ARTIKULLI I STUDIMIT 19

KËNGA 22 Jezui është në fron—Ardhtë Mbretëria!

Çfarë dimë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai njerëzit së shpejti?

Çfarë dimë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai njerëzit së shpejti?

«Jehovai . . . nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë.»2 PJET. 3:9.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i gjykojë me drejtësi njerëzit në të ardhmen e afërt.

1. Pse mund të themi se po jetojmë në kohë emocionuese?

 JETOJMË në kohë emocionuese! Çdo ditë po plotësohen para syve tanë profeci të Biblës. Për shembull, shohim se «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» konkurrojnë në një luftë për të sunduar botën. (Dan. 11:40, shën.) Shohim se lajmi i mirë për Mbretërinë po predikohet në një shkallë të paparë, dhe miliona njerëz kanë përqafuar të vërtetën. (Isa. 60:22; Mat. 24:14) Veç kësaj, mund të shijojmë përditë një gosti me ushqim besimforcues «në kohën e duhur».—Mat. 24:45-47.

2. Për çfarë mund të jemi të sigurt, por çfarë duhet të pranojmë?

2 Jehovai vazhdon të na ndihmojë t’i kuptojmë më qartë ngjarjet e rëndësishme që janë te pragu. (Prov. 4:18; Dan. 2:28) Kur të nisë shtrëngimi i madh, mund të jemi të sigurt se do të dimë gjithçka që na nevojitet për të qëndruar besnikë, e madje edhe për të shijuar bekimet e Jehovait gjatë asaj periudhe të vështirë. Megjithatë duhet ta pranojmë se ka disa gjëra për të ardhmen e afërt që thjesht nuk i dimë. Në këtë artikull do të shohim në fillim pse e kemi rishqyrtuar dhe përditësuar atë që thoshim për disa nga këto ngjarje. Pastaj do të ndalemi te disa gjëra që dimë për të ardhmen dhe për mënyrën si do të veprojë Ati ynë qiellor.

ÇFARË NUK DIMË

3. Sipas asaj që thoshim më parë, në cilin moment nuk do të kishin më mundësi njerëzit të tregonin besim te Jehovai, dhe pse arritëm në atë përfundim?

3 Në të kaluarën kemi thënë se pasi të fillojë shtrëngimi i madh, askush nuk do të ketë më mundësi të tregojë besim te Jehovai dhe t’i mbijetojë Armagedonit. Arritëm në këtë përfundim ngaqë e shihnim historinë e Përmbytjes si një model profetik. Për shembull, arsyetonim se ashtu siç mbylli derën e arkës para se të niste Përmbytja, Jehovai «do t’i mbyllte derën» sistemit të Satanait para se të fillonte shtrëngimi i madh. Kështu asnjë njeri nuk do të kishte më mundësi të shpëtonte.—Mat. 24:37-39.

4. A e shohim tani historinë e Përmbytjes si model profetik? Shpjegoni.

4 A duhet ta shohim historinë e Përmbytjes si një model profetik? Përgjigjja është jo. Pse? Sepse nuk ka ndonjë bazë të qartë në Shkrime për ta thënë këtë. a Vërtet, Jezui i krahasoi «ditët e Noesë» me kohën e pranisë së tij. Megjithatë nuk tha se Përmbytja ishte model profetik, ku çdo individ e çdo ngjarje paraqiste diçka tjetër; as nuk tha se mbyllja e derës së arkës kishte ndonjë kuptim profetik. Por kjo nuk do të thotë se s’mund të nxjerrim mësime nga tregimi për Noenë dhe Përmbytjen.

5. (a) Si tregoi besim Noeja para Përmbytjes? (Hebrenjve 11:7; 1 Pjetrit 3:20) (b) Çfarë ngjashmërie ka mes predikimit të Noesë dhe veprës sonë të predikimit?

5 Kur dëgjoi mesazhin paralajmërues të Jehovait, Noeja tregoi se kishte besim duke ndërtuar arkën. (Lexo Hebrenjve 11:7; 1 Pjetrit 3:20.) Po njësoj, kush e dëgjon lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, duhet të veprojë sipas asaj që mëson. (Vep. 3:17-20) Pjetri e quajti Noenë «një predikues drejtësie». (2 Pjet. 2:5) Megjithatë, siç e pamë në artikullin e kaluar, nuk e dimë nëse Noeja bëri një fushatë predikimi për t’i dëshmuar çdo banori të tokës para Përmbytjes. Ne sot po zhvillojmë një fushatë mbarëbotërore predikimi dhe po marrim pjesë me zell në të. Gjithsesi, sado të përpiqemi, është e pamundur t’ia japim lajmin e mirë çdo njeriu në tokë para se të vijë fundi. Pse?

6-7. Pse nxjerrim përfundimin se s’do të jetë e mundur t’ia japim lajmin e mirë çdo njeriu në tokë para se të vijë fundi?

6 Të kujtojmë çfarë tha Jezui për shtrirjen e veprës sonë të predikimit. Ai paratha se lajmi i mirë do të predikohej «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». (Mat. 24:14) Sot kjo profeci po plotësohet si kurrë më parë në histori. Mesazhi për Mbretërinë është në dispozicion në mbi 1.000 gjuhë, e falë sitit jw.org, ky lajm i mirë mund të arrijë te shumica e banorëve të tokës.

7 Ama Jezui tha edhe se dishepujt e tij ‘nuk do ta përfundonin predikimin në tërë qytetet’—pra nuk do t’i dëshmonin çdo individi—para se të vinte ai. (Mat. 10:23; 25:31-33) Sot miliona njerëz jetojnë në zona ku s’mund të predikojmë lirisht. Veç kësaj, çdo minutë lindin qindra fëmijë në botë. Prandaj do të jetë e pamundur t’i dëshmojmë çdo individi në tokë para se të vijë fundi, edhe pse po bëjmë çmos t’ia japim lajmin e mirë njerëzve nga ‘çdo komb, fis dhe gjuhë’.—Zbul. 14:6.

8. Cila pyetje mund të na lindë për mënyrën si do t’i gjykojë Jehovai njerëzit në të ardhmen? (Shihni edhe figurat.)

8 Nga kjo lind një pyetje: ç’do të ndodhë me ata që ndoshta s’do të kenë mundësi ta dëgjojnë lajmin e mirë para se të shpërthejë shtrëngimi i madh? Si do t’i gjykojë Jehovai dhe Biri i tij, të cilit Ai i ka lënë në dorë gjithë gjykimin? (Gjoni 5:19, 22, 27; Vep. 17:31) Shkrimi kryesor i këtij artikulli thotë se Jehovai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë». Përkundrazi, dëshiron që «të gjithë të pendohen». (2 Pjet. 3:9; 1 Tim. 2:4) Gjithsesi duhet ta pranojmë se Jehovai nuk na e ka zbuluar akoma se si do t’i gjykojë ata njerëz. E sigurisht, ai nuk është i detyruar të na tregojë se çfarë ka bërë dhe çfarë ka ndër mend të bëjë.

Si do t’i gjykojë Jehovai ata që ndoshta s’do të kenë mundësi ta dëgjojnë lajmin e mirë para se të shpërthejë shtrëngimi i madh? (Shih paragrafin 8) c


9. Çfarë na ka zbuluar Jehovai në Fjalën e tij?

9 Në Fjalën e tij, Jehovai na ka zbuluar disa nga gjërat që do të bëjë në të ardhmen. Për shembull, Bibla tregon se Jehovai do të kthejë në jetë njerëzit ‘e padrejtë’ që nuk patën mundësi ta përqafonin të vërtetën e të kthenin rrugë. (Vep. 24:15; Luka 23:42, 43) Kjo ngre pyetje të tjera të rëndësishme.

10. Cilat pyetje të tjera lindin?

10 A do të marrin fund përgjithmonë, pa asnjë shpresë për t’u ringjallur, të gjithë ata që do të vdesin gjatë shtrëngimit të madh? Shkrimet e bëjnë të qartë se armiqtë e Jehovait që do të shfarosen në Armagedon nga ai dhe ushtria e tij, nuk do të ringjallen. (2 Sel. 1:6-10) Por ç’do të ndodhë me të tjerët, si për shembull me ata që mund të vdesin nga shkaqe natyrore, nga aksidente ose që mund t’i vrasë dikush? (Ekl. 9:11; Zak. 14:13) A mund të jenë disa prej tyre mes ‘të padrejtëve’ që do të ringjallen në botën e re? Këtë thjesht nuk e dimë.

ÇFARË DIMË

11. Mbi ç’bazë do të gjykohen njerëzit në Armagedon?

11 Dimë disa gjëra për ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen. Për shembull, dimë se në Armagedon njerëzit do të gjykohen në bazë të mënyrës si i trajtuan vëllezërit e Krishtit. (Mat. 25:40) Ata që do të gjykohen si dele, do ta kenë treguar me vepra se i mbështetin të mirosurit dhe Krishtin. Dimë edhe se disa nga vëllezërit e Krishtit do të jenë akoma në tokë pasi të fillojë shtrëngimi i madh dhe do të merren në qiell vetëm pak para se të nisë Armagedoni. Për sa kohë që vëllezërit e Krishtit të jenë ende në tokë, ka gjasa që njerëzit me zemër të sinqertë do të kenë mundësi t’i mbështetin ata dhe veprën e tyre. (Mat. 25:31, 32; Zbul. 12:17) Pse janë domethënëse këto fakte?

12-13. Si mund të reagojnë disa pasi të shohin shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’? (Shihni edhe figurat.)

12 Edhe pasi të fillojë shtrëngimi i madh, është e mundur që disave prej atyre që do të shohin shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’ t’u kujtohet se Dëshmitarët e Jehovait e kishin thënë prej kohësh këtë. A do të ndryshojnë qëndrim dhe do të tregojnë besim te Jehovai disa prej tyre?—Zbul. 17:5; Ezek. 33:33.

13 Nëse po, kjo do të ishte e ngjashme me atë që ndodhi në Egjipt në kohën e Moisiut. Gjatë Eksodit, me izraelitët u bashkua «një turmë e madhe e përzier njerëzish». (Eks. 12:38, shën.) Disa prej tyre ndoshta filluan të besonin te Jehovai kur panë se u bënë realitet paralajmërimet e Moisiut për Dhjetë Plagët. Nëse ndodh diçka e ngjashme pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, a do të na duket e padrejtë që disa patën mundësi të bashkoheshin me ne pak para Armagedonit? Pa diskutim që jo! Ne duam të pasqyrojmë personalitetin e Atit tonë qiellor, «një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashuri besnike e të vërtetë». bEks. 34:6.

Disave prej atyre që do të shohin shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’ mund t’u kujtohet se Dëshmitarët e Jehovait e kishin thënë prej kohësh këtë (Shih paragrafët 12-13) d


14-15. A varet e ardhmja e përhershme e dikujt nga koha kur vdes ose nga vendi ku jeton? Shpjegoni. (Psalmi 33:4, 5)

14 Ndonjëherë mund të dëgjojmë një vëlla a motër të thotë për një të afërm: «Mbase do të jetë më mirë për të sikur të vdesë para se të nisë shtrëngimi i madh, sepse kështu do të ketë shpresë të ringjallet.» Pa dyshim që këtë e thotë i shtyrë nga motive të mira. Gjithsesi, e ardhmja e përhershme e dikujt nuk varet nga koha kur vdes. Jehovai është Gjykatësi i përsosur—vendimet e tij janë gjithnjë të drejta e të paanshme. (Lexo Psalmin 33:4, 5.) Mund të jemi të sigurt se «Gjykatësi i gjithë tokës» do të bëjë atë që është e drejtë.—Zan. 18:25.

15 Gjithashtu është logjike të nxjerrim përfundimin se e ardhmja e përhershme e dikujt nuk varet nga vendi ku jeton. As që mund të mendohet që Jehovai t’i gjykojë miliona njerëz si ‘cjep’ thjesht ngaqë jetuan në vende ku s’patën kurrë mundësi ta dëgjonin mesazhin për Mbretërinë. (Mat. 25:46) Meraku që ka për këta njerëz Gjykatësi i drejtë i gjithë tokës është ku e ku më i thellë se meraku që mund të ndiejmë ne. Nuk e dimë si do t’i manovrojë Jehovai gjërat që do të ndodhin gjatë shtrëngimit të madh. Mbase disa prej këtyre njerëzve do të kenë mundësi të mësojnë për Jehovain, të tregojnë besim tek ai dhe të marrin anën e tij kur Jehovai të shenjtërohet para gjithë kombeve.—Ezek. 38:16.

Pasi të nisë shtrëngimi i madh, . . . a mund të tregojnë besim te Jehovai disa prej atyre që do të shohin ato ngjarje?

16. Çfarë kemi mësuar për Jehovain? (Shihni edhe figurën.)

16 Nga studimi i Biblës kemi kuptuar sa e çmuar është për Jehovain jeta e njeriut. Ai dha jetën e Birit të vet, në mënyrë që të gjithë ne të kemi perspektivën të jetojmë përgjithmonë. (Gjoni 3:16) E të gjithë e kemi ndier dhembshurinë dhe dashurinë e Jehovait. (Isa. 49:15) Ai e njeh me emër secilin prej nesh. Madje na njeh kaq thellë sa, edhe sikur të vdesim, mund të na kthejë në jetë, pasi ruan në kujtesë çdo hollësi dhe çdo kujtim tonin që na bën unikë! (Mat. 10:29-31) Pa diskutim, kemi arsye të forta për të qenë të sigurt se mënyra si do ta gjykojë Jehovai çdo njeri, do të jetë përsosmërisht e ekuilibruar, e drejtë dhe e mëshirshme.—Jak. 2:13.

Mund të jemi të sigurt se mënyra si do ta gjykojë Jehovai çdo njeri, do të jetë përsosmërisht e ekuilibruar, e drejtë dhe e mëshirshme (Shih paragrafin 16)


17. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Nga këto përditësime kuptojmë se vepra jonë e predikimit është më urgjente se kurrë. Pse e themi këtë? Dhe çfarë na motivon ta predikojmë lajmin e mirë pa na u venitur zelli? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë me hollësi në artikullin tjetër.

KËNGA 76 Një ndjenjë speciale

a Për të kuptuar arsyet pse u bë ky ndryshim, shih artikullin «Ky ishte vullneti yt» në Kullën e Rojës të 15 marsit 2015, f. 7-11.

b Pasi të shkatërrohet Babilonia e Madhe, të gjithë shërbëtorët e Jehovait do të sprovohen gjatë sulmit të Gogut të Magogut. Do të sprovohet edhe kushdo që do të bashkohet me popullin e Perëndisë pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe.

c PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Tri raste që ilustrojnë pse disa njerëz mund të mos arrijnë ta dëgjojnë lajmin e mirë, pavarësisht nga vepra jonë globale e predikimit: (1) Një grua jeton në një vend ku, për shkak të fesë kryesore, është me rrezik të predikojmë, (2) një çift jeton në një vend ku, për shkak të sistemit politik, është e paligjshme dhe e rrezikshme të predikojmë dhe (3) një burrë jeton në një vend ku, për shkak të kushteve gjeografike, është e pamundur të çosh lajmin e mirë.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vajzë që u largua nga e vërteta kujton çfarë kishte mësuar për shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’. Ajo kthehet te Jehovai dhe te prindërit e saj Dëshmitarë. Në rast se do të ndodhin gjëra të tilla, duam të pasqyrojmë mëshirën e dhembshurinë e Atit tonë qiellor dhe të gëzojmë që po kthehet një mëkatar.