ARTIKULLI I STUDIMIT 3

Jehovai po të ndihmon të kesh sukses

Jehovai po të ndihmon të kesh sukses

«Jehovai ishte me Jozefin . . . , Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.»—ZAN. 39:2, 3.

KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im

PËRMBLEDHJE a

1-2. (a) Pse nuk çuditemi kur na bien sprova? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 SI SHËRBËTORË të Jehovait, nuk çuditemi kur na bien sprova. E dimë se «duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime». (Vep. 14:22) E dimë edhe se disa nga problemet tona do të zgjidhen plotësisht vetëm kur të jetojmë në botën e re të Perëndisë, ku «nuk do të ketë më vdekje, . . . as vajtim, as klithmë, as dhembje».—Zbul. 21:4.

2 Jehovai nuk na mbron që të mos na bjerë asnjë sprovë. Gjithsesi, na ndihmon t’u bëjmë ballë sprovave. Të mendojmë për atë që u tha apostulli Pavël të krishterëve në Romë. Pasi renditi disa sprova që po kalonin ai dhe vëllezër të tjerë, shkroi: «Ne dalim plotësisht fitimtarë falë atij që na deshi.» (Rom. 8:35-37) Kjo do të thotë se Jehovai mund të të ndihmojë te kesh sukses edhe ndërsa përballon një sprovë. Të shohim si e ndihmoi Jehovai Jozefin të kishte sukses dhe si mund të të ndihmojë edhe ty.

KUR SITUATA NDRYSHON BEFAS

3. Si ndryshoi befas jeta e Jozefit?

3 Patriarku Jakob e kishte treguar qartë se e donte shumë birin e tij Jozefin. (Zan. 37:3, 4) Si rrjedhojë, djemtë e mëdhenj të Jakobit u bënë xhelozë për vëllanë e tyre. Kur iu dha rasti, ia shitën Jozefin disa tregtarëve midianitë. Ata tregtarë e çuan Jozefin qindra kilometra larg, në Egjipt, ku përfundoi në duart e Potifarit, kreut të rojave të faraonit. Kështu jeta e Jozefit ndryshoi vetëtimthi: nga biri i shtrenjtë i të atit u bë skllavi i papërfillshëm i një egjiptiani!—Zan. 39:1.

4. Çfarë vështirësish mund të hasim?

4 Bibla thotë se «kohët e vështira . . . i zënë befas të gjithë». (Ekl. 9:11) Ndonjëherë mund të kalojmë vështirësi që ‘i hasin edhe të tjerë’, domethënë me halle që u bien të gjithë njerëzve. (1 Kor. 10:13) Ose mund të vuajmë vetëm ngaqë jemi dishepuj të Jezuit. Për shembull, mund të përballemi me tallje, kundërshtime a madje edhe përndjekje për shkak të besimit. (2 Tim. 3:12) Çfarëdo sprove të përballosh, Jehovai mund të të ndihmojë të kesh sukses. Si e ndihmoi ai Jozefin t’i vente mbarë?

Jehovai e ndihmoi Jozefin të kishte sukses edhe kur e shitën si skllav te Potifari në Egjipt (Shih paragrafin 5)

5. Çfarë përfundimi nxori Potifari për suksesin e Jozefit? (Zanafilla 39:2-6)

5 Lexo Zanafillën 39:2-6. Potifari pa që Jozefi ishte një i ri goxha i zoti dhe i papërtuar. E dinte edhe arsyen pse kishte sukses. Potifari kuptoi se «Jehovai ia sillte mbarë [Jozefit] çdo gjë që bënte». b Me kalimin e kohës, ai egjiptian e bëri Jozefin shërbëtorin e tij personal. Gjithashtu e vuri në krye të shtëpisë së vet. Rezultati? Potifari begatohej gjithnjë e më shumë.

6. Si mund të jetë ndier Jozefi në situatën ku ndodhej?

6 Përpiqu ta shohësh situatën nga këndvështrimi i Jozefit. Çfarë donte ai më shumë se gjithçka? Mos donte t’i binte në sy Potifarit e të shpërblehej? Ka më shumë gjasa që Jozefi donte të ishte i lirë e të kthehej te babai i vet. Fundja, me gjithë privilegjet që kishte në shtëpinë e Potifarit, prapë ishte një skllav që i nënshtrohej një pronari pagan. Jehovai nuk i manovroi gjërat që Potifari ta lironte Jozefin. Madje situata e Jozefit do të keqësohej shumë më tepër.

KUR SITUATA KEQËSOHET

7. Si u bë keq e më keq situata e Jozefit? (Zanafilla 39:14, 15)

7 Siç tregohet te kapitulli 39 i Zanafillës, gruaja e Potifarit ia vuri syrin Jozefit dhe përpiqej vazhdimisht ta joshte. Jozefi nuk u dorëzua as edhe një herë para propozimeve të saj. Si përfundim, ajo u zemërua aq shumë me Jozefin, sa e akuzoi se ishte përpjekur ta përdhunonte. (Lexo Zanafillën 39:14, 15.) Kur e mori vesh këtë, Potifari e futi në burg Jozefin, ku qëndroi i mbyllur për disa vjet. (Zan. 39:19, 20) Si ishte ai burg? Fjala hebraike që përdori Jozefi dhe që është përkthyer «burg» mund të ketë kuptimin «sternë» ose «gropë». Kjo përcjell idenë se ishte një vend i errët ku ndihej i pashpresë. (Zan. 40:15; shën.) Gjithashtu, Bibla thotë se për njëfarë kohe Jozefit ia vunë këmbët nën vargonj dhe qafën ia lidhën me zinxhirë. (Psal. 105:17, 18) Situata e Jozefit sa vinte e keqësohej. Nga një skllav i besuar përfundoi në një të burgosur pa pikë vlere.

8. Për çfarë mund të jemi të sigurt, edhe nëse një sprovë sa vjen e rëndohet?

8 A ke hasur ndonjë situatë stresuese që sa vinte e keqësohej, ndonëse luteshe me zjarr për këtë? Edhe mund të ndodhë. Në këtë botë ku sundon Satanai, Jehovai nuk na mbron që të mos na bjerë asnjë sprovë. (1 Gjon. 5:19) Ama, për një gjë mund të jesh i sigurt: Jehovai e di fare mirë ç’po kalon dhe merakoset për ty. (Mat. 10:29-31; 1 Pjet. 5:6, 7) Gjithashtu, ai premton: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebr. 13:5) Jehovai mund të të ndihmojë të tregosh qëndrueshmëri edhe kur situata duket e pashpresë. Të shohim si e bëri këtë me Jozefin.

Jehovai ishte me Jozefin edhe kur ishte në burg dhe e caktuan të mbikëqyrte gjithë të burgosurit (Shih paragrafin 9)

9. Ç’gjë tregon se Jehovai ishte me Jozefin gjatë burgosjes? (Zanafilla 39:21-23)

9 Lexo Zanafillën 39:21-23. Edhe gjatë periudhës së zymtë të burgosjes, Jehovai ia sillte mbarë Jozefit. Si? Me kalimin e kohës, Jozefi fitoi besimin dhe respektin e përgjegjësit të burgut, ashtu siç kishte ndodhur me Potifarin. S’kaloi shumë dhe ai e caktoi Jozefin të mbikëqyrte të burgosurit e tjerë. Në fakt, Bibla thotë se «përgjegjësi nuk merakosej fare për punët që i ishin besuar Jozefit». Tani Jozefi kishte diçka ku të përqendrohej, një punë të dobishme. Çfarë kthese të çuditshme morën ngjarjet! Si mund t’i besohej ajo detyrë një të burgosuri që ishte akuzuar për tentativë përdhunimi ndaj gruas së një zyrtari të oborrit?! Ka vetëm një shpjegim. Siç thotë Zanafilla 39:23, «Jehovai ishte me Jozefin dhe Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte».

10. Shpjegoni pse Jozefit mund të mos i jetë dukur se po i vente mbarë çdo gjë.

10 Përpiqu ta vësh prapë veten në vend të Jozefit. Pasi e akuzuan padrejtësisht dhe e burgosën, a mendon se Jozefit i dukej se po i vente mbarë çdo gjë? Çfarë donte mbi gjithçka Jozefi? Mos donte të fitonte pëlqimin e përgjegjësit të burgut? Ka më shumë gjasa që donte ta shpallnin të pafajshëm e ta lironin. Madje i kërkoi një të burgosuri tjetër që do të lirohej pas pak t’i fliste për të faraonit, që të dilte nga ai burg i zymtë. (Zan. 40:14) Por ai burrë nuk u kujtua t’i fliste menjëherë faraonit. Si pasojë, Jozefi qëndroi në burg edhe dy vite të tjera. (Zan. 40:23; 41:1, 14) Megjithatë, Jehovai vazhdoi t’ia sillte mbarë çdo gjë. Si?

11. Çfarë aftësie të veçantë i dha Jehovai Jozefit, dhe çfarë roli luajti falë saj në plotësimin e qëllimit të Jehovait?

11 Ndërsa Jozefi ishte në burg, Jehovai bëri që mbreti i Egjiptit të shihte dy ëndrra që e turbulluan. Faraoni donte të dinte me çdo kusht kuptimin e tyre. Kur mësoi se Jozefi kishte aftësinë për të interpretuar ëndrrat, mbreti dërgoi njerëz ta sillnin. Me ndihmën e Jehovait, Jozefi i interpretoi ëndrrat, dhe këshillat e tij praktike i lanë mbresa faraonit. Ai e kuptoi se Jehovai ishte me atë të ri, prandaj e caktoi Jozefin administrues ushqimi të gjithë Egjiptit. (Zan. 41:38, 41-44) Më vonë ra një zi buke e rëndë që u shtri jo vetëm në Egjipt, por edhe në Kanan, në vendin ku jetonte familja e Jozefit. Tani Jozefi kishte mundësinë të shpëtonte familjen e tij, e kështu të mbronte trungun gjenealogjik të Mesisë.

12. Në cilat mënyra ia solli mbarë Jehovai Jozefit?

12 Mendo pak për ngjarjet e pazakonta të jetës së Jozefit. Kush bëri që Potifarit t’i binte në sy një skllav i thjeshtë si Jozefi? Kush bëri që një i burgosur i papërfillshëm si Jozefi të fitonte pëlqimin e përgjegjësit të burgut? Kush bëri që faraoni të shihte ëndrra shqetësuese dhe kush ia dha Jozefit aftësinë për t’i interpretuar? Kush e nxiti faraonin të merrte vendimin për ta caktuar Jozefin administrues ushqimi të Egjiptit? (Zan. 45:5) Pa diskutim, ishte Jehovai ai që ia solli mbarë Jozefit çdo gjë që bënte. Si përfundim, Jehovai e ktheu komplotin mizor të vëllezërve të Jozefit në një mjet për të plotësuar vullnetin e Tij.

SI PO TË NDIHMON JEHOVAI TË KESH SUKSES

13. A ndërhyn Jehovai në çdo situatë në jetën tonë? Shpjegoni.

13 Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga historia e Jozefit? A ndërhyn Jehovai në çdo situatë në jetën tonë? A manovron çdo ngjarje, në mënyrë që çdo gjë e keqe të ndodhë për një arsye të mirë? Jo, Bibla nuk e mëson këtë. (Ekl. 8:9; 9:11) Ama një gjë është e sigurt: kur përballojmë një sprovë, Jehovai e di mirë ç’po kalojmë dhe i dëgjon thirrjet tona për ndihmë. (Psal. 34:15; 55:22; Isa. 59:1) Jo vetëm kaq, por Jehovai mund të na ndihmojë edhe t’i përballojmë me sukses sprovat. Si?

14. Si na ndihmon Jehovai në kohë të vështira?

14 Një mënyrë si na ndihmon Jehovai është duke na dhënë ngushëllim e inkurajim, e shpesh fiks në kohën e duhur. (2 Kor. 1:3, 4) Kështu ndodhi me Ezizin, një vëlla në Turkmenistan që e dënuan me dy vjet burg për shkak të besimit. Ai tregon: «Mëngjesin e ditës që kisha gjyqin, një vëlla më lexoi Isainë 30:15 ku thuhet: ‘Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.’ Ky varg më ka ndihmuar gjithmonë që të jem i qetë e të mbështetem te Jehovai për çdo gjë. Meditimi për këtë varg më ka ndihmuar gjatë gjithë periudhës së burgut.» Po ty a të vjen ndër mend një periudhë në jetën tënde kur Jehovai të mbështeti duke të ngushëlluar e inkurajuar tamam kur kishe më shumë nevojë?

15-16. Çfarë mësojmë nga shembulli i Tinës?

15 Shpesh e kuptojmë vetëm pasi një sprovë ka mbaruar se si na ndihmoi Jehovai ta përballonim. Një motër që quhet Tina c e provoi vetë këtë. Djali i saj, Mejsoni, luftoi me kancerin për gjashtë vjet derisa vdiq. Kuptohet që Tina e kishte zemrën copë. Ajo thotë: «Për mua si nënë, kjo ishte gjëja më e dhimbshme në botë.» Pastaj shton: «Jam e bindur që çdo prind mendon se të shohësh fëmijën të vuajë, është më e rëndë se të vuash vetë.»

16 Ndonëse e kishte zemrën plagë, më vonë Tina meditoi për mënyrat si e kishte ndihmuar Jehovai ta përballonte atë sprovë. Ajo thotë: «Kur kthej kokën pas, shoh si më mbështeti dora e dashur e Jehovait gjatë gjithë kohës që im bir ishte sëmurë. Për shembull, edhe kur Mejsoni ishte aq sëmurë sa nuk priste dot vizitorë, vëllezërit e motrat udhëtonin dy orë me makinë për të ardhur në spital. Kishte gjithmonë një bashkëbesimtar që na bënte shoqëri dhe që ishte gati të na mbështeste. Gjithashtu, vëllezërit e motrat u kujdesën të kishim ç’na nevojitej. Edhe në ditët më të këqija, s’na mungoi asgjë e nevojshme.» Jehovai i dha Tinës gjithë sa i duhej për ta përballuar sprovën, e po njësoj bëri edhe me Mejsonin.—Shih kutinë « Jehovai na dha fiks ç’na duhej».

MOS I HUMB NGA SYTË BEKIMET

17-18. Çfarë do të na ndihmojë ta dallojmë dhe ta çmojmë mbështetjen e Jehovait në kohë të vështira? (Psalmi 40:5)

17 Lexo Psalmin 40:5. Synimi i një alpinisti është të arrijë në majë të malit. Por gjatë rrugës ka shumë pika ku mund të ndalet e të shijojë bukuritë përreth. Në mënyrë të ngjashme, pse të mos lësh kohë rregullisht që të ndalesh e të mendosh si po të ndihmon Jehovai të kesh sukses edhe ndërsa kalon një sprovë? Në fund të çdo dite, pyet veten: «Në cilat mënyra e pashë dorën e Jehovait sot? Ndonëse sprova nuk ka mbaruar ende, si po më ndihmon Jehovai t’i bëj ballë?» Përpiqu të dallosh të paktën një bekim ose një mënyrë si të ka ndihmuar Jehovai të kesh sukses.

18 Ndoshta ti lutesh që sprova të marrë fund. Është normale dhe e përshtatshme të lutemi për këtë. (Filip. 4:6) Por duhet edhe të mbajmë parasysh bekimet që gëzojmë tani. Jehovai na ka premtuar se do të na japë forcë e do të na ndihmojë të qëndrojmë. Prandaj, thelloje dita-ditës mirënjohjen për mbështetjen që të jep Jehovai. Kështu do të shohësh si të ndihmon ai të kesh sukses edhe në kohë të vështira, ashtu siç ndihmoi Jozefin.—Zan. 41:51, 52.

KËNGA 32 Merr anën e Jehovait!

a Ndërsa përballojmë një sprovë të vështirë, ndoshta nuk na duket se gjërat po na venë «mbarë». Mbase mendojmë se këtë mund ta themi vetëm pasi sprova të ketë kaluar. Por disa ngjarje nga jeta e Jozefit na japin një mësim të rëndësishëm: Jehovai mund të na ndihmojë të kemi sukses edhe mes sprovave. Në këtë artikull do të shohim si e bën këtë.

b Në Bibël, këto ndryshime në jetën e Jozefit si skllav zënë vetëm pak vargje, por mund të jenë dashur vite që të ndodhnin.

c Disa emra janë ndryshuar.