ARTIKULLI I STUDIMIT 44

Eksploroje Fjalën e Perëndisë në çdo dimension

Eksploroje Fjalën e Perëndisë në çdo dimension

‘Kuptoni krejtësisht cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e së vërtetës.’—EFES. 3:18.

KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë

PËRMBLEDHJE a

1-2. Cila është mënyra më e mirë për ta lexuar e studiuar Biblën? Ilustrojeni.

 IMAGJINO sikur duhet të vendosësh nëse do të blesh një shtëpi. Çfarë do që të shohësh para se të marrësh vendimin? Thjesht një fotografi të fasadës? S’do mend që dëshiron ta shohësh vetë shtëpinë, t’i biesh rrotull, të hysh në çdo dhomë dhe të shohësh çdo skutë. Madje mund të studiosh edhe planimetrinë për të parë si është ndërtuar. Pa dyshim që do ta shihje me imtësi shtëpinë tënde të ardhshme.

2 Kur lexojmë e studiojmë Shkrimet mund të bëjmë diçka të ngjashme. Një botim shpjegues për Biblën e krahason mesazhin e saj me «një ndërtesë kolosale që ka kulla të larta dhe themele të thella». Atëherë, si mund të njohim me imtësi gjithçka që përmban Bibla? Po ta lexosh shpejt e shpejt, mund të mësosh vetëm faktet bazë—«gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë». (Hebr. 5:12) Në vend të kësaj, ashtu siç do të bëje me shtëpinë, hyr «brenda» dhe shqyrto gjithë hollësitë e saj mahnitëse. Një mënyrë e shkëlqyer për ta studiuar Biblën është të shohësh si ndërthuren pjesët e ndryshme të saj. Përpiqu të kuptosh jo vetëm çfarë të vërtetash beson, por edhe pse i beson.

3. Çfarë nxitje u dha apostulli Pavël vëllezërve e motrave, dhe pse? (Efesianëve 3:14-19)

3 Që ta kuptojmë Fjalën e Perëndisë në të gjitha dimensionet, duhet të ndalemi te të vërteta të thella të saj. Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit e motrat ta studionin me kujdes Fjalën e Perëndisë, që ‘të kuptonin krejtësisht cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e së vërtetës. Kështu do të bëheshin akoma më «të rrënjosur» e më «të qëndrueshëm» në besim. (Lexo Efesianëve 3:14-19.) Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. Le të shohim si mund ta eksplorojmë Fjalën e Perëndisë për të kuptuar më plotësisht domethënien e saj të pasur.

EKSPLORO TË VËRTETAT E THELLA TË BIBLËS

4. Ç’mund të bëjmë që të afrohemi më shumë me Jehovain? Jepni shembuj.

4 Ne nuk kënaqemi thjesht me një studim sipërfaqësor të Biblës. Jemi të etur të mësojmë «edhe gjërat e thella të Perëndisë» me ndihmën e frymës së tij të shenjtë. (1 Kor. 2:9, 10) Pse të mos bësh një projekt studimi me synimin që të afrohesh më shumë me Jehovain? Për shembull, mund të bësh kërkime për të parë si u tregonte dashuri shërbëtorëve të tij në të kaluarën, e pastaj mendo si e provon kjo se Jehovai ka dashuri edhe për ty. Mund të shqyrtosh si dëshironte Jehovai ta adhuronin izraelitët dhe ta krahasosh këtë me mënyrën si dëshiron ta adhurojmë sot. Ose mund të studiosh me hollësi profecitë që përmbushi Jezui kur jetoi dhe shërbeu në tokë.

5. Për çfarë teme do të të pëlqente të bëje një projekt studimi personal?

5 Disa nga ata që u pëlqen ta studiojnë thellë Fjalën e Perëndisë përmendën ca gjëra që do të donin t’i studionin më imtësisht. Një pjesë e ideve të tyre renditen te kutia « Ide për projekte studimi personal». Mund të gjesh shumë kënaqësi ndërsa studion tema të tilla me ndihmën e Treguesit të botimeve Watch Tower ose të Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Studimi i thellë i Biblës mund të ta forcojë besimin dhe mund të të ndihmojë «të fitosh njohuri për Perëndinë». (Prov. 2:4, 5) Le të shohim disa të vërteta të thella të Biblës që mund t’i eksplorojmë.

MENDO THELLË PËR QËLLIMIN E PERËNDISË

6. (a) Ku ndryshon plani nga qëllimi? (b) Në ç’kuptim është ‘i përjetshëm’ qëllimi i Jehovait për njerëzit dhe për tokën? (Efesianëve 3:11)

6 Mendo, për shembull, çfarë thotë Bibla për qëllimin e Perëndisë. Një plan ndryshon shumë nga një qëllim. Plani është si një itinerar i përcaktuar mirë që mund të të ndihmojë të arrish në destinacion. Por plani mund të dështojë nëse del ndonjë pengesë rrugës. Kurse qëllimi përqendrohet te destinacioni ku dëshiron të shkosh. Ne e dimë me saktësi ku duam të na çojë udhëtimi ynë, por itinerari nuk është i pandryshueshëm. Ai mund të ndryshojë sipas nevojave. Me mirësi, Jehovai na e ka zbuluar pak nga pak në Bibël «qëllimin e tij të përjetshëm». (Efes. 3:11.) Në një mënyrë a në një tjetër, ai «bën që çdo gjë të plotësojë qëllimin e tij», e kështu ka gjithmonë sukses. (Prov. 16:4) E rezultatet që arrin Jehovai ndërsa përmbush qëllimin e tij do të mbeten përgjithmonë. Cili është qëllimi i Jehovait dhe çfarë ndryshimesh ka bërë për ta përmbushur?

7. Pas rebelimit të njerëzve të parë, çfarë ndryshimi bëri Jehovai në mënyrën si do ta plotësonte qëllimin e tij? (Mateu 25:34)

7 Perëndia u tregoi njerëzve të parë çfarë qëllimi kishte për ta. Ata duhej ‘të ishin të frytshëm dhe të shumoheshin, të mbushnin tokën e ta zotëronin dhe të mbanin të nënshtruar . . . çdo krijesë të gjallë’ në tokë. (Zan. 1:28) Mirëpo Adami dhe Eva u rebeluan, e si pasojë familja njerëzore u infektua nga mëkati. Ama, kjo nuk e ndali dot plotësimin e qëllimit të Jehovait. Ai ndryshoi mënyrën si do ta realizonte. Pa vonesë, Jehovai vendosi të formonte në qiell një Mbretëri, e cila do të plotësonte qëllimin që kishte në fillim për njerëzit dhe tokën. (Lexo Mateun 25:34.) Në kohën që kishte caktuar, me dashuri Jehovai dërgoi në tokë Birin e parëlindur, që t’u mësonte njerëzve për Mbretërinë dhe që të jepte jetën për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. Pas kësaj, Jehovai e ringjalli Jezuin në qiell që të ishte Mbret i Mbretërisë së Tij. Por qëllimi i Perëndisë nuk mbaron këtu dhe ia vlen të eksplorojmë më tej.

Imagjino kohën kur të gjitha krijesat me intelekt në qiell dhe në tokë do t’i bashkojë besnikëria ndaj Jehovait! (Shih paragrafin 8)

8. (a) Cila është tema kryesore e Biblës? (b) Siç tregon Efesianëve 1:8-11, cili është qëllimi përfundimtar i Jehovait? (Shihni figurën e kopertinës.)

8 Tema kryesore e Biblës është që emri i Jehovait do të shfajësohet ndërsa ai plotëson qëllimin e tij për tokën nëpërmjet Mbretërisë të drejtuar nga Krishti. Qëllimi i Jehovait s’ka për të ndryshuar kurrë. Ai ka garantuar se do ta përmbushë patjetër. (Isa. 46:10, 11, shën.; Hebr. 6:17, 18) Me kohë, toka do të shndërrohet në një parajsë, ku pasardhësit e përsosur e të drejtë të Adamit dhe Evës ‘do të gëzojnë jetë përgjithnjë’. (Psal. 22:26) Por qëllimi i Jehovait është akoma më madhështor se kaq. Qëllimi i tij përfundimtar është të bashkojë të gjitha krijesat me intelekt në qiell dhe në tokë. Kur të vijë ajo ditë, çdokush në univers do t’i nënshtrohet me besnikëri Jehovait si Sovrani. (Lexo Efesianëve 1:8-11.) A nuk mrekullohesh kur mendon sa bukur po e bën realitet Jehovai qëllimin e tij?

REFLEKTO PËR TË ARDHMEN TËNDE

9. Sa larg në të ardhmen mund ta hedhim vështrimin kur lexojmë Biblën?

9 Të ndalemi pak te profecia që tha Jehovai në kopshtin e Edenit, të cilën e gjejmë te Zanafilla 3:15. b Në të Jehovai përmendi ngjarje që do të plotësonin qëllimin e tij, por që do të ndodhnin mijëra vjet më vonë. Një nga këto ngjarje, për shembull, ishte që nga një pasardhës i Abrahamit do të vinte pas shumë brezash Krishti. (Zan. 22:15-18) Pastaj, në vitin 33 të e.s., Jezui mori goditjen në thembër, siç ishte parathënë. (Vep. 3:13-15) Ngjarja finale e kësaj profecie, pra që Satanait do t’i shtypet koka, është ende mbi 1.000 vjet larg. (Zbul. 20:7-10) Dhe Bibla zbulon shumë më tepër hollësi se ç’do të ndodhë ndërsa armiqësia mes sistemit të Satanait dhe organizatës së Jehovait arrin kulmin.

10. (a) Cilat ngjarje presim të ndodhin së shpejti? (b) Si mund ta përgatitim mendjen dhe zemrën? (Shihni shënimin.)

10 Mendo për disa ngjarje të parathëna në Bibël që do të tronditin botën. Së pari, udhëheqësit e botës do të deklarojnë se kanë sjellë «paqe dhe siguri». (1 Sel. 5:2, 3) «Në çast» do të fillojë shtrëngimi i madh me sulmin e kombeve kundër të gjitha feve të rreme. (Zbul. 17:16) Pas kësaj mund të ketë një shfaqje të mbinatyrshme të ‘Birit të njeriut duke ardhur në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe’. (Mat. 24:30) Jezui do të gjykojë njerëzimin, duke i ndarë delet nga cjeptë. (Mat. 25:31-33, 46) Ndërkohë Satanai nuk do të bëjë sehir. Ngaqë vlon nga urrejtja për adhuruesit e Jehovait, ai do të nxitë një koalicion kombesh—të cilin Bibla e quan Gogu i vendit të Magogut—që t’i sulmojë. (Ezek. 38:2, 10, 11) Në njëfarë momenti, të mirosurit që janë ende në tokë do të mblidhen në qiell për të marrë pjesë me Krishtin dhe ushtrinë e tij qiellore në luftën e Armagedonit, finalja e shtrëngimit të madh. c (Mat. 24:31; Zbul. 16:14, 16) Pas kësaj do të nisë Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit mbi tokën.—Zbul. 20:6.

Sa e ngushtë do të jetë miqësia jote me Jehovain pasi të kesh mësuar për të me miliarda vjet? (Shih paragrafin 11)

11. Çfarë nënkupton për ty perspektiva e jetës së përhershme? (Shihni edhe figurat.)

11 Tani hidhe vështrimin akoma më larg në të ardhmen. Bibla thotë se Krijuesi «ka vënë edhe përjetësinë në zemrat» tona. (Ekl. 3:11) Mendo pak çfarë nënkupton kjo për ty dhe për miqësinë tënde me Jehovain. Libri T’i afrohemi Jehovait, në faqen 319, na ngjall kureshtjen dhe entuziazmin me këto fjalë: «Pasi të kemi jetuar qindra, mijëra, miliona e miliarda vjet, do të dimë për Perëndinë Jehova shumë më tepër nga sa dimë tani. Por ende do të ndiejmë se ka gjëra të mrekullueshme e të panumërta për të mësuar. . . . Jeta e përhershme do të jetë domethënëse dhe e larmishme në një masë që ne as mund ta marrim me mend. Pjesa më shpërblyese e kësaj jete do të jetë gjithmonë t’i afrohemi më shumë Jehovait.» Ndërkohë, çfarë mund të eksplorojmë tjetër ndërsa vazhdojmë të studiojmë Fjalën e Perëndisë?

SODIT ME VËMENDJE QIEJT

12. Si mund t’i soditim me vëmendje qiejt? Jepni një shembull.

12 Fjala e Perëndisë na hap pak perden që të shohim si është të jesh në praninë e Jehovait «lart në qiej». (Isa. 33:5) Bibla zbulon gjëra mahnitëse për Jehovain dhe pjesën qiellore të organizatës së tij. (Isa. 6:1-4; Dan. 7:9, 10; Zbul. 4:1-6) Lexojmë, për shembull, për gjërat drithëruese që pa Ezekieli kur ‘u hapën qiejt dhe filloi të shihte vegime nga Perëndia’.—Ezek. 1:1.

13. Si ndihesh për rolin që po luan Jezui në qiej, siç tregohet te Hebrenjve 4:14-16?

13 Mendo edhe për rolin e Jezuit në qiej si Mbreti ynë dhe si Kryeprift i dhembshur. Nëpërmjet tij, mund t’i afrohemi në lutje «fronit të mirësisë së pamerituar» të Perëndisë për të kërkuar mëshirë dhe ndihmë «në kohën e duhur». (Lexo Hebrenjve 4:14-16.) Të mos lëmë të na ikë as edhe një ditë pa bluar në mendje çfarë kanë bërë dhe po bëjnë për ne Jehovai e Jezui nga qiejt. Dashuria e tyre duhet të na prekë thellë në zemër e duhet të na motivojë të jemi të zellshëm në shërbim.—2 Kor. 5:14, 15.

Imagjino gëzimin që do të ndiesh në botën e re ngaqë ndihmove të tjerë të bëheshin Dëshmitarë të Jehovait dhe dishepuj të Jezuit! (Shih paragrafin 14)

14. Cila është një nga mënyrat më të mira për t’u treguar Jehovait dhe Jezuit sa mirënjohës u jemi? (Shihni edhe figurat.)

14 Një nga mënyrat më të mira për t’u shprehur mirënjohjen nga zemra Perëndisë dhe Birit të tij është të përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen Dëshmitarë të Jehovait e dishepuj të Jezuit. (Mat. 28:19, 20) Kështu bëri edhe apostulli Pavël i shtyrë nga mirënjohja për Perëndinë dhe Krishtin. Ai e dinte se vullneti i Jehovait është «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën». (1 Tim. 2:3, 4) Pavli u përpoq me mish e me shpirt të ndihmonte sa më shumë njerëz, ‘që të shpëtonte medoemos disa’.—1 Kor. 9:22, 23.

KËNAQU NDËRSA EKSPLORON FJALËN E PERËNDISË

15. Sipas Psalmit 1:2, çfarë do të na bëjë të lumtur?

15 Psalmisti tha se një njeri i lumtur që ka sukses në jetë «gjen ëndje në ligjin e Jehovait» dhe «mendon thellë për ligjin e tij ditë e natë». (Psal. 1:1-3; shën.) Një përkthyes i Biblës, Xhozef Rotherhami, thotë në një vepër të tij (Studies in the Psalms) se njeriu duhet «ta dëshirojë kaq shumë udhëheqjen e Perëndisë, sa ta kërkojë, ta studiojë dhe ta bluajë e stërbluajë në mendje». Pastaj shton se një lexues i Biblës mund «ta quajë të humbur një ditë nëse nuk ka vjelë diçka më shumë nga mençuria» e Shkrimeve. Mund të gjesh kënaqësi ndërsa studion Biblën duke hulumtuar sa më shumë nga hollësitë e saj mahnitëse dhe duke kuptuar si ndërthuren me njëra-tjetrën. Çfarë kënaqësie është ta eksplorosh Fjalën e Perëndisë në çdo dimension!

16. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

16 Të vërtetat e bukura që na mëson Jehovai në Fjalën e tij nuk janë tepër të vështira për t’u kuptuar. Në artikullin tjetër do të ndalemi te një nga të vërtetat më të thella—tempulli i madh i Jehovait, për të cilin foli Pavli në letrën që u shkroi të krishterëve hebrenj. Urojmë të kënaqesh ndërsa e eksploron!

KËNGA 94 Thellësisht mirënjohës për Fjalën tënde

a Studimi i Biblës mund të na sjellë kënaqësi dhe dobi gjatë gjithë jetës. Nëpërmjet tij mund të afrohemi përherë e më shumë me Atin tonë qiellor. Në këtë artikull do të shohim si mund ta eksplorojmë ‘gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë’ e Fjalës së Perëndisë.

b Shih artikullin «Një profeci e lashtë që ndikon te ti» në Kullën e Rojës të korrikut 2022.

c Që të mësosh si të përgatitesh për ngjarjet tronditëse që do të ndodhin në të ardhmen e afërt, shih librin Mbretëria e Perëndisë qeveris!, f. 230.