Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Ç’na zbulon Bibla për aftësinë e Jehovait që të parathotë të ardhmen?

Bibla tregon qartë se Jehovai mund të parathotë të ardhmen. (Isa. 45:21) Por nuk shpjegon fije e për pe çdo hollësi për mënyrën a kohën kur e bën këtë ose sa informacion zgjedh të dijë për të ardhmen. Prandaj nuk mund të jemi dogmatikë për këto aspekte. Megjithatë mund të shqyrtojmë disa gjëra.

Jehovai nuk ka kufij përveç atyre që i vendos vetes. Ngaqë ka mençuri të pafund, ai mund të parathotë çdo gjë që dëshiron. (Rom. 11:33) Mirëpo, meqë ka vetëkontroll të përsosur, mund të zgjedhë edhe që të mos dijë çfarë do të ndodhë në të ardhmen.—Krahaso Isainë 42:14.

Jehovai shkakton që të bëhet vullneti i tij. Si lidhet kjo me aftësinë e tij për të parathënë të ardhmen? Isaia 46:10 shpjegon: «Unë e them përfundimin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk kanë ndodhur. Unë them: ‘Vendimi im do të realizohet patjetër, e do të bëj çdo gjë që më pëlqen.’»

Prandaj, një arsye pse Jehovai mund ta parathotë të ardhmen është sepse ka fuqinë t’i realizojë gjërat që dëshiron. Jehovai nuk ka nevojë të dijë ç’do të ndodhë në të ardhmen, si dikush që shikon një film të regjistruar dhe zgjedh të shohë që në fillim përfundimin e filmit. Përkundrazi, Jehovai mund të caktojë një kohë kur do të ndodhë diçka dhe pastaj shkakton që ajo të ndodhë kur të vijë koha.—Eks. 9:5, 6; Mat. 24:36; Vep. 17:31.

Për këtë arsye, Bibla përdor shprehje të tilla si «e kam përgatitur» ose «i kam dhënë formë» për të përshkruar çfarë bën Jehovai në lidhje me disa ngjarje të së ardhmes. (2 Mbret. 19:25; shën.) Këto shprehje vijnë nga një fjalë që në gjuhën origjinale do të thotë «poçar». (Jer. 18:2-4) Ashtu si një poçar i aftë mund t’i japë formë një mase argjile, duke e kthyer në një vazo të bukur, Jehovai mund t’u japë formë ose t’i manovrojë gjërat që të plotësohet vullneti i tij.—Efes. 1:11.

Jehovai e respekton vullnetin tonë të lirë. Ai nuk përcakton të ardhmen e çdo njeriu. E as i shtyn njerëzit e mirë të bëjnë diçka që do t’i çonte drejt shkatërrimit. Jehovai i lejon të gjithë njerëzit ta zgjedhin vetë rrugën në jetë dhe i nxit që të zgjedhin rrugën e duhur.

Të shohim dy shembuj. I pari lidhet me banorët e Ninevisë. Jehovai paratha se Ninevia do të merrte fund për shkak të ligësisë së tyre. Mirëpo, kur ninevitët u penduan, Jehovai «e mendoi edhe një herë të keqen që kishte thënë se do t’u sillte dhe nuk e solli». (Jon. 3:1-10) Jehovai ndryshoi mendje për atë që paratha, sepse ninevitët e përdorën vullnetin e tyre të lirë që të pendoheshin dhe që t’i vinin veshin mesazhit paralajmërues.

Shembulli i dytë lidhet me profecinë për një sundimtar që quhej Kir, i cili do të çlironte judenjtë nga robëria dhe do të urdhëronte që të rindërtohej tempulli. (Isa. 44:26–45:4) Këtë profeci e përmbushi mbreti i Persisë, Kiri. (Ezd. 1:1-4) Mirëpo, ai nuk e adhuronte Perëndinë e vërtetë. Jehovai e përdori Kirin që të përmbushte profecitë, por nuk e detyroi që ta adhuronte.—Prov. 21:1.

Patjetër, këta nuk janë të gjithë faktorët që mban parasysh Jehovai kur parathotë të ardhmen. Natyrisht që njerëzit nuk mund ta kuptojnë plotësisht mënyrën si mendon dhe si vepron Jehovai. (Isa. 55:8, 9) Prapëseprapë, ajo që na zbulon Bibla na forcon besimin se Jehovai bën gjithmonë atë që është e drejtë—edhe kur parathotë të ardhmen.