Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 7

KËNGA 51 Ty të jam kushtuar, Jehova!

Çfarë mësojmë nga nazirejtë?

Çfarë mësojmë nga nazirejtë?

«Gjatë gjithë ditëve që është nazire, do të jetë i shenjtë për Jehovain.»NUM. 6:8.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si mund të na ndihmojë shembulli i nazirejve t’i shërbejmë Jehovait me guxim e me frymë vetëmohuese.

1. Çfarë qëndrimi të shkëlqyer kanë shfaqur adhuruesit e Jehovait përgjatë historisë?

 A E ÇMON si thesar miqësinë me Jehovain? Pa diskutim që po! Dhe nuk je i vetmi. Që në lashtësi, plot njerëz janë ndier njësoj si ti. (Psal. 104:33, 34) Shumë kanë bërë sakrifica për të adhuruar Jehovain. Ndër ta ishin edhe nazirejtë që jetuan në Izraelin e lashtë. Cilët ishin nazirejtë dhe çfarë na mëson shembulli i tyre?

2. (a) Cilët ishin nazirejtë? (Numrat 6:1, 2) (b) Pse disa izraelitë vendosnin të bëheshin nazirej?

2 Fjala «nazire» vjen nga një term hebraik që ka kuptimin «i zgjedhur», «i ndarë veç» dhe «i kushtuar». Ky është një term më se i përshtatshëm për ata izraelitë të zellshëm që sakrifikuan për t’i shërbyer Jehovait në një mënyrë speciale. Sipas Ligjit të Moisiut, një burrë ose një grua mund të merrte një zotim të veçantë para Jehovait që të jetonte si nazire për njëfarë kohe. a (Lexo Numrat 6:1, 2.) Kush bënte këtë zotim, ose premtim solemn, duhej të ndiqte disa udhëzime specifike, të cilat pjesa tjetër e izraelitëve nuk ishin të detyruar t’i ndiqnin. Po çfarë e nxiste një izraelit të bëhej nazire? Ka shumë të ngjarë që ta motivonte dashuria e thellë për Jehovain dhe mirënjohja e sinqertë për bekimet e tij të bollshme.—Ligj. 6:5; 16:17.

3. Çfarë ngjashmërish ka mes adhuruesve të Perëndisë sot dhe nazirejve?

3 Kur ‘ligji i Krishtit’ zëvendësoi Ligjin e Moisiut, adhuruesit e Perëndisë nuk mund të bëheshin më nazirej. (Gal. 6:2; Rom. 10:4) Gjithsesi, ashtu si nazirejtë, shërbëtorët e Perëndisë sot vazhdojnë të shfaqin dëshirë të zjarrtë për t’i shërbyer Atij me gjithë zemër, shpirt, mendje dhe forcë. (Mar. 12:30) Kur i kushtojmë jetën Jehovait, ne bëjmë vullnetarisht një zotim. E që ta përmbushim këtë zotim duhet të kryejmë vullnetin e Jehovait e të bëjmë sakrifica. Ndërsa shqyrtojmë si jetuan në lartësinë e zotimit të tyre nazirejtë, do të nxjerrim mësime me vlerë si ta mbajmë edhe ne zotimin tonë. b (Mat. 16:24) Le të shohim disa shembuj.

JI GATI TË BËSH SAKRIFICA

4. Sipas Numrave 6:3, 4, çfarë sakrifice bënin nazirejtë?

4 Lexo Numrat 6:3, 4. Nazirejtë duhej të shmangnin çdo lloj pijeje alkoolike dhe çdo gjë të bërë nga hardhia, si rrushi i freskët dhe rrushi i thatë. Pjesa tjetër e popullit mund t’i shijonte sa herë të donte këto gjëra, dhe me të drejtë, sepse nuk kishin ndonjë të keqe. Në fakt, Bibla e quan dhuratë nga Perëndia «verën që ia gëzon zemrën njeriut». (Psal. 104:14, 15) Prapëseprapë nazirejtë hoqën dorë me gatishmëri nga e drejta e tyre për të shijuar gjëra të tilla. c

A je gati të bësh sakrifica si nazirejtë? (Shih paragrafët 4-6)


5. Çfarë sakrificash vendosën të bënin Madiani dhe Marçela, dhe pse?

5 Ashtu si nazirejtë, edhe ne bëjmë sakrifica që t’i shërbejmë Jehovait sa më plotësisht. Të shohim shembullin e Madianit dhe të Marçelës. d Ky çift Dëshmitarësh bënte një jetë të rehatshme. Falë punës së mirë që kishte Madiani, jetonin në një apartament të bukur. Gjithsesi dëshironin të bënin më tepër në shërbim të Jehovait. Që ta arrinin synimin, vendosën të ndryshonin disa gjëra. Ata shprehen: «Nisëm të pakësonim shpenzimet, u transferuam në një apartament më të vogël dhe shitëm makinën.» Madianin dhe Marçelën nuk i detyroi kush të bënin këto sakrifica, por zgjodhën të vepronin kështu sepse dëshironin të jepeshin më plotësisht pas shërbimit. Ata ndihen të kënaqur e të lumtur për vendimet e tyre.

6. Pse bëjnë sakrifica vëllezërit e motrat sot? (Shihni edhe figurën.)

6 Vëllezërit e motrat sot provojnë gëzim ndërsa bëjnë sakrifica që t’u kushtojnë më shumë kohë aktiviteteve teokratike. (1 Kor. 9:3-6) Jehovai nuk na kërkon t’i bëjmë këto sakrifica, dhe gjërat nga të cilat zgjedhim të heqim dorë nuk janë të gabuara në vetvete. Për shembull, disa kanë vendosur vullnetarisht të mos kenë punën e preferuar, një shtëpi ose një kafshë shtëpiake që kanë qejf. Mjaft të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë beqarë për njëfarë kohe ose të mos kenë fëmijë menjëherë pas martesës. Të tjerë akoma janë transferuar me dëshirë aty ku ka më shumë nevojë, edhe pse janë larg njerëzve të dashur. Shumë prej nesh i bëjmë vullnetarisht sakrifica të tilla, sepse duam me shpirt t’i japim Jehovait më të mirën tonë. Mos ki aspak dyshim se Jehovai e çmon pa masë çdo sakrificë që bën për t’i shërbyer, e madhe a e vogël qoftë.—Hebr. 6:10.

JI GATI TË SPIKATËSH SI I NDRYSHËM

7. Pse mund ta ketë pasur të vështirë një nazire të mbante zotimin? (Numrat 6:5) (Shihni edhe figurën.)

7 Lexo Numrat 6:5. Nazirejtë ishin zotuar të mos i pritnin flokët. Kjo ishte një mënyrë për të treguar nënshtrim të plotë ndaj Jehovait. Një izraelit që ishte nazire prej kohësh, pa dyshim binte në sy nga flokët e gjatë. Ai do ta kishte më të lehtë ta mbante zotimin e nazireut, nëse njerëzit përreth do ta mbështetnin vendimin e tij. Por mjerisht, në historinë e Izraelit kishte raste kur nazirejtë as vlerësoheshin e as përkraheshin nga të tjerët. Gjatë kohës së profetit Amos, izraelitët apostatë ‘u jepnin verë nazirejve’, vetëm e vetëm që ata të thyenin zotimin për të mos pirë verë. (Amo. 2:12) Me raste, nazirejve u duhej vërtet guxim që të respektonin zotimin e tyre dhe të dallonin nga të tjerët.

Një nazire që mbante zotimin, ishte i gatshëm të spikaste si i ndryshëm (Shih paragrafin 7)


8. Si të jep zemër shembulli i Benxhaminit të vogël?

8 Me ndihmën e Jehovait, edhe ne mund të kemi guximin e nevojshëm që të spikatim si të ndryshëm, ndonëse mund të jemi të ndrojtur ose të turpshëm. Mendo pak për atë që ndodhi me Benxhaminin 10-vjeçar, një Dëshmitar në Norvegji. Për shkak të luftës në Ukrainë, shkolla organizoi një event për t’u solidarizuar me popullin e Ukrainës. Nxënësve iu kërkua të këndonin një këngë dhe të visheshin me ngjyrat e flamurit kombëtar të Ukrainës. Meqë nuk donte të përfshihej në këtë aktivitet nacionalist, Benxhamini vendosi të qëndronte disi larg. Mirëpo një mësuese e vuri re dhe i tha me zë të lartë: «Duhet të vish edhe ti. Po të presim të gjithë.» Me guxim, Benxhamini iu afrua mësueses dhe i tha: «Unë jam asnjanës dhe nuk marr pjesë në demonstrata politike. Në fakt, shumë Dëshmitarë të Jehovait janë në burg, ngaqë nuk pranojnë të luftojnë.» Mësuesja e pranoi shpjegimin e tij dhe nuk i kërkoi më të merrte pjesë. Por ndërkohë shokët filluan ta pyesnin pse nuk po vinte. Benxhamini ishte kaq në tension sa gati shpërtheu në lot; gjithsesi tërë guxim i përsëriti të gjithë klasës atë që i tha mësueses. Pas kësaj, u tha prindërve se falë ndihmës së Jehovait, arriti ta mbronte besimin.

9. Si mund t’ia gëzojmë zemrën Jehovait?

9 Ngaqë zgjedhim t’i bindemi Jehovait, të tjerët e dallojnë se jemi ndryshe. Kemi nevojë për guxim që të identifikohemi si Dëshmitarë të Jehovait në punë ose në shkollë. E ndërsa sjellja e mentaliteti i kësaj bote shkon keq e më keq, me shumë gjasa do ta kemi gjithnjë e më të vështirë të jetojmë sipas parimeve të Biblës e t’u flasim të tjerëve për lajmin e mirë. (2 Tim. 1:8; 3:13) Ama, të mos harrojmë asnjëherë se ‘ia gëzojmë zemrën’ Jehovait kur me guxim spikatim si të ndryshëm mes atyre që nuk i shërbejnë.—Prov. 27:11; Mal. 3:18.

MBAJE JEHOVAIN NË VEND TË PARË NË JETË

10. Pse mund të ishte e vështirë për nazirejtë që t’i bindeshin urdhërimit që lexojmë te Numrat 6:6, 7?

10 Lexo Numrat 6:6, 7. Nazirejtë nuk mund t’i afroheshin dikujt që kishte vdekur. Për ta duhet të ketë qenë sfidë që t’i përmbaheshin kësaj kërkese në rast se vdiste një i afërm. Për shkak të zakoneve të varrimit në atë kohë, njerëzit qëndronin pranë trupit të të ndjerit. (Gjoni 19:39, 40; Vep. 9:36-40) Mirëpo një nazire nuk mund t’i ndiqte këto zakone. Ndonëse e kishte zemrën copë nga pikëllimi, ai tregonte besim të patundur duke e mbajtur zotimin. Me siguri Jehovai u jepte forcë atyre adhuruesve të përkushtuar që të përballonin këto sfida.

11. Për çfarë duhet të jetë i vendosur një Dëshmitar i Jehovait kur merr vendime për çështje familjare? (Shihni edhe figurën.)

11 Si Dëshmitarë të Jehovait e marrim seriozisht betimin e kushtimit. Kjo ndikon te vendimet tona dhe te mënyra si veprojmë kur vjen puna te çështjet familjare. Ne punojmë pa u lodhur që të kujdesemi për familjen, siç na urdhëron edhe Bibla, por nuk i vëmë kurrë dëshirat e familjarëve para kërkesave të Jehovait. (Mat. 10:35-37; 1 Tim. 5:8) E disa herë mund të na duhet të marrim vendime për të cilat familjarët s’janë të kënaqur, ama kështu i gëzojmë zemrën Jehovait.

A je i gatshëm ta vësh Jehovain në vend të parë në jetë edhe në situatat më të vështira? (Shih paragrafin 11) e


12. Gjatë një situate të vështirë familjare, çfarë bëri dhe çfarë nuk bëri Aleksandri?

12 Të shohim historinë e Aleksandrit dhe të gruas së tij, Dorinës. Pasi kishin studiuar Biblën për një vit, Dorina vendosi që ta ndërpriste studimin dhe donte që edhe Aleksandri të bënte njësoj. Megjithatë, me qetësi e takt, ai i shpjegoi se do ta vazhdonte. Dorina s’ishte aspak e kënaqur dhe bëri të pamundurën që i shoqi ta linte studimin. Aleksandri thotë se u përpoq ta kuptonte reagimin e saj, por nuk e kishte të lehtë. Ndonjëherë, kur Dorina e kritikonte dhe i fliste ashpër, Aleksandri donte të hiqte dorë nga studimi. Prapëseprapë u tregua i vendosur që ta vinte në vend të parë Jehovain, e njëkohësisht i shprehte bashkëshortes sa shumë e donte dhe e respektonte. Në fund, shembulli i tij i shkëlqyer e nxiti Dorinën të rifillonte studimin e Biblës e të pagëzohej.—Shih në jw.org videon Aleksandër dhe Dorina Vacar: Dashuria është e duruar dhe plot mirësi në serinë «E vërteta transformon jetë».

13. Si mund të tregojmë dashuri për Jehovain dhe për familjarët?

13 Familjen e krijoi Jehovai dhe dëshira e tij është që të kemi një familje të lumtur. (Efes. 3:14, 15) Nëse duam të jemi vërtet të lumtur, duhet t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Jehovait. Kurrë mos dysho se Jehovai i çmon sakrificat që bën për ta adhuruar ndërsa kujdesesh për familjarët dhe i trajton me dashuri e respekt.—Rom. 12:10.

NXIT FRYMËN E NAZIREUT

14. Kujt duhet të bëjmë çmos t’i japim zemër me fjalët tona?

14 Sot të gjithë ata që vendosin të adhurojnë Jehovain duhet të jenë gati të bëjnë sakrifica të motivuara nga dashuria. Kjo nuk është gjithmonë kollaj. Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të kemi frymë vetësakrifikuese? Duke i dhënë zemër me fjalët tona. (Jobi 16:5) A ke në kongregacionin tënd vëllezër e motra të cilët po përpiqen të thjeshtojnë jetën që t’i shërbejnë më plotësisht Jehovait? A njeh të rinj që me guxim spikatin si të ndryshëm nga shokët e shkollës, ndonëse nuk e kanë fare të lehtë? A ke në kongregacion studentë të Biblës ose bashkëbesimtarë që po luftojnë të qëndrojnë besnikë përballë kundërshtimit në familje? Le të shfrytëzojmë çdo mundësi që t’u japim zemër bashkëbesimtarëve të shtrenjtë, duke u thënë sa i admirojmë për guximin dhe për sakrificat që bëjnë për Jehovain.—Fil. 4, 5, 7.

15. Si i kanë mbështetur disa vëllezër e motra ata që shërbejnë në kohë të plotë?

15 Ndonjëherë mund të kemi në dorë t’u ofrojmë ndihmë praktike bashkëbesimtarëve që shërbejnë në kohë të plotë. (Prov. 19:17; Hebr. 13:16) Këtë dëshirë të sinqertë kishte edhe një motër e moshuar besnike që jeton në Sri-Lankë. Ajo njihte dy motra të reja pioniere, të cilat kishin vështirësi ekonomike dhe donte t’i ndihmonte që të vazhdonin shërbimin. Prandaj, kur iu rrit pensioni, vendosi që t’u paguante çdo muaj faturën e telefonit. Çfarë shembulli i bukur!

16. Çfarë mund të mësojmë nga nazirejtë e lashtësisë?

16 Sa shumë mësojmë nga shembulli i shkëlqyer i nazirejve vullnetarë në lashtësi! Megjithatë zotimi i nazirejve na tregon diçka edhe për Atin tonë qiellor, Jehovain. Ai s’ka fije dyshimi se ne duam me gjithë shpirt ta kënaqim dhe se jemi gati të bëjmë sakrifica që të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë. Jehovai na jep dinjitet duke na e lënë në dorë neve si do t’ia shprehim dashurinë. (Prov. 23:15, 16; Mar. 10:28-30; 1 Gjon. 4:19) Shembulli i nazirejve tregon se Jehovai i vë re dhe i vlerëson jashtë mase sakrificat që bëjmë për t’i shërbyer. Qofshim të vendosur të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait, duke i dhënë vullnetarisht më të mirën tonë!

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si treguan nazirejtë vullnetarë se ishin gati të bënin sakrifica e të tregonin guxim?

  • Si mund ta inkurajojmë njëri-tjetrin që të shfaqim frymën e nazireut sot?

  • Çfarë mësojmë nga nazirejtë për besimin që ka Jehovai tek adhuruesit e tij?

KËNGA 124 Përherë besnik

a Megjithëse disa izraelitë u zgjodhën si nazirej nga Jehovai, ka të ngjarë që shumica e nazirejve ta kishin zgjedhur vullnetarisht këtë lloj shërbimi.—Shih kutinë « Nazirej të zgjedhur nga Jehovai».

b Disa herë botimet tona i kanë krahasuar nazirejtë me ata që shërbejnë në kohë të plotë. Megjithatë, ky artikull do të shqyrtojë se si mund të shfaqin frymën e nazireut të gjithë shërbëtorët e kushtuar të Jehovait.

c Duket se në përgjithësi nazirejtë nuk duhej të kryenin ndonjë punë të caktuar që të përmbushnin zotimin e tyre.

d Shih në jw. org artikullin «Vendosëm të thjeshtonim jetën» në serinë «Histori personale të Dëshmitarëve të Jehovait».

e PËRSHKRIMI I FIGURËS : Një nazire sheh nga tarraca kortezhin e funeralit të një familjari të dashur. Por, për shkak të zotimit që ka bërë, ai s’mund të marrë pjesë në funeral.