Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 6

KËNGA 10 Të lëvdojmë, Jehova!

«Lëvdoni emrin e Jehovait!»

«Lëvdoni emrin e Jehovait!»

«Thurini lavde Jehovait, o shërbëtorë të tij! Lëvdoni emrin e Jehovait!»PSAL. 113:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të nxjerrë në pah se çfarë na motivon që të lëvdojmë emrin e shenjtë të Jehovait në çdo rast.

1-2. Nga e kuptojmë si ndihet Jehovai për gënjeshtrat që janë thënë kundër tij?

 IMAGJINO këtë: dikush që e ke për zemër thotë diçka të tmerrshme për ty. Ti e di që është gënjeshtër, mirëpo disa e besojnë vërtet. Madje ç’është më e keqja, nis ta përhapë këtë gënjeshtër, e si pasojë fillojnë ta besojnë edhe shumë të tjerë. Si do të ndiheshe? Nëse i do njerëzit dhe ke merak për reputacionin tënd, kjo do të ta copëtonte zemrën, apo jo?—Prov. 22:1.

2 Ky shembull na ndihmon të kuptojmë si u ndie Jehovai kur hodhën baltë mbi reputacionin e Tij. Një nga bijtë e Tij engjëllorë i tha gruas së parë, Evës, një gënjeshtër për Të. Eva e besoi gënjeshtrën. Për shkak të asaj gënjeshtre, prindërit tanë të parë u rebeluan kundër Jehovait dhe, si rezultat, mëkati dhe vdekja u përhapën në familjen njerëzore. (Zan. 3:1-6; Rom. 5:12) Çdo problem që na zënë sytë sot në botë—vdekjet, luftërat dhe mjerimet—është pasojë e gënjeshtrave që nisi të përhapë Satanai në kopshtin e Edenit. A ndien dhembje Jehovai për shkak të këtyre shpifjeve dhe pasojave të tyre? Pa diskutim që po. Prapëseprapë, kjo as ia ka vjedhur gëzimin dhe as e ka mbushur me mllef. Në fakt, ai vazhdon të jetë ‘Perëndia i lumtur’.—1 Tim. 1:11.

3. Çfarë privilegji kemi?

3 Kemi privilegjin t’i kontribuojmë shfajësimit të emrit të Jehovait duke iu bindur këtij urdhërimi të thjeshtë: «Lëvdoni emrin e Jehovait!» (Psal. 113:1) E bëjmë këtë duke folur mirë për Personin që mban këtë emër të shenjtë. A do ta lëvdosh edhe ti emrin e Jehovait? Le të shohim tri arsye të fuqishme që do të na ndihmojnë ta lëvdojmë me gjithë shpirt emrin e Perëndisë tonë.

KUR LËVDOJMË EMRIN E JEHOVAIT, IA KËNAQIM ZEMRËN

4. Pse e kënaqin Jehovain lëvdimet tona? Ilustrojeni. (Shihni edhe figurën.)

4 E kënaqim Atin tonë qiellor kur lëvdojmë emrin e tij. (Psal. 119:108) Megjithatë, a do të thotë kjo se Perëndia i plotfuqishëm u ngjan njerëzve të papërsosur që janë të etur për lavdërime ngaqë duan vëmendje ose siguri? Jo. Mendo për këtë ilustrim. Një vajzë e vogël e përqafon plot dashuri babanë dhe i thotë: «Ti je babi më i mirë në botë!» Babai kënaqet, e madje preket nga veprimi i saj spontan. Pse? Mos vallë është një njeri i pasigurt që është i etur ose s’bën dot pa lavdërimet e së bijës? Aspak. Përkundrazi, është një baba i fortë, i cili kënaqet kur sheh të bijën që shpreh dashuri e mirënjohje. Ai e di se cilësi të tilla do ta bëjnë më të lumtur vajzën ndërsa rritet. Po njësoj, Jehovai, Ati më i shkëlqyer, kënaqet kur ne e lëvdojmë.

Ashtu si një baba kënaqet kur fëmija shpreh dashuri e mirënjohje, Jehovai kënaqet kur lëvdojmë emrin e tij (Shih paragrafin 4)


5. Cilën gënjeshtër hedhim poshtë kur lëvdojmë emrin e Perëndisë?

5 Kur lëvdojmë Atin tonë qiellor, hedhim poshtë një gënjeshtër që na përfshin edhe ne. Satanai pretendon se asnjeri nuk do ta mbrojë me besnikëri emrin e Perëndisë. Sipas tij, po të vihemi në provë, askush prej nesh nuk do të ruajë integritetin. Ai thotë se të gjithë do t’ia kthejmë shpinën Perëndisë nëse është në leverdinë tonë. (Jobi 1:9-11; 2:4) Por Jobi besnik e nxori Satanain gënjeshtar. A do të bësh dhe ti po njësoj? Secili nga ne ka privilegjin të mbrojë emrin e Atit tonë dhe ta kënaqë duke i shërbyer me besnikëri. (Prov. 27:11) Çfarë nderi i madh!

6. Si mund t’i imitojmë mbretin David dhe levitët? (Nehemia 9:5)

6 Dashuria për Perëndinë i nxit besnikët ta lëvdojnë me gjithë shpirt emrin e tij. Mbreti David shkroi: «Lëvdo Jehovain, o shpirti im! Emrin e tij të shenjtë gjithë qenia ime e lëvdoftë!» (Psal. 103:1) Davidi e dinte se kur lëvdonte emrin e Jehovait, lëvdonte vetë Jehovain. Kur dëgjojmë emrin Jehova, menjëherë na shkon mendja te personaliteti i tij. Mendojmë për cilësitë e tij të bukura dhe për veprat e mrekullueshme. Davidi e konsideronte të shenjtë emrin e Atit të tij dhe dëshironte ta lëvdonte. Donte t’i thurte lavde me ‘gjithë qenien e tij’—pra, me gjithë zemër. Po njësoj, levitët merrnin iniciativën për të lëvduar Jehovain mes kombit të Izraelit. Ata pranonin plot përulësi se fjalët e tyre s’do ta shprehnin dot kurrë plotësisht lëvdimin që meritonte emri i shenjtë i Jehovait. (Lexo Neheminë 9:5.) S’ka pikë dyshimi se këto lëvdime të bëra me gjithë zemër dhe plot përulësi, ia gëzonin zemrën Jehovait.

7. Si mund ta lëvdojmë Jehovain në shërbim dhe në jetën e përditshme?

7 Sot mund ta kënaqim Jehovain duke folur për të me përzemërsi, me mirënjohje dhe me dashuri. Kur jemi në shërbim, nuk harrojmë se synimi ynë kryesor është t’i afrojmë njerëzit me Jehovain dhe ta duan Atin tonë siç e duam ne. (Jak. 4:8) Kënaqemi pa masë kur i ndihmojmë ta njohin Jehovain nëpërmjet faqeve të Biblës, duke u treguar për dashurinë, drejtësinë, mençurinë, fuqinë e tij dhe për të tjera cilësi tërheqëse. Për më tepër, e lëvdojmë dhe e kënaqim Jehovain kur bëjmë çmos ta imitojmë. (Efes. 5:1) Kështu të tjerëve do t’u bjerë në sy se jemi të ndryshëm nga njerëzit e kësaj bote të ligë dhe mund të vrasin mendjen pse. (Mat. 5:14-16) Teksa kryejmë aktivitetet e përditshme, ndoshta na jepet mundësia të shpjegojmë pse veprojmë në njëfarë mënyre. Kjo i ndihmon njerëzit e sinqertë të afrohen me Perëndinë tonë. Kur e lëvdojmë në këto mënyra Jehovain, ia kënaqim zemrën.—1 Tim. 2:3, 4.

KUR LËVDOJMË EMRIN E JEHOVAIT, KËNAQIM JEZUIN

8. Si na la Jezui një shembull të shkëlqyer kur lëvdoi Jehovain?

8 Nga të gjitha krijesat inteligjente në qiell dhe në tokë, askush nuk e njeh Atin aq mirë sa Biri. (Mat. 11:27) Jezui e do Jehovain dhe e lëvdoi emrin e Atit të tij duke na lënë shembullin më të shkëlqyer. (Gjoni 14:31) Në një lutje që i drejtoi Atit të tij natën para se të vdiste, Jezui e përmblodhi arritjen kryesore të shërbimit të tij në tokë me fjalët: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.» (Gjoni 17:26) Ku e kishte fjalën?

9. Çfarë ilustrimi përdori Jezui që njerëzit ta njihnin Atin siç është në të vërtetë?

9 Jezui nuk u mjaftua thjesht duke u treguar njerëzve se emri i Perëndisë është Jehova. Në fakt, ata që po mësonte Jezui, judenjtë, e dinin tashmë emrin e Perëndisë. Por ai mori iniciativën që ‘ta bënte të njohur’ Jehovain. (Gjoni 1:17, 18) Për shembull, Shkrimet Hebraike na zbulojnë se Jehovai është i mëshirshëm dhe i dhembshur. (Eks. 34:5-7) Jezui e bëri të qartë si kristali këtë të vërtetë kur tregoi ilustrimin për djalin e humbur dhe për babanë e tij. Në Bibël lexojmë se babai e vuri re të birin e penduar «kur ishte ende goxha larg», vrapoi që ta takonte, e përqafoi dhe e fali me gjithë shpirt. Sa bukur e mishëron ky baba mëshirën dhe dhembshurinë e Jehovait! (Luka 15:11-32) Jezui i ndihmoi njerëzit të kuptonin kush ishte vërtet Ati i tij.

10. (a) Nga e dimë se Jezui e përdori emrin e Atit të tij dhe donte që ta përdornin edhe të tjerët? (Mar. 5:19) (Shihni edhe figurën.) (b) Çfarë dëshiron Jezui që të bëjmë sot?

10 A dëshironte Jezui që edhe të tjerët ta përdornin emrin e Atit të tij? Pa diskutim. Ka të ngjarë që disa krerë fetarë të asaj kohe besonin se nuk duhej ta zinin në gojë emrin e Perëndisë ngaqë ishte tepër i shenjtë. Por Jezui nuk i lejoi kurrë traditat që nuk bazoheshin në Shkrime ta ndalonin të nderonte emrin e Atit të tij. Mendo pak për rastin kur shëroi një burrë të demonizuar në rajonin e gerazenëve. Njerëzit në atë zonë u frikësuan dhe iu përgjëruan Jezuit të largohej, ndaj ai nuk qëndroi. (Mar. 5:16, 17) Ama Jezui donte që ata ta njihnin emrin e Jehovait. Ja pse i tha burrit që shëroi t’u tregonte të tjerëve jo çfarë kishte bërë Jezui, por çfarë kishte bërë Jehovai. (Lexo Markun 5:19.) Dëshira e Jezuit nuk ka ndryshuar: ai do që ta bëjmë të njohur emrin e Atit të tij në mbarë botën. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Kur bëjmë pjesën tonë, kënaqim Mbretin Jezu.

Jezui e udhëzoi burrin që kishte qenë i demonizuar t’u tregonte të tjerëve si e kishte ndihmuar Jehovai (Shih paragrafin 10)


11. Për çfarë i mësoi Jezui dishepujt të luteshin, dhe pse është e rëndësishme kjo sipas Ezekielit 36:23?

11 Jezui e dinte se qëllimi i Jehovait është të shenjtërojë emrin e Tij, ta pastrojë nga çdo sharje. Ja pse i mësoi dishepujt të luteshin: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!» (Mat. 6:9) Jezui e kuptoi se kjo është çështja më e rëndësishme që ndikon tek i gjithë krijimi. (Lexo Ezekielin 36:23.) Asnjë krijesë inteligjente në tërë universin nuk ka bërë aq sa Jezui për të shenjtëruar emrin e Jehovait. E megjithatë, për çfarë mëkati e akuzuan armiqtë Jezuin kur e arrestuan? Për blasfemi. S’ka dyshim se të shpifje kundër emrit të shenjtë të Atit të tij ishte mëkati më i rëndë për Jezuin. Ndihej tejet i trazuar që do ta akuzonin e do ta dënonin për këtë krim. Kjo mund të ketë qenë arsyeja kryesore pse Jezuin «e kishte pushtuar kaq shumë ankthi» në orët para arrestimit.—Luka 22:41-44.

12. Si e shenjtëroi në mënyrën më të shkëlqyer Jezui emrin e Atit të tij?

12 Jezui duroi çdo torturë, sharje dhe shpifje vetëm e vetëm që të shenjtëronte emrin e të Atit. Ai e dinte se i ishte bindur Atit në gjithçka, ndaj s’kishte pse t’i vinte turp. (Hebr. 12:2) Kuptonte edhe se ishte shënjestra kryesore e sulmeve të Satanait në ato orë të errëta. (Luka 22:2-4; 23:33, 34) Patjetër që Satanai shpresonte t’i thyente integritetin Jezuit. Ama dështoi keqazi! Jezui provoi njëherë e mirë se Satanai është një gënjeshtar i poshtër dhe se Jehovai ka shërbëtorë besnikë që mbajnë integritetin edhe përballë sprovave më të rënda.

13. Si mund t’ia kënaqësh zemrën Mbretit tënd që është në fron?

13 A dëshiron t’ia kënaqësh zemrën Mbretit tënd që është në fron? Vazhdo të lëvdosh emrin e Jehovait duke i ndihmuar të tjerët të njohin cilësitë e tij të mrekullueshme. Ndërsa e bën këtë, po ecën në gjurmët e Jezuit. (1 Pjet. 2:21) Kështu, njësoj si Jezui, po e kënaq Jehovain dhe po e demaskon kundërshtarin e Tij, Satanain, si një gënjeshtar të paskrupull.

KUR LËVDOJMË EMRIN E JEHOVAIT, SHPËTOJMË JETË

14-15. Ç’gjë e mahnitshme mund të ndodhë kur u mësojmë njerëzve të vërtetën për Jehovain?

14 Kur lëvdojmë emrin e Jehovait, shpëtojmë jetë. Në ç’mënyrë? Satanai ‘ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve’. (2 Kor. 4:4) Si rezultat, ata besojnë gënjeshtra satanike të tilla, si: s’ka Zot, Zoti është tepër larg dhe nuk i bëhet vonë për njerëzit ose Zoti është mizor dhe i torturon përjetë ata që bëjnë keq. Gënjeshtra të tilla vetëm sa dëmtojnë ose përbaltin emrin dhe reputacionin e Jehovait, që njerëzit të mos kenë fare dëshirë t’i afrohen. Por vepra jonë e pengon qëllimin e Satanait. Ne u mësojmë të tjerëve të vërtetën për Atin tonë, duke lëvduar emrin e tij të shenjtë. Çfarë sjell kjo?

15 Të vërtetat e Fjalës së Perëndisë kanë fuqi të jashtëzakonshme. Kur u mësojmë njerëzve se kush është vërtet Jehovai, shohim diçka të mahnitshme. Veli i gënjeshtrave satanike nis të bjerë, dhe njerëzit fillojnë të shohin se çfarë cilësish fantastike ka Ati ynë. Fuqia e tij e pakufi i lë pa fjalë. (Isa. 40:26) Drejtësia e tij e përsosur u jep siguri. (Ligj. 32:4) Mençuria e pafund e Jehovait ua ndriçon mendjen. (Isa. 55:9; Rom. 11:33) Dhe ngushëllohen pa masë kur mësojnë se Ai është personifikimi i dashurisë. (1 Gjon. 4:8) Ndërsa afrohen më shumë me Jehovain, shpresa se do të jetojnë përgjithmonë si bijtë dhe bijat e tij bëhet më reale. Çfarë privilegji të mrekullueshëm kemi: t’i ndihmojmë njerëzit të afrohen me Atin e tyre! Teksa e bëjmë këtë, Jehovai na shikon si «bashkëpunëtorë» të tij.—1 Kor. 3:5, 9.

16. Si janë ndier disa kur kanë mësuar emrin e Perëndisë? Jepni shembuj.

16 Në fillim, thjesht mund t’u mësojmë njerëzve se Perëndia e ka emrin Jehova. Por kjo e vërtetë elementare mund t’ia ndryshojë krejtësisht jetën një personi me zemër të sinqertë. Për shembull, një e re që quhet Alja a u rrit në një familje myslimane. Mirëpo nuk ishte e kënaqur me fenë e saj dhe ndihej larg Perëndisë. Megjithatë kjo ndryshoi pasi filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Ajo nisi ta shihte Perëndinë si Mikun e saj. Dhe u habit kur mësoi se emrin e Perëndisë e kanë hequr në shumë Bibla dhe e kanë zëvendësuar me tituj, si Zot. Momenti kur mësoi emrin e Jehovait ishte një pikë kthese në jetën e saj. Alja tha: «Miku im më i mirë ka një emër!» Cili ishte rezultati? Ajo shprehet: «Tani zemrën ma ka pushtuar një paqe e madhe. Ndihem shumë e bekuar që njoh emrin e Jehovait.» Një burrë që quhet Stiv ishte muzikant dhe vinte nga një familje judeje konservatore. Meqë kishte parë shumë hipokrizi, kishte vendosur të mos përzihej me asnjë fe. Megjithatë, një miku i tij studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe, pasi i vdiq e ëma, Stivi vendosi të rrinte edhe ai në studim. Stivi u prek thellë kur mësoi emrin e Perëndisë. Ai thotë: «S’e kisha dëgjuar kurrë emrin e Perëndisë.» Pastaj shton: «Për herë të parë në jetën time kuptova se Perëndia është real. Njoha personalitetin e tij dhe kuptova se kisha gjetur një Mik.»

17. Pse je i vendosur të vazhdosh ta lëvdosh emrin e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)

17 Kur predikon e mëson, a ua tregon të tjerëve emrin e shenjtë të Jehovait? A i ndihmon ta njohin Perëndinë siç është në të vërtetë? Teksa e bën këtë, po lëvdon emrin e Perëndisë. Urojmë që të vazhdosh ta lëvdosh emrin e shenjtë të Jehovait, duke i ndihmuar të tjerët të njohin Personin që mban këtë emër. Në këtë mënyrë do të shpëtosh jetë. Do të ndjekësh drejtimin e Mbretit tënd, Krishtit Jezu. Dhe më e rëndësishmja do t’i kënaqësh zemrën Atit tënd të dashur, Jehovait. ‘E lëvdofsh emrin e tij në jetë të jetëve!’—Psal. 145:2.

E lëvdojmë emrin e Jehovait kur u mësojmë të tjerëve emrin e Tij dhe u tregojmë ç’lloj Personi është (Shih paragrafin 17)

KUR LËVDOJMË EMRIN E PERËNDISË . . .

  • si ia kënaqim zemrën Atij?

  • si e kënaqim Krishtin Jezu?

  • si shpëtojmë jetë?

KËNGA 2 Emri yt është Jehova

a Emrat janë ndryshuar.