Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 36

Vlerësoje fuqinë e të rinjve

Vlerësoje fuqinë e të rinjve

«Lavdia e të rinjve është fuqia e tyre.»—PROV. 20:29.

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

PËRMBLEDHJE *

1. Cilin synim të bukur mund të vënë të moshuarit?

 NDËRSA vitet kalojnë, mund të na brejë meraku se mos nuk do të jemi më aq të dobishëm për Jehovain. Vërtet, në moshë të shkuar mund të mos jemi aq energjikë sa më parë. Ama mund t’i përdorim mençurinë dhe përvojën që kemi fituar, për të ndihmuar më të rinjtë ta zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre dhe të mbajnë mbi supe më shumë përgjegjësi. Një vëlla që shërben si plak nga shumë vjet, tha: «Kur nisa të ndieja kufizimet e moshës së thyer, isha mirënjohës që kishte vëllezër më të rinj të kualifikuar e të gatshëm ta kryenin punën.»

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Në artikullin e kaluar pamë si nxjerrin dobi më të rinjtë kur miqësohen me të moshuarit. Në këtë artikull do të shohim si mund t’i ndihmojnë të moshuarit cilësi të tilla si, përulësia, modestia, mirënjohja dhe bujaria që t’u bëhen krah më të rinjve, e kështu të nxjerrë dobi gjithë kongregacioni.

JI I PËRULUR

3. Sipas Filipianëve 2:3, 4, çfarë bën një njeri i përulur, dhe si mund ta ndihmojë kjo?

3 Të moshuarit duhet të jenë të përulur, nëse duan të ndihmojnë më të rinjtë. Një njeri i përulur i konsideron të tjerët më të lartë se veten. (Lexo Filipianëve 2:3, 4.) Të moshuarit që shfaqin këtë cilësi, e kuptojnë se në mjaft raste ka më shumë se një mënyrë të efektshme e në harmoni me Shkrimet për ta kryer një caktim. Prandaj janë realistë e nuk presin që çdo njeri t’i bëjë gjërat siç i bënin ata në të kaluarën. (Ekl. 7:10) Ndërkohë që mund t’u japin shumë nga përvoja e tyre e pasur brezave më të rinj, e kuptojnë edhe se «skena e kësaj bote po ndryshon» dhe se mund t’u duhet të përshtaten me rrethanat e reja.—1 Kor. 7:31.

Të moshuarit u japin me bujari të tjerëve nga përvoja e tyre (Shih paragrafët 4-5) *

4. Si shfaqin mbikëqyrësit qarkorë një qëndrim si ai i levitëve?

4 Të moshuarit e përulur e pranojnë se, me kalimin e viteve, nuk bëjnë dot aq sa dikur. Të marrim rastin e mbikëqyrësve tanë qarkorë. Kur arrijnë moshën 70 vjeç, atyre u kërkohet të fillojnë një caktim tjetër. Kjo mund të jetë një sfidë. E çmonin shumë privilegjin për t’u shërbyer vëllezërve. Kishin zemrën tek ai caktim dhe akoma u vlon në shpirt dëshira që Jehovai t’i përdorë në atë mënyrë. Megjithatë e kuptojnë se nevojiten shpatulla më të reja për ta mbajtur atë peshë. Kështu shfaqin një qëndrim të ngjashëm me të levitëve në Izraelin e lashtë që, në moshën 50-vjeçare, u kërkohej ta ndërpritnin shërbimin e detyruar në tabernakull. Gëzimi i atyre levitëve të moshuar nuk lidhej me një privilegj të caktuar shërbimi. Ata jepnin pa u kursyer në privilegjet që mund të kishin, duke bërë çmos të ndihmonin më të rinjtë. (Num. 8:25, 26) Sot ish-mbikëqyrësit qarkorë, edhe pse nuk u shërbejnë më një grupi kongregacionesh, janë një burim i madh ndihme e inkurajimi për kongregacionin ku janë caktuar.

5. Çfarë të mëson shembulli i Danit dhe Kejtit?

5 Te mendojmë për shembullin e Danit që shërbeu 23 vjet si mbikëqyrës qarkor. Kur mbushi 70 vjeç, ai dhe e shoqja, Kejti, u caktuan të shërbenin si pionierë specialë. Si janë përshtatur me rrethanat e reja? Dani thotë se jeta e tij është e mbushur me aktivitete si kurrë më parë! Ai përmbush përgjegjësitë që ka në kongregacion, ndihmon vëllezërit të kualifikohen si shërbëtorë kongregacioni dhe stërvit të tjerë për dëshminë në metropol e në burgje. Ju të moshuar, pavarësisht nëse shërbeni në kohë të plotë apo jo, mund të bëni shumë për të ndihmuar të tjerët. Si? Duke u përshtatur me rrethanat e reja, duke vënë synime të tjera e duke u përqendruar tek ajo që keni mundësi të bëni, jo tek ajo që s’mund të bëni më.

JI MODEST

6. Pse është e mençur të jesh modest? Ilustrojeni.

6 Një njeri modest i pranon kufizimet që ka. (Prov. 11:2) Modestia e ndihmon të mos presë nga vetja më tepër nga ç’mund të bëjë. Si rezultat, ruan gëzimin dhe vazhdon të përpiqet pa u lodhur në shërbim të Jehovait. Njeriun modest mund ta krahasojmë me një shofer që ngjit një të përpjetë me makinë. Që t’ia dalë të ecë në atë rrugë të përpjetë, duhet të ndërrojë marshin. Vërtet, ndoshta do të udhëtojë më ngadalë, ama do të vazhdojë të ecë përpara. Po njësoj, njeriu modest e kupton kur është koha «të ndërrojë marshin», ose të ulë ritmin, që të vazhdojë të jetë aktiv në shërbim dhe i dobishëm për Jehovain.—Filip. 4:5.

7. Si tregoi modesti Barzilai?

7 Të mendojmë për shembullin e Barzilait, që ishte 80 vjeç kur mbreti David e ftoi të bëhej pjesë e oborrit mbretëror. Barzilai modest nuk e pranoi ftesën e mbretit. Ai i dinte kufizimet që kishte për shkak të moshës, prandaj sugjeroi që në vend të tij të shkonte Kimhami, i cili ishte më i ri. (2 Sam. 19:35-37) Njësoj si Barzilai, të moshuarit ua lënë me kënaqësi vëllezërve më të rinj privilegjin për të kryer një caktim.

Mbreti David e pranoi vendimin e Perëndisë që tempullin ta ndërtonte i biri (Shih paragrafin 8)

8. Si tregoi modesti mbreti David kur donte të ndërtonte tempullin?

8 Edhe mbreti David është një shembull i shkëlqyer modestie. Atij ia donte zemra të ndërtonte tempullin e Jehovait. Por, kur Jehovai e njoftoi se ai privilegj do t’i jepej Solomonit të ri, Davidi e pranoi vendimin e Jehovait dhe e mbështeti atë projekt me gjithë shpirt. (1 Kron. 17:4; 22:5) Davidi nuk mendoi se vetëm ai ishte i prerë për atë caktim, meqë Solomoni ishte «i ri dhe i papërvojë». (1 Kron. 29:1) Ai e dinte se suksesi i projektit të ndërtimit varej nga bekimi i Jehovait, jo nga mosha ose përvoja e atyre që merrnin drejtimin. Duke imituar Davidin, të moshuarit sot vazhdojnë të përpiqen me të gjitha forcat në shërbim të Jehovait edhe kur caktimi i tyre ndryshon. E dinë se Jehovai do t’i bekojë të rinjtë që po përmbushin caktimin që më parë e kryenin ata.

9. Si tregoi modesti anëtari i një Komiteti Dege?

9 Një shembull modestie nga ditët tona është një vëlla që quhet Shigeo. Në vitin 1976, kur ishte 30 vjeç, ai u emërua të shërbente në një Komitet Dege. Në 2004-n u bë koordinatori i Komitetit të Degës. Kohë më vonë, kuptoi se po i binin forcat dhe nuk e bënte dot punën aq shpejt sa më parë. Ai u lut dhe meditoi për dobitë që do vinin po ta merrte përsipër atë përgjegjësi një vëlla më i ri. Edhe pse nuk është më koordinatori, Shigeo vazhdon të shërbejë me kënaqësi përkrah vëllezërve të tjerë si anëtar i Komitetit të Degës. Siç e tregon shembulli i Barzilait, i mbretit David dhe i Shigeos, një njeri i përulur e modest nuk përqendrohet te mungesa e përvojës së më të rinjve, por te pikat e tyre të forta. E nuk i sheh ata vëllezër si konkurrentë, por si bashkëpunëtorë.—Prov. 20:29.

JI MIRËNJOHËS

10. Si ndihen të moshuarit për më të rinjtë në kongregacion?

10 Të moshuarit i shohin më të rinjtë si dhurata nga Jehovai dhe janë mirënjohës për ta. Ndërsa u bien fuqitë, të moshuarit janë të kënaqur që ata me fuqi rinore janë të gatshëm dhe të aftë të mbajnë mbi supe përgjegjësi në kongregacion.

11. Si e tregon Rutha 4:13-16 se vijnë bekime kur të moshuarit e pranojnë me mirënjohje ndihmën e më të rinjve?

11 Një personazh i Biblës, Naomi, është shembull i shkëlqyer se si një i moshuar mund ta pranojë me mirënjohje ndihmën e një më të riu. Në fillim, Naomi e nxiti Ruthën, nusen e saj që kishte mbetur vejushë, të kthehej të njerëzit e vet. Por, kur Rutha këmbënguli të shkonte me të në Betlehem, Naomi e pranoi mbështetjen besnike të Ruthës. (Rutha 1:7, 8, 18) E sa shumë bekime u solli kjo të dyja grave! (Lexo Ruthën 4:13-16.) Përulësia do t’i nxitë të moshuarit të imitojnë shembullin e Naomit.

12. Si e shprehu mirënjohjen apostulli Pavël?

12 Apostulli Pavël ishte mirënjohës për ndihmën që i jepnin bashkëbesimtarët. Për shembull, ai falënderoi të krishterët në Filipi për dhuratat që i kishin dërguar. (Filip. 4:16) Shprehu mirënjohje për ndihmën që i kishte dhënë Timoteu. (Filip. 2:19-22) Gjithashtu e falënderoi Perëndinë për ata që shkuan t’i jepnin zemër kur po e çonin në Romë si të burgosur. (Vep. 28:15) Pavli ishte një vëlla energjik, i zellshëm, që udhëtoi me mijëra kilometra për të predikuar dhe për të forcuar kongregacionet. Prapëseprapë, nuk ishte tepër krenar për të pranuar ndihmën e vëllezërve dhe motrave.

13. Si mund ta tregojnë të moshuarit se janë mirënjohës për më të rinjtë?

13 Ju të moshuar mund ta tregoni në shumë mënyra mirënjohjen për të më të rinjtë në kongregacion. Nëse duan t’ju ndihmojnë për transportin, pazarin ose gjëra të tjera të nevojshme, pranojeni me kënaqësi ndihmën e tyre. Shiheni këtë ndihmë si një shprehje të dashurisë së Jehovait. E ka të ngjarë të surprizoheni nga miqësitë që mund të lulëzojnë mes jush. Përpiquni përherë t’i ndihmoni miqtë tuaj më të rinj të forcojnë miqësinë me Jehovain; thuajuni sa kënaqeni tek i shihni të vënë synime për të qenë më të dobishëm në kongregacion. Gjithashtu jini të gatshëm të kaloni kohë me ta, që të nxjerrin dobi nga përvoja dhe historitë tuaja. Kështu do të tregoni se i jeni mirënjohës Jehovait për më të rinjtë që i ka tërhequr në organizatën e tij.—Kolos. 3:15; Gjoni 6:44; 1 Sel. 5:18.

JI BUJAR

14. Si shfaqi bujari mbreti David?

14 Te shembulli i mbretit David spikat një tjetër cilësi e rëndësishme që duhet të shfaqin të moshuarit—bujaria. Ai dhuroi goxha nga thesari i vet për të mbështetur ndërtimin e tempullit. (1 Kron. 22:11-16; 29:3, 4) E bëri këtë edhe pse merita për projektin do t’i shkonte të birit, Solomonit. Kur fizikisht nuk kemi më fuqi për të marrë pjesë në projekte ndërtimi teokratike, mund të vazhdojmë t’i mbështetim këto projekte me anë të kontributeve tona, me aq sa na e lejojnë rrethanat. Veç kësaj, mund të ndihmojmë më të rinjtë të përfitojnë nga përvoja që kemi fituar ndër vite.

15. Çfarë dhuratash të çmuara i dha apostulli Pavël Timoteut?

15 Të shohim si është një shembull për ne bujaria që tregoi apostulli Pavël. Ai e ftoi Timoteun të shërbente përkrah tij në veprën misionare. E u tregua bujar me vëllanë e tij më të ri ndërsa i përcillte metodat e tij në predikim dhe në mësimdhënie. (Vep. 16:1-3) Falë stërvitjes së Pavlit, Timoteu u bë lajmëtar dhe mësues i zoti. (1 Kor. 4:17) E pastaj Timoteu i përdori metodat e Pavlit për të stërvitur të tjerët.

16. Pse i stërviste të tjerët Shigeo?

16 Të moshuarit sot nuk kanë frikë se mos nuk do të jenë më të dobishëm nëse stërvitin më të rinjtë për të kryer një punë që më parë e bënin vetë. Për shembull, Shigeo, i përmendur më sipër, stërviti ndër vite anëtarët më të rinj të Komitetit të Degës. Këtë e bëri për të përkrahur veprën e Mbretërisë në vendin ku shërben. Si rezultat, kur erdhi momenti, një vëlla i stërvitur mirë mund ta zëvendësonte në caktimin si koordinator. Shigeo vazhdon t’u japë vëllezërve më të rinj nga përvoja e tij mbi 45-vjeçare në Komitetin e Degës. Çfarë bekimi janë për popullin e Perëndisë vëllezër të tillë!

17. Çfarë mund t’u japin të tjerëve të moshuarit? (Luka 6:38)

17 Ju motra e vëllezër të moshuar jeni provë e gjallë se t’i shërbesh Jehovait me besim dhe integritet është mënyra më e bukur për ta jetuar jetën. Me shembullin tuaj, tregoni se ia vlen çdo përpjekje për të mësuar parimet e Biblës dhe për të jetuar sipas tyre. Keni përvojë se si bëheshin gjërat në të kaluarën, por njëkohësisht e kuptoni nevojën që të përshtateni me rrethanat e reja. Edhe ju të moshuar që jeni pagëzuar nga pak kohë, keni shumë për të dhënë. Mund t’i ndihmoni të tjerët të kuptojnë çfarë gëzimi është të njohësh Jehovain edhe në moshë të shkuar. Më të rinjtë do të kënaqen nëse u tregoni çfarë keni kaluar në jetë dhe çfarë mësimesh keni nxjerrë. Nëse ‘e bëni zakon të jepni’ nga thesari i përvojës suaj, Jehovai do të derdhë shumë bekime mbi ju.—Lexo Lukën 6:38.

18. Pse mund të jenë një mbështetje për njëri-tjetrin të moshuarit e më të rinjtë në kongregacion?

18 Ndërsa ju të moshuar të dashur miqësoheni me më të rinjtë, do t’i bëheni krah njëri-tjetrit. (Rom. 1:12) Secili ka diçka me vlerë që tjetrit i mungon. Të moshuarit kanë mençuri dhe përvojë që i kanë fituar në rrjedhën e viteve. Më të rinjtë kanë energji dhe fuqi. Kur të rinj e të moshuar shërbejnë përkrah njëri-tjetrit si miq, i japin lavdi Atit të dashur qiellor dhe të gjithë në kongregacion nxjerrin dobi.

KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit

^ par. 5 Jemi të lumtur që në kongregacionet tona kemi plot të rinj e të reja që e mbështetin me të gjitha forcat organizatën e Jehovait. Të moshuarit në kongregacion, pavarësisht nga prejardhja ose formimi, mund t’i ndihmojnë më të rinjtë ta përdorin plotësisht fuqinë e tyre për t’i shërbyer Jehovait.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Kur një mbikëqyrës qarkor mbushi 70 vjeç, ai dhe e shoqja morën një caktim të ri. Përvoja që kanë fituar ndër vite u jep mundësinë të stërvitin të tjerë në kongregacionin ku shërbejnë.