dhe rrethanave tona, jo të të tjerëve. Nuk duam të krijojmë një terren pjellor për zhgënjimin dhe shkurajimin. (Luka 14:28) Të mendojmë për shembullin e Midorit që shërben si pioniere.

16 Kur ishte e vogël, babai i saj, që nuk është Dëshmitar, e trajtonte me përçmim dhe e krahasonte me vëllanë, motrën ose shokët e klasës. Midori thotë: «Më dukej vetja njeri koti.» Por me kalimin e viteve, fitoi siguri te vetja. Ajo thotë: «Lexoja Biblën çdo ditë, sepse kjo më jepte paqe në zemër dhe sigurinë se Jehovai më do.» Përveç kësaj, vuri synime të arsyeshme dhe i kërkoi Jehovait në lutje ta ndihmonte t’i arrinte ato synime. Si rezultat, Midori ndihej e lumtur për përparimin e saj.

VAZHDO T’I JAPËSH MË TË MIRËN JEHOVAIT

17. Si mund ‘të vazhdojmë ta rinojmë prirjen tonë mendore’, dhe cilat do të jenë rezultatet?

17 Ndjenjat dhe mendimet negative nuk zhduken sa hap e mbyll sytë. Prandaj, Jehovai na nxit: «Vazhdoni të rinoni prirjen tuaj mendore.» (Efes. 4:23, 24) Natyrisht, për këtë kemi nevojë të lutemi, të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë. Ngulmo në këto gjëra dhe mbështetu te Jehovai për forcë. Fryma e tij e shenjtë do të të ndihmojë ta mposhtësh prirjen për t’u krahasuar me të tjerët. E nëse në zemrën tënde po hedhin rrënjë zilia ose krenaria, Jehovai do të të ndihmojë ta dallosh këtë e t’i çrrënjosësh pa vonesë.

18. Pse ta ngrohin zemrën fjalët e 2 Kronikave 6:29, 30?

18 Lexo 2 Kronikave 6:29, 30. Jehovai e njeh zemrën tonë. Di edhe çdo luftë që po bëjmë—kundër frymës së botës dhe kundër papërsosmërive tona. Ndërsa sheh si luftojmë me të gjitha forcat kundër këtyre ndikimeve negative, Jehovait i thellohet dashuria për ne.

19. Çfarë ilustrimi përdor Jehovai për të na treguar si ndihet për ne?

19 Që të na tregojë si ndihet për ne, Jehovai përdor si ilustrim lidhjen mes një nëne dhe foshnjës së saj. (Isa. 49:15) Mendo për shembullin e Rakelës. Ajo shkruan: «Vajza ime, Stefania, lindi para kohe. Kur e pashë për herë të parë, m’u duk fare e vockël dhe e brishtë. Por mjekët më lejuan ta mbaja në krahë çdo ditë gjatë muajit të parë që ishte në inkubator. Falë atyre momenteve së bashku, krijuam një lidhje të ngrohtë e të fortë. Tani Stefania është gjashtë vjeçe dhe është më trupvogël se moshatarët e saj. Por unë e dua akoma më shumë ngaqë luftoi me të gjitha forcat për të jetuar. Ajo është gëzimi i jetës sime.» Sa na ngrohet zemra kur mendojmë se këtë lloj dashurie të thellë ndien edhe Jehovai për ne ndërsa sheh që përpiqemi fort t’i shërbejmë me gjithë shpirt!

20. Çfarë arsyesh ke për të gëzuar si shërbëtor i kushtuar i Jehovait?

20 Si shërbëtor i Jehovait, ti je një pjesëtar unik dhe i çmuar i familje së tij. Jehovai nuk të tërhoqi drejt vetes ngaqë ishe më i mirë se të tjerët. Të tërhoqi ngaqë pa brenda zemrës sate e vërejti se ishe zemërbutë dhe i gatshëm të mësoje e të modeloheshe prej tij. (Psal. 25:9) Ji i sigurt se kur bën më të mirën për t’i shërbyer, Jehovai e çmon këtë. Qëndrueshmëria dhe besnikëria jote tregojnë se ke «zemër të mirë e të sinqertë». (Luka 8:15) Prandaj vazhdo t’i japësh Jehovait më të mirën tënde. Atëherë do të kesh arsye të forta të gëzosh «vetëm për veten».

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

^ par. 5 Jehovai nuk na krahason me të tjerët. Por disa nga ne mbase kanë tamam këtë prirje, e si pasojë u duket vetja të pavlerë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pse mund të jetë e dëmshme të krahasohemi me të tjerët. Gjithashtu do të shohim si t’i ndihmojmë pjesëtarët e familjes dhe të kongregacionit që ta shohin veten siç i sheh Jehovai.

^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 7 Edhe pse këtu po përqendrohemi te mënyra si duhet ta trajtojë burri gruan, shumë parime vlejnë edhe për mënyrën si duhet të sillet gruaja.

^ par. 58 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë adhurimit familjar, prindërit e sigurojnë secilin fëmijë se janë të kënaqur nga përpjekjet që ka bërë për projektin e arkës së Noesë.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një nënë e vetme me fëmijë të vogël bën një program për të shërbyer si pioniere ndihmëse dhe është e lumtur që e ka arritur synimin e saj.