Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 43

Mos u dorëzo!

Mos u dorëzo!

«Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer.»—GAL. 6:9.

KËNGA 68 Të mbjellim farën e Mbretërisë

PËRMBLEDHJE *

1. Pse ndihemi të lumtur e të nderuar që jemi Dëshmitarë të Jehovait?

 ÇFARË gëzimi dhe nderi që jemi Dëshmitarë të Jehovait! Ne mbajmë emrin e Perëndisë dhe jetojmë në harmoni me këtë emër, duke u predikuar të tjerëve për Jehovain e duke bërë dishepuj. Na gëzon zemra kur ndihmojmë dikë që është ‘i prirur për jetën e përhershme’ të përqafojë të vërtetën. (Vep. 13:48) Ndihemi njësoj si Jezui që «u mbush me gëzim» kur dishepujt e tij i treguan për fushatën e suksesshme të predikimit.—Luka 10:1, 17, 21.

2. Si mund ta tregojmë se vepra e predikimit është tepër e rëndësishme për ne?

2 Vepra e predikimit është tepër e rëndësishme për ne. Apostulli Pavël e nxiti Timoteun: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate.» Pastaj shtoi: «Duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Tim. 4:16) Pra shërbimi ynë shpëton jetë. ‘I kushtojmë vëmendje të vazhdueshme vetes’ se jemi qytetarë të Mbretërisë së Perëndisë. Ndaj duam të sillemi gjithmonë në një mënyrë që i jep lavdi Jehovait dhe që është në harmoni me lajmin e mirë që predikojmë. (Filip. 1:27) Veç kësaj, ‘i kushtojmë vëmendje mësimdhënies sonë’ kur përgatitemi mirë dhe i kërkojmë ndihmë Jehovait para se t’u japim dëshmi të tjerëve.

3. Si mund të reagojnë ndaj mesazhit për Mbretërinë ata që u predikojmë? Jepni një shembull.

3 Mirëpo, edhe kur përpiqemi me mish e me shpirt, shumë veta në territor mund të jenë indiferentë ndaj mesazhit për Mbretërinë. Të mendojmë për shembullin e vëllait Georg Lindal, që predikoi i vetëm nga një cep i Islandës në tjetrin në vitet 1929-1947. Ai shpërndau dhjetëra mijë botime, por as edhe një njeri nuk e pranoi të vërtetën. Vëllai Georg shkruante: «Disa duket sikur janë bërë kundërshtarë të së vërtetës, kurse pjesa më e madhe janë krejt indiferentë.» Edhe pasi shkuan atje misionarë të stërvitur në Galad për të zgjeruar veprën, u deshën nëntë vite të tjera që disa islandezë t’i kushtoheshin Jehovait dhe të pagëzoheshin. *

4. Si mund të ndihemi kur njerëzit janë indiferentë ndaj lajmit të mirë?

4 Mund të shkurajohemi kur njerëzit janë indiferentë ndaj lajmit të mirë. Mbase ndihemi si Pavli, të cilit ‘i dhimbte shpirti e i qante zemra pa pushim’, ngaqë shumë judenj nuk e pranonin Jezuin si Mesia i premtuar. (Rom. 9:1-3) Ose ndoshta, me gjithë përpjekjet e tua të palodhura dhe lutjet për një student të Biblës, ai nuk bën përparim dhe studimi duhet ndërprerë. A mbase nuk ke ndihmuar kurrë drejtpërdrejt dikë deri në pagëzim. A duhet të ndihesh në faj e të mendosh se Jehovai nuk është i kënaqur me shërbimin tënd? Në këtë artikull do t’u përgjigjemi dy pyetjeve: (1) Si matet suksesi në shërbim? (2) Çfarë është realiste të presësh në shërbim?

SI MATET SUKSESI NË SHËRBIM?

5. Pse përpjekjet tona në shërbim mund të mos japin gjithmonë rezultatin që shpresonim?

5 Ja ç’thotë Bibla për dikë që bën vullnetin e Perëndisë: «Çdo gjë që bën, do t’i shkojë mbarë.» (Psal. 1:3) Por kjo s’do të thotë se çdo përpjekje në shërbim të Jehovait do të dalë ashtu siç e pritnim. Jeta e njeriut është ‘e mbytur me halle’, se jemi të papërsosur e jetojmë në një botë të papërsosur. (Jobi 14:1) Veç kësaj, kundërshtarët mund të na pengojnë për njëfarë kohe të bëjmë aq sa do të donim në shërbim. (1 Kor. 16:9; 1 Sel. 2:18) Atëherë, si e mat Jehovai suksesin tonë në shërbim? Të shohim disa parime nga Bibla që na ndihmojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.

Jehovai i çmon përpjekjet tona, sido që të predikojmë: shtëpi më shtëpi, me letra a me telefon (Shih paragrafin 6)

6. Si e mat Jehovai suksesin e shërbimit tonë?

6 Jehovai vëren përpjekjet dhe qëndrueshmërinë tonë. Në sytë e Jehovait, shërbimi ynë është i suksesshëm kur e bëjmë me zell dhe nga dashuria për Të, pavarësisht se si reagojnë të tjerët. Pavli shkroi: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprat tuaja dhe dashurinë që treguat për emrin e tij duke u shërbyer të shenjtëve, sikurse po vazhdoni të bëni.» (Hebr. 6:10) Jehovai nuk i harron përpjekjet dhe dashurinë që tregojmë, edhe nëse këto përpjekje nuk japin fryt. Prandaj janë të vërteta edhe për ty fjalët që u tha Pavli korintasve: ‘Mundi yt në veprën e Zotërisë s’është i kotë’, edhe atëherë kur mundi që derdh, nuk sjell rezultatet që shpresoje.—1 Kor. 15:58.

7. Ç’mund të mësojmë nga ajo që tha apostulli Pavël për shërbimin e tij?

7 Apostulli Pavël ishte misionar i shkëlqyer dhe formonte kongregacione të reja nga një qytet në tjetrin. Por, edhe në ato raste kur e pa të udhës të mbronte kualifikimet e tij si shërbëtor i Krishtit, Pavli nuk e vuri theksin te numri i njerëzve që kishte ndihmuar të bëheshin besimtarë. Përkundrazi, i hodhi poshtë kritikat e atyre që mburreshin për t’u dukur më superiorë se ai, me këto fjalë: «Kam punuar më fort se ata.» (2 Kor. 11:23) Ashtu si Pavli, mos harro se Jehovai çmon mbi gjithçka përpjekjet dhe qëndrueshmërinë.

8. Çfarë duhet të mbajmë parasysh për shërbimin tonë?

8 Shërbimi ynë i sjell gëzim Jehovait. Jezui dërgoi 70 dishepuj që të predikonin mesazhin për Mbretërinë, e në fund të fushatës së predikimit ata «u kthyen të gëzuar». Nga se buronte gjithë ai gëzim? Ata thanë: «Edhe demonët na nënshtroheshin në emrin tënd.» Por, Jezui i ndihmoi të ndreqnin mënyrën si mendonin, duke u thënë: «Mos u gëzoni që frymërat ju nënshtrohen, por gëzohuni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.» (Luka 10:17-20) Jezui e dinte se nuk do të kishin gjithmonë rezultate aq fantastike. Në fakt, sot nuk e dimë sa nga ata që u predikuan dishepujt në atë fushatë, u bënë besimtarë. Dishepujt duhet të gjenin gëzim jo thjesht tek arritjet që kishin por, para së gjithash, te siguria se përpjekjet e tyre të palodhura gëzonin Jehovain.

9. Sipas Galatasve 6:7-9, cili do të jetë rezultati nëse nuk dorëzohemi në shërbim?

9 Nëse nuk dorëzohemi në shërbim, do të marrim jetën e përhershme. Kur punojmë pa u kursyer që të mbjellim e të ujitim farat e së vërtetës, ‘po mbjellim për frymën e shenjtë’, sepse po lejojmë të na udhëheqë fryma e Perëndisë. Nëse nuk «dorëzohemi» ose nuk «lodhemi», Jehovai na garanton se do të korrim jetën e përhershme, edhe nëse s’kemi bërë ndonjë dishepull të ri.—Lexo Galatasve 6:7-9.

ÇFARË ËSHTË REALISTE TË PRESËSH NË SHËRBIM?

10. Nga se varet mënyra si reagojnë njerëzit kur u predikojmë?

10 Reagimi ndaj lajmit të mirë varet kryesisht nga ajo që kanë në zemër njerëzit. Jezui e shpjegoi këtë të vërtetë në ilustrimin për mbjellësin që mbolli fara në lloje të ndryshme toke; farat prodhuan fryt vetëm në një lloj toke. (Luka 8:5-8) Jezui tha se llojet e ndryshme të tokës përfaqësojnë zemrat e njerëzve që reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj ‘fjalës së Perëndisë’. (Luka 8:11-15) Ashtu si mbjellësi, ne nuk e kemi në dorë frytin e punës sonë, sepse ai varet nga çfarë kanë në zemër njerëzit. Përgjegjësia jonë është të vazhdojmë të mbjellim farën e mirë, mesazhin për Mbretërinë. Siç u shpreh apostulli Pavël, «secili do ta marrë shpërblimin sipas veprës së vet», jo sipas rezultateve.1 Kor. 3:8.

Noeja predikoi me besnikëri për vite me radhë, por askush tjetër nuk u fut në arkë përveç familjes së tij. Gjithsesi, predikimi i Noesë ishte i suksesshëm se iu bind Perëndisë. (Shih paragrafin 11)

11. Pse shërbimi i Noesë si «predikues drejtësie» ishte i suksesshëm në sytë e Jehovait? (Shih figurën e kopertinës.)

11 Edhe dëshmitarët e Jehovait në lashtësi u predikuan njerëzve që s’donin t’ia dinin për mesazhin e tyre. Për shembull, Noeja duhet të ketë shërbyer për dekada me radhë si «predikues drejtësie». (2 Pjet. 2:5) Pa dyshim, ai shpresonte që njerëzit t’i kushtonin vëmendje mesazhit të tij. Ama, Jehovai nuk tha se do të ndodhte ashtu. Përkundrazi, kur e udhëzoi Noenë të ndërtonte arkën, Perëndia tha: «Ti duhet të futesh në arkë bashkë me djemtë e tu, gruan dhe gratë e djemve të tu.» (Zan. 6:18) E kur Jehovai tregoi përmasat dhe kapacitetin e arkës, Noeja mund ta ketë kuptuar se, edhe sikur disa t’ia vinin veshin, do të ishin fare pak veta. (Zan. 6:15) Në fakt, siç e dimë, as edhe një njeri nga ajo botë e dhunshme nuk ia vuri veshin Noesë. (Zan. 7:7) A e pa Jehovai si një dështim shërbimin e Noesë? Aspak! Në sytë e Perëndisë, predikimi i Noesë ishte i suksesshëm, sepse bëri me besnikëri gjithçka që i kishte kërkuar Ai.—Zan. 6:22.

12. Si gjeti gëzim profeti Jeremia ndërsa predikonte mes njerëzve indiferentë dhe armiqësorë?

12 Edhe profeti Jeremia predikoi për dekada mes njerëzve indiferentë dhe armiqësorë. Ai u shkurajua aq shumë nga ‘poshtërimet dhe talljet’ e kundërshtarëve, sa i erdhi të dorëzohej e ta linte caktimin. (Jer. 20:8, 9) Por nuk u dorëzua! Çfarë e ndihmoi t’i mposhtte mendimet negative e të gjente gëzim në shërbim? Jeremia u përqendrua te dy fakte të rëndësishme. Së pari, mesazhi i Perëndisë që po u çonte njerëzve, do t’u jepte atyre «një të ardhme plot shpresë». (Jer. 29:11) Së dyti, Jehovai i kishte dhënë privilegjin të mbante emrin e Tij. (Jer. 15:16) Edhe ne u japim njerëzve një mesazh shprese në këtë botë të zymtë dhe mbajmë emrin e Jehovait si Dëshmitarë të tij. Kur përqendrohemi te këto dy fakte të rëndësishme, mund të gjejmë gëzim, pavarësisht nga reagimi i njerëzve.

13. Çfarë mësojmë nga ilustrimi i Jezuit që gjendet te Marku 4:26-29?

13 Përparimi në të vërtetën ndodh dalëngadalë. Jezui na e mësoi këtë të vërtetë në ilustrimin për mbjellësin që fle. (Lexo Markun 4:26-29.) Përpjekjet e mbjellësit dhanë fryt dalëngadalë; ai nuk e kishte në dorë sa shpejt do të rriteshin bimët. Edhe ti mund të mos shohësh rezultate për njëfarë kohe ndërsa përpiqesh të ndihmosh një student të Biblës, sepse rritja ndodh dalëngadalë e me disa faza. Ashtu si bujku që nuk i detyron dot bimët të rriten me atë shpejtësi që dëshiron, edhe ne nuk i detyrojmë dot studentët tanë të përparojnë me atë ritëm që do të na pëlqente. Prandaj mos u shkurajo e mos u dorëzo nëse një studenti i duhet më shumë kohë nga ç’e prisje që të përparojë. Ashtu si bujku, edhe neve na duhet durim ndërsa përpiqemi të bëjmë një dishepull të ri.—Jak. 5:7, 8.

14. Cili shembull tregon se mund të duhet goxha kohë që përpjekjet tona në shërbim të japin fryt?

14 Në disa territore, mund të kalojë goxha kohë para se të korrim frytet e përpjekjeve tona. Të mendojmë për shembullin e Gledis dhe Rubi Alenit, dy motra gjaku që në vitin 1959 u caktuan të shërbenin si pioniere të rregullta në një qytet të provincës së Kuebekut, Kanada. * Si pasojë e frikës së opinionit dhe e ndikimit të Kishës Katolike, njerëzit nuk e dëgjonin mesazhin për Mbretërinë. Gledis kujtonte: «Shkuam nga shtëpia në shtëpi tetë orë në ditë për dy vjet rresht, pa gjetur askënd që të na përgjigjej. Njerëzit vetëm vinin te dera dhe pastaj ulnin grilat. Por, nuk u dorëzuam.» Avash-avash qëndrimi i njerëzve u zbut dhe territori u bë më i frytshëm. Tani, në atë qytet ka tri kongregacione.—Isa. 60:22.

15. Çfarë na mëson 1 Korintasve 3:6, 7 për veprën e bërjes së dishepujve?

15 Bërja e dishepujve është përpjekje e përbashkët. Për ta ndihmuar dikë të përparojë drejt pagëzimit, duhet një kongregacion i tërë. (Lexo 1 Korintasve 3:6, 7.) Për shembull, një vëlla i lë një fletushkë a revistë dikujt që tregon interes. Por, vëllai nuk është i lirë të kthehet në orarin që dëshiron i interesuari, prandaj i kërkon një lajmëtari tjetër ta vizitojë. Ai lajmëtar fillon studim me të interesuarin. Ndërsa drejton studimin, fton shumë vëllezër e motra ta shoqërojnë, dhe secili prej tyre e inkurajon studentin në një mënyrë të ndryshme. Çdo vëlla a motër që takon studenti, ndihmon për të ujitur farën e së vërtetës. Kështu, siç tha Jezui, mbjellësi dhe korrësi gëzojnë së bashku në korrje.—Gjoni 4:35-38.

16. Pse mund të gjesh shumë gëzim në shërbim edhe nëse të kufizojnë shëndeti i dobët ose fuqia e paktë?

16 Ndoshta nuk mund të marrësh pjesë në shërbim aq sa dikur, ngaqë tani ke shëndet të dobët ose pak fuqi. Por prapë mund të gjesh gëzim ndërsa bën pjesën tënde në korrje. Mendo për rastin kur mbreti David e luftëtarët e tij çliruan familjet e tyre dhe rimorën gjithçka që u kishte plaçkitur banda amalekite. Dyqind burra ishin të rraskapitur për të shkuar në luftë, prandaj ndenjën në prapavijë për të ruajtur plaçkat. Pasi e fituan betejën, Davidi urdhëroi të merrnin të gjithë njësoj nga plaçka e luftës. (1 Sam. 30:21-25) Kështu ndodh edhe në veprën mbarëbotërore të bërjes së dishepujve. Nëse po jep më të mirën në këtë vepër, mund të provosh të njëjtin gëzim si lajmëtarët e tjerë për këdo që çlirohet nga bota e Satanait dhe hyn në rrugën e jetës.

17. Pse i jemi mirënjohës Jehovait?

17 I jemi mirënjohës Jehovait që, si prind i dashur, çmon çdo gjë që bëjmë për të. Ai e di se nuk i kemi në dorë rezultatet e përpjekjeve tona. Gjithsesi sheh sa fort përpiqemi dhe sa shumë e duam, e na shpërblen për këtë. Gjithashtu na mëson si të gjejmë gëzim ndërsa bëjmë pjesën tonë në veprën e Tij. (Gjoni 14:12) Nëse nuk dorëzohemi, mund të jemi të sigurt se Perëndia na sheh përherë me buzëqeshje miratimi!

KËNGA 67 «Prediko fjalën»

^ par. 5 Jemi të lumtur kur njerëzit duan të dinë më shumë për të vërtetën, por ndihemi të shkurajuar kur janë indiferentë ndaj lajmit të mirë. Ose ndoshta po studiojmë Biblën me dikë që nuk bën përparim. A mbase nuk kemi ndihmuar kurrë drejtpërdrejt dikë deri në pagëzim. A do të thotë kjo se kemi dështuar në veprën e bërjes së dishepujve? Në këtë artikull do të shohim pse mund të kemi sukses në shërbim e të gjejmë gëzim, pavarësisht nëse të tjerët na dëgjojnë apo jo.

^ par. 14 Shih jetëshkrimin e Gledis Alenit, «Nuk do të ndryshoja asgjë!», në Kullën e Rojës të 1 shtatorit 2002.