Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 49

Mësime nga Levitiku si t’i trajtojmë të tjerët

Mësime nga Levitiku si t’i trajtojmë të tjerët

«Duaje tjetrin si veten.»—LEV. 19:18.

KËNGA 109 Ta duam me gjithë zemër njëri-tjetrin

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë kemi parë në artikullin e kaluar, dhe çfarë do të shqyrtojmë tani?

 NË ARTIKULLIN e kaluar, shqyrtuam disa këshilla praktike nga kapitulli 19 i Levitikut. Për shembull, në vargun 3 Jehovai i urdhëroi izraelitët të respektonin prindërit. Gjithashtu pamë se mund ta zbatojmë këtë këshillë duke u kujdesur për nevojat fizike dhe emocionale të prindërve e duke i ndihmuar të ruajnë miqësinë me Jehovain. Në të njëjtin varg, Perëndia u tha izraelitëve të mbanin Sabatin. Edhe pse sot nuk e mbajmë Sabatin, mësuam se mund të zbatojmë parimin pas këtij ligji duke lënë kohë çdo ditë për të adhuruar Jehovain. Kështu do të tregojmë se po bëjmë çmos të jemi të shenjtë, siç na udhëzojnë Levitiku 19:2 dhe 1 Pjetrit 1:15.

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë më tej kapitullin 19 të Levitikut. Do t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Si të tregojmë konsideratë për ata që kanë nevoja të veçanta? Si të jemi të ndershëm në çështjet e biznesit? Dhe si t’u shfaqim dashuri të tjerëve? Duam të jemi të shenjtë sepse Perëndia ynë është i shenjtë. Prandaj të shohim çfarë mësojmë nga ky kapitull.

TREGO KONSIDERATË PËR ATA ME NEVOJA TË VEÇANTA

Sipas Levitikut 19:14, si duhet t’i trajtojmë ata që nuk dëgjojnë ose që janë të verbër? (Shih paragrafët 3-5) *

3-4. Sipas Levitikut 19:14, si duheshin trajtuar ata që nuk dëgjonin ose që nuk shihnin?

3 Lexo Levitikun 19:14. Jehovai do që shërbëtorët e tij të tregojnë konsideratë për ata me nevoja të veçanta. Për shembull, izraelitët nuk duhej ta mallkonin dikë që nuk dëgjonte. Ta mallkoje, përfshinte ta kërcënoje ose t’i uroje të keqen. Sa e pashpirt do të ishte kjo! Ai nuk mund ta dëgjonte çfarë thuhej për të, ndaj nuk mbrohej dot.

4 Më tej, vargu 14 thotë se shërbëtorët e Perëndisë nuk duhej ‘t’i vinin pengesë të verbrit’. Në lidhje me ata që kishin nevoja të veçanta, një vepër referimi komenton: «Në lashtësi, në Lindjen e Mesme [ata] shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin mizorisht.» Mbase një njeri shpirtlig mund t’i vinte pengesë një të verbri që të tallej me të ose që ai të rrëzohej e të vritej. Sa mizore! Me anë të këtij ligji, Jehovai po e nxiste popullin e tij të tregonte dhembshuri për ata me nevoja të veçanta.

5. Si mund të tregojmë dhembshuri për ata me nevoja të veçanta?

5 Jezui tregonte dhembshuri për ata me nevoja të veçanta. Të kujtojmë fjalët që i çoi Gjon Pagëzorit në burg: «Të verbrit tani po shohin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen.» Kur panë mrekullitë e Jezuit, «gjithë të tjerët i dhanë lavdi Perëndisë». (Luka 7:20-22; 18:43) Si adhurues të Perëndisë, duam të imitojmë Jezuin dhe të shfaqim dhembshuri për ata me nevoja të veçanta. Ndaj tregohemi zemërmirë dhe të duruar me ta. Sot Jehovai nuk na ka dhënë fuqi të bëjmë mrekulli. Megjithatë, kemi privilegjin t’u shpallim njerëzve—duke përfshirë edhe ata që janë në errësirë për sa i përket qëllimit të Jehovait ose që janë të verbër fizikisht—lajmin e mirë për një parajsë ku të gjithë do të gëzojnë miqësi të ngushtë me Perëndinë dhe shëndet të plotë. (Luka 4:18) Ky lajm i mirë po i ndihmon shumë veta t’i japin lavdi Perëndisë.

JI I NDERSHËM NË ÇËSHTJET E BIZNESIT

6. Si na ndihmon kapitulli 19 i Levitikut të kuptojmë më mirë Dhjetë Urdhërimet?

6 Disa vargje nga kapitulli 19 i Levitikut na ndihmojnë t’i kuptojmë më mirë Dhjetë Urdhërimet. Për shembull, urdhërimi i tetë thotë thjesht: «Mos vidh.» (Eks. 20:15) Dikush mund nxirrte përfundimin se, për sa kohë që nuk merrte diçka që s’i përkiste, po i bindej këtij urdhërimi. Megjithatë, ndoshta po vidhte në mënyra të tjera.

7. Si mund ta shkelte një tregtar urdhërimin e tetë?

7 Një tregtar mund të krenohej se s’kishte marrë kurrë diçka që s’i përkiste. Por a ishte treguar gjithmonë i ndershëm në tregti? Siç tregohet te Levitiku 19:35, 36, Jehovai tha: «Mos përdorni standarde të dyfishta kur matni gjatësinë, gjerësinë dhe vëllimin. Duhet të keni peshore të sakta, pesha të sakta, masa të sakta për lëndët e ngurta dhe masa të sakta për lëngjet.» Një tregtar që përdorte peshore ose masa jo të sakta për të mashtruar blerësit, faktikisht po vidhte. Një shqyrtim më i thellë i kapitullit 19 të Levitikut na e bën më të qartë këtë.

Në harmoni me Levitikun 19:11-13, ç’pyetje duhet t’i bëjë vetes një i krishterë kur bëhet fjalë për çështje biznesi? (Shih paragrafët 8-10) *

8. Si i ndihmonte izraelitët Levitiku 19:11-13 të zbatonin parimin që qëndronte pas urdhërimit të tetë, dhe si mund të nxjerrim dobi ne?

8 Lexo Levitikun 19:11-13. Në fillim të vargut 11 thuhet: «Mos vidhni.» Vargu 13 e lidh vjedhjen me praktikat e pandershme tregtare: «Mos e zhvat tjetrin dhe mos e grabit.» Pra, kur dikush nuk është i ndershëm në çështjet e biznesit, po vjedh. Ndërkohë që urdhërimi i tetë e dënonte vjedhjen, këto hollësi te Levitiku i ndihmonin izraelitët të kuptonin si ta zbatonin parimin që qëndronte pas këtij ligji dhe si të ishin të ndershëm në çdo gjë. Nxjerrim dobi kur meditojmë ç’pikëpamje ka Jehovai për pandershmërinë dhe vjedhjen. Pyet veten: «Duke pasur parasysh Levitikun 19:11-13, a kam nevojë të bëj ndryshime kur bëhet fjalë për çështje biznesi ose për punën?»

9. Si i mbronte punëtorët me mëditje ligji te Levitiku 19:13?

9 Një punëdhënës që i shërben Jehovait duhet të mbajë parasysh edhe një aspekt tjetër të ndershmërisë. Levitiku 19:13 përfundon me fjalët: «Mos ia mbaj pagën gjithë natën deri në mëngjes atij që punon me mëditje.» Në Izrael, shumica e njerëzve merreshin me bujqësi, dhe çdo punëtor me mëditje paguhej në fund të ditës. Nëse nuk paguhej në kohë, mbase s’do të kishte me çfarë të ushqente familjen. Ja pse Jehovai shpjegoi: «Ai është në hall dhe mban shpirtin me të.»—Ligj. 24:14, 15; Mat. 20:8.

10. Çfarë mësimi nxjerrim nga Levitiku 19:13?

10 Shumë punonjës sot nuk e marrin rrogën çdo ditë, por një ose dy herë në muaj. Megjithatë, parimi që gjejmë te Levitiku 19:13 vlen edhe për ditët tona. Disa punëdhënës i shfrytëzojnë punonjësit dhe i paguajnë fare pak. Ata e dinë se ka shumë mundësi të vazhdojnë të punojnë me paga qesharake ngaqë s’kanë nga t’ia mbajnë. Në njëfarë mënyre, këta punëdhënës po ‘ua mbajnë pagën atyre që punojnë’. Një punëdhënës që i shërben Perëndisë duhet të sigurohet se nuk po ua mban pagën punonjësve. Le të shohim tani ç’mund të mësojmë tjetër nga kapitulli 19 i Levitikut.

DUAJE TJETRIN SI VETEN

11-12. Çfarë theksoi Jezui kur citoi nga Levitiku 19:17, 18?

11 Perëndia nuk pret që thjesht të mos u bëjmë keq të tjerëve. Këtë e kuptojmë nga Levitiku 19:17, 18. (Lexoje.) Vër re urdhrin e qartë: «Duaje tjetrin si veten.» Është shumë e rëndësishme t’i zbatojmë këto fjalë nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë.

12 Të shohim si e theksoi Jezui rëndësinë e urdhërimit që gjejmë te Levitiku 19:18. Në një rast, një farise e pyeti: «Cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?» Jezui iu përgjigj se «urdhërimi i parë dhe më i madhi» është të duam Jehovain me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin dhe me gjithë mendjen tonë. Pastaj, duke cituar nga Levitiku 19:18, tha: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mat. 22:35-40) Ka sa e sa mënyra për t’u treguar dashuri të tjerëve, dhe disa prej tyre i mësojmë nga kapitulli 19 i Levitikut.

13. Si e ilustron tregimi i Biblës për Jozefin atë që thuhet te Levitiku 19:18?

13 Një mënyrë si u tregojmë dashuri të tjerëve, është duke zbatuar këshillën te Levitiku 19:18. Aty thuhet: «Mos merr hak dhe mos . . . mbaj mëri.» Shumë prej nesh njohin njerëz që i kanë mbajtur mëri një shoku shkolle a pune, një të afërmi ose familjari, madje për vite me radhë. Kujto se ishte mëria që i shtyu dhjetë gjysmëvëllezërit e Jozefit t’i bënin keq atij. (Zan. 37:2-8, 25-28) Por sa ndryshe veproi Jozefi! Kur kishte autoritet dhe e kishte në dorë të merrte hak, ai tregoi mëshirë. Jozefi nuk mbajti mëri. Përkundrazi, veproi në harmoni me këshillën që gjejmë te Levitiku 19:18.—Zan. 50:19-21.

14. Nga e kuptojmë se duhet t’i zbatojmë sot parimet që përmban Levitiku 19:18?

14 Si adhurues të Jehovait, duam ta kënaqim Atë. Prandaj le të imitojmë Jozefin që nuk mori hak, por i fali vëllezërit. Kjo është në përputhje edhe me lutjen model, ku Jezui na nxit t’i falim ata që mëkatojnë kundër nesh. (Mat. 6:9, 12) Edhe apostulli Pavël i këshilloi bashkëbesimtarët: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur.» (Rom. 12:19) Gjithashtu i inkurajoi: «Vazhdoni të duroni e të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolos. 3:13) Parimet e Jehovait nuk ndryshojnë. Prandaj, edhe ne sot duhet t’i zbatojmë parimet që qëndrojnë pas ligjit te Levitiku 19:18.

Ashtu siç nuk është mirë të ngacmojmë një plagë, nuk është mirë edhe të bluajmë në mendje fyerjet. Duhet të përpiqemi t’i hedhim pas krahëve (Shih paragrafin 15) *

15. Cili ilustrim tregon se duhet t’i hedhim pas krahëve fyerjet?

15 Të bëjmë një ilustrim. Ndjenjat e lënduara mund të krahasohen me plagët. Disa plagë janë të lehta, disa të rënda. Për shembull, kur qërojmë perimet, pa dashje mund të presim pak gishtin. Mbase na dhemb, por nuk është ndonjë gjë serioze. Pas nja dy ditësh s’e ndiejmë më fare. Si ajo plagë, disa fyerje mund t’i harrojmë kollaj. Për shembull, një mik mund të thotë ose të bëjë diçka që na lëndon, por s’e kemi problem ta falim. Ama kur një plagë është më e thellë, mund të na duhet të shkojmë te mjeku për ta qepur dhe për ta fashuar. E po ta ngacmojmë vazhdimisht, ka shumë mundësi të infektohet. Po njëlloj mund të veprojë dikush që e kanë fyer rëndë. Ai mund të bluajë pa pushim në mendje sa e kanë lënduar dhe sa dhembje i kanë shkaktuar. Por kush mban mëri, thjesht po lëndon veten. Është shumë më mirë të zbatojë këshillën që gjendet te Levitiku 19:18!

16. Sipas Levitikut 19:33, 34, si duhej të trajtoheshin të ardhurit në Izrael, dhe çfarë mund të mësojmë prej kësaj?

16 Kur Jehovai i urdhëroi izraelitët të donin të tjerët, nuk po thoshte se duhej t’u tregonin dashuri vetëm atyre që i përkitnin të njëjtës racë ose kombësi. I urdhëroi edhe të donin të ardhurin që banonte mes tyre. Kjo kuptohet qartë nga Levitiku 19:33, 34. (Lexoje.) Izraelitët duhej ta trajtonin të ardhurin «njësoj si vendësit» dhe ‘ta donin’ si veten. Për shembull, duhej t’i linin si të varfrit, edhe të ardhurit të mblidhnin prodhimet që mbeteshin në arë. (Lev. 19:9, 10) Parimin për të dashur të ardhurin duhet ta zbatojmë edhe ne sot. (Luka 10:30-37) Në ç’mënyrë? Miliona njerëz emigrojnë për të jetuar diku tjetër dhe mbase disa banojnë afër teje. Ka shumë rëndësi t’i trajtojmë këta burra, gra e fëmijë me dinjitet dhe respekt.

NJË ZBATIM MË I GJERË I KAPITULLIT 19 TË LEVITIKUT

17-18. (a) Si duhet të ndikojnë te ne Levitiku 19:2 dhe 1 Pjetrit 1:15? (b) Cilën vepër të rëndësishme na nxit të bëjmë apostulli Pjetër?

17 Levitiku 19:2 dhe 1 Pjetrit 1:15 e nxitin popullin e Perëndisë të jetë i shenjtë. Shumë vargje të tjera të kapitullit 19 të Levitikut na ndihmojnë të kuptojmë si të fitojmë miratimin e Jehovait. Vargjet që kemi shqyrtuar, nxjerrin në pah vetëm disa gjëra të mira që duhen bërë e disa gjëra të këqija që duhen shmangur. * Nga Shkrimet e Krishtere Greke kuptojmë se Jehovai dëshiron që këto parime t’i zbatojmë edhe sot. Por Pjetri shton edhe diçka tjetër.

18 Ka shumë gjëra që bëjmë për të adhuruar Jehovain dhe për të ndihmuar të tjerët, por Pjetri thekson diçka në veçanti. Para se të na nxitë të bëhemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë, ai thotë: «Përgatitni mendjen për aktivitet.» (1 Pjet. 1:13, 15) Për çfarë aktiviteti bëhet fjalë? Pjetri tha se vëllezërit e mirosur të Krishtit duhej ‘të shpallnin kudo cilësitë e shkëlqyera të Atij që i thirri’. (1 Pjet. 2:9) Të gjithë shërbëtorët e Jehovait sot kanë nderin të kryejnë këtë vepër tejet të rëndësishme që u sjell njerëzve më shumë dobi se çdo gjë tjetër. Çfarë privilegji të veçantë kemi që, si popull i shenjtë, të marrim pjesë rregullisht dhe me zell në veprën e predikimit e të mësimdhënies! (Mar. 13:10) Kur bëjmë çmos të zbatojmë parimet që gjejmë te kapitulli 19 i Levitikut, tregojmë se e duam Perëndinë dhe njerëzit. Veç kësaj, tregojmë se duam ‘të bëhemi të shenjtë’ në gjithë sjelljen tonë.

KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar

^ Si të krishterë, nuk jemi nën Ligjin e Moisiut. Megjithatë ai Ligj përmend shumë gjëra që duhet të bëjmë ose që duhet të shmangim. Ndërsa mësojmë për to, kjo do të na nxitë t’u tregojmë dashuri të tjerëve dhe të kënaqim Perëndinë. Në këtë artikull do të shohim si mund të nxjerrim dobi nga mësimet që gjejmë te kapitulli 19 i Levitikut.

^ Vargjet që nuk janë trajtuar në këta dy artikuj flasin për mbajtjen me hatër, shpifjet, përdorimin e gjakut, spiritizmin, parashikimin e fatit dhe imoralitetin seksual.—Lev. 19:15, 16, 26-29, 31.—Shih «Pyetje nga lexuesit» në këtë numër.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një Dëshmitar ndihmon një vëlla që nuk dëgjon të komunikojë me mjekun.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla që ka një biznes për lyerje ambientesh po i jep pagën një punonjësi.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër mund ta harrojë lehtë një plagë të vogël. Por a do të harrojë kollaj nëse plaga është më e madhe?