Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lumtur teksa presim me durim Jehovain

Të lumtur teksa presim me durim Jehovain

A PO e pritni me padurim kohën kur Jehovai t’i japë fund ligësisë e të bëjë çdo gjë të re? (Zbul. 21:1-5) Nuk ka dyshim për këtë. Ama nuk është gjithmonë e lehtë ta presim me durim Jehovain, sidomos kur përballemi me vështirësi. Shpresa e vonuar mund të na e ligështojë zemrën.—Prov. 13:12, shën.

Prapëseprapë, Jehovai kërkon që të presim me durim derisa ai të veprojë në kohën që ka caktuar. Pse e kërkon Jehovai këtë? Çfarë do të na ndihmojë të jemi të lumtur teksa presim?

PSE KËRKON JEHOVAI QË TË PRESIM?

Bibla thotë: «Jehovai po pret me durim që të tregohet zemërmirë me ju dhe t’ju tregojë mëshirë, sepse Jehovai është Perëndi i drejtësisë. Të lumtur janë të gjithë ata që e presin plot shpresë!» (Isa. 30:18, shën.) Këto fjalë iu drejtuan fillimisht judenjve kokëfortë. (Isa. 30:1) Por mes tyre kishte edhe njerëz me besim, të cilëve iu ngjallën shpresat nga fjalët e Isaisë. Edhe shërbëtorët besnikë të Jehovait sot mbushen me shpresë nga këto fjalë.

Pra duhet të presim me durim sepse Jehovai po pret me durim. Ai e ka caktuar se kur do t’i japë fund këtij sistemi, dhe po pret që të vijë ajo ditë dhe ajo orë. (Mat. 24:36) Në atë moment, do të bëhet e qartë në mënyrë të padiskutueshme se akuzat e Djallit kundër Jehovait dhe kundër atyre që i shërbejnë Atij, janë të rreme. Atëherë, Jehovai do ta heqë Satanain bashkë me ata që e përkrahin, por neve ‘do të na tregojë mëshirë’.

Ndërkohë, Jehovai mund të mos na i heqë sprovat, por na garanton se mund të jemi të lumtur ndërsa presim. Siç tha Isaia, ne mund të jemi të lumtur teksa presim me padurim, ose plot shpresë, diçka të mirë. (Isa. 30:18) Si mund ta provojmë një lumturi të tillë? Ja katër gjëra që na ndihmojnë.

SI TË JEMI TË LUMTUR TEKSA PRESIM

Të përqendrohemi te gjërat pozitive. Mbreti David pa me sytë e tij shumë të këqija gjatë jetës. (Psal. 37:35) Por, ai shkroi: «Rri në heshtje para Jehovait dhe prite plot shpresë. Mos u acaro për shkak të njeriut që ia del mbanë në gjithë intrigat e tij.» (Psal. 37:7) Vetë Davidi e zbatoi këtë këshillë dhe u përqendrua te premtimi i Jehovait se do ta shpëtonte. Gjithashtu çmoi të gjitha bekimet që i dha Jehovai. (Psal. 40:5) Nëse edhe ne përqendrohemi te aspektet pozitive të jetës e nuk lejojmë gjërat negative të na marrin frymën, do ta kemi më të lehtë të presim Jehovain.

Të lëvdojmë Jehovain gjithnjë e më shumë. Shkrimtari i Psalmit 71, me sa duket Davidi, i tha Jehovait: «Unë do të të pres përherë e do të të lëvdoj gjithnjë e më shumë.» (Psal. 71:14) Si do ta lëvdonte ai Jehovain? Do t’u fliste të tjerëve për Të dhe do t’i këndonte lavde. (Psal. 71:16, 23) Ashtu si Davidi, ne mund të gjejmë gëzim ndërsa presim Jehovain. E lëvdojmë Atin tonë me anë të veprës së predikimit, me bisedat e përditshme që bëjmë për të dhe me këngët tona të adhurimit. Herën tjetër që do të këndosh një këngë adhurimi, pse të mos i kushtosh vëmendje të veçantë vargjeve inkurajuese të këngës?

Të marrim zemër nga vëllezërit e motrat. Kur hasi sfida, Davidi i tha Jehovait: «Para syve të besnikëve të tu do të tregoj se shpresoj tek emri yt.» (Psal. 52:9) Edhe ne mund të marrim zemër prej vëllezërve e motrave, jo vetëm në mbledhje a në shërbim, por edhe në aktivitetet e kohës së lirë.—Rom. 1:11, 12.

Ta bëjmë të patundur shpresën. Psalmi 62:5 thotë: «Unë në heshtje pres veç Perëndinë, sepse ai më mbush plot shpresë.» Shpresa e patundur përfshin pritjen e sigurt, që është jetike nëse do të na duhet ta durojmë këtë sistem më gjatë nga ç’kishim menduar. Duhet të jemi të bindur se premtimet e Jehovait do të plotësohen, sado të na duhet të presim. Mund ta bëjmë të patundur shpresën duke studiuar Fjalën e Perëndisë—pra duke menduar për profecitë, për harmoninë e brendshme të Biblës dhe për informacionet e imëta që Jehovai na zbulon për veten. (Psal. 1:2, 3) Gjithashtu duhet të vazhdojmë ‘të lutemi nën drejtimin e frymës së shenjtë’ që të mbajmë një miqësi të fortë me Jehovain, teksa presim të bëhet realitet premtimi i tij për jetën e përhershme.—Jud. 20, 21.

Ashtu si mbreti David, të jesh i sigurt se Jehovai vigjilon mbi ata që e presin dhe u tregon dashuri besnike. (Psal. 33:18, 22) Vazhdo ta presësh me durim Jehovain duke u përqendruar te gjërat pozitive të jetës, duke e lëvduar, duke marrë zemër nga vëllezërit e motrat dhe duke e bërë të patundur shpresën tënde të çmuar.