Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 14

Pleq—Vazhdoni të imitoni apostullin Pavël

Pleq—Vazhdoni të imitoni apostullin Pavël

«Bëhuni imituesit e mi.»—1 KOR. 11:1.

KËNGA 99 Miliona vëllezër

PËRMBLEDHJE *

1-2. Si mund t’i ndihmojë pleqtë shembulli i apostullit Pavël?

 APOSTULLI Pavël i donte vëllezërit e motrat dhe nuk kursehej për ta. (Vep. 20:31) Ja pse ata e donin shumë. Në një rast, pleqtë e kongregacionit të Efesit «shpërthyen në lot» kur morën vesh se nuk do ta shihnin më. (Vep. 20:37) Edhe pleqtë tanë të palodhur i duan shumë vëllezërit e motrat dhe bëjnë gjithë sa kanë në dorë për t’i ndihmuar. (Filip. 2:16, 17) Megjithatë, ndonjëherë hasin sfida. Çfarë mund t’i ndihmojë t’i kapërcejnë?

2 Pleqtë tanë të papërtuar mund të shqyrtojnë shembullin e Pavlit. (1 Kor. 11:1) Ai nuk kishte fuqi të mbinatyrshme. Si njeri i papërsosur, hera-herës Pavli e kishte të vështirë të bënte atë që është e drejtë. (Rom. 7:18-20) Përveç kësaj, përballej me lloj-lloj vështirësish. Por nuk u dorëzua dhe nuk e humbi gëzimin. Nëse imitojnë Pavlin, pleqtë mund të kapërcejnë çdo sfidë që hasin dhe mund ta ruajnë gëzimin ndërsa i shërbejnë Jehovait. Le të shohim si mund ta arrijnë këtë.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër sfida që hasin zakonisht pleqtë: (1) të ruajnë ekuilibrin mes veprës së predikimit dhe përgjegjësive të tjera, (2) të gjejnë kohë për të qenë barinj të dhembshur, (3) të mposhtin dobësitë e veta dhe (4) të kapërcejnë të metat e të tjerëve. Do të shohim si e përballoi Pavli secilën nga këto sfida dhe si mund ta imitojnë pleqtë shembullin e tij.

RUAJ EKUILIBRIN MES VEPRËS SË PREDIKIMIT DHE PËRGJEGJËSIVE TË TJERA

4. Pse pleqtë mund ta kenë të vështirë ndonjëherë të marrin drejtimin në veprën e predikimit?

4 Pse mund të jetë sfidë. Përveçse marrin drejtimin në veprën e predikimit, pleqtë kanë edhe plot përgjegjësi të tjera. Për shembull, shumë prej tyre drejtojnë me radhë mbledhjen e mesjavës dhe Studimin e Biblës në Kongregacion. Gjithashtu mund t’u caktohen fjalime ose pjesë të tjera. Ata punojnë fort që të stërvitin shërbëtorët e kongregacionit dhe, me kënaqësi, inkurajojnë vazhdimisht vëllezërit e motrat. (1 Pjet. 5:2) Disa pleq punojnë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë ose të godinave të tjera teokratike. Prapëseprapë, si të gjithë në kongregacion, caktimi kryesor i një plaku është predikimi i lajmit të mirë.—Mat. 28:19, 20.

5. Çfarë shembulli la Pavli si predikues?

5 Shembulli i Pavlit. Te Filipianëve 1:10 Pavli na tregon çelësin e suksesit të tij në predikim. Ai na nxit: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ Pavli e zbatoi edhe vetë këtë këshillë. Ai kishte marrë caktimin të predikonte, dhe kjo vepër ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e tij për dekada të tëra. Pavli predikonte «publikisht e shtëpi më shtëpi». (Vep. 20:20) Ishte elastik dhe nuk predikonte vetëm në një orar a në një ditë të caktuar të javës. Ai shfrytëzonte çdo rast për të predikuar. Për shembull, ndërsa priste shokët e tij në Athinë, Pavli i dha lajmin e mirë një grupi njerëzish të shquar, dhe disa prej tyre e përqafuan të vërtetën. (Vep. 17:16, 17, 34) Madje edhe kur ishte «në vargonj», u predikonte atyre që kishte përreth.—Filip. 1:13, 14; Vep. 28:16-24.

6. Çfarë stërvitjeje u dha Pavli të tjerëve?

6 Pavli e shfrytëzonte kohën me mençuri. Shpesh ftonte të tjerë që ta shoqëronin në shërbim. Për shembull, në udhëtimin e parë misionar, mori me vete Gjon Markun, kurse në të dytin, Timoteun. (Vep. 12:25; 16:1-4) Pa dyshim që Pavli bëri çmos t’i mësonte këta burra si të organizonin një kongregacion, si të kryenin veprën baritore dhe si të bëheshin mësues të zotë.—1 Kor. 4:17.

Imito Pavlin duke qenë gati për të dhënë dëshmi (Shih paragrafin 7) *

7. Si mund ta zbatojnë pleqtë këshillën e Pavlit tek Efesianëve 6:14, 15?

7 Mësimi. Pleqtë mund ta imitojnë Pavlin jo vetëm duke predikuar shtëpi më shtëpi, por edhe duke qenë të gatshëm të japin dëshmi sa herë që krijohet mundësia. (Lexo Efesianëve 6:14, 15.) Për shembull, mund të japin dëshmi kur bëjnë pazarin ose në vendin e punës. Gjithashtu, ndërsa marrin pjesë në një projekt teokratik ndërtimi, mund t’u japin lajmin e mirë shitësve dhe banorëve përreth. Njësoj si Pavli, gjatë shërbimit, pleqtë mund të stërvitin bashkëbesimtarët, ndër të cilët edhe shërbëtorët e kongregacionit.

8. Çfarë u duhet të bëjnë ndonjëherë pleqve?

8 Pleqtë nuk duhet të jenë kurrë aq të zënë me caktimet në kongregacion a në qark, sa të mos kenë kohë për veprën e predikimit. Për të ruajtur ekuilibrin, mund të jetë e nevojshme që hera-herës ta refuzojnë ndonjë caktim. Pasi luten dhe meditojnë, ndoshta kuptojnë se po ta pranojnë atë caktim, do të lënë pas dore gjërat më të rëndësishme. Këtu përfshihen: të drejtojnë adhurimin familjar çdo javë, të marrin pjesë me zell në veprën e predikimit dhe të stërvitin fëmijët e tyre në shërbim. Disa nuk e kanë të lehtë ta refuzojnë një privilegj shërbimi, por mund të jenë të sigurt se Jehovai e kupton dëshirën e tyre që të mbajnë ekuilibrin në çdo gjë.

JI BARI I DHEMBSHUR

9. Çfarë sfide hasin pleqtë që mbajnë shumë përgjegjësi?

9 Pse mund të jetë sfidë. Shërbëtorët e Jehovait përballen me shumë vështirësi. Gjatë këtyre ditëve të fundit, të gjithë kemi nevojë për inkurajim, mbështetje dhe ngushëllim. E hera-herës disa kanë nevojë për ndihmë që të mos ndjekin një rrugë të gabuar. (1 Sel. 5:14) Natyrisht, pleqtë nuk mund të na heqin çdo vështirësi. Ama, Jehovai pret të bëjnë gjithë sa munden për t’i inkurajuar dhe për t’i mbrojtur delet e tij. Por, si mund të gjejnë kohë pleqtë që të japin ndihmën e nevojshme me gjithë përgjegjësitë që kanë?

Lavdëroji dhe forcoji të tjerët (Shih paragrafët 10, 12) *

10. Sipas 1 Selanikasve 2:7, si kujdesej Pavli për shërbëtorët e Jehovait?

10 Shembulli i Pavlit. Pavli kërkonte përherë mënyra që t’i lavdëronte e t’u jepte zemër vëllezërve. Pleqtë bëjnë mirë të ndjekin shembullin e tij të shkëlqyer duke u kujdesur me përzemërsi për shërbëtorët e Jehovait. (Lexo 1 Selanikasve 2:7.) Pavli i siguronte vëllezërit e motrat se ishin të shtrenjtë për të dhe për Jehovain. (2 Kor. 2:4; Efes. 2:4, 5) Ai i trajtonte si miq dhe kalonte kohë me ta. U fliste hapur për frikërat dhe dobësitë e veta sepse kishte besim te ta. (2 Kor. 7:5; 1 Tim. 1:15) Megjithatë, Pavli nuk përqendrohej te problemet e tij. Në vend të kësaj, kishte dëshirë t’u vinte në ndihmë vëllezërve.

11. Pse i këshillonte Pavli motrat dhe vëllezërit?

11 Me raste, Pavlit i duhej t’i këshillonte vëllezërit e motrat. Por këtë nuk e bënte kurrë për të shfryrë dufin. I këshillonte ngaqë i kishte për zemër dhe donte t’i mbronte nga ndonjë rrezik. Përpiqej t’ua jepte këshillat në atë mënyrë që ta kishin të lehtë t’i kuptonin dhe t’i pranonin. Për shembull, në një nga letrat që u shkroi korintasve, Pavli u dha një këshillë të fortë. E pasi shkroi letrën, u dërgoi Titin. Pavli priste gjithë merak të dëgjonte si do të reagonin ndaj letrës së tij. Sa u gëzua kur mori vesh se e kishin pranuar dhe e kishin zbatuar këshillën!—2 Kor. 7:6, 7.

12. Si mund t’i forcojnë pleqtë vëllezërit dhe motrat?

12 Mësimi. Pleqtë mund ta imitojnë Pavlin duke kaluar kohë me bashkëbesimtarët. Një mënyrë është duke shkuar herët në mbledhje që të bëjnë biseda inkurajuese me ta. Shpesh mjaftojnë vetëm pak minuta për t’i dhënë zemër dikujt. (Rom. 1:12; Efes. 5:16) Gjithashtu, pleqtë që imitojnë shembullin e Pavlit, përdorin Fjalën e Perëndisë për t’u forcuar besimin vëllezërve dhe për t’i siguruar se Jehovai i do. I sigurojnë se edhe ata vetë i duan. Komunikojnë rregullisht me vëllezërit e motrat dhe kërkojnë arsye për t’i lavdëruar. Kur u duhet të japin një këshillë, e bazojnë në Fjalën e Perëndisë. Janë specifikë, por flasin me mirëdashje, sepse duan që vëllezërit t’i pranojnë dhe t’i zbatojnë këshillat.—Gal. 6:1.

MPOSHT DOBËSITË E TUA

13. Si mund të ndihet një plak për shkak të dobësive të veta?

13 Pse mund të jetë sfidë. Pleqtë nuk janë të përsosur. Si të gjithë, edhe ata bëjnë gabime. (Rom. 3:23) Ndonjëherë mund ta kenë të vështirë t’i shohin me ekuilibër dobësitë e tyre. Disa ndoshta përqendrohen aq shumë te kufizimet e veta, sa i lëshon zemra. Ndërsa të tjerë mund të gjejnë menjëherë justifikime për të metat e tyre, e kështu e flenë mendjen dhe nuk bëjnë asnjë ndryshim.

14. Në harmoni me Filipianëve 4:13, si e ndihmoi përulësia Pavlin që t’i luftonte dobësitë?

14 Shembulli i Pavlit. Me përulësi, Pavli e pranoi se nuk mund t’i mposhtte dobësitë me forcat e veta; kishte nevojë për fuqinë e Perëndisë. Dikur i kishte përndjekur me egërsi të krishterët. Por më vonë, i pranoi gabimet e veta dhe ishte i gatshëm të ndryshonte qëndrimin dhe personalitetin. (1 Tim. 1:12-16) Me ndihmën e Jehovait u bë një bari i dashur, i dhembshur dhe i përulur. Pavli ndihej keq ngaqë ishte i vetëdijshëm për dobësitë e veta. Por zgjodhi të mos përqendrohej tek ato; ai kishte besim se Jehovai do ta falte. (Rom. 7:21-25) Pavli nuk priste përsosmëri nga vetja. Por ndërkohë punoi fort që të përmirësonte cilësitë e krishtere dhe u mbështet me përulësi te Jehovai që të përmbushte caktimin e tij.—1 Kor. 9:27; lexo Filipianëve 4:13.

Puno fort që të mposhtësh dobësitë e tua (Shih paragrafët 14, 15) *

15. Ç’pikëpamje të ekuilibruar duhet të kenë pleqtë për dobësitë e tyre?

15 Mësimi. Pleqtë nuk janë emëruar ngaqë janë të përsosur. Prapëseprapë, Jehovai pret t’i pranojnë gabimet e tyre dhe të zhvillojnë cilësitë e krishtere. (Efes. 4:23, 24) Një plak duhet ta shqyrtojë veten nën dritën e Fjalës së Perëndisë dhe të bëjë ndryshimet e nevojshme. Kështu Jehovai do ta ndihmojë të jetë një plak i mirë dhe të ndihet i lumtur.—Jak. 1:25.

KAPËRCE TË METAT E TË TJERËVE

16. Çfarë mund të ndodhë nëse një plak përqendrohet te të metat e të tjerëve?

16 Pse mund të jetë sfidë. Meqë bashkëpunojnë ngushtë me vëllezërit e motrat në kongregacion, pleqtë mund t’i shohin qartë dobësitë e tyre. Prandaj, nëse nuk tregojnë kujdes, ka të ngjarë të mërziten me ta, të sillen vrazhdë ose t’i shohin me sy kritik. Pavli i paralajmëroi të krishterët se po të vepronin kështu, Satanai do të kënaqej pa masë.—2 Kor. 2:10, 11.

17. Ç’pikëpamje kishte Pavli për vëllezërit e motrat?

17 Shembulli i Pavlit. Pavli përpiqej të mbante një pikëpamje pozitive për vëllezërit e motrat. Ai i njihte mirë të metat e tyre, sepse në disa raste e kishin lënduar edhe atë vetë. Gjithsesi, Pavli e dinte se një sjellje e keqe nuk është e barabartë me një njeri të keq. Ai i donte vëllezërit e motrat dhe përqendrohej te cilësitë e tyre të bukura. Kur e kishin të vështirë të bënin gjënë e duhur, Pavli zgjidhte të mendonte se kishin motive të mira dhe se thjesht u duhej ndihmë.

18. Çfarë mëson nga mënyra si veproi Pavli në rastin e Evodisë dhe Sintikisë? (Filipianëve 4:1-3)

18 Le të shohim si i ndihmoi Pavli dy motra në kongregacionin e Filipisë. (Lexo Filipianëve 4:1-3.) Me sa duket, Evodia dhe Sintikia kishin lejuar që mosmarrëveshjet personale të krijonin një hendek mes tyre. Pavli nuk u foli ashpër e as i gjykoi, por u përqendrua te cilësitë e tyre të mira. Ato motra i kishin shërbyer Jehovait me besnikëri për vite të tëra. Pavli e dinte se Jehovai i donte shumë. Kjo pikëpamje pozitive për to e shtyu Pavlin t’i inkurajonte që t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet. Gjithashtu e ndihmoi Pavlin të ruante gëzimin e të mbante miqësi të forta me të gjithë në atë kongregacion.

Përpiqu të mos kesh qëndrim kritik ndaj të tjerëve (Shih paragrafin 19) *

19. (a) Si mund të mbajnë një pikëpamje pozitive për bashkëbesimtarët pleqtë? (b) Çfarë mëson nga plaku që po pastron Sallën e Mbretërisë, siç tregohet në figurë?

19 Mësimi. Pleq, përpiquni të dalloni cilësitë e mira te vëllezërit dhe motrat. Të gjithë kanë të metat e veta; ama të gjithë kanë cilësi të admirueshme. (Filip. 2:3) Kuptohet që herë pas here pleqve u duhet ta ndihmojnë një vëlla a motër të ndreqë mënyrën si mendon. Por, ashtu si Pavli, duhet të përpiqen të shohin përtej fjalëve apo veprimeve acaruese të dikujt. Duhet të përqendrohen te dashuria që ka ai person për Jehovain, te qëndrueshmëria në shërbim të Perëndisë dhe te potenciali që ka për të bërë të mirën. Pleqtë që kanë pikëpamje pozitive për të tjerët, krijojnë një atmosferë të ngrohtë në kongregacion.

VAZHDO TË IMITOSH PAVLIN

20. Si mund të vazhdojnë të nxjerrin dobi pleqtë nga shembulli i Pavlit?

20 Si plak, do të nxjerrësh shumë dobi nëse vazhdon të studiosh shembullin e Pavlit. Për shembull, te Treguesi i Botimeve Watch Tower mund të shkosh te tema «Pavli» dhe poshtë saj te nëntema «shembull për pleqtë». Ndërsa lexon artikujt, pyet veten: «Si mund të më ndihmojë shembulli i Pavlit të ruaj gëzimin ndërsa përmbush caktimin si plak?»

21. Për çfarë mund të jenë të sigurt pleqtë?

21 Pleq, mos harroni se Jehovai nuk pret të jeni të përsosur; ai pret të jeni besnikë. (1 Kor. 4:2) Jehovai e çmoi punën e palodhur dhe besnikërinë e Pavlit. Të jeni të sigurt se Ai çmon shumë edhe gjithë sa bëni ju në shërbim të tij. Jehovai nuk do t’i harrojë kurrë «veprat tuaja dhe dashurinë që treguat për emrin e tij duke u shërbyer të shenjtëve, sikurse po vazhdoni të bëni».—Hebr. 6:10.

KËNGA 87 Eja, gjej për shpirtin freski!

^ par. 5 Sa mirënjohës u jemi pleqve të dhembshur për punën e palodhur që bëjnë për kongregacionin! Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër sfida me të cilat përballen zakonisht ata. Do të shohim edhe si mund t’i ndihmojë pleqtë shembulli i apostullit Pavël që t’i kapërcejnë këto sfida. Ky artikull do të na ndihmojë të gjithëve të kemi empati për pleqtë dhe do të na motivojë t’u tregojmë dashuri e t’i mbështetim.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kur mbaron punën, një vëlla i flet për lajmin e mirë një shoku pune.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak bisedon me përzemërsi me dikë që ka prirjen të izolohet.

^ par. 65 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i jep këshilla praktike dikujt që ndihet i ofenduar.

^ par. 67 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një plak nuk mban qëndrim kritik ndaj një vëllai që është treguar i gatshëm të bëjë një punë, por është shpërqendruar.