ARTIKULLI I STUDIMIT 2

«Transformohuni duke përtërirë mendjen»

«Transformohuni duke përtërirë mendjen»

«Transformohuni duke përtërirë mendjen, që të siguroheni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.»—ROM. 12:2.

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

PËRMBLEDHJE a

1-2. Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë pas pagëzimit? Shpjegoni.

 SA SHPESH e pastron shtëpinë? Ndoshta para se të hyje në shtëpinë e re, bëre një pastrim me themel. Por ç’do të ndodhte sikur të mos e pastroje më kurrë? Shtëpia do të mbushej shpejt me papastërti dhe pisllëk. Për ta mbajtur shtëpinë dritë, është e nevojshme ta pastrosh rregullisht.

2 Po njësoj duhen përpjekje të pareshtura për të ndrequr mënyrën si mendojmë dhe personalitetin tonë. Patjetër që para pagëzimit u përpoqëm fort të bënim ndryshimet e nevojshme në jetë, që ‘të pastroheshim nga çdo gjë që ndot trupin e mendjen’. (2 Kor. 7:1) Gjithsesi, tani duhet të zbatojmë këshillën e apostullit Pavël: ‘Vazhdoni të rinoheni.’ (Efes. 4:23) Pse duhen përpjekje të pareshtura? Sepse brenda nesh mund të grumbullohen shpejt papastërtitë dhe pisllëku i kësaj bote. Prandaj, që të mbetemi të pastër në sytë e Jehovait, duhet të shqyrtojmë rregullisht mënyrën si mendojmë, personalitetin dhe dëshirat tona.

VAZHDO ‘TË PËRTËRISH MENDJEN’

3. Ç’do të thotë «të përtërish mendjen»? (Romakëve 12:2)

3 Ç’duhet të bëjmë që të përtërijmë mendjen, ose që të ndryshojmë mënyrën si mendojmë? (Lexo Romakëve 12:2.) Shprehja greke e përkthyer «të përtërish mendjen» mund të përkthehet edhe «rinovim i mendjes». Pra, nuk mjafton thjesht ta zbukurojmë jetën duke bërë ca vepra të mira. Përkundrazi, duhet të shqyrtojmë si jemi thellë përbrenda dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme, që jeta jonë të përputhet sa më shumë me standardet e Jehovait. Këtë duhet ta bëjmë jo vetëm një herë, por vazhdimisht.

A tregojnë vendimet e tua për arsimin dhe karrierën se e ke Mbretërinë në vend të parë? (Shih paragrafët 4-5) c

4. Ç’mund të bëjmë që mënyra si mendojmë të mos modelohet nga kjo botë?

4 Kur të bëhemi të përsosur, do ta kënaqim gjithmonë Jehovain në çdo gjë që bëjmë. Ndërkohë duhet të vazhdojmë të përpiqemi fort për t’ia gëzuar zemrën. Te Romakëve 12:2 Pavli tregon se, për t’u siguruar çfarë dëshiron Perëndia nga ne, duhet të përtërijmë mendjen. Prandaj nuk duhet të lejojmë të modelohemi nga kjo botë. Përkundrazi, duhet të shqyrtojmë veten për të kuptuar deri në ç’pikë po lejojmë që synimet dhe vendimet tona të ndikohen nga mënyra si mendon Perëndia, jo nga mentaliteti i botës.

5. Si mund ta kuptojmë nëse po e mbajmë në mend që dita e Jehovait është afër? (Shih figurën.)

5 Të marrim një shembull. Jehovai do që ‘ta mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së tij’. (2 Pjet. 3:12) Pyet veten: «A tregon mënyra si jetoj se e kuptoj që fundi i këtij sistemi është te pragu? A tregojnë vendimet që marr për arsimin dhe punën se shërbimi i Jehovait është gjëja më e rëndësishme në jetën time? A kam besim se Jehovai do të na sigurojë mua dhe familjes sime gjërat e nevojshme, apo jam vazhdimisht i shqetësuar për gjërat materiale?» Mendo sa kënaqet Jehovai kur sheh që përpiqemi të bëjmë vullnetin e tij në çdo hap të jetës.—Mat. 6:25-27, 33; Filip. 4:12, 13.

6. Çfarë duhet të bëjmë rregullisht?

6 Duhet ta shqyrtojmë rregullisht mënyrën si mendojmë, e pastaj të bëjmë ndryshimet e nevojshme. Pavli u tha korintasve: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni çfarë jeni ju vetë.» (2 Kor. 13:5) Të jemi «në besim» nuk përfshin vetëm të ndjekim mbledhjet e të dalim në shërbim herë pas here. Përfshin edhe mënyrën si mendojmë, dëshirat dhe motivet tona. Prandaj duhet të vazhdojmë ta përtërijmë mendjen duke lexuar Fjalën e Perëndisë, duke mësuar të mendojmë si ai dhe duke bërë çdo ndryshim të nevojshëm për ta kënaqur Jehovain.—1 Kor. 2:14-16.

‘VISH PERSONALITETIN E RI’

7. Sipas Efesianëve 4:31, 32, ç’gjë tjetër duhet të bëjmë, dhe pse mund të jetë e vështirë kjo?

7 Lexo Efesianëve 4:31, 32. Përveçse të bëjmë ndryshime në mënyrën si mendojmë, duhet edhe ‘të veshim personalitetin e ri’. (Efes. 4:24) Kjo kërkon punë të palodhur. Ndër të tjera, duhet të përpiqemi me të gjitha forcat të heqim gjëra të tilla, si vreri shpirtlig, zemërimi dhe furia. Pse mund të jetë e vështirë kjo? Sepse disa cilësi negative kanë rrënjë të thella. Për shembull, Bibla thotë se disa njerëz janë ‘zemërakë’ dhe ‘nxehen kollaj’. (Prov. 29:22) Shpesh për të luftuar cilësi të ngulitura thellë, duhen përpjekje të vazhdueshme edhe pas pagëzimit, siç e tregon rasti më poshtë.

8-9. Si e tregon rasti i Stefanit se duhen përpjekje të pareshtura për ta zhveshur personalitetin e vjetër?

8 Një vëlla që quhet Stefan e kishte të vështirë ta mbante nën kontroll zemërimin. Ai thotë: «Edhe pasi u pagëzova, duhej të punoja me temperamentin. Për shembull, një herë kur po predikonim nga shtëpia në shtëpi, një hajdut më vodhi kasetofonin e makinës. E ndoqa këmba-këmbës, e ndërsa po i afrohesha, e hodhi përtokë dhe ia mbathi. Kur u tregova të tjerëve si e mora kasetofonin, një plak kongregacioni më pyeti: ‘Stefan, ç’do të bëje po ta kishe kapur hajdutin?’ Ajo pyetje më vuri në mendime dhe më nxiti të punoja akoma që të bëhesha më paqësor.» b

9 Siç e tregon rasti i Stefanit, një cilësi negative mund të nxjerrë kokë befas, edhe kur pandehnim se e kishim mposhtur. Nëse të ndodh kjo, mos u shkurajo dhe mos mendo se ke dështuar si shërbëtor i Perëndisë. Edhe apostulli Pavël pranoi: «Kur dua të bëj të drejtën, e keqja është brenda meje.» (Rom. 7:21-23) Si të papërsosur, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë kanë cilësi negative që shfaqen herë pas here, ashtu siç grumbullohen në shtëpi papastërtitë dhe pisllëku. Prandaj duhet të përpiqemi pareshtur që të mbetemi të pastër. Si mund ta bëjmë këtë?

10. Si mund t’i luftojmë cilësitë e këqija? (1 Gjonit 5:14, 15)

10 Lutju Jehovait për dobësinë me të cilën po lufton dhe ji i sigurt se ai do të të dëgjojë e do të të ndihmojë. (Lexo 1 Gjonit 5:14, 15.) Ndonëse nuk do ta zhdukë me mrekulli atë cilësi të keqe, Jehovai mund të të japë forcë që të vazhdosh ta luftosh. (1 Pjet. 5:10) Ndërkohë vepro në harmoni me lutjet e tua duke mos ushqyer prirjet e personalitetit të vjetër. Për shembull, bëj kujdes të mos shohësh filma a programe televizive dhe të mos lexosh histori që i paraqesin në dritë të mirë cilësitë negative që po përpiqesh t’i heqësh. Gjithashtu mos e mbaj vazhdimisht mendjen te dëshirat e gabuara.—Filip. 4:8; Kolos. 3:2.

11. Cilët hapa mund të bëjmë që të vazhdojmë të veshim personalitetin e ri?

11 Ndonëse e ke zhveshur personalitetin e vjetër, është e rëndësishme të vazhdosh të veshësh të riun. Si mund ta bësh këtë? Ndërsa njeh më mirë cilësitë e Jehovait, vër si synim ta imitosh. (Efes. 5:1, 2) Për shembull, kur lexon një ngjarje që thekson se Jehovai fal, pyet veten: «Po unë, a i fal të tjerët?» Kur lexon si u tregonte dhembshuri Jehovai atyre që ishin të varfër, pyet veten: «A kam edhe unë merak për bashkëbesimtarët në nevojë dhe a e tregoj këtë me mënyrën si veproj?» Vazhdo të përtërish mendjen duke veshur personalitetin e ri dhe ki durim me veten ndërsa e bën këtë.

12. Si e provoi Stefani fuqinë transformuese të Biblës?

12 Stefani, i përmendur më lart, dalloi se dalëngadalë po vishte personalitetin e ri. Ai thotë: «Që kur u pagëzova, jam gjendur në rrethana ku rrezikoja të shpërtheja. Kam mësuar t’i shmang ata që më provokojnë ose të qetësoj situatën në mënyra të tjera. Mjaft veta, përfshirë ime shoqe, më kanë lavdëruar për sjelljen time në këto raste. Madje edhe unë vetë jam habitur me ndryshimin tim. Por nuk është merita ime. Besoj se e gjithë kjo dëshmon për fuqinë transformuese të Biblës.»

VAZHDO TË LUFTOSH DËSHIRAT E GABUARA

13. Ç’do të na ndihmojë të zhvillojmë dëshira të përshtatshme? (Galatasve 5:16)

13 Lexo Galatasve 5:16. Që të na ndihmojë ta fitojmë luftën për të bërë atë që është e drejtë, Jehovai na jep me bujari frymën e tij të shenjtë. Kur studiojmë Fjalën e Perëndisë, lejojmë që fryma e tij të ndikojë te ne. Frymën e shenjtë e marrim edhe kur ndjekim mbledhjet. Në mbledhje mund të shoqërohemi me vëllezër e motra që, njësoj si ne, përpiqen fort të bëjnë atë që është e drejtë, e kjo është inkurajuese. (Hebr. 10:24, 25; 13:7) Gjithashtu kur i lutemi me zjarr Jehovait dhe i përgjërohemi të na ndihmojë të luftojmë një dobësi, ai do të na japë frymën e shenjtë që të na përtërijë forcat për ta vazhduar luftën. Ndoshta të gjitha këto gjëra nuk do t’i zhdukin tak-fak dëshirat e gabuara, ama do të na ndihmojnë t’i rezistojmë impulsit për t’i plotësuar këto dëshira. Siç thuhet te Galatasve 5:16, kush ecën sipas frymës ‘nuk do të kënaqë asnjë dëshirë mëkatare’.

14. Pse është e rëndësishme të vazhdojmë të zhvillojmë dëshira të përshtatshme?

14 Përveçse të kemi një program që na ndihmon të ruajmë miqësinë e ngushtë me Jehovain, është jetësore t’i përmbahemi këtë program dhe të vazhdojmë të zhvillojmë dëshira të përshtatshme. Pse? Sepse kemi një armik që nuk fle kurrë—prirja për të bërë atë që është e gabuar. Edhe pas pagëzimit mund të vërejmë se na tërheqin tamam ato gjëra që duhet t’i shmangim, si bixhozi, abuzimi me alkoolin ose pornografia. (Efes. 5:3, 4) Një vëlla i ri pranon: «Ndërsa rritesha, një nga gjërat më të vështira me të cilat duhej të luftoja, ishte tërheqja ndaj personave të të njëjtit seks. Mendoja se ishte veçse një fazë kalimtare, por ato ndjenja më torturojnë akoma.» Çfarë mund të të ndihmojë nëse një dëshirë e papërshtatshme është tepër e fortë?

Nëse të tundon një dëshirë e papërshtatshme, situata jote nuk është e pashpresë; edhe të tjerë kanë bërë të njëjtën luftë e ia kanë dalë mbanë (Shih paragrafët 15-16)

15. Pse është inkurajuese të dimë se dëshirat e papërshtatshme janë diçka «e zakonshme për njerëzit»? (Shih figurën.)

15 Ndërsa lufton me një dëshirë të papërshtatshme, e cila është një armik i fortë, mos harro se nuk je vetëm. Bibla thotë: «Nuk keni hasur asnjë sprovë që të mos e kenë hasur edhe të tjerë.» (1 Kor. 10:13a) Ky varg është përkthyer edhe: «Asnjë tundim nuk ju ka rënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit.» Këto fjalë u drejtoheshin të krishterëve që jetonin në Korint, qofshin burra, qofshin gra. Disa prej tyre kishin qenë kurorëshkelës, homoseksualë dhe pijanecë. (1 Kor. 6:9-11) A mendon se pas pagëzimit nuk luftuan më kurrë me ndonjë dëshirë të papërshtatshme? S’ka si të ishte ashtu. Vërtet, të gjithë ishin të krishterë të mirosur, por ishin edhe njerëz të papërsosur. Pa dyshim që herë pas here u duhej të luftonin me dëshira të gabuara. Kjo duhet të të japë zemër. Pse? Sepse tregon se me çfarëdo dëshire të gabuar të jesh duke luftuar, dikush tjetër ia ka dalë mbanë t’i rezistojë. Është e mundur të qëndrosh ‘i patundur në besim, duke e ditur se të gjithë vëllezërit nëpër botë po përjetojnë të njëjtat vuajtje’.—1 Pjet. 5:9.

16. Cilën grackë duhet të shmangim, dhe pse?

16 Bëj kujdes nga një grackë—nga mendimi se askush nuk e kupton dot luftën tënde. Nëse mendon kështu, mund të nxjerrësh përfundimin se situata jote është e pashpresë dhe se je i pafuqishëm t’u rezistosh dëshirave të papërshtatshme. Por Bibla thotë të kundërtën: «Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.» (1 Kor. 10:13b) Pra, edhe kur një dëshirë e papërshtatshme është e fortë, është e mundur t’i bëjmë ballë. Me ndihmën e Jehovait, është e mundur të fitojmë mbi çdo dëshirë të gabuar.

17. Ndërkohë që është e pamundur të mos kemi asnjë dëshirë të gabuar, çfarë kemi në dorë?

17 Mbaj gjithmonë parasysh se, si njeri i papërsosur, është e pamundur të mos kesh asnjë dëshirë të gabuar. Megjithatë, kur këto dëshira të nxjerrin kokë, flaki tej me vendosmëri, ashtu si Jozefi që iku me të shpejtë nga gruaja e Potifarit. (Zan. 39:12) Ti mund t’u rezistosh dëshirave të papërshtatshme!

MOS I RESHT PËRPJEKJET

18-19. Cilat pyetje do të na ndihmojnë të përtërijmë mendjen?

18 Të përtërijmë mendjen do të thotë të përpiqemi pareshtur që mendimet dhe veprimet tona ta kënaqin Jehovain. Prandaj shqyrtoje veten rregullisht, duke bërë pyetje të tilla, si: «A po veproj në një mënyrë që tregon se e kuptoj që fundi është shumë afër? A po bëj përparim duke veshur personalitetin e ri? A po e lejoj frymën e Jehovait të më drejtojë në jetë, që t’i rezistoj prirjes për të plotësuar dëshirat mëkatare?»

19 Ndërsa shqyrton veten, mos prit përsosmëri, por kënaqu me përparimin. Nëse ka vend për t’u përmirësuar, mos u shkurajo, por ndiq këshillën e Filipianëve 3:16: «Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.» Nëse vepron kështu, ji i sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua që të vazhdosh ta përtërish mendjen.

KËNGA 36 E ruaj zemrën me kujdes

a Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët të mos lejonin që t’i modelonte bota. Kjo është një këshillë e mençur edhe për ne sot. Duhet të sigurohemi që bota nuk po ndikon për keq te ne në ndonjë mënyrë. Për ta bërë këtë, duhet të vazhdojmë të ndreqim mënyrën si mendojmë kur e kuptojmë se nuk është siç i pëlqen Perëndisë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund ta bëjmë këtë.

b Shih artikullin «Jeta ime po shkonte keq e më keq» në Kullën e Rojës të 1 korrikut 2015.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i ri po mediton çfarë drejtimi të zgjedhë: arsimin e lartë apo shërbimin në kohë të plotë.