Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 50

Dëgjoje zërin e bariut të shkëlqyer

Dëgjoje zërin e bariut të shkëlqyer

«Ato do ta dëgjojnë zërin tim.»—GJONI 10:16.

KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri

PËRMBLEDHJE *

1. Cila është një arsye pse Jezui i krahasoi dishepujt e tij me delet?

 JEZUI përdori lidhjen e ngushtë mes një bariu dhe deleve të tij për të ilustruar marrëdhënien me dishepujt e vet. (Gjoni 10:14) Ky është një krahasim i goditur. Delet e njohin bariun e tyre dhe i binden zërit të tij. Ja çfarë tha një udhëtar që e pa këtë me sytë e vet: «Donim të fotografonim ca dele dhe po i nxitnim të na afroheshin. Por ato nuk na afroheshin ngaqë nuk e njihnin zërin tonë. Kur ja, erdhi një bari i vogël dhe, me t’i dëgjuar zërin, delet i shkuan pas.»

2-3. (a) Si e tregojnë dishepujt e Jezuit se e dëgjojnë zërin e tij? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në tjetrin?

2 Historia e udhëtarit na kujton këto fjalë të Jezuit për delet, ose dishepujt e tij: «Ato do ta dëgjojnë zërin tim.» (Gjoni 10:16) Mirëpo Zotëria ynë, Jezui, është në qiell. Si mund ta dëgjojmë, pra, zërin e tij? E dëgjojmë kur i zbatojmë në jetën e përditshme mësimet e tij.—Mat. 7:24, 25.

3 Në këtë artikull dhe në tjetrin do të ndalemi te disa mësime të Jezuit. Siç do ta shohim, Jezui na mësoi se duhet të mos i bëjmë më disa gjëra dhe se duhet të bëjmë disa të tjera. Në fillim do të flasim për dy gjëra që bariu i shkëlqyer na nxit të mos i bëjmë më.

‘MOS JI MË NË ANKTH’

4. Sipas Lukës 12:29, për ç’arsye mund të jemi «në ankth»?

4 Lexo Lukën 12:29. Jezui i nxiti dishepujt e tij ‘të mos ishin më në ankth’ për gjërat e nevojshme materiale. Ne e dimë se kjo këshillë e Jezuit është gjithmonë e mençur dhe e drejtë, e kemi dëshirë ta zbatojmë. Por ndonjëherë mund ta kemi goxha të vështirë. Pse?

5. Pse disa mund të jenë në ankth për gjërat e nevojshme materiale?

 5 Disa mund të jenë në ankth se si do t’i sigurojnë gjërat e nevojshme materiale—ushqimin, veshjen dhe strehimin. Mbase jetojnë në një vend të varfër dhe e kanë të vështirë të fitojnë mjaft pará që të kujdesen për familjen. Ose ai që siguronte të ardhurat për familjen mund të ketë vdekur, e kështu familja ka mbetur pa asnjë përkrahje ekonomike. Gjithashtu, si pasojë e pandemisë së COVID-19, shumë veta mund të kenë humbur punën e të ardhurat. (Ekl. 9:11) Nëse jemi përplasur me ndonjë vështirësi të tillë, si mund t’ia vëmë veshin këshillës së Jezuit që të mos jemi më në ankth?

Mos lejo të fundosesh në ankthin për gjërat materiale, por forco besimin te Jehovai (Shih paragrafët 6-8) *

6. Tregoni ç’i ndodhi në një rast apostullit Pjetër.

6 Në një rast, apostulli Pjetër dhe apostujt e tjerë ishin në varkë në detin e Galilesë ndërsa kishte shpërthyer një stuhi. Ndërkohë panë Jezuin që po ecte mbi ujë. Atëherë Pjetri tha: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» Pasi Jezui e ftoi me fjalët «eja», Pjetri zbriti nga varka, «eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit». Mendo për atë që ndodhi më pas. «Kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thirri: ‘Zotëri, më shpëto!’» Jezui zgjati dorën dhe e shpëtoi. Vlen të theksohet se Pjetri ia doli të ecte mbi ujërat e trazuara për sa kohë që nuk ia ndau sytë Jezuit. Por kur i ktheu sytë nga stuhia, Pjetrin e vunë poshtë frika dhe dyshimi e nisi të fundosej.—Mat. 14:24-31.

7. Çfarë mësimi nxjerrim nga shembulli i Pjetrit?

7 Mund të nxjerrim një mësim nga shembulli i Pjetrit. Kur zbriti nga varka dhe këmbët prekën ujin, Pjetri nuk mendonte se mund të shpërqendrohej e të fundosej. Ai donte të vazhdonte të ecte mbi ujë derisa të arrinte te Zotëria. Mirëpo nuk i mbajti sytë tek ai synim. Natyrisht, ne nuk na duhet të ecim mbi ujë. Ama, njësoj si Pjetri, na duhet besim që të përballojmë sprovat. Po t’i largojmë dalëngadalë sytë nga Jehovai dhe nga premtimet e tij, do të na dobësohet besimi e do të fillojmë të fundosemi nga ankthi. Çfarëdo stuhie të përballojmë në jetë, duhet ta mbajmë mendjen të përqendruar te Jehovai dhe tek aftësia e tij për të na ndihmuar. Si mund ta bëjmë këtë?

8. Çfarë mund të na ndihmojë që të mos na mbytë ankthi për plotësimin e nevojave materiale?

8 Një gjë që do të na ndihmojë është ta zëvendësojmë ankthin me besimin te Jehovai. Mbaj në mendje se Ati ynë i dashur, Jehovai, garanton që do të kujdeset të kemi gjërat e nevojshme materiale nëse mbajmë adhurimin e tij në vend të parë. (Mat. 6:32, 33) Historia tregon se Jehovai e ka mbajtur gjithmonë këtë premtim. (Ligj. 8:4, 15, 16; Psal. 37:25) E përderisa Jehovai u siguron zogjve dhe luleve çka u nevojitet, nuk ka arsye të jemi në ankth se ç’do të hamë ose ç’do të veshim! (Mat. 6:26-30; Filip. 4:6, 7) Ashtu si prindërit e dhembshur që nxiten nga dashuria për t’u siguruar fëmijëve gjërat e nevojshme të jetës, edhe Atin tonë qiellor e shtyn dashuria që t’u sigurojë shërbëtorëve të tij gjërat e nevojshme materiale. Po, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të kujdeset për ne!

9. Çfarë të mëson shembulli i një çifti?

9 Të shohim një shembull që ilustron si mund të kujdeset Jehovai që të mos na mungojnë gjërat e nevojshme të jetës. Një çift që shërbejnë në kohë të plotë, udhëtuan mbi një orë me makinën e tyre të vjetër për të marrë me vete në mbledhje disa motra që jetonin në një kamp refugjatësh. Vëllai tregonte: «Pas mbledhjes i ftuam motrat për të ngrënë diçka, por pastaj u kujtuam se s’kishim asgjë në shtëpi.» Ç’do të bënin? Vëllai tha: «Kur arritëm në shtëpi, gjetëm para derës dy qese të mëdha me ushqime që s’e dinim kush i kishte lënë. Jehovai u kujdes për ne!» Pas njëfarë kohe, çiftit iu prish makina. Ajo makinë u duhej për shërbimin, por nuk kishin para ta riparonin. Kur e çuan për kontroll te një servis aty pranë, hyri një burrë dhe pyeti: «E kujt është kjo makinë?» Vëllai tha se ishte e tija dhe se kishte nevojë për riparime. Burri ia ktheu: «S’ka problem. Gruaja ime do këtë lloj makine dhe fiks këtë ngjyrë. Sa para kërkon?» Vëllai e shiti makinën dhe kishte mjaft para për të blerë një tjetër. Ai u shpreh: «Nuk gjej fjalë ta përshkruaj si ndiheshim në fund të asaj dite. E dinim se ajo që ndodhi, nuk ishte një rastësi. Ishte dora e Jehovait.»

10. Si na inkurajon Psalmi 37:5 që të mos jemi në ankth për gjërat e nevojshme materiale?

10 Kur e dëgjojmë bariun e shkëlqyer dhe nuk lejojmë më të na mbytë ankthi për gjërat e nevojshme materiale, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të kujdeset të kemi ç’na nevojitet. (Lexo Psalmin 37:5; 1 Pjet. 5:7) Të mendojmë për situatat e vështira që u përmendën në  paragrafin 5. Deri më sot, Jehovai mund të na ketë ndihmuar me anë të kryefamiljarit tonë ose të një punëdhënësi për të pasur çdo ditë gjërat e nevojshme. Nëse kryefamiljari nuk është më në gjendje të mbajë familjen a nëse kemi humbur punën, Jehovai do të gjejë një mënyrë tjetër që të kujdeset për ne. Të mos kemi pikë dyshimi për këtë. Le të shohim tani diçka tjetër që bariu i shkëlqyer na nxit të mos e bëjmë më.

‘MOS GJYKO MË’

Po të shohim përtej asaj që duket, do ta kemi më të lehtë të mos i gjykojmë më të tjerët (Shih paragrafët 11, 14-16) *

11. Sipas Mateut 7:1, 2, çfarë na nxit Jezui të mos bëjmë më, dhe pse mund të jetë e vështirë kjo?

11 Lexo Mateun 7:1, 2. Jezui e dinte se njerëzit janë të papërsosur, ndaj kanë prirjen t’i shohin me sy kritik të tjerët. Ja pse tha: «Mos gjykoni më.» Por, si të papërsosur, nuk ia dalim gjithmonë, edhe pse përpiqemi fort. Ç’duhet të bëjmë nëse vërejmë hera-herës te vetja një qëndrim kritik? Duhet të dëgjojmë Jezuin dhe të përpiqemi me të gjitha forcat që të mos i gjykojmë më të tjerët.

12-13. Si na ndihmon meditimi për mënyrën si veproi Jehovai me mbretin David që të mos i gjykojmë më të tjerët?

12 Mund të na ndihmojë meditimi për shembullin e Jehovait. Ai përqendrohet te të mirat që ka çdo njeri. E shohim këtë te mënyra si veproi kur mbreti David bëri gabime serioze. Për shembull, Davidi kreu kurorëshkelje me Betshebën, e madje i manovroi gjërat që burri i saj të vritej. (2 Sam. 11:2-4, 14, 15, 24) Për pasojë i hapi plagë jo vetëm vetes, por edhe familjes së tij, duke përfshirë gratë e tjera që kishte. (2 Sam. 12:10, 11) Në një rast tjetër, Davidi urdhëroi të regjistrohej ushtria e Izraelit pa miratimin e Jehovait, e kështu tregoi se nuk kishte besim të plotë tek Ai. Davidi ndoshta e bëri këtë i shtyrë nga krenaria që kishte një ushtri aq të madhe dhe nga besimi që ajo ishte një mbrojtje e shkëlqyer. Cila ishte pasoja? Jo pak, por 70.000 izraelitë vdiqën nga murtaja!—2 Sam. 24:1-4, 10-15.

13 Sikur të jetoje në atë kohë në Izrael, çfarë do të mendoje për Davidin? A do ta gjykoje si të padenjë për mëshirën e Jehovait? Jehovai nuk e gjykoi ashtu. Ai u përqendrua te besnikëria që kishte treguar Davidi gjatë gjithë jetës dhe te pendimi i tij i sinqertë. Si rezultat, e fali Davidin për ato gabime serioze. Jehovai e dinte se Davidi e donte me gjithë zemër dhe se kishte dëshirë të bënte atë që ishte e drejtë. A nuk je mirënjohës që Perëndia ynë kërkon të mirat te secili nga ne?—1 Mbret. 9:4; 1 Kron. 29:10, 17.

14. Cili këndvështrim i ndihmon shërbëtorët e Perëndisë të mos i gjykojnë më të tjerët?

14 Përderisa Jehovai nuk pret përsosmëri nga ne, edhe ne s’duhet të presim përsosmëri nga të tjerët dhe duhet të kërkojmë cilësitë e mira tek ata. Zakonisht është kollaj të diktojmë papërsosmëritë dhe të kritikojmë. Ama dikush që mendon si Jehovai, shkon mirë me të tjerët, ndonëse i sheh papërsosmëritë e tyre. Një diamant i papërpunuar mund të mos jetë fort tërheqës për syrin. Por njeriu me aftësi dalluese sheh përtej pamjes së tij të rëndomtë dhe dallon sa vlerë do të ketë pasi të jetë prerë e të jetë lëmuar. Ashtu si Jehovai dhe Jezui, duhet të shohim përtej pamjes së jashtme dhe të dallojmë cilësitë e mira te njerëzit.

15. Pse meditimi për rrethanat e të tjerëve na ndihmon të mos i gjykojmë ashpër?

15 Përveçse të përqendrohemi te cilësitë e mira, çfarë mund të na ndihmojë të mos i gjykojmë ashpër të tjerët? Përpiqu të përfytyrosh si është jeta e tyre. Mendo pak për këtë rast. Një ditë në tempull, Jezui pa një vejushë të varfër që hodhi në një nga arkat e thesarit dy monedha me vlerë të vogël. Jezui nuk pyeti: «Pse nuk hodhi ca më tepër?» Në vend që të përqendrohej te shuma e parave, Jezui mendoi për motivet e rrethanat e vejushës dhe e lavdëroi që bëri gjithë sa mundej.—Luka 21:1-4.

16. Ç’mund të mësosh nga shembulli i Veronikës?

16 Shembulli i një motre që quhet Veronika nxjerr në pah sa rëndësi ka të mendojmë për rrethanat e të tjerëve. Në kongregacionin e saj ishte një nënë e vetme me të birin. Veronika pranoi: «Nuk më dukeshin edhe aq të rregullt në aktivitetet e kongregacionit, prandaj i shihja me sy kritik. Por një ditë dola në shërbim me atë motër. Më foli për vështirësitë që po kalonte me të birin autik. Po bënte të pamundurën që të siguronte ç’u nevojitej për të përballuar jetën e për të mbajtur të fortë miqësinë me Jehovain. Ndonjëherë, për shkak të shëndetit të djalit, i duhej t’i ndiqte mbledhjet në një kongregacion tjetër.» Veronika shtoi: «S’e kisha pasur idenë që jeta e saj ishte aq e vështirë. Tani e çmoj dhe e respektoj tej mase këtë motër për gjithë sa bën që t’i shërbejë Jehovait.»

17. Çfarë na nxit të bëjmë Jakovi 2:8, dhe si mund ta bëjmë këtë?

17 Çfarë duhet të bëjmë nëse kuptojmë se e kemi gjykuar një vëlla a motër? Kemi nevojë t’i kujtojmë vetes se duhet t’i duam vëllezërit tanë. (Lexo Jakovin 2:8.) Gjithashtu duhet t’i lutemi me zjarr Jehovait që të na ndihmojë të mos i gjykojmë më të tjerët. Pastaj mund të veprojmë në harmoni me lutjet tona duke marrë iniciativën të kalojmë kohë me atë bashkëbesimtar që e kemi parë me sy kritik. Kështu do të kemi mundësi ta njohim më mirë. Për shembull, mund ta ftojmë të dalim në shërbim ose të hamë diçka së bashku. Ndërsa e njohim më mirë vëllanë tonë, mund të imitojmë Jehovain dhe Jezuin duke u përpjekur të dallojmë cilësitë e mira tek ai. Kështu tregojmë se po e dëgjojmë urdhrin e bariut të shkëlqyer për të mos i gjykuar më të tjerët.

18. Si mund ta tregojmë se po e dëgjojmë zërin e bariut të shkëlqyer?

18 Ashtu si delet që e dëgjojnë zërin e bariut të tyre, edhe dishepujt e Jezuit e dëgjojnë zërin e tij. Po të përpiqemi fort të mos jemi më në ankth për gjërat e nevojshme materiale dhe të mos i gjykojmë më të tjerët, Jehovai dhe Jezui do t’i bekojnë përpjekjet tona. Vazhdofshim ta dëgjojmë dhe t’i bindemi zërit të bariut të shkëlqyer, qoftë nëse jemi pjesë e ‘kopesë së vogël’, qoftë nëse jemi nga ‘delet e tjera’! (Luka 12:32; Gjoni 10:11, 14, 16) Në artikullin tjetër do të ndalemi te dy gjëra që Jezui tha se duhet t’i bëjmë.

KËNGA 101 Shërbejmë në unitet

^ Kur tha se delet e tij do ta dëgjonin zërin e tij, Jezui po thoshte me fjalë të tjera se dishepujt e tij do t’i dëgjonin gjërat që u mësoi dhe do të jetonin sipas tyre. Në këtë artikull do të shohim me hollësi dy mësime të rëndësishme të Jezuit: të mos jemi më në ankth për gjërat materiale dhe të mos i gjykojmë më të tjerët. Do të shohim si mund t’i zbatojmë këto këshilla.

^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla ka humbur punën, nuk ka mjaft para për të mbajtur familjen dhe i duhet të gjejë shtëpi tjetër. Po të mos bëjë kujdes, mund ta pushtojë aq shumë ankthi, sa ta lërë në hije adhurimin e Perëndisë.

^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një vëlla arrin me vonesë në mbledhje. Megjithatë tregon se ka cilësi të bukura ndërsa jep dëshmi joformale, ndihmon një të moshuar dhe punon për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë.