Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A je një bashkëpunëtor i mirë?

A je një bashkëpunëtor i mirë?

«UNË isha përkrah tij si një kryemjeshtër. . . . Gëzohesha në prani të tij gjithë kohës.» (Prov. 8:30) Kështu thotë Bibla për Birin e Perëndisë gjatë epokave të panumërta që punoi përkrah Atit të tij para se të vinte në tokë. Është interesante që ky varg tregon edhe si ndihej Jezui si bashkëpunëtor i Perëndisë; ai ‘gëzonte’ në prani të Tij.

Jezui mësoi të kultivonte cilësi që e bënë bashkëpunëtor të shkëlqyer për ata që shërbyen krah tij në tokë. Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Jezuit? Ndërsa shqyrtojmë me kujdes shembullin e tij, dallojmë tri parime që mund të na ndihmojnë të jemi bashkëpunëtorë të mirë dhe të ruajmë unitetin mes nesh.

Shembulli i Jehovait dhe i Jezuit na nxit t’u japim pa u kursyer nga njohuria dhe përvoja që kemi bashkëpunëtorëve tanë

PARIMI 1: ‘NDERONI NJËRI-TJETRIN’

Një bashkëpunëtor i mirë i vlerëson me përulësi ata që shërbejnë përkrah tij dhe nuk përpiqet të bjerë në sy. Jezui e mësoi këtë qëndrim të përulur nga Ati i tij. Edhe pse Jehovai është i vetmi që meriton të quhet Krijuesi, ai donte që të tjerët ta dinin çfarë pune të rëndësishme kishte kryer Biri i tij. Kjo duket qartë te këto fjalë që tha: «Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë.» (Zan. 1:26) Patjetër, Jezui e vërejti dhe e çmoi përulësinë e Jehovait.—Psal. 18:35.

Ndërsa ishte në tokë, Jezui shfaqi një përulësi të ngjashme. Kur e lavdëronin për arritjet e tij, ia jepte meritën Atij që i takonte. (Mar. 10:17, 18; Gjoni 7:15, 16) Gjithashtu përpiqej të mbante një atmosferë paqësore me dishepujt e tij dhe i shihte si miq, jo si skllevër. (Gjoni 15:15) Madje u lau këmbët për t’u mësuar të ishin të përulur. (Gjoni 13:5, 12-14) Edhe ne duhet t’i çmojmë ata që shërbejnë krah nesh dhe të mos i vëmë interesat tona para të tyreve. Kur e ‘nderojmë njëri-tjetrin’ dhe nuk shqetësohemi se kush i merr lavdërimet, mund të realizojmë shumë më tepër gjëra.—Rom. 12:10.

Po ashtu, një njeri i përulur e pranon se «planet . . . plotësohen me shumë këshilltarë». (Prov. 15:22) Sado përvojë ose aftësi të kemi, të mos harrojmë se asnjë njeri nuk di gjithçka. Edhe Jezui madje e pranoi se kishte gjëra që nuk i dinte. (Mat. 24:36) Veç kësaj, donte ta dinte ç’mendonin dishepujt e tij të papërsosur. (Mat. 16:13-16) Ja pse bashkëpunëtorët e Jezuit ndiheshin rehat kur ishin me të. Po njësoj, kur ne mbajmë parasysh me përulësi se nuk dimë gjithçka dhe ua vëmë veshin ideve të të tjerëve, nxitim marrëdhënie paqësore dhe ‘planet plotësohen’.

Është veçanërisht e rëndësishme që pleqtë të imitojnë përulësinë e Jezuit ndërsa bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ata nuk duhet të harrojnë se fryma e shenjtë mund të veprojë te cilido plak në trupin e pleqve. Nëse përpiqen që gjatë mbledhjeve të pleqve të ruajnë një atmosferë ku secili ndihet i lirshëm të shprehë mendimin, së bashku do të marrin vendime që i sjellin dobi gjithë kongregacionit.

PARIMI 2: ‘ARSYETUESHMËRINË TUAJ LE TA NJOHIN TË GJITHË’

Një bashkëpunëtor i mirë është i arsyeshëm ndërsa punon me të tjerët. Është elastik dhe hap rrugë. Pa dyshim, Jezui kishte plot mundësi të vëzhgonte sa i arsyeshëm është Ati i tij. Për shembull, Jehovai e dërgoi që t’i shpëtonte njerëzit nga dënimi me vdekje që e kishin hak.—Gjoni 3:16.

Jezui hapte rrugë sa herë ishte e nevojshme ose e përshtatshme. Për shembull, ndonëse ishte dërguar te shtëpia e Izraelit, ai ndihmoi një grua fenikase. (Mat. 15:22-28) Ai ishte i arsyeshëm edhe në atë që priste nga dishepujt e vet. Pasi miku i tij i ngushtë, Pjetri, e mohoi në sy të të tjerëve, Jezui ishte i gatshëm ta falte. E më vonë i besoi Pjetrit përgjegjësi me peshë. (Luka 22:32; Gjoni 21:17; Vep. 2:14; 8:14-17; 10:44, 45) Shembulli i Jezuit e bën të qartë se kur hapim rrugë, ‘arsyetueshmërinë tonë do ta njohin të gjithë’.—Filip. 4:5.

Kush është i arsyeshëm, tregohet edhe elastik, në mënyrë që të punojë në harmoni me lloje të ndryshme njerëzish. Jezui i trajtonte aq mirë njerëzit përreth, sa armiqtë e tij xhelozë e akuzuan se ishte «mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve» që e pranonin mesazhin e tij. (Mat. 11:19) Njësoj si Jezui, a mund të punojmë në harmoni me lloje të ndryshme njerëzish? Luisi, një vëlla që gjatë veprës udhëtuese dhe shërbimit në Bethel ka bashkëpunuar me njerëz të formimeve e prejardhjeve të ndryshme, thotë: «Çdo grup me të cilin bashkëpunoj, e krahasoj me një mur të ndërtuar me gurë të formave të ndryshme. Duke përshtatur mënyrën si vendosen gurët, mund të kesh si përfundim një mur të drejtë. Gjithashtu përpiqem të përshtatem e të bëj ndryshime edhe vetë, që muri të jetë i drejtë.» Çfarë fryme e bukur!

Një bashkëpunëtor i mirë nuk i mban për vete gjërat që di për të ruajtur pushtetin mbi të tjerët

Po ne, kur mund të tregohemi të arsyeshëm ndërsa shërbejmë krah të tjerëve në kongregacion? Kemi mundësinë ta bëjmë këtë kur jemi me grupin e shërbimit. Ndoshta dalim në shërbim me lajmëtarë që kanë përgjegjësi familjare të ndryshme nga tonat ose që kanë një moshë tjetër. A mund të përpiqemi të jemi të arsyeshëm duke përshtatur ritmin ose mënyrën si e organizojmë predikimin, që të tjerët ta shijojnë më shumë shërbimin?

PARIMI 3: ‘MOS U KURSENI PËR TË TJERËT’

Një bashkëpunëtor i mirë ‘nuk kursehet për të tjerët’. (1 Tim. 6:18) Ndërsa punonte përkrah Atit të tij, Jezui duhet ta ketë vërejtur se Jehovai nuk mbante të fshehta. Kur Jehovai «bëri qiejt», Jezui ‘ishte atje’ dhe mund të mësonte prej Tij. (Prov. 8:27) Më vonë, Jezui u tregoi me kënaqësi dishepujve ‘gjërat që kishte dëgjuar’ nga i Ati. (Gjoni 15:15) Shembulli i Jehovait dhe i Jezuit duhet të na nxitë t’u japim pa u kursyer nga njohuria dhe përvoja jonë atyre që shërbejnë krah nesh. Patjetër, një bashkëpunëtor i mirë nuk i mban për vete informacionet e nevojshme ose të dobishme që të ruajë pushtetin mbi të tjerët. Ai ua tregon me kënaqësi të tjerëve gjërat e mira që ka mësuar.

Një gjë tjetër që mund t’u japim bashkëpunëtorëve tanë janë fjalët inkurajuese. A nuk na ngrohet zemra kur dikush i vëren përpjekjet tona dhe shpreh mirënjohje? Jezui gjente kohë që t’ua thoshte bashkëpunëtorëve të tij gjërat e mira që shihte tek ata. (Krahaso Mateun 25:19-23; Lukën 10:17-20.) Madje u tha se do të bënin «vepra edhe më të mëdha» se të tijat. (Gjoni 14:12) Natën para se të vdiste, ai i lavdëroi apostujt besnikë me fjalët: «Pikërisht ju nuk më keni braktisur në kohë sprovash.» (Luka 22:28) Imagjino si do t’ua kenë ngritur zemrën peshë dhe do t’i kenë motivuar fjalët e tij! Nëse edhe ne gjejmë kohë t’i lavdërojmë bashkëpunëtorët tanë, ka të ngjarë t’ua shtojmë gëzimin e t’i nxitim të japin më të mirën.

TI MUND TË JESH NJË BASHKËPUNËTOR I MIRË

«Nuk ka nevojë që një bashkëpunëtor i mirë të jetë i përsosur,—thotë një vëlla që quhet Kajode.—Por, ai u fal gëzim të tjerëve dhe ua lehtëson barrën e punës.» Po ti, a je një bashkëpunëtor i tillë? Pse të mos i pyesësh disa nga ata që shërbejnë përkrah teje se çfarë mendojnë për ty si bashkëpunëtor? Nëse shërbejnë me kënaqësi krah teje, ashtu si dishepujt e Jezuit që kënaqeshin ndërsa shërbenin krah tij, mund të bashkohesh me apostullin Pavël, që tha: «Jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj.»—2 Kor. 1:24.