Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 51

Vazhdo ‘ta dëgjosh’ Jezuin

Vazhdo ‘ta dëgjosh’ Jezuin

«Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar. Dëgjojeni.»—MAT. 17:5.

KËNGA 54 «Kjo është udha»

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Cilin urdhër u dha Jehovai tre apostujve të Jezuit, dhe si vepruan ata? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 PAS Festës së Kalimit në vitin 32 të e.s., apostujt Pjetër, Jakov dhe Gjon panë me sytë e tyre një vegim të mahnitshëm. Në një mal të lartë, ndoshta në një nga kreshtat e Hermonit, Jezui u shpërfytyrua para tyre. «Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat i shndritën si drita.» (Mat. 17:1-4) Nga fundi i vegimit, apostujt dëgjuan zërin e Perëndisë që tha: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar. Dëgjojeni.» (Mat. 17:5) Tre apostujt e treguan me jetën e tyre se e dëgjuan Jezuin. E ne sot duam të imitojmë shembullin që na lanë.

2 Në artikullin e kaluar pamë se të dëgjojmë zërin e Jezuit përfshin të mos i bëjmë më disa gjëra. Në këtë artikull do të ndalemi te dy gjëra që Jezui tha se duhet t’i bëjmë.

‘HYR NGA PORTA E NGUSHTË’

3. Sipas Mateut 7:13, 14, çfarë duhet të bëjmë?

3 Lexo Mateun 7:13, 14. Të bie në sy se Jezui përmendi dy porta që çojnë në dy rrugë të ndryshme—në një rrugë ‘të madhe’ dhe në një rrugë ‘të vogël’. Nuk ekziston ndonjë rrugë e tretë. Na duhet të zgjedhim në cilën rrugë do të ecim. Ky është vendimi më i rëndësishëm i jetës, sepse prej tij varet e ardhmja jonë e përhershme.

4. Si do ta përshkruaje rrugën «e madhe»?

4 Duhet të mbajmë në mendje ndryshimet mes dy rrugëve. Rruga «e madhe» është më e preferuara, ngaqë është e lehtë të ecësh në të. Mjerisht, shumë veta zgjedhin të qëndrojnë në këtë rrugë dhe të ndjekin turmën. Nuk e kuptojnë se ai që e reklamon këtë rrugë është Satana Djalli dhe se rruga e tij është një rrugë pa krye që çon drejt vdekjes.—1 Kor. 6:9, 10; 1 Gjon. 5:19.

5. Çfarë përpjekjesh kanë bërë disa që ta gjejnë rrugën «e vogël» dhe të ecin në të?

5 Në kontrast me rrugën «e madhe», rruga tjetër është «e vogël», dhe Jezui tha se pak njerëz e gjejnë. Pse? Është interesant paralajmërimi i Jezuit në vargun vijues: «Ruhuni nga profetët e rremë.» (Mat. 7:15) Sipas disa statistikave, sot ekzistojnë mijëra fe dhe shumica pohojnë se mësojnë të vërtetën. Miliona njerëz janë aq të shkurajuar ose të verbuar nga kjo rrëmujë fetare, saqë as e marrin mundimin ta kërkojnë rrugën që çon në jetë. Por është e mundur ta gjesh këtë rrugë. Jezui tha: «Nëse i zbatoni gjithmonë fjalët e mia, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:31, 32) Të lumtë që nuk ke shkuar thjesht pas turmës, por ke kërkuar të vërtetën. Ti studiove seriozisht Fjalën e Perëndisë për të mësuar çfarë kërkon Ai nga ne dhe ua vure veshin mësimeve të Jezuit. Ndër të tjera, mësove se Jehovai pret të flakim tej mësimet e feve të rreme dhe të mos marrim më pjesë në festa me origjinë ose tradita pagane. Gjithashtu provove se mund të jetë një sfidë të veprosh siç dëshiron Jehovai dhe të lësh pas zakone që ai nuk i miraton. (Mat. 10:34-36) Ka të ngjarë që nuk e pate të lehtë t’i bëje këto ndryshime. Megjithatë nuk u dorëzove, sepse e do Atin tënd qiellor dhe dëshiron miratimin e tij. Imagjino sa shumë ia ke gëzuar zemrën!—Prov. 27:11.

SI TË QËNDROSH NË RRUGËN «E VOGËL»

Këshillat dhe normat e Perëndisë na ndihmojnë të qëndrojmë në rrugën «e vogël» (Shih paragrafët 6-8) *

6. Sipas Psalmit 119:9, 10, 45, 133, çfarë mund të na ndihmojë të qëndrojmë në rrugën «e vogël»?

6 Pasi hyjmë në rrugën «e vogël», çfarë mund të na ndihmojë të qëndrojmë në të? Mendo për këtë ilustrim. Një bordurë anash një rruge të ngushtë malore shërben për të mbrojtur shoferin dhe automjetin. Bordura është vënë enkas për sigurinë e shoferëve, që të mos afrohen tepër te buza e rrugës e të bien në greminë. Patjetër që shoferët nuk do të ankoheshin se bordura i kufizon tepër. Normat e Jehovait që gjenden në Bibël janë si ajo bordurë mbrojtëse. Ato na ndihmojnë të qëndrojmë në rrugën «e vogël».—Lexo Psalmin 119:9, 10, 45, 133.

7. Si duhet ta shohin të rinjtë rrugën «e vogël»?

7 Po ty që je i ri, a të duken ndonjëherë tepër kufizuese normat e Jehovait? Tamam kështu do Satanai të mendosh. Atij do t’i pëlqente të përqendroheshe te gjërat që bëjnë njerëzit që ecin në rrugën e madhe, të cilët duket se ia kalojnë goxha mirë. Duke e krahasuar jetën tënde me shokët e shkollës ose me gjërat që sheh në Internet, ai mund të të bëjë të ndihesh sikur po i privon vetes shumë gjëra të bukura. Satanai do që të mendosh se normat e Jehovait nuk po të lënë ta shijosh plotësisht jetën. * Por mos harro një gjë: Satanai nuk dëshiron që njerëzit që ecin në rrugën e tij ta dinë çfarë i pret në fund të udhëtimit. Krejt ndryshe, Jehovai të ka dhënë një tablo të qartë se çfarë ka përgatitur për ata që qëndrojnë në rrugën e jetës.—Psal. 37:29; Isa. 35:5, 6; 65:21-23.

8. Ç’mund të mësojnë të rinjtë nga shembulli i Olafit?

8 Shiko pak ç’mund të mësosh nga shembulli i një vëllai të ri që quhet Olaf. * Në klasë kishte shumë presion për të bërë imoralitet. Kur u shpjegoi se Dëshmitarët e Jehovait jetojnë sipas normave të larta të Biblës, disa vajza të klasës e panë këtë si një sfidë dhe u përpoqën t’ia prishnin mendjen që të bënte seks me to. Por Olafi nuk u lëkund dhe bëri atë që është e drejtë. E ky nuk ishte i vetmi presion që hasi. Olafi tregon: «Mësuesit u përpoqën të ma mbushnin mendjen të ndiqja arsimin e lartë, se ashtu do të fitoja prestigj. Më thoshin se pa arsim të lartë, nuk do të kisha sukses në jetë.» Çfarë e ndihmoi Olafin t’i rezistonte presionit? Ai thotë: «Lidha miqësi të ngushta me vëllezër e motra në kongregacion. Ata u bënë familja ime. Gjithashtu fillova ta studioja më seriozisht Biblën. Sa më thellë e studioja, aq më shumë më forcohej bindja se ajo që po mësoja ishte e vërteta. Si rezultat, isha i vendosur t’i shërbeja Jehovait.»

9. Çfarë duhet të bëjmë që të qëndrojmë në rrugën «e vogël»?

9 Satanait do t’i pëlqente të të nxirrte nga rruga që çon në jetë. Ai dëshiron të bashkohesh me shumicën e njerëzve në rrugën e madhe «që të çon në shkatërrim». (Mat. 7:13) Megjithatë, po të vazhdojmë ta dëgjojmë Jezuin dhe ta shohim rrugën «e vogël» si një mbrojtje, do të qëndrojmë në të. Le të shohim tani diçka tjetër që Jezui tha se duhet ta bëjmë.

BËJ PAQE ME VËLLANË TËND

10. Çfarë duhet të bëjmë, sipas fjalëve të Jezuit te Mateu 5:23, 24?

10 Lexo Mateun 5:23, 24. Jezui përshkroi një moment goxha të rëndësishëm për adhuruesit judenj që po e dëgjonin. Përfytyro dikë që ka shkuar në tempull dhe është gati t’i japë priftit një kafshë për ta flijuar. Nëse në atë moment i kujtohej se një vëlla kishte diçka kundër tij, duhej ta linte flijimin e ‘të ikte’. Pse? E çfarë mund të ishte më e rëndësishme se t’i paraqiste një flijim Jehovait? Jezui e tha troç: «Bëj më parë paqe me vëllanë tënd.»

A do ta imitosh shembullin e Jakobit, që me përulësi bëri paqe me të vëllanë? (Shih paragrafët 11-12) *

11. Çfarë përpjekjesh bëri Jakobi që të rivendoste paqen me Esaun?

11 Një ngjarje nga jeta e patriarkut Jakob përmban mësime të rëndësishme se si të bëjmë paqe sot. Ai kish qenë afro 20 vjet larg vendlindjes kur Perëndia e urdhëroi nëpërmjet një engjëlli të kthehej atje. (Zan. 31:11, 13, 38) Por kishte një problem. Vëllai i madh, Esau, kishte dashur ta vriste. (Zan. 27:41) Jakobi kishte frikë se mos të vëllait i vlonte akoma zemërimi kundër tij, ndaj «e pushtoi ankthi». (Zan. 32:7) Çfarë bëri që të rivendoste paqen me të vëllanë? Së pari, iu lut me zjarr Jehovait për atë situatë. Pastaj, me shumë bujari, i dërgoi një dhuratë Esaut. (Zan. 32:9-15) Në fund, kur u takuan pas shumë vitesh që nuk kishin folur, Jakobi mori iniciativën ta nderonte Esaun. Ai u përkul para tij, e jo vetëm një herë, as dy, por plot shtatë herë! Jakobi tregoi përulësi dhe respekt, e kështu bëri paqe me të vëllanë.—Zan. 33:3, 4.

12. Çfarë mësojmë nga shembulli i Jakobit?

12 Nxjerrim një mësim nga mënyra si u përgatit Jakobi për takimin me të vëllanë dhe si u soll me të. Me përulësi, Jakobi i kërkoi ndihmë Jehovait. Pastaj veproi sipas lutjes së tij, duke marrë masa që takimi me Esaun të shkonte sa më mirë. E kur u takuan, Jakobi nuk nisi të argumentonte se kush kishte të drejtë e kush e kishte gabim. Synimi i Jakobit ishte të bënte paqe me të vëllanë. Si mund ta imitojmë shembullin e tij?

SI TË BËSH PAQE ME TË TJERËT

13-14. Çfarë duhet të bëjmë nëse kemi fyer një vëlla a motër?

13 Teksa ecim në rrugën që çon në jetë, duam të nxitim marrëdhënie paqësore me vëllezërit tanë. (Rom. 12:18) Si duhet të veprojmë kur kuptojmë se kemi fyer një vëlla a motër? Ashtu si Jakobi, duhet t’i lutemi me zjarr Jehovait. Mund t’i kërkojmë t’i bekojë përpjekjet tona për të bërë paqe me vëllanë.

14 Gjithashtu duhet të lëmë kohë për të shqyrtuar veten me pyetje të tilla, si: «A jam i gatshëm ta gëlltit krenarinë time, të kërkoj falje me përulësi dhe të bëj paqe? Si do të ndihen Jehovai dhe Jezui nëse marr iniciativën të bëj paqe me vëllanë a motrën?» Përgjigjet që japim, mund të na motivojnë ta dëgjojmë Jezuin dhe t’i afrohemi me përulësi vëllait a motrës me synimin që të bëjmë paqe. Ndërsa veprojmë kështu, ndjekim shembullin e Jakobit.

15. Si mund të na ndihmojë të bëjmë paqe me vëllanë tonë zbatimi i parimit të Efesianëve 4:2, 3?

15 Imagjino sikur Jakobi të ishte ballafaquar tërë krenari me të vëllanë. Situata mund të kishte marrë një kthesë krejt tjetër! Kur shkojmë te vëllai ynë për të sheshuar një mosmarrëveshje, duhet të kemi qëndrim të përulur. (Lexo Efesianëve 4:2, 3.) Proverbat 18:19 thotë: «Është më e vështirë të zbutet një vëlla i fyer se të shtihet në dorë një qytet i fortifikuar, e disa mosmarrëveshje janë si shulat e një fortese.» Kur kërkojmë falje me përulësi, ky mund të jetë çelësi për të hapur portat e asaj «fortese».

16. Çfarë duhet të peshojmë me kujdes, dhe pse?

16 Veç kësaj, duhet të peshojmë me kujdes çfarë do t’i themi vëllait tonë dhe si do t’ia themi. E kur të jemi gati, të shkojmë te vëllai që kemi lënduar me synimin që t’i fshijmë nga zemra çdo ndjenjë mërie. Në fillim mund të na thotë fjalë që na bien rëndë, e fare lehtë mund të inatosemi ose mund të përpiqemi të justifikohemi. Por, a do të përfundonte me paqe kjo? Patjetër që jo. Mos harro se të kesh një marrëdhënie paqësore me vëllanë tënd është më e rëndësishme se të përcaktoni kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim.—1 Kor. 6:7.

17. Çfarë mund të mësosh nga shembulli i Zhilbertit?

17 Një vëlla që quhet Zhilbert u përpoq fort të ishte paqebërës. Ai tregon: «Kisha shumë probleme me një pjesëtar të afërt të familjes. Për më shumë se dy vjet u përpoqa t’i flisja me zemër të hapur dhe me qetësi, që të kishim prapë marrëdhënie të mira.» Çfarë bëri tjetër Zhilberti? Ai shpjegon: «Para se të flisja me atë pjesëtar të familjes, lutesha dhe përgatitesha mendërisht për fjalët lënduese që mund të dëgjoja. Më duhej të isha i gatshëm të falja. Mësova të mos luftoja për të drejtat e mia dhe kuptova se përgjegjësia ime ishte të nxitja paqen.» Cili ishte rezultati? Zhilberti thotë: «Sot kam paqe të brendshme sepse gëzoj marrëdhënie të mira me të gjithë pjesëtarët e familjes.»

18-19. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë nëse kemi lënduar dikë, dhe pse?

18 Çfarë duhet të jesh i vendosur të bësh, pra, nëse kupton se ke lënduar një vëlla a motër? Zbato këshillën e Jezuit që të bësh paqe. Lutju Jehovait për këtë dhe mbështetu te fryma e tij e shenjtë që të të ndihmojë të jesh paqebërës. Nëse vepron kështu, do të jesh i lumtur dhe do të tregosh qartë se po e dëgjon Jezuin.—Mat. 5:9.

19 Jemi mirënjohës që Jehovai na udhëheq me dashuri nëpërmjet ‘kreut të kongregacionit’, Jezu Krishtit. (Efes. 5:23) Ashtu si apostujt Pjetër, Jakov dhe Gjon, qofshim të vendosur ‘ta dëgjojmë’ Jezuin! (Mat. 17:5) Kemi parë se mund ta bëjmë këtë duke rivendosur paqen me një vëlla a motër që e kemi lënduar. E ndërsa bëjmë paqe me të tjerët dhe qëndrojmë në rrugën «e vogël» që çon në jetë, do të gëzojmë shumë bekime sot dhe lumturi pa fund në të ardhmen.

KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin

^ Jezui na nxit të hyjmë nga porta e ngushtë që çon në rrugën e jetës. Gjithashtu na mëson të bëjmë paqe me vëllezërit e motrat. Cilat vështirësi mund të hasim kur përpiqemi t’i zbatojmë këto këshilla dhe si mund t’i kapërcejmë vështirësitë?

^ Shih në www.pr418.com pyetjen 6 të broshurës Të rinjtë pyesin: 10 pyetje marrin përgjigje, «Si t’i rezistoj presionit të moshatarëve?», dhe videon me skicime Rezistoji presionit të moshatarëve. (Shko te MËSIME NGA BIBLA > ADOLESHENTËT.)

^ Disa emra janë ndryshuar.

^ PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Duke qëndruar në rrugën «e vogël» me bordurat mbrojtëse që ka vendosur Perëndia, shmangim rreziqe si pornografia, shoqëria me njerëz imoralë dhe presioni për të vënë në vend të parë në jetë arsimin e lartë.

^ PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa përpiqej të bënte paqe, Jakobi u përkul shumë herë para vëllait të tij, Esaut.