Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 1

Ji i bindur se Fjala e Perëndisë «është e vërteta»

Ji i bindur se Fjala e Perëndisë «është e vërteta»

SHKRIMI I VITIT 2023: «Esenca e fjalës sate është e vërteta.»—PSAL. 119:160.

KËNGA 96 Thesar është Libri i Perëndisë

PËRMBLEDHJE a

1. Pse shumë veta nuk kanë besim te Bibla?

 BOTA sot vuan nga një mungesë besimi. Shumë veta nuk dinë kujt t’i zënë besë dhe dyshojnë nëse njerëzit te të cilët varin shpresat—politikanët, shkencëtarët e biznesmenët—ua duan vërtet të mirën. Veç kësaj, nuk kanë shumë respekt ose vlerësim për klerin e krishterimit. Prandaj nuk është çudi që e shohin me skepticizëm librin që këta udhëheqës fetarë pohojnë se e respektojnë, Biblën.

2. Siç thotë Psalmi 119:160, për çfarë duhet të jemi të bindur?

2 Si shërbëtorë të Jehovait, jemi të bindur se ai është «Perëndi i së vërtetës» dhe se na do gjithmonë të mirën. (Psal. 31:5; Isa. 48:17) Jemi të sigurt se mund t’i besojmë asaj që thotë Bibla—se «esenca e fjalës [së Perëndisë] është e vërteta». b (Lexo Psalmin 119:160.) Jemi plotësisht dakord me atë që shkroi një studiues i Biblës: «Çdo gjë që ka thënë Perëndia nuk ka as edhe një grimë falsiteti dhe asnjë rrezik se mos nuk realizohet. Shërbëtorët e Perëndisë mund të kenë besim te fjalët e tij, sepse kanë besim te Perëndia që i ka thënë.»

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të kenë besim të patundur si ne te Fjala e Perëndisë? Të shqyrtojmë tri arsye pse mund t’i besojmë Biblës. Do të ndalemi te fakti që ajo është përcjellë e saktë ndër shekuj, te plotësimi i profecive të Biblës dhe te fuqia që ka për t’u ndryshuar jetën njerëzve.

MESAZHI I BIBLËS ËSHTË RUAJTUR I SAKTË

4. Pse disa dyshojnë se Bibla mund të ketë ndryshuar?

4 Perëndia Jehova përdori rreth 40 burra besnikë për të hedhur me shkrim librat e Biblës. Mirëpo sot nuk ekziston më asnjë nga dorëshkrimet origjinale. c Ato që kemi janë vetëm kopje të kopjeve. Ja pse disa dyshojnë nëse ajo që lexojmë sot në Bibël pasqyron me saktësi atë që shkruan shkrimtarët e saj. A e ke pyetur ndonjëherë veten pse mund të jemi të sigurt për këtë?

Kopistët profesionistë të Shkrimeve Hebraike punonin me mish e me shpirt për t’u siguruar që kopjet e Fjalës së Perëndisë të ishin sa më të sakta (Shih paragrafin 5)

5. Çfarë pune u bë për të kopjuar Shkrimet Hebraike? (Shih figurën e kopertinës.)

5 Për ta ruajtur të paprekur mesazhin e tij të frymëzuar, Jehovai urdhëroi të bëheshin kopje të Shkrimeve. Mbretërit e Izraelit i udhëzoi të bënin kopje personale të Ligjit të shkruar dhe levitët i caktoi t’ia mësonin Ligjin popullit. (Ligj. 17:18; 31:24-26; Neh. 8:7) Pas kthimit të judenjve nga mërgimi në Babiloni, një grup kopistësh profesionistë filluan të bënin kopje të shumta të Shkrimeve Hebraike. (Ezd. 7:6, shën.) Ata burra ishin mjeshtra meraklinj. Me kohë, kopistët filluan të numëronin jo vetëm fjalët, por edhe germat, për t’u siguruar që gjithçka të kopjohej saktë. Mirëpo, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, disa kopje kishin tek-tuk ndonjë gabim të vogël. Gjithsesi, për të njëjtin fragment bëheshin shumë kopje, kështu që më vonë gabimet mund të zbuloheshin. Si?

6. Si mund të dallohen gabimet në kopjet e Biblës?

6 Studiuesit e sotëm kanë një metodë të mirë për të gjetur gabimet e atyre që kopjuan Biblën. Për ta ilustruar, ta zëmë se 100 burra caktohen të kopjojnë me dorë një faqe. Njëri bën një gabim të vogël në kopjen e tij. Një mënyrë për ta pikasur atë gabim është duke e krahasuar kopjen e tij me gjithë të tjerat. Po njësoj, duke krahasuar shumë dorëshkrime të Biblës, studiuesit arrijnë të dallojnë gabimet e një kopisti ose diçka që i ka shpëtuar pa kopjuar.

7. Nga e dimë se shumë kopistë të Biblës punuan me kujdes të madh për të ruajtur saktësinë?

7 Ata që kopjonin dorëshkrimet e Biblës punonin me mish e me shpirt për të qenë sa më të saktë. Të shohim një shembull që e vërteton këtë. Dorëshkrimi i plotë më i vjetër i Shkrimeve Hebraike, Kodiku i Leningradit, daton në vitin 1008 ose 1009 të e.s. Por kohët e fundit janë zbuluar shumë dorëshkrime dhe fragmente të Biblës që janë afro 1.000 vjet më të lashta se Kodiku i Leningradit. Disa mund të mendojnë se, meqë ato dorëshkrime ishin kopjuar e rikopjuar gjatë një periudhe 1.000-vjeçare, Kodiku i Leningradit do të ndryshonte shumë prej tyre. Por nuk është ashtu. Kur krahasuan dorëshkrimet më të lashta me ato më të vonshme, studiuesit zbuluan se, përveç disa ndryshimeve relativisht të vogla në fjalë ose në formulim, përmbajtja e Biblës ishte ruajtur e paprekur.

8. Ku ndryshojnë kopjet e Shkrimeve Greke nga kopjet e veprave të tjera të lashta?

8 Të krishterët e hershëm ecën në gjurmët e kopistëve të Shkrimeve Hebraike. Ata punonin me përkushtim për të bërë kopje të 27 librave të Shkrimeve Greke, që i përdornin në mbledhje dhe në veprën e predikimit. Pasi krahasoi dorëshkrimet e Shkrimeve Greke me vepra të tjera nga e njëjta periudhë, një studiues tha: «Në përgjithësi [kopjet e Shkrimeve Greke] janë më të shumta . . . dhe zakonisht janë më të plota.» Një vepër referimi për Shkrimet Greke thotë: «Mund të jemi të sigurt se ajo që lexojmë sot në një përkthim të besueshëm [të Shkrimeve Greke], përcjell të njëjtin mesazh që shkruan autorët e lashtë.»

9. Sipas Isaisë 40:8, ç’mund të themi për mesazhin e Biblës?

9 Falë punës së përkushtuar që bënë shumë kopistë ndër shekuj, sot ne mund të lexojmë dhe të studiojmë një Bibël të saktë. d Pa dyshim, Jehovai vetë u sigurua që mesazhi i tij për njerëzimin të përcillej i saktë. (Lexo Isainë 40:8.) Natyrisht, disa mund të thonë se fakti që mesazhi i Biblës është ruajtur i paprekur, nuk provon se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Prandaj le të shohim tani disa dëshmi se ajo është e frymëzuar.

PROFECITË E BIBLËS JANË TË BESUESHME

Majtas: C. Sappa/​DeAgostini/​Getty Images; djathtas: Image © Homo Cosmicos/​Shutterstock

Profecitë e Biblës janë plotësuar dhe po vazhdojnë të plotësohen (Shih paragrafët 10-11) f

10. Jepni një shembull që tregon si janë plotësuar profecitë dhe që provon se fjalët e 2 Pjetrit 1:21 janë të vërteta. (Shih figurat.)

10 Bibla është plot me profeci që janë përmbushur, e disa prej tyre u shkruan qindra vjet para se të përmbusheshin. Historia vërteton se këto profeci janë plotësuar. Kjo nuk na çudit, sepse e dimë që Autori i profecive të Biblës është Jehovai. (Lexo 2 Pjetrit 1:21.) Të marrim profecitë për mposhtjen e qytetit të lashtë të Babilonisë. Në shekullin e tetë p.e.s., profeti Isaia paratha nën frymëzim se qyteti i fuqishëm i Babilonisë do të pushtohej. Madje përmendi edhe emrin e pushtuesit të saj, Kirit, dhe paratha me hollësi si do ta shtinte në dorë qytetin. (Isa. 44:27–45:2) Gjithashtu Isaia profetizoi se Babilonia do të shkatërrohej e do të mbetej e shkretë. (Isa. 13:19, 20) Profecitë u plotësuan pikë për pikë. Më 539 p.e.s., Babiloninë e pushtuan medët e persët dhe në vendin ku dikur ndodhej qyteti madhështor, sot sheh veç rrënoja.—Shih videon Bibla paratha rënien e Babilonisë në formatin elektronik të librit Gëzoje jetën përgjithmonë, mësimi 03, pika 5.

11. Shpjegoni si po plotësohet sot Danieli 2:41-43.

11 Profecitë e Biblës nuk u përmbushën vetëm në të shkuarën. Edhe sot shohim me sytë tanë si po përmbushen disa profeci. Të marrim, për shembull, plotësimin mbresëlënës të profecisë së Danielit për fuqinë botërore anglo-amerikane. (Lexo Danielin 2:41-43.) Ajo profeci paratha me saktësi se fuqia anglo-amerikane do të ishte «pjesërisht e fortë» si hekuri dhe «pjesërisht e brishtë» si argjila. Këto fjalë kanë dalë të vërteta. Britania dhe Amerika kanë qenë të forta si hekuri, pasi luajtën një rol të rëndësishëm në të dyja luftërat botërore dhe vazhdojnë të kenë fuqi të madhe ushtarake. Por njëkohësisht fuqia e tyre është dobësuar për shkak të nënshtetasve, që ngrihen shpesh për të kërkuar të drejtat e veta nëpërmjet sindikatave, fushatave për të drejtat civile dhe protestave. Kohët e fundit, një specialist në fushën e politikës botërore tha: «Sot asnjë demokraci industriale e përparuar nuk është aq e përçarë ose mosfunksionale nga ana politike sa Shtetet e Bashkuara.» Edhe Britania, pjesa tjetër e kësaj fuqie botërore, ka qenë goxha e përçarë vitet e fundit nga opinionet e kundërta për marrëdhëniet që duhet të ketë me vendet e Bashkimit Evropian. Këto përçarje ia kanë bërë thuajse të pamundur fuqisë botërore anglo-amerikane ta ushtrojë pushtetin me vendosmëri.

12. Për çfarë na sigurojnë profecitë e Biblës?

12 Profecitë e shumta që janë plotësuar, na forcojnë besimin se premtimet e Perëndisë do të bëhen realitet. Ndihemi si psalmisti që iu lut Jehovait: «Më digjet shpirti për dorën tënde shpëtimtare, se te fjala jote i kam varur shpresat.» (Psal. 119:81) Në faqet e Biblës, Jehovai na ka dhënë me dashuri «një të ardhme plot shpresë». (Jer. 29:11) Shpresa jonë për të ardhmen nuk mbështetet te përpjekjet e njerëzve, por te premtimet e Jehovait. Vazhdofshim ta forcojmë besimin te Fjala e Perëndisë duke i studiuar me etje profecitë e saj!

KËSHILLAT E BIBLËS PO NDIHMOJNË MILIONA VETA

13. Cila është një arsye tjetër pse mund t’i besojmë Biblës? (Psalmi 119:66, 138)

13 Cila është një arsye tjetër pse mund t’i besojmë Biblës? Frytet e mira që korrin ata që zbatojnë këshillat e saj. (Lexo Psalmin 119:66, 138.) Për shembull, ka çifte të martuara që dikur ishin në prag të divorcit, por që sot janë të lumtura. Fëmijët e tyre rriten në një atmosferë të ngrohtë, me prindër që kujdesen për ta dhe i duan.—Efes. 5:22-29.

14. Jepni një shembull që tregon si ndryshojnë për mirë njerëzit kur zbatojnë këshillat e Biblës.

14 Falë zbatimit të këshillave të mençura të Biblës, edhe kriminelë të rrezikshëm kanë bërë ndryshime rrënjësore në jetë. Të shohim si e ndihmuan këshillat e Biblës një të burgosur që quhej Xhek. e Ai ishte një kriminel i dhunshëm dhe kishte namin si një nga të burgosurit më të rrezikshëm ndër të dënuarit me vdekje. Por një ditë Xheku mori pjesë në një studim të Biblës. E preku thellë dashamirësia e vëllezërve që drejtonin studimin, e kështu nisi të studionte edhe ai. Ndërsa përpiqej të jetonte sipas të vërtetave të Biblës, sjellja dhe personaliteti i tij filluan të ndryshonin për mirë. Me kohë, Xheku u kualifikua që të bëhej lajmëtar dhe u pagëzua. Ai u predikonte me zell për Mbretërinë e Perëndisë të burgosurve të tjerë dhe ndihmoi të paktën katër prej tyre të mësonin të vërtetën. Kur erdhi dita e ekzekutimit, Xheku ishte një njeri krejt tjetër. Një nga avokatët e tij tha: «Xheku nuk është më ai person që kam njohur 20 vjet më parë. Mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait ia kanë ndryshuar jetën.» Edhe pse dënimi me vdekje u ekzekutua, shembulli i Xhekut tregon se mund t’i besojmë Fjalës së Perëndisë dhe se ajo ka fuqi t’i ndryshojë njerëzit për mirë.—Isa. 11:6-9.

Këshillat e Biblës ia kanë ndryshuar jetën për mirë shumë njerëzve nga kombe të ndryshme (Shih paragrafin 15) g

15. Si spikatin sot shërbëtorët e Jehovait ngaqë zbatojnë këshillat e Biblës? (Shih figurën.)

15 Shërbëtorët e Jehovait janë të bashkuar ngaqë jetojnë sipas të vërtetave të Biblës. (Gjoni 13:35; 1 Kor. 1:10) Paqja dhe uniteti ynë bien në sy sidomos përballë përçarjeve politike, etnike dhe sociale të botës. Një të riu që quhet Zhan i la mbresa të thella uniteti mes popullit të Jehovait. Ai u rrit në një vend afrikan. Kur shpërtheu lufta civile, u fut në ushtri, por pastaj iku në një shtet fqinj. Atje takoi Dëshmitarët e Jehovait. Zhani thotë: «Mësova se ata që praktikojnë fenë e vërtetë nuk përzihen në politikë dhe nuk janë të përçarë. Përkundrazi, e duan njëri-tjetrin.» Pastaj shton: «Ia kisha kushtuar jetën luftës për të mbrojtur një vend. Por e vërteta e Biblës më motivoi t’ia kushtoja jetën Jehovait.» Zhani ndryshoi plotësisht. Në vend që të luftojë kundër atyre që i përkasin një shteti a etnie tjetër, tani flet me këdo për mesazhin e paqes që përmban Bibla. Vërtet, këshillat e Biblës ia përmirësojnë jetën shumë njerëzve nga kombe të ndryshme. Kjo është provë e fuqishme se mund t’i besojmë Fjalës së Perëndisë.

VAZHDO TË KESH BESIM TE FJALA E VËRTETË E PERËNDISË

16. Pse është jetësore ta forcojmë besimin te Fjala e Perëndisë?

16 Ndërsa bota katandiset keq e më keq, besimi ynë te Fjala e Perëndisë do të sprovohet më shumë. Të tjerët mund të mbjellin dyshime në mendjen tonë—dyshime nëse ajo që thotë Bibla është e vërtetë a nëse Jehovai ka emëruar skllavin besnik e të mençur për të udhëhequr adhuruesit e tij sot. Ama, nëse jemi të bindur se Fjala e Jehovait është gjithmonë e vërtetë, do të kemi forcë t’u rezistojmë këtyre sulmeve kundër besimit tonë. Do të jemi ‘të vendosur me gjithë zemër që t’u bindemi përherë rregullave [të Jehovait], derisa të kemi frymë’. (Psal. 119:112) ‘S’ka për të na ardhur turp’ t’u flasim të tjerëve për të vërtetën e t’i inkurajojmë të jetojnë në harmoni me të. (Psal. 119:46) Gjithashtu do t’ia dalim që edhe sprovat më të vështira, si përndjekja, t’i përballojmë «me durim e gëzim».—Kolos. 1:11; Psal. 119:143, 157.

17. Çfarë do të na sjellë ndër mend shkrimi i vitit?

17 Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka dhënë mundësinë të njohim të vërtetën! Ajo na stabilizon, pasi na jep një qëllim në jetë dhe një udhëheqje të qartë mes një bote gjithnjë e më të pështjelluar e kaotike. Na jep shpresë për një të ardhme më të mirë nën Mbretërinë e Perëndisë. Shkrimi i vitit 2023 na ndihmoftë të kemi besim të patundur se e gjithë Fjala e Perëndisë—‘esenca e saj’—është e vërteta!—Psal. 119:160.

KËNGA 94 Thellësisht mirënjohës për Fjalën tënde

a Për vitin 2023 është zgjedhur ky shkrim që na forcon besimin: «Esenca e fjalës sate është e vërteta.» (Psal. 119:160) Patjetër që e pranon me gjithë zemër këtë. Por shumë njerëz nuk e besojnë se ajo që thotë Bibla është e vërtetë ose që Bibla na jep udhëheqje të besueshme. Në këtë artikull do të shohim tri arsye që mund të përdorim për t’i siguruar njerëzit me zemër të sinqertë se mund t’i besojnë Biblës dhe këshillave të saj.

b SHPJEGIMI I SHPREHJES: Shprehja hebraike e përkthyer «esenca e fjalës» ka kuptimin «e gjithë fjala», «e tërë fjala» ose «brendia e fjalës».

c Termi «dorëshkrim» këtu ka kuptimin e një dokumenti të lashtë të shkruar me dorë.

d Për të mësuar më tepër si është ruajtur e saktë Bibla, shko te jw.org dhe shkruaj «Historia dhe Bibla» te fusha «Kërko».

e Disa emra janë ndryshuar.

f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Siç paratha Perëndia, qyteti i lavdishëm i Babilonisë u katandis në rrënoja.

g PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim: në vend që të luftojë, një i ri mëson nga Bibla si të jetojë në paqe dhe ndihmon edhe të tjerët ta bëjnë këtë.