Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 2

KËNGA 19 Darka e Zotërisë

A je gati për ditën më të rëndësishme të vitit?

A je gati për ditën më të rëndësishme të vitit?

«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»LUKA 22:19.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim pse Përkujtimi është një rast kaq special, si të përgatitemi për të dhe si t’i ndihmojmë edhe të tjerët të jenë të pranishëm.

1. Pse Përkujtimi është dita më e rëndësishme e vitit? (Luka 22:19, 20)

 PËR popullin e Jehovait, Përkujtimi i vdekjes së Jezuit është dita më e rëndësishme e vitit. Është e vetmja ngjarje që Jezui i urdhëroi në mënyrë specifike dishepujt e tij ta kujtonin. (Lexo Lukën 22:19, 20.) Kemi plot arsye që ta presim me padurim Përkujtimin. Le të shohim disa.

2. Cilat janë disa arsye pse e presim me padurim Përkujtimin?

2 Përkujtimi na ndihmon të reflektojmë se sa e çmuar është shpërblesa. Na kujton në ç’mënyra mund ta tregojmë mirënjohjen për flijimin e Jezuit. (2 Kor. 5:14, 15) Gjithashtu na jep mundësi të inkurajohemi dhe t’i inkurajojmë vëllezërit e motrat. (Rom. 1:12) Çdo vit në Përkujtim vijnë mjaft joaktivë. Madje disa prej tyre, pas mikpritjes së ngrohtë që marrin, i nxit zemra të kthehen te Jehovai. Veç kësaj, ka shumë të interesuar që duan të nisin udhëtimin në rrugën e jetës pas asaj që shohin e dëgjojnë në Përkujtim. Pra ka plot arsye pse Përkujtimi zë një vend të pazëvendësueshëm në zemrën tonë.

3. Si na bashkon Përkujtimi si një familje mbarëbotërore? (Shihni edhe figurën.)

3 Mendo edhe si na bashkon Përkujtimi si një familje mbarëbotërore. Ndërsa dielli perëndon dalëngadalë përqark globit, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen për Përkujtimin. Të gjithë dëgjojmë një fjalim ku theksohet rëndësia e shpërblesës. Këndojmë dy këngë lëvdimi, kalojmë dorë më dorë bukën e verën dhe themi me gjithë shpirt «amin» në fund të katër lutjeve. Brenda 24 orësh, të gjitha kongregacionet ndjekin këtë model për të mbajtur Përkujtimin. A e përfytyron dot çfarë gëzimi ndiejnë Jehovai dhe Jezui ndërsa shohin si i nderojmë të bashkuar përqark globit?

Përkujtimi na bashkon si një familje mbarëbotërore (Shih paragrafin 3) f


4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Gjatë artikullit do të shqyrtojmë këto pyetje: Si ta përgatitim zemrën për Përkujtimin? Si t’i ndihmojmë edhe të tjerët të nxjerrin dobi prej tij? Si t’i ndihmojmë ata që janë joaktivë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë të jemi gati për këtë mbrëmje të shenjtë.

SI TA PËRGATITIM ZEMRËN PËR PËRKUJTIMIN?

5. (a) Pse duhet të mendojmë thellë për vlerën e shpërblesës? (Psalmi 49:7, 8) (b) Çfarë mësove nga videoja Pse vdiq Jezui?

5 Një nga mënyrat më të rëndësishme si mund ta përgatitim zemrën për Përkujtimin, është të mendojmë thellë për vlerën e flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit. Ne nuk do të arrinim dot kurrë ta shpengonim ose ta çlironim veten nga mëkati dhe vdekja. (Lexo Psalmin 49:7, 8; shih edhe videon Pse vdiq Jezui?) a Prandaj Jehovai mori masa që Biri i tij i shtrenjtë, Jezui, të jepte jetën për ne, e kështu paguan që të dy një çmim të lartë. (Rom. 6:23) Sa më shumë të meditojmë se çfarë kanë sakrifikuar për ne Jehovai dhe Jezui, aq më shumë do ta çmojmë shpërblesën. Të shohim vetëm disa nga sakrificat që bënë Jehovai dhe Jezui për të paguar shpërblesën. Por së pari të shohim pse duhej paguar një shpërblesë.

6. Pse duhej paguar një shpërblesë?

6 Shpërblesa është një çmim që paguhet për të riblerë diçka. Njeriu i parë, Adami, u krijua i përsosur. Mirëpo kur mëkatoi, e humbi perspektivën që të jetonte përgjithmonë, jo vetëm ai vetë, por edhe tërë pasardhësit e tij. Për të riblerë atë që humbi Adami, Jezui flijoi jetën e tij të përsosur. Gjatë gjithë kohës që jetoi në tokë, Jezui «nuk kreu asnjë mëkat dhe në gojën e tij s’kishte asnjë mashtrim». (1 Pjet. 2:22) Kur vdiq, jeta e përsosur që dha, përkonte fiks me jetën e përsosur që humbi Adami.—1 Kor. 15:45; 1 Tim. 2:6.

7. Cilat janë disa sprova që përballoi Jezui kur ishte në tokë?

7 Me gjithë sprovat e shumta që hasi në tokë, Jezui vazhdoi t’i bindej gjer më një Atit të tij qiellor. Kur ishte fëmijë, duhej t’i nënshtrohej autoritetit të prindërve të tij të papërsosur njerëzorë, ndonëse vetë ishte i përsosur. (Luka 2:51) Kur ishte adoleshent, duhej t’i rezistonte çdo presioni që mund t’i bënin për të qenë i pabindur ndaj prindërve ose jobesnik ndaj Jehovait. Kur ishte i rritur, duhej të qëndronte i patundur përballë tundimeve të Satana Djallit, madje edhe përballë sulmeve të tij të hapura që të shkelte besnikërinë ndaj Perëndisë. (Mat. 4:1-11) Satanai ishte i vendosur që ta shtynte Jezuin të mëkatonte, në mënyrë që të mos ishte në gjendje të paguante shpërblesën.

8. Çfarë sprovash të tjera përballoi Jezui?

8 Jezui përballoi edhe sprova të tjera gjatë shërbimit në tokë. Armiqtë e tij e përndiqnin dhe u orvatën ta vritnin. (Luka 4:28, 29; 13:31) I duhej të duronte të metat dhe gabimet e dishepujve të tij. (Mar. 9:33, 34) Kur po e gjykonin për ta dënuar me vdekje, e torturuan dhe e tallën. Si përfundim, e ekzekutuan në një mënyrë tmerrësisht të dhimbshme dhe poshtëruese. (Hebr. 12:1-3) E pjesën e fundit të kësaj sprove u desh ta përballonte krejt vetëm, pa mbrojtjen e Jehovait. bMat. 27:46.

9. Si ndihemi për flijimin e Jezuit? (1 Pjetrit 1:8)

9 Është e qartë se Jezui vuajti tmerrësisht për të paguar shpërblesën. A nuk na gufon zemra nga dashuria për Jezuin kur mendojmë se u tregua i gatshëm të sakrifikonte kaq shumë për ne?—Lexo 1 Pjetrit 1:8.

10. Çfarë sakrifikoi Jehovai që të paguhej shpërblesa?

10 Po Jehovai çfarë ishte i gatshëm të sakrifikonte që Jezui të paguante shpërblesën? Jehovai dhe Jezui kanë lidhjen më të ngushtë që mund të ekzistojë mes një babai dhe të birit. (Prov. 8:30) Vetëm imagjino, pra, si ndihej Jehovai kur vërente sa shumë sprova hiqte Jezui në tokë. Pa dyshim, i therte në zemër kur shihte që Birin e tij e keqtrajtonin, e përbuznin dhe i ngrinin kurthe.

11. Jepni një shembull që ilustron si duhet të jetë ndier Jehovai kur Jezuin e ekzekutuan.

11 Çdo prind që i ka rrëmbyer vdekja një fëmijë e di mirë sa e thellë është plaga dhe pikëllimi që shkakton kjo humbje. Ne kemi besim të fortë te ringjallja, por kjo nuk e fshin dhimbjen që ndiejmë kur na vdes një njeri i dashur. Ky shembull na ndihmon të kuptojmë si duhet të jetë ndier Jehovai atë ditë pranvere të vitit 33 të e.s. kur pa Birin e tij të vuante e të vdiste. cMat. 3:17.

12. Çfarë mund të bëjmë në javët para Përkujtimit?

12 Para Përkujtimit, pse të mos bësh një projekt studimi personal ose një adhurim familjar që përqendrohet te shpërblesa? Përdor Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait ose ndonjë botim tjetër për studimin e Biblës që të zbulosh më shumë hollësi rreth shpërblesës. d Gjithashtu ndiq programin e leximit të Biblës për Përkujtimin që gjendet te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi». E ditën e Përkujtimit mos harro të shohësh programin special të Adhurimit të Mëngjesit. Kur e përgatitim zemrën për Përkujtimin, do të jemi në gjendje të ndihmojmë edhe të tjerët që të nxjerrin dobi prej tij.—Ezd. 7:10.

SI T’I NDIHMOJMË TË TJERËT TË NXJERRIN DOBI?

13. Cili është hapi i parë për t’i ndihmuar të tjerët të nxjerrin dobi nga Përkujtimi?

13 Si mund t’i ndihmojmë edhe të tjerët të nxjerrin dobi nga Përkujtimi? S’do mend që hapi i parë është t’i ftojmë. Mund të bëjmë një listë me ata që duam të ftojmë, përveç njerëzve që takojmë në shërbim. Në listë mund të përfshijmë të afërmit, shokët e punës, shokët e shkollës e të njohur të tjerë. Edhe nëse nuk kemi mjaft ftesa për të gjithë, mund të dërgojmë një link të ftesës elektronike. Kurrë nuk i dihet sa veta mund ta pranojnë ftesën.—Ekl. 11:6.

14. Jepni një shembull që tregon sa motivuese mund të jetë një ftesë personale.

14 Kurrë mos e nënvlerëso sa motivuese mund të jetë për dikë ta ftosh personalisht në Përkujtim. Një ditë, një motër që nuk e ka të shoqin Dëshmitar u çudit kur ai i tha gjithë qejf se kishte ndër mend të shkonte me të në Përkujtim. Pse u çudit? Sepse në të kaluarën e kishte inkurajuar sa e sa herë të ndiqte Përkujtimin, por ai nuk kishte vajtur kurrë. Çfarë kishte ndryshuar kësaj radhe? «Mora një ftesë personale»,—i tha ai, duke shpjeguar se e kishte ftuar një plak kongregacioni që e njihte. Burri i saj e ndoqi Përkujtimin atë vit dhe për shumë vite të tjera me radhë.

15. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur ftojmë dikë në Përkujtim?

15 Mbaj parasysh se ata që ftojmë mund të kenë pyetje—sidomos nëse nuk kanë ardhur asnjëherë në ndonjë nga mbledhjet tona. Bëjmë mirë të mendojmë që më parë për pyetjet që mund të kenë dhe të përgatitemi si do t’u përgjigjemi. (Kolos. 4:6) Për shembull, disa mund të pyesin: «Si do të zhvillohet ky event?» «Sa do të zgjatë?» «Ka ndonjë rregull për veshjen?» «A është me pagesë hyrja?» «A mblidhen para gjatë Përkujtimit?» Pasi ftojmë dikë në Përkujtim, mund t’i themi thjesht «a ke ndonjë pyetje?» dhe pastaj t’i përgjigjemi çdo pyetjeje që mund të ketë. Gjithashtu mund të përdorim videot Të kujtojmë vdekjen e Jezuit dhe Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie?, që ta ndihmojmë të kuptojë si zhvillohen mbledhjet tona. Veç kësaj, mund t’i tregojmë disa pika të bukura nga mësimi 28 i librit Gëzoje jetën përgjithmonë.

16. Çfarë pyetjesh të tjera mund të bëjnë ata që ndjekin Përkujtimin?

16 Pasi ndjekin Përkujtimin, të interesuarit mund të kenë pyetje të tjera. Mbase do të pyesin pse hëngrën nga buka dhe pinë nga vera vetëm pak veta ose askush. Ose ndoshta do të pyesin sa shpesh mbahet Përkujtimi. Gjithashtu, mbase duan të dinë nëse të gjitha mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait zhvillohen në të njëjtën mënyrë. Ndonëse shumë nga këto pika trajtohen gjatë fjalimit të Përkujtimit, të interesuarit mund të duan një shpjegim më të hollësishëm. Artikulli në jw.org «Pse Dëshmitarët e Jehovait e kremtojnë Darkën e Zotërisë ndryshe nga fetë e tjera?» mund të na ndihmojë t’u përgjigjemi disa prej pyetjeve të tyre. Duam të bëjmë çmos para, gjatë dhe pas Përkujtimit që t’i ndihmojmë njerëzit ‘e prirur për jetën e përhershme’ të nxjerrin dobi nga ky rast special.—Vep. 13:48.

SI T’I NDIHMOJMË JOAKTIVËT?

17. Si mund t’i ndihmojnë pleqtë ata që janë joaktivë? (Ezekieli 34:12, 16)

17 Si mund t’i ndihmoni ju pleq gjatë periudhës së Përkujtimit ata që janë joaktivë? Kujdesuni për ta me dashuri. (Lexo Ezekielin 34:12, 16.) Para Përkujtimit, bëni çmos të kontaktoni a të vizitoni sa më shumë të mundeni. Sigurojini se i keni për zemër dhe se dëshironi të bëni çdo gjë që keni në dorë për t’i ndihmuar. Ftojini në Përkujtim. Nëse vijnë, mikpritini me ngrohtësi. Pas Përkujtimit, mbajini lidhjet me këta vëllezër e motra të dashura dhe jepuni çfarëdo ndihme që u nevojitet për t’u kthyer te Jehovai.—1 Pjet. 2:25.

18. Si mund t’i ndihmojmë të gjithë ne joaktivët? (Romakëve 12:10)

18 Të gjithë pjesëtarët e kongregacionit mund t’i ndihmojnë joaktivët që vijnë në Përkujtim. Si? Duke i trajtuar me dashuri, zemërmirësi e respekt. (Lexo Romakëve 12:10.) Mos harro se këto dele të dashura ndoshta druheshin të vinin prapë në mbledhje. Mbase kishin merak se si do t’i shihnin ose do t’i pritnin në kongregacion. e Prandaj ki kujdes të mos i vësh në pozitë të vështirë me pyetje të sikletshme ose komente që mund t’i lëndojnë. (1 Sel. 5:11) Këta vëllezër dhe motra janë familja jonë. Jemi të lumtur që mund ta adhurojmë prapë Jehovain së bashku!—Psal. 119:176; Vep. 20:35.

19. Cilat dobi vijnë kur kujtojmë vdekjen e Jezuit?

19 E kuptojmë pse Jezui na urdhëroi ta kujtojmë çdo vit vdekjen e tij. Kur ndjekim Përkujtimin, nxjerrim dobi ne vetë dhe u sjellim dobi të tjerëve në shumë mënyra. (Isa. 48:17, 18) Na thellohet dashuria për Jehovain dhe për Jezuin. Tregojmë sa mirënjohës jemi për atë që kanë bërë për ne. Lidhemi më fort me vëllezërit dhe motrat. Gjithashtu kemi mundësi t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë si t’i gëzojnë edhe ata dobitë që sjell shpërblesa. Le të bëjmë çmos, pra, të jemi gati për Përkujtimin e këtij viti—për ditën më të rëndësishme të vitit!

SI MUND . . .

  • ta përgatitim zemrën për Përkujtimin?

  • t’i ndihmojmë të tjerët të nxjerrin dobi prej tij?

  • t’i ndihmojmë joaktivët?

KËNGA 18 Përjetë mirënjohës për shpërblesën

a Përdor opsionin e kërkimit në jw.org për të gjetur artikujt dhe videot e përmendura në këtë artikull.

b Shih artikullin «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të prillit 2021.

d Shih kutinë « Ide për kërkime».

e Shih figurat dhe kutinë « Si reagoi kongregacioni?» Një vëlla joaktiv ngurron të hyjë në Sallën e Mbretërisë, por e mposht ndrojtjen. Atje e presin ngrohtësisht dhe shijon shoqërinë e vëllezërve e motrave.

f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërkohë që shërbëtorët e Jehovait në një pjesë të botës mbajnë Përkujtimin, vëllezërit dhe motrat e tyre në pjesë të tjera të botës përgatiten për këtë rast special.