Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 28

Mbretëria po qeveris!

Mbretëria po qeveris!

«Mbretëria e botës u bë Mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij.»—ZBUL. 11:15.

KËNGA 22 Jezui është në fron—Ardhtë Mbretëria!

PËRMBLEDHJE *

1. Për çfarë jemi të sigurt, dhe pse?

 A E KE të vështirë të mbash një pikëpamje pozitive kur sheh si është katandisur bota? Marrëdhëniet familjare sa vijnë e po tensionohen. Njerëzit në përgjithësi po bëhen gjithnjë e më të dhunshëm, egoistë e agresivë. Shumë veta e kanë të vështirë t’u besojnë autoriteteve. Por tamam këto probleme mund të ta forcojnë sigurinë se gjërat do të përmirësohen. Pse? Sepse njerëzit po sillen fiks siç ishte parathënë në një profeci mbresëlënëse për «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1-5) Asnjë njeri i sinqertë nuk e mohon dot se kjo profeci po plotësohet. E plotësimi i saj dëshmon se Krishti Jezu është në fron si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Por kjo është vetëm një nga profecitë e shumta për Mbretërinë. Do të na forcohet besimi ndërsa ndalemi te profeci të tjera që janë përmbushur kohët e fundit.

Profecitë e librit të Danielit dhe të Zbulesës lidhen bashkë si copëzat e një mozaiku e na ndihmojnë të shohim qartë në çfarë pike jemi në «kalendarin» e Jehovait (Shih paragrafin 2)

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse? (Komentoni për figurën e kopertinës.)

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë (1) një profeci që na ndihmon të kuptojmë kur filloi të qeveriste Mbretëria, (2) disa profeci që na ndihmojnë të dallojmë praninë e padukshme të Jezuit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë dhe (3) profeci të tjera që tregojnë si do të marrin fund armiqtë e Mbretërisë së Perëndisë. Do të vërejmë se këto profeci lidhen bashkë si copëzat e një mozaiku dhe na ndihmojnë të shohim qartë në çfarë pike jemi në «kalendarin» e Jehovait.

SI TA DIMË KUR FILLOI TË QEVERISTE MBRETËRIA

3. Çfarë garancie na jep profecia e Danielit 7:13, 14?

3 Profecia e dokumentuar te Danieli 7:13, 14 na siguronte se Krishti Jezu do të ishte Mbreti ideal i Mbretërisë së Perëndisë. Atij ‘do t’i shërbejnë’ me gëzim njerëz nga të gjitha kombet dhe froni i tij do të qëndrojë përgjithmonë. Një profeci tjetër në librin e Danielit parathoshte se Jezui do të fillonte të qeveriste si Mbret në fund të një periudhe profetike prej shtatë kohësh. A është e mundur ta dimë kur ndodhi ajo ngjarje e gëzueshme?

4. Shpjegoni si na ndihmon Danieli 4:10-17 të llogaritim në ç’vit do të kurorëzohej Mbret Krishti. (Shihni edhe shënimin.)

4 Lexo Danielin 4:10-17. ‘Shtatë kohët’ paraqesin një periudhë prej 2.520 vjetësh. Ajo periudhë filloi në vitin 607 p.e.s. kur babilonasit hoqën mbretin e fundit që ulej në fronin e Jehovait në Jerusalem. ‘Shtatë kohët’ përfunduan në vitin 1914 të e.s. kur Jehovai vuri në fron si Mbret të Mbretërisë së Tij Jezuin, atë «që ka të drejtën ligjore». *Ezek. 21:25-27.

5. Cila është një mënyrë si nxjerrim dobi nga profecia për ‘shtatë kohët’?

5 Si mund të nxjerrim dobi nga kjo profeci? Kur e kuptojmë profecinë për ‘shtatë kohët’, na forcohet siguria se Jehovai i plotëson premtimet e tij fiks në kohën e caktuar. Ashtu siç përcaktoi me saktësi kohën kur do të fillonte të qeveriste Mbretëria e tij, Jehovai do të sigurohet që edhe të gjitha profecitë e tjera të plotësohen fiks në kohën që ka vendosur. Po, dita e Jehovait «nuk do të vonojë»!—Hab. 2:3.

SI E DALLOJMË PRANINË E KRISHTIT SI MBRET I MBRETËRISË SË PERËNDISË

6. (a) Cilat janë dëshmitë e dukshme për mbretërimin e padukshëm të Krishtit në qiell? (b) Si i përforcon këto dëshmi profecia e Zbulesës 6:2-8?

6 Nga fundi i shërbimit në tokë, Jezui paratha disa ngjarje botërore që do t’i ndihmonin dishepujt e tij të dallonin se ai kishte filluar të mbretëronte në qiell. Ndër të tjera, Jezui përmendi luftërat, mungesat e ushqimit dhe tërmetet. Paratha edhe se do të kishte murtaja, ose sëmundje, «nga njëri vend në tjetrin»—e një shembull i kësaj është pandemia e kohëve të fundit COVID-19. Këto ngjarje janë pjesë e ‘shenjës’ së pranisë së Krishtit. (Mat. 24:3, 7; Luka 21:7, 10, 11) Më shumë se 60 vjet pasi vdiq e u kthye në qiell, Jezui i dha apostullit Gjon një profeci tjetër që siguronte se këto ngjarje do të ndodhnin. (Lexo Zbulesën 6:2-8.) E të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur që kur Jezui mori pushtetin si Mbret më 1914.

7. Pse u shtuan mjerimet në tokë kur u bë Mbret Jezui?

7 Pse kushtet në botë morën për keq kur Jezui u bë Mbret? Zbulesa 6:2 na jep një hollësi të rëndësishme—misioni i parë i Jezuit si Mbret i sapokurorëzuar ishte të luftonte. Kundër kujt? Kundër Djallit dhe demonëve të tij. Sipas kapitullit 12 të Zbulesës, Satanai e humbi luftën dhe u flak në tokë me gjithë demonët e vet. I tërbuar, ai filloi ta shfrente zemërimin kundër njerëzimit, e kjo solli ‘mjerime në tokë’.—Zbul. 12:7-12.

Lajmet e këqija nuk na gëzojnë, por kur shohim të plotësohen profecitë e Biblës, na forcohet besimi se Mbretëria e Perëndisë po qeveris (Shih paragrafin 8)

8. Si nxjerrim dobi ndërsa shohim të plotësohen profecitë për Mbretërinë?

8 Si mund të nxjerrim dobi nga këto profeci? Ngjarjet në botë dhe ndryshimi i ndjeshëm në sjelljen e njerëzve do të na ndihmonin të kuptonim se Jezui është bërë Mbret. Prandaj, në vend që të acarohemi kur shohim se njerëzit tregohen egoistë dhe zemërligj, i kujtojmë vetes se mënyra si veprojnë ata po plotëson profecitë e Biblës. Mbretëria po qeveris! (Psal. 37:1) E ndërsa Armagedoni afrohet çdo ditë e më shumë, presim që vuajtjet në botë të shtohen. (Mar. 13:8; 2 Tim. 3:13) A nuk i je mirënjohës Atit tonë të dashur qiellor që na ndihmon të kuptojmë pse jetojmë në kohë kaq të turbullta?

SI DO TË MARRIN FUND ARMIQTË E MBRETËRISË SË PERËNDISË

9. Si e përshkruan profecia e Danielit 2:28, 31-35 fuqinë e fundit botërore, dhe kur erdhi në ekzistencë ajo?

9 Lexo Danielin 2:28, 31-35. Sot shohim se kjo profeci është në plotësim e sipër. Ëndrra e Nabukodonosorit tregoi ç’do të ndodhte «në ditët e fundit» pasi të fillonte të mbretëronte Krishti. Një nga armiqtë e Jezuit në tokë do të ishte fuqia e fundit botërore e profecive të Biblës, e cila përshkruhet si ‘pjesa e këmbëve nga kyçet e poshtë prej hekuri e argjile’. Kjo fuqi botërore po qeveris sot. Ajo erdhi në ekzistencë gjatë Luftës I Botërore, kur Britania dhe Shtetet e Bashkuara formuan aleancën anglo-amerikane. Nëpërmjet statujës së ëndrrës së Nabukodonosorit, u parathanë të paktën dy gjëra që do ta dallonin këtë fuqi botërore nga mbretëritë e mëparshme.

10. (a) Si po plotësohet me saktësi profecia e Danielit për aleancën anglo-amerikane? (b) Cilën grackë duhet të shmangim? (Shihni kutinë « Kujdes nga argjila!»)

10 Së pari, ndryshe nga fuqitë e mëparshme botërore të përmendura në vegim, aleanca anglo-amerikane nuk simbolizohet nga një metal i vetëm si ari ose argjendi, por nga një përzierje hekuri dhe argjile. Argjila paraqet «pasardhësit e njerëzve», ose njerëzit e thjeshtë. (Dan. 2:43, shën.) Sot shihet qartë se ndikimi i njerëzve të thjeshtë te zgjedhjet, fushatat e tyre për të drejtat civile, protestat dhe sindikatat ia bëjnë të vështirë kësaj fuqie botërore të zbatojë politikat e saj.

11. Si na forcohet besimi se po jetojmë në ditët e fundit nga fakti që po qeveris fuqia botërore anglo-amerikane?

11 Së dyti, Anglo-Amerika paraqitet nga këmbët e statujës gjigante, pra është fuqia e fundit botërore e profecive të Biblës. Ajo nuk do të pasohet nga ndonjë fuqi tjetër politike. Përkundrazi, do të marrë fund sa hap e mbyll sytë në Armagedon, kur Mbretëria e Perëndisë të shkatërrojë atë dhe të gjitha qeveritë e tjera njerëzore. *Zbul. 16:13, 14, 16; 19:19, 20.

12. Cilat dëshmi të tjera nga profecia e Danielit na japin zemër e shpresë?

12 Si mund të nxjerrim dobi nga kjo profeci? Në profecinë e Danielit gjejmë edhe dëshmi të tjera se po jetojmë në ditët e fundit. Mbi 2.500 vjet më parë, Danieli paratha se pas Babilonisë do të vinin katër fuqi të tjera botërore që do të ndikonin drejtpërdrejt te populli i Perëndisë. Veç kësaj, tregoi se Anglo-Amerika do të ishte fuqia e fundit botërore e statujës gjigante. Këto dëshmi na japin zemër e shpresë se së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë të gjitha qeveritë njerëzore dhe do të qeverisë mbi mbarë tokën.—Dan. 2:44.

13. Çfarë simbolizojnë «mbreti i tetë» e ‘dhjetë mbretërit’ e përmendur te Zbulesa 17:9-12, dhe si është plotësuar kjo profeci?

13 Lexo Zbulesën 17:9-12. Pasojat katastrofike të Luftës I Botërore çuan në plotësimin e një profecie tjetër për ditët e fundit. Udhëheqësit e shteteve donin të siguronin paqe në shkallë botërore. Prandaj në janar të 1920-ës formuan Lidhjen e Kombeve, e cila u zëvendësua nga Kombet e Bashkuara në tetor të vitit 1945. Kjo organizatë është quajtur «mbreti i tetë». Megjithatë nuk është një fuqi botërore. Pushteti dhe influenca e saj varen nga fuqitë politike që e mbështetin. Duke përdorur një gjuhë simbolike, Bibla i quan këto qeveri «dhjetë mbretër».

14-15. (a) Si është përmbushur ajo që thotë Zbulesa 17:3-5 për ‘Babiloninë e Madhe’? (b) Çfarë po ndodh me ata që e mbështetnin fenë e rreme?

14 Lexo Zbulesën 17:3-5. Nën frymëzim, apostulli Gjon pa në vegim një prostitutë, ‘Babiloninë e Madhe’, e cila paraqet perandorinë botërore të fesë së rreme. Si është përmbushur ky vegim? Prej kohësh, organizatat e fesë së rreme kanë bashkëpunuar ngushtësisht me udhëheqësit politikë të botës e u kanë dhënë bekimin e tyre. Mirëpo së shpejti Jehovai do t’u shtijë në zemër fuqive politike «të përmbushin mendimin e tij». Ç’do të ndodhë atëherë? Ato fuqi politike, ‘dhjetë mbretërit’, do t’u vërsulen organizatave të fesë së rreme e do t’i shkatërrojnë.—Zbul. 17:1, 2, 16, 17.

15 Nga e dimë se fundi i Babilonisë së Madhe është afër? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të kujtojmë se një mbrojtje për qytetin e lashtë të Babilonisë ishin ujërat e lumit të madh Eufrat. Libri i Zbulesës i përshkruan miliona përkrahësit e Babilonisë së Madhe si ‘ujëra’ që e mbrojnë. (Zbul. 17:15) Por njëkohësisht tregon se ujërat ‘do të thaheshin’, pra perandoria botërore e fesë së rreme do të humbte shumë nga përkrahësit e saj. (Zbul. 16:12) Sot kjo profeci po plotësohet, pasi një numër i madh njerëzish e kanë braktisur fenë e rreme dhe kanë filluar të kërkojnë tjetërkund përgjigje për problemet e tyre.

16. Si nxjerrim dobi kur i kuptojmë profecitë për formimin e Kombeve të Bashkuara dhe shkatërrimin e Babilonisë së Madhe?

16 Si mund të nxjerrim dobi nga këto profeci? Formimi i Kombeve të Bashkuara dhe rënia e pushtetit të fesë së rreme mbi njerëzit u shtohen dëshmive se po jetojmë në ditët e fundit. ‘Ujërat’ e Babilonisë po thahen, pra ajo po humb shumë nga përkrahësit e saj. Megjithatë, fundi i organizatave të fesë së rreme do të vijë nga një drejtim tjetër. Siç u përmend më sipër, Jehovai do t’u shtijë në zemër ‘dhjetë mbretërve’—fuqive politike që mbështetin Kombet e Bashkuara—«të përmbushin mendimin e tij». Ato do ta shkatërrojnë papritmas fenë e rreme, e kjo do ta zërë botën në befasi. * (Zbul. 18:8-10) Shkatërrimi i Babilonisë së Madhe do të tronditë botën mbarë dhe mund të shkaktojë vështirësi, por populli i Perëndisë do të ketë të paktën dy arsye për të gëzuar: kjo armike e betuar e Perëndisë Jehova do të ketë marrë fund një herë e përgjithmonë dhe çlirimi ynë nga ky sistem i lig do të jetë në prag!—Luka 21:28.

TA PRESIM TË ARDHMEN ME ZEMËR TË QETË

17-18. (a) Si mund të vazhdojmë ta forcojmë besimin? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Danieli paratha se «njohuria e vërtetë» do të bëhej «e bollshme». Këto fjalë janë bërë realitet sot! Jehovai ka hedhur dritë mbi profecitë që lidhen me kohën tonë. (Dan. 12:4, 9, 10) Saktësia e këtyre profecive na mbush me nderim të thellë për Jehovain dhe Fjalën e tij të frymëzuar. (Isa. 46:10; 55:11) Prandaj vazhdo ta forcosh besimin tënd duke studiuar me vëmendje Shkrimet dhe duke i ndihmuar të tjerët të kenë një marrëdhënie të miratuar me Jehovain. Ai do t’i ruajë të gjithë ata që mbështeten plotësisht tek ai e do t’u japë «paqe të pafund».—Isa. 26:3.

18 Në artikullin tjetër do të përqendrohemi te disa profeci për kongregacionin e krishterë në ditët e fundit. Siç do ta shohim, këto profeci lidhen përsosmërisht me profecitë e tjera për ditët e fundit. Do të shqyrtojmë prova të mëtejshme se Jezui—Mbreti ynë që është në fron—po drejton sot dishepujt e tij besnikë.

KËNGA 61 Dëshmitarë, marshoni!

^ Po jetojmë në një nga periudhat më emocionuese në historinë e njerëzimit. Mbretëria e Perëndisë ka nisur të qeverisë, tamam siç kishin parathënë shumë profeci të Biblës. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa nga këto profeci, që të forcojmë besimin te Jehovai dhe të ndihemi të qetë e të sigurt sot e në të ardhmen.

^ Shih mësimin 32, pika 4 në librin Gëzoje jetën përgjithmonë dhe, në jw.org, videon Mbretëria e Perëndisë filloi të qeverisë në vitin 1914.

^ Për të mësuar më tepër rreth profecive të Danielit, shih Kullën e Rojës, 15 qershor 2012, f. 14-19.

^ Për më shumë hollësi se ç’do të ndodhë në të ardhmen e afërt, shih kapitullin 21 të librit Mbretëria e Perëndisë qeveris!