Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 9

Imito Jezuin duke u shërbyer të tjerëve

Imito Jezuin duke u shërbyer të tjerëve

«Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» —VEP. 20:35.

KËNGA 17 «Po, dua!»

PËRMBLEDHJE *

1. Çfarë fryme të shkëlqyer shfaq populli i Jehovait?

 SHUMË kohë më parë, Bibla paratha se populli i Perëndisë ‘do të ofrohej vullnetarisht’ për t’i shërbyer Jehovait nën drejtimin e Birit të tij. (Psal. 110:3) Pa dyshim që kjo profeci po përmbushet sot. Çdo vit, shërbëtorët e zellshëm të Jehovait kalojnë qindra milionë orë duke predikuar lajmin e mirë. Këtë e bëjnë vullnetarisht dhe me shpenzimet e tyre. Veç kësaj, ndihmojnë bashkëbesimtarët në mënyra praktike, u japin zemër dhe u forcojnë besimin. Vëllezërit e emëruar kalojnë orë të panumërta duke përgatitur caktimet që kanë në mbledhje dhe duke bërë vizita baritore. Çfarë e motivon popullin e Jehovait të japë vullnetarisht? Dashuria—dashuria për Jehovain dhe për njerëzit.—Mat. 22:37-39.

2. Sipas Romakëve 15:1-3, çfarë shembulli na ka lënë Jezui?

2 Jezui na ka lënë një shembull të shkëlqyer, duke i vënë interesat e të tjerëve para interesave personale. Ne bëjmë çmos të ecim në gjurmët e tij. (Lexo Romakëve 15:1-3.) Kur e imitojmë, korrim plot bekime. Vetë Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Vep. 20:35.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shohim disa nga sakrificat që bëri Jezui për t’u shërbyer të tjerëve dhe si ta imitojmë. Gjithashtu do të shqyrtojmë si ta forcojmë dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve.

IMITO SHEMBULLIN E JEZUIT

Edhe pse i lodhur, çfarë bëri Jezui kur iu afrua një turmë? (Shih paragrafin 4)

4. Si e vinte Jezui të mirën e të tjerëve para të vetës?

4 Jezui nuk kursehej edhe kur ishte i lodhur. Mendo si veproi ai kur një turmë njerëzish shkoi ta takonte në një shpat mali, ka të ngjarë afër Kapernaumit. Jezui e kishte kaluar gjithë natën duke u lutur, prandaj duhej të ishte shumë i lodhur. Por, kur pa turmën, ndjeu keqardhje për të varfrit dhe të sëmurët. Ai jo vetëm i shëroi, por edhe mbajti një nga fjalimet më zemërdhënëse të të gjitha kohërave, që njihet si Predikimi në Mal.—Luka 6:12-20.

Në cilat mënyra mund ta imitojmë frymën vetëmohuese të Jezuit? (Shih paragrafin 5)

5. Si e imitojnë kryefamiljarët qëndrimin vetëmohues të Jezuit kur janë të lodhur?

5 Si e imitojnë kryefamiljarët Jezuin? Përfytyro këtë situatë: në fund të një dite të gjatë pune, një kryefamiljar kthehet në shtëpi i rraskapitur. Edhe pse i vjen ta shtyjë për një mbrëmje tjetër Adhurimin Familjar, i përgjërohet Jehovait t’i japë forcë. Jehovai ia dëgjon lutjen, dhe vëllai e mban Adhurimin Familjar si zakonisht. Atë mbrëmje fëmijët nxjerrin një mësim me vlerë: për prindërit, adhurimi i Jehovait është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër.

6. Cili shembull tregon se Jezui sakrifikonte për të tjerët kohën që kishte programuar për vete?

6 Jezui sakrifikonte kohën që kishte programuar për vete. E imagjinon dot si u ndie Jezui kur mori vesh se kishin vrarë mikun e tij, Gjon Pagëzorin? Me siguri e mbyti pikëllimi. Bibla thotë: «Kur dëgjoi [për vdekjen e Gjonit], Jezui u largua me varkë në një vend të veçuar.» (Mat. 14:10-13) S’është e vështirë ta kuptojmë pse donte të rrinte vetëm. Shumë njerëz preferojnë vetminë kur janë të pikëlluar. Por për Jezuin kjo ishte e pamundur, sepse një turmë e madhe mbërriti para tij në atë vend të veçuar. Si reagoi ai? Mendoi për gjendjen e turmës dhe «u prek thellë». Jezui e dalloi sa nevojë kishin për ndihmë dhe ngushëllim nga Perëndia, prandaj veproi pa vonuar. Në fakt «nisi t’u mësonte [jo një a dy gjëra, por] shumë gjëra».—Mar. 6:31-34; Luka 9:10, 11.

7-8. Jepni një shembull si e imitojnë pleqtë e dashur Jezuin kur lind një nevojë.

7 Si e imitojnë pleqtë e dashur Jezuin? E çmojmë pa masë punën që bëjnë për të mirën tonë pleqtë vetëmohues. Një pjesë e mirë e kësaj pune as nuk vihet re nga kongregacioni. Për shembull, kur ka një urgjencë mjekësore, vëllezërit e Komitetit të Lidhjes me Spitalet u shkojnë menjëherë në ndihmë bashkëbesimtarëve. Shumë herë këto urgjenca ndodhin në mes të natës. Gjithsesi, të nxitur nga dhembshuria për një vëlla a motër në nevojë, këta pleq të dashur dhe familjet e tyre vënë mirëqenien e bashkëbesimtarëve para rehatisë së vet.

8 Pleqtë ndihmojnë edhe në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë e të godinave të tjera, si edhe në raste katastrofash. Të mos përmendim pastaj orët e panumërta që kalojnë duke na mësuar, inkurajuar dhe mbështetur. Të gjithë këta vëllezër dhe familjet e tyre meritojnë t’i lavdërojmë nga thellësia e zemrës. Jehovai i shpërbleftë për frymën vetëmohuese që tregojnë! Pa diskutim, si gjithë të tjerët, edhe pleqtë kanë nevojë të jenë të ekuilibruar. Nuk duhet të harxhojnë aq shumë kohë me aktivitetet teokratike, sa të lënë pas dore familjet e tyre.

SI TË ZHVILLOJMË NJË FRYMË VETËMOHUESE

9. Sipas Filipianëve 2:4, 5, cilën prirje mendore duhet të zhvillojmë të gjithë ne?

9 Lexo Filipianëve 2:4, 5. Kuptohet, jo të gjithë jemi pleq, ama të gjithë mund ta imitojmë frymën vetëmohuese të Jezuit. Bibla thotë se ai «mori natyrë skllavi». (Filip. 2:7) Mendo për domethënien e kësaj shprehjeje. Një skllav ose një shërbëtor i mirë, kërkonte mundësi për ta kënaqur zotërinë e tij. Si skllav i Jehovait dhe shërbëtor i vëllezërve të tu, pa dyshim dëshiron të bëhesh edhe më i dobishëm për Jehovain e për bashkëbesimtarët. Mund ta arrish këtë nëse ndjek sugjerimet e mëposhtme.

10. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?

10 Analizo qëndrimin tënd. Pyet veten: «Sa i gatshëm jam të sakrifikoj për të ndihmuar të tjerët? Për shembull, çfarë do të bëj nëse më kërkojnë të vizitoj një vëlla të moshuar ose të shoqëroj në mbledhje një motër të moshuar? A jam gati të dal vullnetar për të pastruar në kongres ose për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë?» Jehovai kënaqet kur me altruizëm u japim të tjerëve nga gjërat që ia kemi kushtuar atij, si kohën, energjitë dhe të mirat materiale. Por, çfarë mund të bëjmë nëse dallojmë se duhet të përmirësojmë diçka?

11. Si mund të na ndihmojnë lutjet që të zhvillojmë një frymë vetëmohuese?

11 Lutju me zjarr Jehovait. Ta zëmë se e dallon që ke nevojë të bësh ndonjë përmirësim, ama të mungon dëshira për të ndryshuar. Çfarë mund të bësh? Lutju Jehovait me zjarr dhe tregohu i sinqertë. Shprehi Jehovait si ndihesh dhe kërkoji të të japë ‘si dëshirën, edhe fuqinë që të veprosh’.—Filip. 2:13.

12. Si mund të ndihmojnë në kongregacion vëllezërit e rinj që janë pagëzuar?

12 Nëse je një vëlla i ri në moshë dhe i pagëzuar, kërkoji ndihmë Jehovait që ta ushqesh dëshirën për të ndihmuar më shumë në kongregacion. Në disa vende ka më shumë pleq sesa shërbëtorë kongregacioni, dhe mjaft prej këtyre shërbëtorëve kanë njëfarë moshe. Ngaqë organizata e Jehovait është gjithnjë në rritje, kemi nevojë për më shumë vëllezër të rinj që t’i ndihmojnë pleqtë të kujdesen për popullin e Jehovait. Nëse tregohesh i gatshëm për të shërbyer në çfarëdo mënyre të jetë e nevojshme, do të ndihesh i lumtur. Pse? Sepse do të kënaqësh Jehovain, do të fitosh një reputacion të shkëlqyer dhe do të përjetosh gëzimin që vjen kur ndihmon të tjerët.

Të krishterët nga Judea kanë kaluar lumin Jordan dhe kanë shkuar në qytetin e Pelesë. Ata që kanë mbërritur më parë në qytet, po ndihmojnë me ushqime bashkëbesimtarët e sapoardhur (Shih paragrafin 13)

13-14. Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat? (Shih figurën e kopertinës.)

13 Ji i vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Apostulli Pavël i nxiti hebrenjtë: «Mos harroni të bëni mirë dhe të ndani me të tjerët atë që keni, sepse Perëndia kënaqet shumë me flijime të tilla.» (Hebr. 13:16) Sa këshillë praktike! Jo shumë kohë pasi morën këtë letër, të krishterëve në Jude iu desh të linin shtëpitë, bizneset e të afërmit jobesimtarë dhe ‘të iknin me të shpejtë në male’. (Mat. 24:16) Në atë kohë, me siguri kishin nevojë më shumë se kurrë të ndihmonin njëri-tjetrin. Nëse që më përpara e kishin zbatuar këshillën e Pavlit për të ndarë me të tjerët atë që kishin, do të përshtateshin më kollaj me rrethanat e reja.

14 Vëllezërit e motrat mund të mos na tregojnë gjithmonë për çfarë kanë nevojë. Për shembull, një vëlla është i pikëlluar ngaqë bashkëshortja e tij ka rënë në gjumin e vdekjes. Mos ndoshta vëllai ka nevojë t’i gatuajmë diçka, ta ndihmojmë me transportin ose me punët e shtëpisë? Vëllai mbase nuk na thotë asgjë nga meraku se mos na bëhet barrë. Gjithsesi, do ta çmojë tej mase nëse marrim iniciativën dhe i japim ndihmën e nevojshme. Të mos mendojmë se ka plot të tjerë që mund ta ndihmojnë ose se vëllai do të na thotë vetë për çfarë ka nevojë. Pyet veten: «Po të isha në ato rrethana, çfarë ndihme do të doja?»

15. Çfarë synimi duhet t’i vëmë vetes, që të jemi vetëmohues?

15 Bëjua të lehtë të tjerëve të të afrohen. Me siguri njeh disa në kongregacion që janë gjithmonë të gatshëm t’i ndihmojnë të tjerët. Nuk na lënë kurrë përshtypjen se po i bezdisim, dhe e dimë se do të na bëhen krah po të kemi një hall. Duam shumë të jemi si ata. Alani, një plak në të 40-at, dëshiron që të tjerët të ndihen rehat t’i afrohen. Duke medituar për shembullin e Jezuit, Alani thotë: «Ndonëse Jezui ishte shumë i zënë, njerëz të çdo moshe kishin qejf të rrinin me të dhe nuk druheshin t’i kërkonin ndihmë. E kuptonin se ai merakosej sinqerisht për ta. Dua me gjithë zemër të imitoj qëndrimin e Jezuit dhe të jem i afrueshëm, miqësor e i dhembshur.»

16. Ndërsa zbatojmë Psalmin 119:59, 60, si na ndihmon kjo të ndjekim me kujdes shembullin e Jezuit?

16 Nuk duhet të na lëshojë zemra nëse nuk arrijmë ta imitojmë në mënyrë të përsosur Jezuin. (Jak. 3:2) Një piktor i ri s’mund ta imitojë në mënyrë të përsosur punën e mjeshtrit të tij. Ama do t’ia marrë dorën gjithnjë e më shumë duke mësuar nga gabimet dhe duke ndjekur shembullin e mjeshtrit sa më mirë që mundet. Po njësoj, ne mund t’ia dalim të ecim në gjurmët e Jezuit duke i zbatuar gjërat që mësojmë nga studimi personal i Biblës dhe duke bërë çmos të ndreqim pikat e dobëta.—Lexo Psalmin 119:59, 60.

DOBITË QË SJELL FRYMA VETËMOHUESE

Kur imitojnë frymën vetëmohuese të Jezuit, pleqtë u lënë një shembull të rinjve (Shih paragrafin 17) *

17-18. Çfarë dobish kemi kur imitojmë frymën vetëmohuese të Jezuit?

17 Fryma vetëmohuese është ngjitëse. Një plak që quhet Tim, thotë: «Në kongregacion kemi vëllezër të rinj që kanë përparuar dhe janë emëruar shërbëtorë kongregacioni—disa në moshë fare të re. Një nga arsyet është se kanë imituar vëllezër e motra që janë të gatshëm t’u shërbejnë të tjerëve. Përpjekjet vetëmohuese të këtyre të rinjve kanë qenë ndihmë e madhe për kongregacionin dhe për ne si pleq.»

18 Jetojmë në një botë të zhytur në egoizëm. Por sa ndryshe është populli i Jehovait! Jemi motivuar nga fryma vetëmohuese e Jezuit dhe jemi të vendosur ta imitojmë. Edhe pse nuk i ndjekim dot në mënyrë të përsosur gjurmët e tij, prapëseprapë mund ‘t’i ndjekim me kujdes’. (1 Pjet. 2:21) Ndërsa bëjmë çmos të imitojmë frymën vetëmohuese të Jezuit, edhe ne do të provojmë gëzimin e thellë që vjen kur kemi miratimin e Jehovait.

KËNGA 13 Krishti është modeli ynë

^ par. 5 Jezui vinte gjithmonë mirëqenien e të tjerëve para mirëqenies së vet. Në këtë artikull do të shohim si ta imitojmë frymën e tij vetëmohuese dhe dobitë afatgjata që sjell kjo.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Deni, një vëlla i ri, sheh dy pleq që i kanë ardhur për vizitë babait të tij në spital. Shembulli i këtyre pleqve të dashur e motivon Denin të kërkojë mënyra për të ndihmuar të tjerët në kongregacion. Beni, një tjetër vëlla i ri, shikon sa merak tregon Deni për të tjerët, dhe kjo e nxit të japë një dorë në pastrimin e Sallës së Mbretërisë.