ARTIKULLI I STUDIMIT 9

Ruaje si sytë e ballit dhuratën e jetës

Ruaje si sytë e ballit dhuratën e jetës

«Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—VEP. 17:28.

KËNGA 141 Jeta është një mrekulli!

PËRMBLEDHJE a

1. Sa e çmuar është për Jehovain jeta jonë?

 IMAGJINO sikur një mik të dhuron një pikturë shumë të vjetër që s’ka të çmuar—një kryevepër. Aty-këtu sheh ndonjë pjesë të çngjyrosur, njolla dhe plasaritje. Por me gjithë këto papërsosmëri, piktura ka një vlerë prej miliona dollarësh. Pa dyshim që ajo vepër arti do të ishte e çmuar për ty dhe do ta mbroje. Po njësoj, Jehovai na ka bërë një dhuratë me vlerë të madhe—jetën. E Jehovai tregoi sa shumë e çmon jetën tonë duke dhënë Birin e vet si shpërblesë për ne.—Gjoni 3:16.

2. Siç tregon 2 Korintasve 7:1, çfarë pret Jehovai nga ne?

2 Jehovai është Burimi i jetës. (Psal. 36:9) Edhe apostulli Pavël e besonte këtë të vërtetë. Ai tha: «Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» (Vep. 17:25, 28) Ndaj me të drejtë mund të themi se jeta jonë është dhuratë nga Perëndia. Me dashuri, ai na jep gjërat e nevojshme për të jetuar. (Vep. 14:15-17) Ama Jehovai nuk na e mbron jetën me ndonjë mrekulli. Në vend të kësaj, pret të bëjmë çmos ta ruajmë shëndetin dhe marrëdhënien me të. (Lexo 2 Korintasve 7:1.) Pse duhet ta mbrojmë shëndetin dhe jetën tonë? Si mund ta bëjmë këtë?

VLERËSOJE DHURATËN E JETËS

3. Cila është një arsye pse duhet të përpiqemi ta ruajmë shëndetin?

3 Një arsye pse duhet të përpiqemi ta ruajmë shëndetin është se kështu mund të japim më të mirën në shërbim të Jehovait. (Mar. 12:30) Kemi dëshirë ‘t’i paraqitim trupat tanë si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë’, prandaj zgjedhim t’u themi «jo» gjërave që do të na e dëmtonin shëndetin. (Rom. 12:1) Natyrisht, kur bëhet fjalë për shëndetin, nuk kemi çdo gjë në dorë. Prapëseprapë, bëjmë çmos të kujdesemi për të, sepse duam t’i tregojmë Atit tonë qiellor se e çmojmë dhuratën e jetës.

4. Cila ishte dëshira e mbretit David?

4 Mbreti David e çmonte si dritën e syve dhuratën e jetës. Arsyen pse ndihej ashtu e shpjegoi me këto fjalë: «Ç’të mirë ka nëse vdes, në shkofsha në gropë?! Mos do të të përlëvdojë pluhuri?! Thua të flasë për besnikërinë tënde?!» (Psal. 30:9) Davidi mund ta ketë shkruar këtë nga fundi i jetës. Gjithsesi, ai ishte i vendosur ta mbronte shëndetin e të jetonte sa më gjatë, sepse donte të lëvdonte Jehovain. Pa dyshim që të gjithë kemi të njëjtën vendosmëri e dëshirë.

5. Çfarë mund të bëjmë, sado të moshuar a të sëmurë qofshim?

5 Sëmundjet dhe mosha e shkuar ndoshta na pengojnë të bëjmë shumë nga gjërat që bënim dikur. Kjo mund të na acarojë e të na trishtojë. Gjithsesi, kurrë nuk duhet të dorëzohemi e ta lëmë pas dore shëndetin. Pse? Sepse sado të moshuar a të sëmurë të jemi, prapë mund ta lëvdojmë Jehovain, ashtu si mbreti David. Sa na e ngroh zemrën mendimi që Perëndia ynë na sheh si një thesar, paçka se jemi të papërsosur! (Mat. 10:29-31) Edhe sikur të vdesim, ai do të digjet nga malli për ne dhe nga dëshira për të na kthyer në jetë. (Jobi 14:14, 15) Sa të jemi gjallë, pra, duam të bëjmë gjithçka mundemi për të mbrojtur shëndetin dhe jetën tonë.

SHMANG ZAKONET E DËMSHME

6. Çfarë pret Jehovai në lidhje me zakonet që kemi në të ngrënë e në të pirë?

6 Ndonëse nuk është një manual për shëndetin ose për mënyrën si të ushqehemi, Bibla zbulon pikëpamjen e Jehovait në këto aspekte. Për shembull, ai na nxit ‘ta mbrojmë trupin nga gjërat e dëmshme’. (Ekl. 11:10) Grykësia dhe dehja janë dy gjëra që mund të na kushtojnë jetën dhe që Bibla i dënon. (Prov. 23:20) Jehovai pret të tregojmë vetëkontroll kur zgjedhim çfarë dhe sa të hamë e të pimë.—1 Kor. 6:12; 9:25.

7. Si na ndihmon këshilla e Proverbave 2:11 të marrim vendime të mençura për shëndetin?

7 Mund ta tregojmë çmueshmërinë e thellë për dhuratën e jetës duke vënë në punë aftësinë për të menduar kur marrim vendime për shëndetin. (Psal. 119:99, 100; lexo Proverbat 2:11.) Për shembull, mendojmë me kujdes kur zgjedhim çfarë do të hamë. Nëse një ushqim i caktuar na pëlqen por e dimë se na bën dëm, tregohemi të mençur duke vendosur të mos e hamë. Tregojmë mençuri edhe kur përpiqemi të flemë gjumë mjaftueshëm, të bëjmë ushtrime rregullisht, të kemi zakone të mira për higjienën personale dhe ta mbajmë shtëpinë të pastër.

KUJDESU PËR SIGURINË

8. Si e tregon Bibla se çfarë mendon Perëndia rreth kujdesit që duhet të tregojmë për sigurinë?

8 Ligji që i dha Jehovai kombit të Izraelit përmbante udhëzime për të parandaluar aksidentet e rënda në shtëpi e në punë. (Eks. 21:28, 29; Ligj. 22:8) Një aksident vdekjeprurës kishte pasoja serioze për atë që kishte shkaktuar pa dashje vdekjen. (Ligj. 19:4, 5) Ligji kërkonte të ndëshkohej edhe dikush që dëmtonte pa dashje një fëmijë në barkun e nënës. (Eks. 21:22, 23) Shkrimet e bëjnë të qartë se Jehovai pret nga ne të kujdesemi për sigurinë.

Si mund të tregojmë respekt për jetën në këto situata? (Shih paragrafin 9)

9. Çfarë masash parandaluese mund të marrim për të shmangur aksidentet? (Shih edhe figurat.)

9 Tregojmë çmueshmëri për jetën që na ka dhuruar Perëndia kur marrim masa sigurie në shtëpi e në punë. Për shembull, kur hedhim objekte të mprehta, lëndë toksike ose ilaçe, e bëjmë këtë në një mënyrë që nuk do t’i dëmtojë të tjerët. Gjithashtu sigurohemi që gjëra të tilla të jenë në vende ku nuk rrezikojnë fëmijët. Në rast se kemi ndezur një zjarr, kemi vënë diçka për të zier ose po përdorim ndonjë mjet elektrik, tregojmë kujdes duke mos u larguar derisa të mbarojë ajo punë. Nuk i japim makinës nëse e kemi mendjen të turbullt nga një ilaç, nga pija ose nga mungesa e gjumit. E kur jemi në timon, nuk shpërqendrohemi duke përdorur e duke mbajtur në dorë një pajisje elektronike.

KUR JE NË NJË SITUATË EMERGJENTE

10. Çfarë mund të bëjmë para dhe gjatë një situate emergjente?

10 Ndonjëherë është e pamundur ta parandalojmë një situatë që na rrezikon jetën, si për shembull një katastrofë natyrore, epidemi ose konflikt të dhunshëm. Gjithsesi, kur ndodhin gjëra të tilla, mund të përpiqemi t’i minimizojmë rreziqet dhe të rritim shansin për të mbijetuar duke iu bindur orareve për të mos dalë nga shtëpia, urdhrave për evakuim dhe kufizimeve për raste emergjence. (Rom. 13:1, 5-7) Disa rreziqe mund të parashikohen, prandaj duhet t’ua vëmë veshin udhëzimeve që japin autoritetet për të na ndihmuar të përgatitemi për një emergjencë. Për shembull, mund të jetë praktike të kemi gati një sasi uji, ushqime që nuk prishen dhe një kuti të ndihmës së shpejtë.

11. Ç’duhet të jemi të gatshëm të bëjmë përballë rrezikut të një sëmundjeje ngjitëse?

11 Ç’duhet të bëjmë nëse aty ku jetojmë po përhapet një sëmundje ngjitëse? Duhet t’u bindemi udhëzimeve që japin autoritetet, siç janë rregullat për larjen e duarve, distancimin fizik, mbajtjen e maskës dhe karantinën. Gatishmëria për t’u bindur tregon sa thellë e çmojmë dhuratën e jetës.

12. Si na ndihmon parimi i Proverbave 14:15 të zgjedhim cilat informacione të besojmë në situata emergjente?

12 Gjatë situatave emergjente mund të qarkullojnë informacione të pasakta mes miqve, mes fqinjëve dhe në media. Në vend që t’i besojmë «çdo fjale», bëjmë mirë të dëgjojmë burimet më të besueshme qeveritare dhe mjekësore. (Lexo Proverbat 14:15.) Trupi Udhëheqës dhe zyrat e degëve bëjnë çmos të kenë informacione të sakta para se të japin një drejtim për mbledhjet e kongregacionit dhe veprën e predikimit. (Hebr. 13:17) Duke iu bindur drejtimit të tyre, mbrojmë veten dhe të tjerët. Gjithashtu, kjo mund të ndikojë për mirë te reputacioni i organizatës së Jehovait.—1 Pjet. 2:12.

JI I PËRGATITUR ‘TË RRISH LARG NGA GJAKU’

13. Si tregojmë se e çmojmë dhuratën e jetës kur i bindemi ligjit të Jehovait për gjakun?

13 Si Dëshmitarë të Jehovait jemi të njohur për faktin që respektojmë shenjtërinë e gjakut. Ne i bindemi ligjit të Jehovait për gjakun duke mos pranuar të bëjmë transfuzion gjaku, madje edhe në rast urgjence mjekësore. (Vep. 15:28, 29) Por kjo nuk do të thotë se duam të vdesim. Përkundrazi, e duam si dritën e syve jetën që na ka dhuruar Perëndia. Ne kërkojmë ndihmën e profesionistëve në fushën e mjekësisë që janë të gatshëm të sigurojnë kujdes të cilësisë së lartë pa përdorur transfuzion gjaku.

14. Si mund ta minimizojmë mundësinë e një procedure mjekësore serioze?

14 Nëse ndjekim sugjerimet për shëndetin që jepen në këtë artikull, mund t’i kursejmë vetes një operacion ose një procedurë tjetër serioze. E sa më mirë të kujdesemi për shëndetin, aq më shpejt do ta marrim veten nëse na duhet të bëjmë një operacion. Gjithashtu mund ta minimizojmë mundësinë e një operacioni urgjent nëse marrim masa sigurie në shtëpi e në punë dhe respektojmë gjithë rregullat e trafikut.

Nga çmueshmëria për dhuratën e jetës, ne plotësojmë një deklaratë mjekësore dhe e mbajmë gjithmonë me vete (Shih paragrafin 15) d

15. (a) Pse është e rëndësishme të mbajmë me vete kartën UTM të përditësuar? (Shih edhe figurën.) (b) Siç tregohet në video, si mund të marrim vendime të peshuara mirë për procedurat mjekësore që përfshijnë gjakun?

15 Nga çmueshmëria për dhuratën e jetës, ne plotësojmë kartën Udhëzime për trajtimin mjekësor (një deklaratë mjekësore) dhe e mbajmë gjithmonë me vete. b Në këtë dokument shprehim dëshirat tona në lidhje me transfuzionet e gjakut dhe me disa trajtime mjekësore. A e ke të përditësuar këtë deklaratë mjekësore? Nëse duhet ta plotësosh ose ta përditësosh, mos e zvarrit këtë gjë. Duke i shprehur qartë me shkrim dëshirat tona, ndihmojmë të shmangen vonesat e kota kur na nevojitet një trajtim. Gjithashtu ndihmojmë që personeli mjekësor të mos keqkuptojë diçka e të na japë një trajtim a ilaç të rrezikshëm për ne. c

16. Çfarë mund të bëjmë nëse nuk jemi të sigurt si ta plotësojmë kartën UTM?

16 Edhe nëse jemi të rinj ose gëzojmë shëndet të mirë, të gjithëve mund të na ndodhin aksidente e mund të sëmuremi. (Ekl. 9:11) Ndaj pa dyshim që është e mençur të plotësojmë kartën UTM. Nëse nuk je i sigurt si ta plotësosh këtë dokument, kërkoju ndihmë pleqve të kongregacionit. Ata zakonisht e kanë të qartë si duhet plotësuar ky dokument, por nuk do të marrin vendime mjekësore për ty. Kjo është përgjegjësia jote. (Gal. 6:4, 5) Megjithatë, mund të të ndihmojnë të kuptosh çfarë mundësish ke dhe t’i hedhësh me shkrim dëshirat e tua.

JI I ARSYESHËM

17. Si mund të tregohemi të arsyeshëm kur bëhet fjalë për shëndetin?

17 Shumë vendime që marrim për shëndetin dhe trajtimet mjekësore i bazojmë te ndërgjegjja jonë e stërvitur nga Bibla. (Vep. 24:16; 1 Tim. 3:9) Kur marrim vendime dhe bisedojmë për to me të tjerët, bëjmë mirë të zbatojmë parimin e Filipianëve 4:5: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» Kur jemi të arsyeshëm, nuk kemi merak të tepruar për shëndetin dhe as u imponojmë të tjerëve opinionet tona. I duam e i respektojmë vëllezërit e motrat, edhe kur vendimet që marrin ndryshojnë nga tonat.—Rom. 14:10-12.

18. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për dhuratën e jetës?

18 Kur e ruajmë jetën si sytë e ballit dhe i japim më të mirën Jehovait, tregojmë sa mirënjohës i jemi Burimit të jetës. (Zbul. 4:11) Sot na duhet të përballemi me sëmundje e katastrofa. Por nuk është kjo jeta që kishte ndër mend për ne Krijuesi ynë. Së shpejti ai do të na dhurojë jetën e përhershme, pa dhimbje e pa vdekje. (Zbul. 21:4) Por sa gjë e bukur është ndërkohë që jetojmë dhe i shërbejmë Atit tonë të shtrenjtë, Jehovait!

KËNGA 140 Jetë e bukur—Përgjithmonë!

a Ky artikull do të na ndihmojë të thellojmë çmueshmërinë për dhuratën e jetës. Do të shohim çfarë hapash mund të bëjmë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën tonë në një situatë emergjente, si edhe për të pakësuar në maksimum aksidentet. Gjithashtu do të shqyrtojmë si mund të përgatitemi për ndonjë urgjencë mjekësore.

b Ky dokument quhet edhe karta UTM.

c Shih në jw.org videon Si të marrësh vendime për trajtimet mjekësore që përfshijnë gjakun.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i ri plotëson kartën Udhëzime për trajtimin mjekësor dhe sigurohet ta ketë gjithnjë me vete.