Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Nëse një Dëshmitar divorcohet pa pasur bazën që japin Shkrimet e pastaj martohet me një tjetër, si e sheh kongregacioni martesën e mëparshme dhe martesën e re?

Në një situatë të tillë, kongregacioni do ta shohë martesën e mëparshme si një martesë që ka përfunduar kur burri u rimartua, dhe martesën e re do ta shohë si një martesë të vlefshme ligjërisht. Për të kuptuar arsyet e këtij përfundimi, le të shqyrtojmë çfarë tha Jezui për divorcin dhe rimartesën.

Te Mateu 19:9 Jezui e bëri të qartë cila është e vetmja arsye e vlefshme për t’i dhënë fund një martese. Ai tha: «Kushdo që e divorcon gruan, përveçse kur ka si bazë imoralitetin seksual, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» Fjalët e Jezuit tregojnë (1) se imoraliteti seksual është e vetmja bazë që japin Shkrimet për t’i dhënë fund një martese me divorc dhe (2) se një burrë që e divorcon gruan pa këtë bazë nga Shkrimet e martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje. a

A nënkuptojnë fjalët e Jezuit se një burrë që kryen imoralitet seksual dhe e divorcon të shoqen, është i lirë nga pikëpamja e Shkrimeve të rimartohet? Jo medoemos. Kur burri kryen tradhti bashkëshortore, bashkëshortja e pafajshme vendos nëse do ta falë apo jo. Nëse nuk e fal dhe bëjnë një divorc ligjor, të dy janë të lirë të rimartohen pasi të kenë përfunduar procedurat e divorcit.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e pafajshme mund të dojë sinqerisht ta ruajë martesën, prandaj i thotë të shoqit se është e gatshme ta falë. Po në rast se bashkëshorti kurorëshkelës nuk e pranon mundësinë që i jep e shoqja për ta falur dhe bën divorc ligjor të njëanshëm? Meqë ajo është e gatshme ta falë e ta ruajë martesën, nga pikëpamja e Shkrimeve burri nuk është i lirë të rimartohet. Nëse vazhdon të sillet në një mënyrë që bie ndesh me Shkrimet dhe martohet me një tjetër ndërkohë që nuk është i lirë, kryen prapë kurorëshkelje, e prandaj duhet të formohet prapë një komitet gjyqësor për të gjykuar çështjen.—1 Kor. 5:1, 2; 6:9, 10.

Kur një burrë rimartohet pa qenë i lirë sipas Shkrimeve, si e sheh kongregacioni martesën e mëparshme dhe martesën e re? A mbetet e vlefshme martesa e mëparshme nga pikëpamja e Shkrimeve? A ka akoma mundësi bashkëshortja e pafajshme të vendosë nëse do ta falë apo jo ish-burrin e saj? A do të shihet martesa e re si shkelje kurore?

Në të kaluarën, kongregacioni e shihte martesën e re si shkelje kurore për sa kohë që bashkëshortja e pafajshme ishte gjallë, nuk martohej prapë ose nuk kryente imoralitet seksual. Megjithatë, kur foli për divorcin dhe rimartesën, Jezui nuk u përqendrua te bashkëshortja e pafajshme. Në vend të kësaj, shpjegoi se një burrë që divorcohet pa pasur bazën që japin Shkrimet e pastaj martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje. Në këtë rast, divorci dhe rimartesa, që Jezui e quajti kurorëshkelje, i japin fund martesës së mëparshme.

«Kushdo që e divorcon gruan, përveçse kur ka si bazë imoralitetin seksual, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»—Mat. 19:9

Kur një martesë përfundon për shkak të divorcit e rimartesës, bashkëshortja e pafajshme nuk ka më mundësi të vendosë nëse martesa e tyre do të vazhdojë. Pra, ajo nuk e ka më përgjegjësinë të vendosë nëse do ta falë apo jo ish-burrin e saj. Veç kësaj, kongregacioni do ta shohë martesën e re si të vlefshme ligjërisht, pavarësisht nëse bashkëshortja e pafajshme më pas vdes, rimartohet ose kryen imoralitet seksual. b

Në shembullin e mësipërm, burri kreu kurorëshkelje, e pas kësaj u divorcuan. Po sikur burri të mos kryente kurorëshkelje, por të divorcohej e pastaj të martohej me një tjetër? Ose ç’të themi nëse burri nuk kishte bërë imoralitet seksual para divorcit, por kreu imoralitet pas divorcit e pastaj u rimartua, edhe pse e shoqja ishte e gatshme ta falte? Në të gjitha këto raste, divorci dhe rimartesa, që përbën kurorëshkelje, do t’i jepnin fund martesës së mëparshme. Martesa e re është një martesë e vlefshme ligjërisht. Në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1979, faqja 32, (anglisht), thuhej: «Tani ai ka hyrë në një lidhje të re martesore, prandaj nuk mund t’i japë fund pa problem e të kthehet tek ish-bashkëshortja; martesa e mëparshme mori fund me divorcin, kurorëshkeljen dhe rimartesën.»

Kjo pikëpamje e përditësuar nuk cenon shenjtërinë e martesës dhe as e minimizon mëkatin e rëndë të kurorëshkeljes. Kur burri e divorcon gruan pa pasur bazën nga Shkrimet e pastaj martohet me një tjetër ndërkohë që nuk është i lirë sipas Shkrimeve, pleqtë duhet të formojnë një komitet gjyqësor sepse ai ka kryer kurorëshkelje. (Nëse bashkëshortja në këtë martesë të re është Dëshmitare, edhe në rastin e saj duhet formuar një komitet gjyqësor sepse ka kryer imoralitet seksual.) Ndonëse martesa e re nuk do të shihet si shkelje kurore, burri nuk do të kualifikohet për shumë vjet për privilegje të veçanta shërbimi në kongregacion. Ai mund të kualifikohet vetëm pasi të tjerët të mos i shqetësojë më keqbërja e tij e të mos ndihen më se nuk është i denjë për respekt. Kur shqyrtohet nëse kualifikohet për një privilegj shërbimi, duhen marrë parasysh edhe problemet që mund të jenë duke kaluar për shkak të divorcit ish-gruaja e tij, të cilën mund ta ketë divorcuar pabesisht, dhe fëmijët e mitur që mund t’i ketë braktisur.—Mal. 2:14-16.

Divorci pa bazën që japin Shkrimet dhe rimartesa sjellin pasoja të rënda, prandaj është gjë e mençur që si shërbëtorë të Jehovait të përvetësojmë dhe të mbështetim pikëpamjen e Tij për shenjtërinë e martesës.—Ekl. 5:4, 5; Hebr. 13:4.

a Për thjeshtësi, këtu do të përdorim gjininë mashkullore për bashkëshortin kurorëshkelës dhe gjininë femërore për bashkëshortin e pafajshëm. Megjithatë, siç tregon Marku 10:11, 12, Jezui e bëri të qartë se këshilla e tij vlen po njësoj si për burrat, edhe për gratë.

b Kjo përditëson pikëpamjen e mëparshme se një martesë e tillë duhej parë si shkelje kurore për sa kohë që bashkëshorti i pafajshëm të ishte gjallë, të mos rimartohej ose të mos kryente imoralitet seksual.