Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Pse kishte luftëtarë të huaj në ushtrinë e mbretit David?

NDËR luftëtarët e huaj në ushtrinë e Davidit ishin amoniti Zelek, hititi Uriah dhe moabiti Ithmah. a (1 Kron. 11:39, 41, 46) Në ushtrinë e Davidit kishte edhe ‘keretitë, peletitë dhe gititë’. (2 Sam. 15:18) Në përgjithësi mendohet se keretitët dhe peletitët kishin lidhje të ngushtë me filistinët. (Ezek. 25:16) Dhe gititët e kishin origjinën nga qyteti filistin i Gathit.—Jos. 13:2, 3; 1 Sam. 6:17, 18.

Pse lejoi Davidi që në ushtrinë e tij të futeshin edhe të huaj? Sepse ishte i sigurt se ata burra ishin besnikë ndaj tij dhe, mbi të gjitha, ndaj Jehovait. Për shembull, në një fjalor thuhet për keretitët dhe peletitët: «Ata i qëndruan besnikë Davidit gjatë periudhës më të vështirë të mbretërimit të tij.» (The New Interpreter’s Dictionary of the Bible) Si e treguan besnikërinë? Kur «gjithë burrat e Izraelit» e braktisën mbretin David për të ndjekur «një ngatërrestar që quhej Sheba», keretitët dhe peletitët i qëndruan përkrah dhe ndihmuan të shtypej kryengritja e Shebës. (2 Sam. 20:1, 2, 7) Në një rast tjetër, Adonijahu, i biri i mbretit David, u orvat të uzurponte fronin. Ama, keretitët dhe peletitët i qëndruan besnikë Davidit dhe ndihmuan të ulej në fron si mbret i ardhshëm Solomoni, i zgjedhuri i Jehovait.—1 Mbret. 1:24-27, 38, 39.

Një i huaj tjetër që tregoi besnikëri të pathyeshme ndaj Davidit ishte Itai, një gitit. Bashkë me 600 ushtarët e tij, Itai e mbështeti mbretin David kur i biri, Absalomi, u rebelua dhe u vidhte zemrat izraelitëve që t’i kthente kundër mbretit. Davidi i tha Itait se përderisa ishte i huaj, s’kishte pse të luftonte. Mirëpo, ai ia ktheu: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që rron zotëria im, mbreti, kudo që të jetë zotëria im, mbreti, qoftë për jetë a për vdekje, atje do të jetë edhe shërbëtori yt!»—2 Sam. 15:6, 18-21.

Itai ishte besnik ndaj Davidit, mbretit të mirosur nga Jehovai

Edhe pse ishin të huaj, keretitët, peletitët dhe gititët e respektonin thellësisht Jehovain si Perëndinë e vërtetë dhe Davidin si të mirosurin e Tij. Sa mirënjohës duhet të jetë ndier Davidi që kishte në krah burra kaq besnikë!

a Sipas ligjit të Perëndisë të dokumentuar te Ligji i përtërirë 23:3-6, amonitëve dhe moabitëve nuk u lejohej të bëheshin pjesë e kongregacionit të Izraelit. Gjithsesi, duket se ky ligj nuk i lejonte të kishin të drejta të plota si nënshtetas të Izraelit. Ama nuk i ndalonte këta të huaj që të shoqëroheshin a të jetonin mes popullit të Perëndisë. Shih te botimi Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet zërin «Amonitët», nëntemën «Krushqitë me izraelitët».