ARTIKULLI I STUDIMIT 35

Vazhdo të jesh i duruar

Vazhdo të jesh i duruar

«Vishuni me . . . durim.»—KOLOS. 3:12.

KËNGA 114 ‘Të presim me durim’

PËRMBLEDHJE a

1. Pse të pëlqen kur të tjerët janë të duruar?

 TË GJITHËVE na pëlqen të rrimë me njerëz të duruar. Pse? Sepse i respektojmë ata që dinë të presin pa u acaruar. E vlerësojmë që të tjerët tregohen të duruar me ne kur bëjmë gabime. Gjithashtu jemi mirënjohës që mësuesi ynë i Biblës ishte i duruar me ne kur e kishim të vështirë të kuptonim, të pranonim ose të zbatonim ndonjë mësim të Biblës. Mbi të gjitha, jemi mirënjohës pa fund për durimin që ka me ne Perëndia Jehova!—Rom. 2:4.

2. Në cilat situata mund ta kemi të vështirë të jemi të duruar?

2 Ndonëse e vlerësojmë kur të tjerët tregojnë durim, mund të mos e kemi gjithnjë të lehtë të jemi të duruar. Për shembull, ndoshta mezi arrijmë ta ruajmë qetësinë kur ngecim në trafik, sidomos nëse jemi me vonesë. Mund ta humbim gjakftohtësinë kur të tjerët na acarojnë. Gjithashtu, ndonjëherë mund ta kemi të vështirë të vazhdojmë të presim me durim botën e re që ka premtuar Jehovai. A dëshiron të jesh më i duruar? Në këtë artikull do të shqyrtojmë ç’do të thotë të jesh i duruar dhe pse është kaq i rëndësishëm durimi. Do të shohim edhe çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë durim.

Ç’DO TË THOTË TË JESH I DURUAR?

3. Si reagon një njeri i duruar kur e provokojnë?

3 Të shohim katër mënyra si mund të tregojmë durim. Së pari, një njeri i duruar nuk zemërohet shpejt. Kur e provokojnë ose kur është nën stres, përpiqet ta ruajë qetësinë dhe të mos ua kthejë të tjerëve me të njëjtën monedhë. Shprehja «nuk zemërohet shpejt» del për herë të parë në Bibël kur Jehovai përshkruhet si «një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike e të vërtetë».—Eks. 34:6.

4. Si reagon një njeri i duruar kur i duhet të presë?

4 Së dyti, një njeri i duruar di të presë me qetësi. Nëse diçka vonon më shumë nga ç’mendonte, ai përpiqet të mos jetë i paduruar ose të mos acarohet. (Mat. 18:26, 27) Ka plot situata ku na duhet të presim me qetësi. Për shembull, kur dikush flet, duhet ta dëgjojmë me durim, pa e ndërprerë. (Jobi 36:2) Mund të kemi nevojë për durim edhe kur ndihmojmë një student të kuptojë një mësim të Biblës ose të heqë një ves.

5. Cila është një mënyrë tjetër si mund të tregojmë durim?

5 Së treti, një njeri i duruar nuk ngutet. Vërtet, në disa situata mund të jetë e nevojshme të veprojmë shpejt. Megjithatë, kur i duhet të kryejë një punë të rëndësishme, një njeri i duruar nuk e nis me ngut, e as e përfundon me ngut. Përkundrazi, lë kohë të mjaftueshme për të planifikuar çfarë do të bëjë. Pastaj harxhon aq kohë sa nevojitet për ta kryer mirë punën.

6. Si reagon një njeri i duruar përballë sprovave ose vështirësive?

6 Së katërti, një njeri i duruar përpiqet t’i përballojë sprovat pa u ankuar. Në këtë aspekt, durimi lidhet ngushtë me qëndrueshmërinë. Patjetër, nuk është e gabuar të hapemi me një mik të ngushtë dhe t’i shprehim si ndihemi për një sprovë. Gjithsesi, një njeri i duruar bën çmos që, ndërsa tregon qëndrueshmëri, të vazhdojë t’i shërbejë Jehovait me gëzim. (Kolos. 1:11) Si adhurues të Jehovait, kemi nevojë të tregojmë durim në të gjitha këto mënyra. Pse? Le të shohim disa arsye.

PSE ËSHTË KAQ I RËNDËSISHËM DURIMI

Ashtu si bujku që pret me durim, i sigurt se me kohë toka do të japë fryt, ne presim me durim, të sigurt se Jehovai do t’i plotësojë të gjitha premtimet në kohën që ka caktuar (Shih paragrafin 7)

7. Sipas Jakovit 5:7, 8, pse është shumë i rëndësishëm durimi? (Shihni edhe figurën.)

7 Durimi është jetësor për shpëtimin tonë. Ashtu si besnikët e së kaluarës, kemi nevojë të presim me durim plotësimin e premtimeve të Perëndisë. (Hebr. 6:11, 12) Bibla e krahason situatën tonë me atë të një bujku. (Lexo Jakovin 5:7, 8.) Një bujk punon pa u lodhur që të mbjellë dhe të ujitë farat, por nuk e di me saktësi se kur do të mbijnë. Ndaj bujku pret me durim, i sigurt se do të japin fryt. Po njësoj, ne përpiqemi me gjithë shpirt në aktivitetet teokratike, ndonëse ‘nuk e dimë në ç’ditë vjen Zotëria ynë’. (Mat. 24:42) Presim me durim, të sigurt se Jehovai do t’i përmbushë të gjitha premtimet e tij në kohën që ka caktuar. Nëse bëhemi të paduruar, mund të ndihemi të lodhur nga pritja e mund të largohemi si pa e kuptuar nga Jehovai. Gjithashtu, mund të fillojmë të rendim pas gjërave që na sjellin kënaqësi në çast. Ama, nëse jemi të duruar, mund t’ia dalim të qëndrojmë deri në fund e të shpëtojmë.—Mik. 7:7; Mat. 24:13.

8. Si na ndihmon durimi në marrëdhëniet me të tjerët? (Kolosianëve 3:12, 13)

8 Durimi na ndihmon në marrëdhëniet me të tjerët. Nëse jemi të duruar, do t’i dëgjojmë të tjerët me vëmendje. (Jak. 1:19) Durimi na ndihmon edhe të kemi paqe mes nesh. Ai na mbron të mos reagojmë nxitimthi e të mos themi diçka lënduese kur jemi të stresuar. Gjithashtu durimi do të na ndihmojë të mos zemërohemi shpejt kur dikush na lëndon. Në vend që të hakmerremi, ‘do të vazhdojmë të durojmë e të falim bujarisht njëri-tjetrin’.—Lexo Kolosianëve 3:12, 13.

9. Si na ndihmon durimi kur duhet të marrim vendime? (Proverbat 21:5)

9 Durimi na ndihmon edhe të marrim vendime më të mira. Në vend që të jemi të rrëmbyer ose impulsivë, do të lëmë kohë për të bërë kërkime dhe për të peshuar mirë çfarë mundësish kemi. (Lexo Proverbat 21:5.) Për shembull, nëse po kërkojmë punë, mbase na vjen të pranojmë punën e parë që gjejmë, edhe nëse na pengon disi në adhurimin e Jehovait. Mirëpo, nëse jemi të duruar, do të mendojmë mirë për gjëra të tilla si vendi i punës, orari ose ndikimi që mund të ketë te familja jonë dhe te miqësia me Jehovain. Nëse jemi të duruar, kjo mund të na ndihmojë të mos marrim një vendim të keq.

SI TA ZHVILLOJMË DURIMIN

10. Si mund ta zhvillojmë dhe ta ruajmë durimin?

10 Lutu për të pasur më shumë durim. Durimi është një aspekt i frytit të frymës. (Gal. 5:22, 23) Ndaj mund t’i kërkojmë Jehovait të na japë frymë të shenjtë dhe të na ndihmojë të zhvillojmë frytin e saj. Kur hasim një situatë që na sprovon durimin, ‘vazhdojmë t’i kërkojmë’ Jehovait frymë të shenjtë për të na ndihmuar të jemi të duruar. (Luka 11:9, 13) Gjithashtu mund t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i tij. E pasi lutemi, duhet të bëjmë çmos të jemi të duruar çdo ditë. Sa më shumë të lutemi për durim dhe të përpiqemi të jemi të duruar, aq më shumë do të zërë rrënjë te ne kjo cilësi dhe do të na bëhet pjesë e personalitetit.

11-12. Si ka treguar durim Jehovai?

11 Medito për shembuj nga Bibla. Bibla flet për shumë njerëz të duruar. Duke medituar për historinë e tyre, mund të dallojmë mënyra si të tregojmë durim. Para se të shohim disa nga këta shembuj, të ndalemi te shembulli më i shkëlqyer i durimit—Jehovai.

12 Në kopshtin e Edenit, Satanai shpifi për emrin e Jehovait dhe hodhi baltë mbi reputacionin e Tij si një Sovran i drejtë dhe i dashur. Në vend që ta shfaroste menjëherë atë shpifës, Jehovai tregoi durim dhe vetëkontroll, pasi e dinte se do të duhej kohë që të provohej se qeverisja e Tij është më e mira. E ndërsa pret, ka duruar tërë shpifjet që janë bërë ndaj emrit të tij. Veç kësaj, Jehovai ka pritur me durim sepse qëllimi i tij është që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të gëzojnë jetën e përhershme. (2 Pjet. 3:9, 15) Si rezultat, miliona njerëz e kanë njohur Jehovain. Nëse përqendrohemi te dobitë e durimit të Jehovait, do ta kemi më të lehtë të presim kohën që ka caktuar ai për të sjellë fundin.

Durimi do të na ndihmojë të mos zemërohemi shpejt kur na provokojnë (Shih paragrafin 13)

13. Si e ka imituar në mënyrë të përsosur Jezui durimin e Atit të tij? (Shihni edhe figurën.)

13 Jezui e imiton në mënyrë të përsosur durimin e Atit të tij. Ai e shfaqi këtë cilësi kur ishte në tokë. S’duhet ta ketë pasur gjithnjë të lehtë të tregohej i duruar, sidomos me skribët dhe farisenjtë hipokritë. (Gjoni 8:25-27) Megjithatë, ashtu si Ati i tij, Jezui nuk zemërohej shpejt. Nuk hakmerrej kur e fyenin ose e provokonin. (1 Pjet. 2:23) Jezui tregoi durim dhe i përballoi sprovat pa u ankuar. Ja pse Bibla na nxit ‘të mendojmë me kujdes për atë që duroi fjalët armiqësore të mëkatarëve’. (Hebr. 12:2, 3) Me ndihmën e Jehovait, edhe ne mund të përballojmë me durim çdo sprovë që na bie.

Nëse imitojmë durimin e Abrahamit, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na shpërblejë tani dhe akoma më shumë në botën e re që ka premtuar (Shih paragrafin 14)

14. Çfarë mund të mësojmë nga durimi i Abrahamit? (Hebrenjve 6:15) (Shihni edhe figurën.)

14 Ndoshta disa prej nesh prisnim që fundi të vinte para shumë kohësh. Kurse tani mund të kemi merak se nuk do të arrijmë ta shohim gjatë jetës sonë. Çfarë do të na ndihmojë të vazhdojmë të presim me durim? Të mendojmë për shembullin e Abrahamit. Kur ishte 75 vjeç e nuk kishte fëmijë, Jehovai i premtoi: «Unë do të të bëj një komb të madh.» (Zan. 12:1-4) A e pa Abrahami përmbushjen e atij premtimi? Jo plotësisht. Pasi kaloi lumin Eufrat dhe priti 25 vjet, Abrahami pa lindjen e birit të tij Isakut me anë të një mrekullie. E pasi kaluan edhe 60 vite të tjera, lindën nipërit e tij, Esau dhe Jakobi. (Lexo Hebrenjve 6:15.) Por Abrahami nuk i pa pasardhësit e tij të bëheshin një komb i madh dhe të trashëgonin Tokën e Premtuar. Megjithatë, ai besnik gëzoi një miqësi të ngushtë me Krijuesin e tij. (Jak. 2:23) E pasi të ringjallet, sa i emocionuar do të ndihet kur të mësojë se besimi dhe durimi i tij i sollën bekime gjithë kombeve! (Zan. 22:18) Mësimi për ne? Mbase për momentin nuk e shohim plotësimin e të gjitha premtimeve të Jehovait. Gjithsesi, nëse jemi të duruar si Abrahami, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na shpërblejë tani dhe akoma më shumë në botën e re që ka premtuar.—Mar. 10:29, 30.

15. Çfarë mund të shqyrtojmë gjatë studimit personal?

15 Në Bibël gjejmë plot shembuj të tjerë durimi. (Jak. 5:10) Pse të mos bësh një projekt studimi për të shqyrtuar historitë e tyre? b Për shembull, Davidi u miros në moshë të re që të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit, por iu desh të priste vite të tëra që të hipte ne fron. Simeoni dhe Ana e adhuruan me besnikëri Jehovain ndërsa prisnin Mesinë e premtuar. (Luka 2:25, 36-38) Teksa shqyrton shembuj të tillë, përpiqu t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve: «Çfarë mund ta ketë ndihmuar këtë personazh të tregonte durim? Si nxori dobi ngaqë u tregua i duruar? Si mund ta imitoj?» Mund të përfitosh edhe nga shembulli i atyre që nuk treguan durim. (1 Sam. 13:8-14) Ndërsa shqyrton këta shembuj negativë, pyet veten: «Cila mund të ketë qenë arsyeja pse u treguan të paduruar? Çfarë pasojash patën?»

16. Cilat janë disa dobi që vijnë kur jemi të duruar?

16 Mendo për dobitë që sjell durimi. Kur jemi të duruar, ndihemi më të lumtur e më të qetë. Pra, durimi mund të ndikojë për mirë te shëndeti ynë mendor dhe fizik. Kur tregojmë durim me të tjerët, gëzojmë marrëdhënie më të mira dhe në kongregacion ka më shumë unitet. Nëse dikush na provokon, nuk do të zemërohemi shpejt, e kështu nuk do ta përkeqësojmë situatën. (Psal. 37:8, shën.; Prov. 14:29) Por mbi të gjitha, kur jemi të duruar, imitojmë Atin tonë qiellor e afrohemi edhe më shumë me të.

17. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

17 Çfarë cilësie tërheqëse dhe e dobishme është durimi! Vërtet, mund të mos e kemi gjithnjë të lehtë të jemi të duruar, por me ndihmën e Jehovait mund të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë cilësi. E ndërsa presim me durim botën e re, të jemi të sigurt se «Jehovai i mban sytë mbi ata që e nderojnë thellësisht, mbi ata që i varin shpresat te dashuria e tij besnike». (Psal. 33:18) Ndaj qofshim të vendosur të vazhdojmë të vishemi me durim!

KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!

a Në botën e Satanait, durimi është gjë e rrallë. Megjithatë, Bibla na nxit të vishemi me durim. Ky artikull do të na tregojë pse është kaq e rëndësishme kjo cilësi dhe si mund të bëhemi më të duruar.

b Për shembuj të tjerë durimi nga Bibla, shko te tema «Durimi» në Treguesin e botimeve Watch Tower.