ARTIKULLI I STUDIMIT 34

Mëso nga profecitë e Biblës

Mëso nga profecitë e Biblës

«Ata që kanë gjykim të thellë do të kuptojnë.»—DAN. 12:10.

KËNGA 98 Shkrimet, dhuratë nga Perëndia

PËRMBLEDHJE a

1. Si mund të mësojmë ta shijojmë studimin e profecive?

 «KAM shumë qejf të studioj profecitë e Biblës»,—thotë një vëlla i ri që quhet Beni. A ndihesh edhe ti kështu? Apo të duket një punë e rëndë studimi i profecive? Mbase edhe të duket gjë e mërzitshme të shqyrtosh profecitë. Megjithatë, kur të kuptosh më mirë pse i përfshiu Jehovai në Fjalën e tij, mund t’i shohësh me sy tjetër.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë jo vetëm pse duhet t’i studiojmë profecitë e Biblës, por edhe si mund t’i studiojmë. Pastaj do të ndalemi te dy profeci nga libri i Danielit dhe do të shohim si nxjerrim dobi kur i kuptojmë këto profeci.

PSE T’I STUDIOSH PROFECITË E BIBLËS?

3. Çfarë duhet të bëjmë që t’i kuptojmë profecitë e Biblës?

3 Nëse duam t’i kuptojmë profecitë e Biblës, duhet të kërkojmë ndihmë. Të bëjmë një ilustrim. Imagjino sikur ke shkuar në një vend të panjohur, por me vete ke një mik që e njeh me sy mbyllur atë vend. Ai e di fiks ku ndodheni dhe ku të nxjerr çdo rrugë. S’do mend, je i kënaqur që po udhëton me atë mik! Po njësoj, Jehovai e di ku jemi në rrjedhën e kohës dhe ku do të na nxjerrë rruga jonë. Ndaj për t’i kuptuar profecitë e Biblës, duhet të kërkojmë me përulësi ndihmën e tij.—Dan. 2:28; 2 Pjet. 1:19, 20.

Studimi i profecive të Biblës mund të na ndihmojë të përgatitemi për ngjarjet e së ardhmes (Shih paragrafin 4)

4. Pse Jehovai përfshiu në Fjalën e tij profeci? (Jeremia 29:11) (Shihni edhe figurën.)

4 Si çdo prind i dashur, Jehovai dëshiron që fëmijët e tij të kenë një të ardhme të lumtur. (Lexo Jereminë 29:11.) Por ndryshe nga prindërit njerëzorë, Jehovai mund ta parathotë të ardhmen me saktësi absolute. Ai ruajti në Fjalën e tij profeci që të na informojë për ngjarje të rëndësishme para se të ndodhin. (Isa. 46:10) Profecitë e Biblës janë dhurata të dashura nga Ati ynë qiellor. Por si mund të jesh i sigurt se ajo që parathotë Bibla do të realizohet vërtet?

5. Çfarë mund të mësojë një i ri nga shembulli i Maksit?

5 Në shkollë, fëmijët dhe të rinjtë Dëshmitarë shpesh rrethohen nga njerëz që kanë pak ose aspak respekt për Biblën. E fjalët ose sjellja e këtyre njerëzve mund t’u futin dyshime në mendje. Të marrim rastin e një vëllai që quhet Maks. Ai thotë: «Kur isha adoleshent, nisa të dyshoja nëse ajo që më mësonin prindërit ishte feja e vërtetë dhe nëse Bibla ishte e frymëzuar nga Perëndia.» Çfarë bënë prindërit e tij? Maksi thotë: «Reaguan me qetësi, ndonëse e dija se ishin në merak.» Prindërit përdorën Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij. Por edhe Maksi bëri diçka. Ai thotë: «I studiova vetë profecitë e Biblës, e ato që mësoja, i diskutoja me të rinj të tjerë Dëshmitarë.» Cili ishte rezultati? «Kjo më bindi se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia»,—thotë Maksi.

6. Çfarë duhet të bësh nëse ke dyshime, dhe pse?

6 Në qoftë se, ashtu si Maksi, fillon të dyshosh nëse Bibla përmban të vërtetën, nuk ka pse të ndihesh në faj. Ama duhet të bësh diçka për këtë. Dyshimi është si puna e ndryshkut. Nëse e shpërfill, dalëngadalë mund të shkatërrojë diçka të çmuar. Për të hequr «ndryshkun» nga besimi yt, pyet veten: «A e besoj atë që thotë Bibla për të ardhmen?» Nëse nuk je i sigurt, ke nevojë të studiosh profeci të Biblës që janë plotësuar. Po si mund ta bësh këtë?

SI T’I STUDIOSH PROFECITË E BIBLËS

Që të mbështetemi te Jehovai, ashtu si Danieli, duhet t’i studiojmë profecitë me përulësi, me kujdes dhe me motivin e duhur (Shih paragrafin 7)

7. Çfarë shembulli na la Danieli për mënyrën si t’i studiojmë profecitë? (Danieli 12:10) (Shihni edhe figurën.)

7 Danieli na la një shembull të mirë për mënyrën si t’i studiojmë profecitë. Ai studionte me motivin e duhur: të mësonte të vërtetën. Gjithashtu Danieli ishte i përulur, pasi e dinte se Jehovai i ndihmon të kuptojnë ata që qëndrojnë pranë tij dhe që mbeten të pastër në sytë e tij. (Dan. 2:27, 28; lexo Danielin 12:10.) Ai tregoi se ishte i përulur duke u mbështetur te Jehovai për ndihmë. (Dan. 2:18) Danieli ishte edhe një studiues i kujdesshëm. Ai bënte kërkime në Shkrimet e frymëzuara që ekzistonin atëherë. (Jer. 25:11, 12; Dan. 9:2) Si mund ta imitosh Danielin?

8. Pse disa nuk duan ta besojnë se profecitë e Biblës plotësohen, por çfarë duhet të bëjmë ne?

8 Shqyrto motivet e tua. A i studion profecitë e Biblës ngaqë dëshiron sinqerisht të mësosh të vërtetën? Nëse po, Jehovai do të të ndihmojë. (Gjoni 4:23, 24; 14:16, 17) Për ç’arsye tjetër mund t’i studiojë dikush profecitë? Disa e bëjnë këtë me shpresën se mos gjejnë ndonjë provë që Bibla nuk është e frymëzuar nga Perëndia. Kështu mendojnë se do të jenë të justifikuar për të vënë standardet e veta se çfarë është e drejtë dhe e gabuar e për të jetuar sipas atyre standardeve. Gjithsesi, ne duhet të kemi motivin e duhur. Veç kësaj, për t’i kuptuar profecitë e Biblës, nevojitet edhe një cilësi e rëndësishme.

9. Çfarë cilësie nevojitet për t’i kuptuar profecitë e Biblës? Shpjegoni.

9 Ji i përulur. Jehovai premton se do t’i ndihmojë të përulurit. (Jak. 4:6) Prandaj duhet t’i lutemi për ndihmë që t’i kuptojmë profecitë e Biblës. Duhet edhe të pranojmë ndihmën nga kanali që po përdor Jehovai për të na dhënë ushqim në kohën e duhur. (Luka 12:42) Jehovai është Perëndi i rregullit, ndaj është logjike që do të përdorte vetëm një kanal për të na ndihmuar të kuptojmë të vërtetat e Fjalës së tij.—1 Kor. 14:33; Efes. 4:4-6.

10. Çfarë të mëson shembulli i Esterës?

10 Studio me kujdes. Si fillim, zgjidh një profeci që të duket interesante dhe bëj kërkime për të. Kështu bëri një motër që quhet Estera. Ajo ishte kureshtare për profecitë që parathonë ardhjen e Mesisë. «Kur isha 15 vjeçe,—tregon Estera,—fillova të kërkoja prova se ato profeci ishin shkruar vërtet para kohës së Jezuit.» U bind për këtë pasi lexoi për Rrotullat e Detit të Vdekur. Ajo thotë: «Disa prej tyre ishin shkruar para kohës së Krishtit, ndaj profecitë që përmbanin, patjetër duhej të ishin nga Perëndia.» Estera pranon: «Ca gjëra m’u desh t’i lexoja disa herë për t’i kuptuar.» Ama është e lumtur që bëri përpjekje. Pasi studioi me kujdes disa profeci, Estera tha: «U sigurova vetë se ajo që thotë Bibla është e vërtetë.»

11. Si nxjerrim dobi kur sigurohemi se ajo që thotë Bibla është e vërtetë?

11 Kur shohim si janë plotësuar disa profeci që përmban Fjala e Perëndisë, besimi ynë te Jehovai dhe te mënyra si na udhëheq bëhet i pathyeshëm. Veç kësaj, profecitë e Biblës hedhin dritë mbi shpresën që kemi. Kështu, studimi i tyre na ndihmon të mbajmë një qëndrim pozitiv përballë çdo sprove. Le të ndalemi pak te dy profeci që shkroi Danieli dhe që po plotësohen sot. Nëse i kuptojmë këto profeci, do ta kemi më të lehtë të marrim vendime të mençura.

SI NDIKON TE TI PROFECIA PËR KËMBËT PREJ HEKURI E ARGJILE?

12. Çfarë paraqesin këmbët prej ‘hekuri të përzier me argjilë të butë’? (Danieli 2:41-43)

12 Lexo Danielin 2:41-43. Në ëndrrën që interpretoi Danieli për mbretin Nabukodonosor, këmbët e statujës që pa mbreti ishin prej ‘hekuri të përzier me argjilë të butë’. Duke e krahasuar këtë profeci me profeci të tjera nga libri i Danielit dhe i Zbulesës, nxjerrim përfundimin se këmbët paraqesin aleancën anglo-amerikane, pra fuqitë politike që mbizotërojnë në skenën botërore sot. Për këtë fuqi botërore, Danieli tha: «Mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.» Pse pjesërisht e brishtë? Sepse njerëzit e thjeshtë, të paraqitur nga argjila e butë, ia dobësojnë aftësinë për të vepruar me një fuqi të hekurt. b

13. Cilat të vërteta të rëndësishme mësojmë nga kjo profeci?

13 Nga përshkrimi që i bën Danieli statujës së ëndrrës, e sidomos këmbëve nga kyçet e poshtë, mësojmë disa të vërteta të rëndësishme. Së pari, fuqia botërore anglo-amerikane e ka treguar forcën e saj në disa mënyra. Për shembull, Britania dhe Amerika luajtën rol të rëndësishëm në të dyja luftërat botërore dhe ishin mes kombeve fitimtare. Mirëpo, forca e tyre është dobësuar e do të vazhdojë të dobësohet për shkak të konflikteve të brendshme të krijuara nga nënshtetasit e tyre. Së dyti, kjo aleancë do të jetë fuqia e fundit botërore në pushtet para se Mbretëria e Perëndisë t’u japë fund të gjitha qeverive njerëzore. Kombe të tjera mund ta sfidojnë hera-herës fuqinë botërore anglo-amerikane, por nuk do ta zëvendësojnë. Pse e themi këtë? Sepse «guri» që paraqet Mbretërinë e Perëndisë do të thërrmojë këmbët nga kyçet e poshtë, pra atë pjesë të statujës që paraqet Anglo-Amerikën.—Dan. 2:34, 35, 44, 45.

14. Pse e kemi më të lehtë të marrim vendime të mençura kur e kuptojmë profecinë për këmbët prej hekuri dhe argjile?

14 A je i bindur se profecia e Danielit për këmbët prej hekuri dhe argjile po bëhet realitet? Nëse po, kjo do të ndikojë te mënyra si e jeton jetën. Nuk do të fiksohesh te siguria materiale në një botë që së shpejti do të shkatërrohet. (Luka 12:16-21; 1 Gjonit 2:15-17) Gjithashtu, kjo profeci të ndihmon të kuptosh sa rëndësi ka t’u dëshmojmë të tjerëve dhe t’u mësojmë të vërtetën. (Mat. 6:33; 28:18-20) Pasi e shqyrtuam shkurtimisht këtë profeci, bëji vetes këtë pyetje: «A tregojnë vendimet e mia se jam i bindur që Mbretëria e Perëndisë së shpejti do t’u japë fund të gjitha qeverive njerëzore?»

SI NDIKON TE TI PROFECIA PËR ‘MBRETIN E VERIUT’ DHE ‘MBRETIN E JUGUT’?

15. Cilët janë sot «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut»? (Danieli 11:40)

15 Lexo Danielin 11:40. Kapitulli 11 i Danielit flet për dy mbretër, ose fuqi politike, që luftojnë se kush do të ketë më shumë pushtet në botë. Duke e krahasuar këtë profeci me profeci të tjera të Biblës, kuptojmë se «mbreti i veriut» është Rusia dhe aleatët e saj, kurse «mbreti i jugut» është fuqia botërore anglo-amerikane. c

Kur kuptojmë se kundërshtimi nga «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» po plotëson profecitë e Biblës, na forcohet besimi dhe nuk jemi tepër në ankth (Shih paragrafët 16-18)

16. Cilat sprova hasin shërbëtorët e Perëndisë atje ku qeveris «mbreti i veriut»?

16 Shërbëtorët e Perëndisë që jetojnë atje ku qeveris «mbreti i veriut» përballen me përndjekje. Disa Dëshmitarë i kanë rrahur dhe i kanë burgosur për shkak të besimit të tyre. Në vend që t’u shtijnë frikën, këto veprime të ‘mbretit të veriut’ ua forcojnë besimin vëllezërve tanë. Pse? Sepse e dinë që përndjekja e shërbëtorëve të Perëndisë plotëson profecitë e librit të Danielit. d (Dan. 11:41) Kur e kemi të qartë në mendje këtë, do ta mbajmë shpresën të fortë dhe besnikërinë të pathyeshme.

17. Cilat sprova kanë hasur shërbëtorët e Perëndisë në vendet ku qeveris «mbreti i jugut»?

17 Në të kaluarën, edhe «mbreti i jugut» i ka sulmuar haptas shërbëtorët e Jehovait. Për shembull, gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, shumë vëllezër u burgosën ngaqë mbanin asnjanësinë e krishterë dhe disa fëmijë Dëshmitarë i përjashtuan nga shkollat për të njëjtën arsye. Mirëpo dekadat e fundit, në vendet ku qeveris ky mbret besnikëria e shërbëtorëve të Jehovait ndaj Mbretërisë është sprovuar në mënyra më tinëzare. Gjatë fushatave elektorale, për shembull, një Dëshmitar mund të tundohet të përkrahë një kandidat ose parti politike. Mbase nuk do të shkojë deri aty sa të votojë, por mund të marrë anën e dikujt në mendje e në zemër. Sa e rëndësishme është të jemi asnjanës në politikë, jo vetëm në veprime, por edhe në mendimet dhe ndjenjat tona!—Gjoni 15:18, 19; 18:36.

18. Si reagojmë kur shohim konfliktin mes ‘mbretit të veriut’ dhe rivalit të tij? (Shihni edhe figurat.)

18 Ata që nuk besojnë te profecitë e Biblës, mund t’i mbytë ankthi kur shohin se «mbreti i jugut» dhe «mbreti i veriut» po «kacafyten me njëri-tjetrin». (Dan. 11:40, shën.) Të dy këta mbretër kanë aq shumë armë bërthamore, sa të shfarosin çdo gjë të gjallë në tokë. Ama, ne jemi të sigurt se Jehovai nuk ka për ta lejuar këtë. (Isa. 45:18) Kështu, në vend që të na fusë ankth për të ardhmen, armiqësia mes ‘mbretit të veriut’ dhe ‘mbretit të jugut’ na forcon besimin. Ajo është një provë se fundi i këtij sistemi është te pragu.

VAZHDO T’U KUSHTOSH VËMENDJE PROFECIVE

19. Çfarë duhet të mbajmë parasysh për profecitë e Biblës?

19 Nuk e dimë si do të plotësohen disa profeci të Biblës. Në fakt, edhe profeti Daniel nuk kuptoi çdo gjë që hodhi me shkrim. (Dan. 12:8, 9) Edhe kur ne nuk e kuptojmë plotësisht si do të përmbushet një profeci, kjo s’do të thotë që nuk do të përmbushet. Të mos kemi pikë dyshimi se Jehovai do të na i tregojë fiks në kohën e duhur ato që kemi nevojë të dimë, ashtu siç bëri në të kaluarën.—Amo. 3:7.

20. Cilat profeci drithëruese të Biblës do të plotësohen së shpejti, dhe çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë?

20 Kombet do të deklarojnë se kanë sjellë «paqe dhe siguri». (1 Sel. 5:3) Pas kësaj, fuqitë politike të botës do t’i vërsulen fesë së rreme dhe do ta fshijnë nga faqja e dheut. (Zbul. 17:16, 17) Më pas do të sulmojnë popullin e Perëndisë. (Ezek. 38:18, 19) Këto ngjarje do të çojnë drejt e në luftën finale, në Armagedon. (Zbul. 16:14, 16) Mund të jemi të sigurt se këto ngjarje do të ndodhin së shpejti. Deri atëherë, le të vazhdojmë t’i tregojmë mirënjohje Atit tonë të dashur duke u kushtuar vëmendje profecive të Biblës e duke ndihmuar edhe të tjerët ta bëjnë këtë.

KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë

a Ndërsa gjërat në botë shkojnë keq e më keq, mund të jemi të sigurt se përpara na pret një e ardhme e lumtur. Këtë siguri na e jep studimi i profecive të Biblës. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa arsye pse duhet ta studiojmë atë që parathotë Bibla. Gjithashtu do t’u hedhim një sy dy profecive që shkroi Danieli e do të shohim si mund të nxjerrim dobi kur i kuptojmë këto profeci.

b Shih artikullin «Jehovai zbulon gjërat që ‘do të ndodhin së shpejti’», paragrafët 7-9, në Kullën e Rojës të 15 qershorit 2012.

c Shih artikullin «Kush është sot ‘mbreti i veriut’?», paragrafët 3-4, në Kullën e Rojës të majit 2020.

d Shih artikullin «Kush është sot ‘mbreti i veriut’?», paragrafët 7-9, në Kullën e Rojës të majit 2020.