Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 35

Çmoji si thesar të moshuarit besnikë

Çmoji si thesar të moshuarit besnikë

«Flokët e bardhë janë kurorë bukurie.»—PROV. 16:31.

KËNGA 138 Kurora e bukur e flokëve të bardhë

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Sipas Proverbave 16:31, si duhet t’i shohim të moshuarit besnikë? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?

 NË NJË park në shtetin e Arkanzasit, SHBA, mund të shohësh diamante mbi sipërfaqen e tokës. Por ngaqë janë diamante të papërpunuara, nuk vezullojnë. Prandaj, shumë vizitorë mund të mos e dinë çfarë thesaresh po shohin dhe kalojnë pranë tyre pa ua vënë mendjen.

2 Të moshuarit besnikë mes nesh ngjajnë me këto diamante; ata janë thesare me vlerë të madhe. Fjala e Perëndisë i krahason flokët e tyre të bardhë me një kurorë. (Lexo Proverbat 16:31; 20:29) Por, si pa kuptuar, mund t’i harrojmë këto thesare. Më të rinjtë që ia dinë vlerën të moshuarve, mund të fitojnë diçka më të vyer se pasuritë materiale. Në këtë artikull do t’u përgjigjemi tri pyetjeve: Pse Jehovai i sheh si thesar të moshuarit besnikë? Çfarë roli të rëndësishëm kanë ata në organizatën e Jehovait? Çfarë mund të bëjmë që të nxjerrim dobi plotësisht nga shembulli i tyre?

PSE TË MOSHUARIT BESNIKË JANË THESAR PËR JEHOVAIN

Të moshuarit besnikë janë të çmuar për Perëndinë Jehova dhe për popullin e tij (Shih paragrafin 3)

3. Në harmoni me Psalmin 92:12-15, pse të moshuarit besnikë janë thesar për Jehovain?

3 Të moshuarit besnikë janë të çmuar në sytë e Perëndisë Jehova. Ai sheh çfarë kanë në zemër dhe i vlerëson cilësitë e tyre të shkëlqyera. Jehovai kënaqet kur të moshuarit u përcjellin më të rinjve mençurinë që kanë fituar duke shërbyer me besnikëri një jetë të tërë. (Jobi 12:12; Prov. 1:1-4) Për Jehovain është e vyer edhe qëndrueshmëria e tyre. (Mal. 3:16) Edhe pse nuk e kanë pasur jetën fushë me lule, nuk u është lëkundur kurrë besimi te Jehovai. Shpresa e tyre për të ardhmen është akoma më e fortë se në fillim kur njohën të vërtetën. E Jehovai i do se vazhdojnë ta bëjnë të njohur emrin e tij edhe tani që janë «flokëzbardhur».—Lexo Psalmin 92:12-15.

4. Çfarë mund t’ua ngrohë zemrën vëllezërve dhe motrave në moshë të thyer?

4 Nëse je në moshë të thyer, ji i sigurt se Jehovai nuk e harron çfarë ke bërë në të kaluarën për ta adhuruar. (Hebr. 6:10) Ke mbështetur me zell veprën e predikimit, e kjo ia gëzon zemrën Atit tonë qiellor. Ke përballuar me qëndrueshmëri sprova, madje edhe disa që ta kanë copëtuar zemrën. Ke ndjekur e ke mbrojtur normat e drejta të Biblës, ke mbajtur mbi supe përgjegjësi me peshë e ke stërvitur bashkëbesimtarët. Ke bërë çmos të jesh në një hap me organizatën e Jehovait që ecën para me shpejtësi. Ke mbështetur dhe ke inkurajuar të tjerët ndërsa shërbenin në kohë të plotë. Perëndia Jehova të do pa masë për besnikërinë tënde. Ai premton se ‘nuk do t’i braktisë besnikët e vet’! (Psal. 37:28) Gjithashtu të jep këtë garanci: ‘Deri kur të të zbardhen flokët, do të të mbështes.’ (Isa. 46:4) Prandaj mos mendo se, meqë je në moshë të shkuar, nuk ke më ndonjë rol të rëndësishëm në organizatën e Jehovait. Përkundrazi, je jashtëzakonisht i çmuar!

TË MOSHUARIT KANË ROL TË RËNDËSISHËM NË ORGANIZATËN E JEHOVAIT

5. Çfarë duhet të mbajnë parasysh të moshuarit?

5 Të moshuarit janë si një minierë plot me gurë të çmuar. Edhe pse mund të mos e kenë më fuqinë e dikurshme, kanë një përvojë të pasur që e kanë fituar ndër vite. E Jehovai mund të vazhdojë t’i përdorë në lloj-lloj mënyrash, siç e tregojnë shembujt e mëposhtëm nga e kaluara dhe nga ditët tona.

6-7. Jepni shembuj nga Bibla se si i bekoi Jehovai të moshuarit që i shërbenin me besnikëri.

6 Në Bibël flitet për besnikë që vazhduan t’i shërbenin me zell Jehovait edhe në moshë të shkuar. Moisiu, për shembull, ishte afro 80 vjeç kur filloi të shërbente si profeti dhe përfaqësuesi i Jehovait për kombin e Izraelit. Profeti Daniel duhet të ketë qenë në të 90-at kur Jehovai po e përdorte ende si zëdhënësin e Tij. Edhe apostulli Gjon ka të ngjarë të ishte në të 90-at kur shkroi nën frymëzim librin e Zbulesës.

7 Shumë besnikë të tjerë nuk ishin të mirënjohur e ndoshta njerëzit s’para i vinin re. Gjithsesi, Jehovai u kushtoi vëmendje dhe i shpërbleu për besnikërinë tyre. Për shembull, Simeoni, një njeri «i drejtë dhe i përkushtuar ndaj Perëndisë», përmendet kalimthi në Bibël, por Jehovai e dinte mirë kush ishte dhe e nderoi me privilegjin që të shihte Jezuin e vogël e të profetizonte për fëmijën dhe nënën e tij. (Luka 2:22, 25-35) Të mendojmë edhe për profeteshën Ana që ishte vejushë. Ndonëse 84 vjeçe, ajo «nuk mungonte kurrë në tempull». E ngaqë ishte besnike dhe nuk humbte asnjë rast për të adhuruar Jehovain atje, Ai e bekoi me privilegjin që të shihte në një nga ato raste Jezuin e vogël. Edhe Simeoni, edhe Ana ishin të çmuar në sytë e Jehovait.—Luka 2:36-38.

Motër Diduri, tani në të 80-at, vazhdon t’i shërbejë Jehovait me besnikëri (Shih paragrafin 8)

8-9. Çfarë roli të rëndësishëm kanë në organizatën e Jehovait motrat edhe kur janë vejusha?

8 Edhe në ditët tona kemi shumë të moshuar besnikë që janë shembuj të shkëlqyer për më të rinjtë. Të mendojmë për shembullin e motrës Loisa Diduri. Ajo ishte vetëm 21 vjeçe kur filloi të shërbente si pioniere speciale në Kanada. Më pas, Loisa dhe i shoqi, Xhoni, kaluan shumë vjet në veprën udhëtuese. Më vonë shërbyen mbi 20 vjet në Bethelin e Kanadasë. Kur ishte 58 vjeçe, i ftuan si çift të shërbenin në Ukrainë. Çfarë do të bënin? A menduan se ishin tepër të moshuar për të shërbyer në një vend tjetër? Jo, ata e pranuan caktimin dhe Xhoni u emërua të shërbente në Komitetin e Degës atje. Pas vdekjes së Xhonit shtatë vjet më vonë, Loisa vendosi të qëndronte në caktimin e saj. Tani, në moshën 81-vjeçare, Loisa vazhdon të jetë shumë e dobishme dhe shumë e dashur për familjen Bethel të Ukrainës.

9 Vejushat si Loisa mbase nuk bien në sy aq sa atëherë kur kishin bashkëshortët gjallë; sidoqoftë, fakti që janë vejusha nuk ua ul aspak vlerën. Jehovai i çmon pa masë ato motra që mbështetën burrat e tyre për vite të tëra e që po vazhdojnë të tregojnë të njëjtën besnikëri. (1 Tim. 5:3) Gjithashtu, ato janë burim inkurajimi për më të rinjtë.

10. Pse Toni i moshuar është një shembull i shkëlqyer?

10 Edhe të gjithë ata të moshuar besnikë që nuk dalin dot nga shtëpia ose që jetojnë në shtëpi për të moshuarit, janë një pasuri e një shembull i shkëlqyer. Ndër ta është një vëlla që quhet Toni, i cili u pagëzua në Pensilvani, SHBA, në gusht 1942 kur ishte 20 vjeç. Pak pasi u pagëzua, e burgosën për dy vite e gjysmë për shkak të asnjanësisë. Ai dhe e shoqja, Hilda, rritën dy fëmijë në të vërtetën. Gjatë viteve, Toni shërbeu në tri kongregacione si mbikëqyrës drejtues (që tani quhet koordinator i trupit të pleqve) dhe si mbikëqyrës në asamble qarkore. Gjithashtu vizitonte një burg, ku drejtonte mbledhje e studime. Sot Toni është 98 vjeç, por nuk ka ndër mend ta marrë shtruar. Ai vazhdon të japë më të mirën në shërbim të Jehovait, krah për krah me vëllezërit dhe motrat në kongregacion.

11. Si mund ta tregojmë se i çmojmë të moshuarit që jetojnë vetëm ose në shtëpi për të moshuarit?

11 Si mund t’i nderojmë të moshuarit që jetojnë vetëm ose në shtëpi për të moshuarit? Pleqtë mund t’i ndihmojnë që të përfshihen sa të jetë e mundur në aktivitetet e kongregacionit. Ne mund t’u kushtojmë vëmendje duke u shkuar për vizitë ose duke i ftuar të bisedojmë me video. Duam të tregojmë merak në veçanti për të moshuarit që ndodhen në këto rrethana e njëkohësisht jetojnë larg kongregacionit të tyre. Duhet të bëjmë kujdes të mos i harrojmë këta të moshuar. Disa prej tyre mbase kanë siklet ose u duket e pavend të flasin për veten. Por nëse u bëjmë pyetje me lezet që të hapen dhe i dëgjojmë ndërsa tregojnë për gëzimet që kanë pasur në organizatën e Jehovait, do të inkurajohemi shumë.

12. Çfarë vëllezërish e motrash mund të zbulojmë se kemi në kongregacion?

12 Mund të na surprizojnë edhe shembujt e shkëlqyer të të moshuarve besnikë në kongregacionin tonë. Një motër që quhet Harieta i shërbeu besnikërisht Jehovait për dekada të tëra në kongregacionin e saj në Nju-Xhersi, SHBA. Më pas u transferua që të jetonte me të bijën. Ndërsa kalonin kohë me të dhe e njihnin më mirë, vëllezërit në kongregacionin e ri zbuluan se ajo ishte një thesar. Harieta i inkurajonte me historitë nga shërbimi në vitet 20—koha kur njohu të vërtetën. Atëherë ajo mbante gjithnjë me vete një furçë dhëmbësh kur dilte në predikim, se mund ta arrestonin e ta burgosnin në çdo moment. Në fakt, në vitin 1933 kaloi dy herë nga një javë në burg. Në ato raste, i shoqi, që nuk ishte Dëshmitar dhe që e mbështeste, kujdesej për tre fëmijët e vegjël. Pa dyshim që të moshuarit besnikë si Harieta meritojnë gjithë nderimin tonë!

13. Çfarë kemi mësuar për vlerën që kanë të moshuarit në organizatën e Jehovait?

13 Të moshuarit besnikë janë shumë të rëndësishëm për Jehovain dhe për organizatën e tij. Ata kanë parë mënyrat e larmishme si e ka bekuar Jehovai organizatën e tij dhe ata vetë. Kanë nxjerrë mësime me vlerë nga gabimet që kanë bërë. Shihi këta të moshuar si ‘burim mençurie’ dhe përfito nga përvoja që kanë. (Prov. 18:4) Nëse kalon kohë me ta që t’i njohësh më mirë, do të të forcohet besimi dhe ke për të fituar jo pak nga mençuria e tyre!

NXIRR DOBI PLOTËSISHT NGA SHEMBULLI I TË MOSHUARVE

Ashtu si Eliseu që nxori dobi nga shoqëria me Elijan, vëllezërit e motrat mund të nxjerrin dobi nga përvoja dhe historitë e atyre që i kanë shërbyer Jehovait prej shumë vitesh (Shih paragrafët 14-15)

14. Sipas Ligjit të përtërirë 32:7, çfarë inkurajohen të bëjnë ata që janë më të rinj?

14 Merr iniciativën të flasësh me të moshuarit. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:7.) Vërtet, shikimi ndoshta u është dobësuar, hapi ndoshta u është ngadalësuar dhe të folurit mbase u është bërë më i qetë, ama në zemër janë të rinj dhe kanë fituar ‘një emër të mirë’ në sytë e Jehovait. (Ekl. 7:1) Sill ndër mend arsyet pse i çmon Jehovai. Vazhdo t’i nderosh. Imito Eliseun, i cili këmbënguli t’i qëndronte pranë Elijas ditën e fundit që shërbyen bashkë. Ai i tha plot tri herë: «Unë nuk do të të lë.»—2 Mbret. 2:2, 4, 6.

15. Cilat pyetje mund t’u bëjmë të moshuarve?

15 Trego interes të sinqertë për të moshuarit duke u bërë pyetje me takt e dashuri, për t’i inkurajuar të shprehen. (Prov. 1:5; 20:5) Mund t’u bësh pyetje të tilla, si: «Çfarë të bindi se kishe gjetur të vërtetën? Si të kanë afruar më shumë me Jehovain gjërat që ke kaluar në jetë? Cili është sekreti për të ruajtur gëzimin në shërbim të Jehovait?» (1 Tim. 6:6-8) Pastaj dëgjoji me vëmendje ndërsa tregojnë historinë e tyre.

16. Si mund të marrin zemër të moshuarit dhe më të rinjtë nga bisedat me njëri-tjetrin?

16 Edhe të moshuarit, edhe më të rinjtë marrin zemër nga bisedat me njëri-tjetrin. (Rom. 1:12) Ju që jeni më të rinj në moshë, do t’ju forcohet siguria se Jehovai kujdeset për shërbëtorët e tij besnikë. Ndërsa i moshuari do të ndiejë se e doni dhe e nderoni, e do t’ju tregojë me kënaqësi për bekimet që i ka dhuruar Jehovai.

17. Pse mund të themi se të moshuarit besnikë bëhen më të bukur me kalimin e viteve?

17 Bukuria fizike zakonisht venitet me kalimin e moshës, por ata që janë besnikë ndaj Jehovait bëhen çdo vit e më të bukur në sytë e tij. (1 Sel. 1:2, 3) Pse ndodh kështu? Sepse gjatë viteve kanë lejuar që fryma e Perëndisë t’i modelojë dhe t’i ndihmojë të kultivojnë cilësi të bukura. Sa më mirë t’i njohim dhe sa më shumë të mësojmë nga të moshuarit e shtrenjtë mes nesh, aq më shumë do t’i nderojmë dhe do t’i çmojmë si thesar!

18. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Kongregacioni forcohet jo vetëm kur më të rinjtë çmojnë të moshuarit, por edhe kur të moshuarit i vlerësojnë më të rinjtë. Në artikullin tjetër do të shohim si mund ta tregojnë të moshuarit se i çmojnë më të rinjtë në kongregacion.

KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!

^ par. 5 Të moshuarit besnikë janë thesare me vlerë të madhe. Ky artikull do të na inkurajojë ta thellojmë çmueshmërinë për ta e do të na tregojë si të nxjerrim dobi plotësisht nga mençuria dhe përvoja e tyre. Gjithashtu do t’i sigurojë të moshuarit se kanë një rol të rëndësishëm në organizatën e Perëndisë.