ARTIKULLI I STUDIMIT 24

KËNGA 24 Eja ngjitu në malin e Jehovait

Qofsh përjetë mysafir i Jehovait!

Qofsh përjetë mysafir i Jehovait!

«O Jehova, kush mund të jetë mysafir në tendën tënde?»PSAL. 15:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shqyrtojmë ç’duhet të bëjmë që të mbetemi miq të Jehovait dhe si pret Ai t’i trajtojmë miqtë e tij.

1. Pse mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i Psalmit 15:1-5?

 NË ARTIKULLIN e kaluar mësuam se shërbëtorët e kushtuar të Jehovait mund të jenë mysafirë në tendën e tij, duke zhvilluar një miqësi të ngushtë me të. Por ç’duhet të bëjmë për të gëzuar një miqësi të tillë? Për këtë flet me hollësi Psalmi 15. (Lexo Psalmin 15:1-5.) Atje gjejmë mësime praktike që na ndihmojnë të afrohemi më shumë me Perëndinë.

2. Çfarë mund të ketë pasur në mendje psalmisti David kur përmendi tendën e Jehovait?

2 Psalmi 15 hapet me fjalët: «O Jehova, kush mund të jetë mysafir në tendën tënde? Kush mund të banojë në malin tënd të shenjtë?» (Psal. 15:1) Kur përmendi «tendën» e Jehovait, psalmisti David mund të ketë pasur në mendje tabernakullin, që për njëfarë kohe ishte në Gibeon. Davidi përmendi edhe ‘malin e shenjtë’ të Perëndisë, ndoshta duke nënkuptuar malin Sion në Jerusalem. Atje, disa kilometra në jug të Gibeonit, Davidi ngriti një tendë për arkën e besëlidhjes derisa të ndërtohej një vend më i qëndrueshëm për të.—2 Sam. 6:17.

3. Pse duhet ta studiojmë me interes Psalmin 15? (Shihni edhe figurën.)

3 Natyrisht, shumica e izraelitëve nuk mund të shërbenin kurrë në tabernakull, e aq më pak të hynin brenda tendës ku mbahej arka e besëlidhjes. Megjithatë, çdo shërbëtor besnik i Jehovait mund të ishte mysafir në «tendën» e tij, duke u bërë mik me të dhe duke e ruajtur atë miqësi. Kjo është dëshira e zemrës e secilit prej nesh. Psalmi 15 hedh dritë mbi disa cilësi që duhet t’i zhvillojmë e t’i shfaqim për të mbetur miq të Jehovait.

Izraelitët në kohën e Davidit e kishin të lehtë ta përfytyronin se ç’do të thoshte të ishe mysafir në tendën e Jehovait (Shih paragrafin 3)


JETO ME NDER DHE VEPRO ME DREJTËSI

4. Nga e dimë se nuk mjafton të pagëzohemi për të qenë mysafirë të Jehovait? (Isaia 48:1)

4 Te Psalmi 15:2 thuhet se mik i Perëndisë është «ai që jeton me nder, që vepron me drejtësi». Fjalët «të jetosh» dhe «të veprosh» përcjellin idenë e veprimeve të vazhdueshme, të pandalshme. Por, a është e mundur të jetojmë «me nder» ose «me integritet»? Po. Edhe pse asnjë njeri nuk është i përsosur, në sytë e Jehovait ‘jetojmë me nder’ kur bëjmë çmos t’i bindemi. Kur i kushtohemi Perëndisë dhe pagëzohemi, hedhim vetëm hapat e parë në rrugëtimin me të. Në lashtësi, për shembull, dikush që bënte pjesë në kombin e Izraelit nuk ishte automatikisht mysafir i Jehovait. Disa i luteshin Perëndisë, «por jo sipas së vërtetës dhe drejtësisë». (Lexo Isainë 48:1.) Ata izraelitë që donin sinqerisht të ishin mysafirë të Jehovait, duhej të mësonin kërkesat e tij e të jetonin sipas tyre. Po njësoj, për të gëzuar miratimin e Perëndisë sot, nuk mjafton të pagëzohemi dhe të jemi pjesë e kongregacionit. Duhet të vazhdojmë ‘të veprojmë me drejtësi’. Çfarë përfshin kjo?

5. Ç’do të thotë t’i bindemi Jehovait në gjithçka?

5 Për Jehovain, ‘të jetojmë me nder’ dhe ‘të veprojmë me drejtësi’ nuk do të thotë vetëm të ndjekim rregullisht mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. (1 Sam. 15:22) Duhet të përpiqemi fort t’i bindemi Perëndisë në çdo aspekt të jetës, edhe kur jemi vetëm. (Prov. 3:6; Ekl. 12:13, 14) Është e rëndësishme ta bëjmë këtë edhe në gjëra relativisht të vogla. Kështu tregojmë se e duam vërtet, dhe kjo na bën më të shtrenjtë për të.—Gjoni 14:23; 1 Gjon. 5:3.

6. Sipas Hebrenjve 6:10-12, çfarë ka më shumë rëndësi sesa veprat e mira të së kaluarës?

6 Jehovait i gëzon zemra nga gjithçka që kemi bërë për të në të kaluarën. Megjithatë, besnikëria që kemi treguar nuk nënkupton medoemos se do të mbetemi mysafirë në tendën e Jehovait. Këtë e bën të qartë Hebrenjve 6:10-12. (Lexoje.) Jehovai nuk i harron veprat e mira që kemi bërë në të kaluarën. Ama, ai dëshiron të vazhdojmë ta adhurojmë me gjithë shpirt «deri në fund». E «nëse nuk dorëzohemi», do të na shpërblejë duke qenë Miku ynë në përjetësi.—Gal. 6:9, shën.

THUAJI TË VËRTETËN ZEMRËS SATE

7. Ç’do të thotë t’i themi të vërtetën zemrës sonë?

7 Kush dëshiron që Jehovai ta pranojë si mysafir në tendën e tij, duhet t’i thotë «të vërtetën zemrës së vet». (Psal. 15:2) Kjo nuk do të thotë thjesht të mos gënjejmë. Jehovai do që të jemi të ndershëm në gjithçka që themi e bëjmë. (Hebr. 13:18) E kjo është e rëndësishme, «sepse hileqarët janë të pështirë për Jehovain, ndërsa të ndershmit gëzojnë miqësi të ngushtë me Të».—Prov. 3:32.

8. Cilën sjellje duhet të shmangim?

8 Ata që ‘i thonë të vërtetën zemrës së tyre’ nuk i binden Perëndisë sa për sy të të tjerëve, e pastaj i shkelin ligjet e tij kur janë vetëm. (Isa. 29:13) Ata nuk janë hileqarë. Një njeri hileqar mund të fillojë të dyshojë nëse disa ligje të Jehovait janë të mençura. (Jak. 1:5-8) Ai mund të mos i bindet Jehovait për gjëra që nuk i quan aq të rëndësishme. Me kohë, kur duket sikur mosbindja nuk po sjell ndonjë pasojë, mund të marrë guximin të mos u bindet edhe ligjeve të tjera të Perëndisë, dhe adhurimi i tij bëhet hipokrit. (Ekl. 8:11) Kurse ne duam të jemi të ndershëm në gjithçka.

9. Çfarë mësojmë nga takimi i parë i Jezuit me Natanaelin? (Shihni edhe figurën.)

9 Nga takimi i parë i Jezuit me Natanaelin mësojmë sa e rëndësishme është të kemi një zemër të sinqertë. Kur Filipi i prezantoi Jezuit mikun e tij Natanaelin, ndodhi diçka mbresëlënëse. Ndonëse nuk e kishte takuar kurrë Natanaelin, Jezui tha: «Ja një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka mashtrim.» (Gjoni 1:47) Natyrisht, Jezui e dinte se edhe dishepujt e tjerë ishin të ndershëm, por Natanaeli shkëlqente në këtë pikë. Edhe pse i papërsosur, si të gjithë ne, Natanaeli nuk ishte aspak një njeri i shtirur ose i pandershëm. Jezui e admiroi zemrën e sinqertë të Natanaelit dhe e lavdëroi për këtë. Çfarë nderi do të ishte nëse Jezui do të mendonte njësoj edhe për ne!

Filipi i prezantoi Jezuit mikun e tij Natanaelin, një njeri tek i cili nuk kishte mashtrim. A mund të thuhet e njëjta gjë për ne? (Shih paragrafin 9)


10. Pse duhet të bëjmë kujdes që të mos e keqpërdorim dhuratën e të folurit? (Jakovi 1:26)

10 Shumica e kërkesave që gjejmë te Psalmi 15 lidhen me mënyrën si i trajtojmë të tjerët. Psalmi 15:3 thotë se një mysafir në tendën e Jehovait ‘nuk shpif për askënd, nuk i bën asnjë të keqe tjetrit dhe nuk ua njollos emrin shokëve’. Nëse e keqpërdorim dhuratën e të folurit, mund t’u shkaktojmë shumë dëm të tjerëve dhe mund të humbasim privilegjin që të jemi mysafirë në tendën e Jehovait.—Lexo Jakovin 1:26.

11. Çfarë janë shpifjet, dhe si veprohet me dikë që shpif e nuk pendohet?

11 Psalmisti përmend në mënyrë specifike shpifjen. Çfarë janë shpifjet? Në përgjithësi janë fjalë të rreme, që thuhen me qëllimin për t’i prishur reputacionin dikujt. Dikush që shpif e nuk pendohet, përjashtohet nga kongregacioni.—Jer. 17:10.

12-13. Në cilat situata mund t’ua njollosim pa dashje emrin të tjerëve? (Shihni edhe figurën.)

12 Psalmi 15:3 na kujton edhe se mysafirët e Jehovait nuk u bëjnë asnjë të keqe të tjerëve dhe nuk ua njollosin emrin shokëve. Si mund t’ia njollosim emrin dikujt?

13 Mund ta bëjmë këtë pa dashje duke përhapur informacione negative. Ja për shembull disa situata: (1) një motër ndërpret shërbimin në kohë të plotë, (2) një çift i martuar nuk shërben më në Bethel ose (3) një vëlla nuk shërben më si plak a si shërbëtor kongregacioni. A do të ishte e përshtatshme të hamendeshim për arsyet pse ndodhën këto ndryshime ose të flisnim me të tjerët për hamendjet tona? Mund të ketë plot arsye që ne s’i dimë. Një mysafir në tendën e Jehovait ‘nuk i bën asnjë të keqe tjetrit dhe nuk ua njollos emrin shokëve’.

Si pa kuptuar, mund të përhapim për të tjerët informacione negative, që mund të kthehen në shpifje (Shih paragrafët 12-13)


RESPEKTO ATA QË NDEROJNË THELLËSISHT JEHOVAIN

14. Kush janë ‘njerëzit e pështirë’ me të cilët mysafirët e Jehovait nuk pranojnë të rrinë?

14 Psalmi 15:4 thotë se një mik i Jehovait «nuk pranon të rrijë me njeriun e pështirë». Si ta dimë nëse dikush është njeri i tillë? Si të papërsosur, nuk jemi të kualifikuar të përcaktojmë nëse dikush është njeri i pështirë. Pse? Sepse është e natyrshme që disa njerëz mund të kenë një personalitet që na bën për vete, kurse të tjerë mund të na acarojnë. Prandaj nuk duhet të pranojmë të rrimë vetëm me ata që Jehovai i sheh si ‘të pështirë’. (1 Kor. 5:11) Këtu përfshihen ata që bëjnë pa u penduar gjëra të gabuara, që nuk i respektojnë bindjet tona ose që mundohen të na prishin miqësinë me Jehovain.—Prov. 13:20.

15. Cila është një mënyrë si i respektojmë «ata që nderojnë thellësisht Jehovain»?

15 Nga ana tjetër, Psalmi 15:4 na thotë se duhet të respektojmë «ata që nderojnë thellësisht Jehovain». Ndaj kërkojmë mënyra si t’u tregojmë përzemërsi e t’i nderojmë miqtë e Jehovait. (Rom. 12:10) Një mënyrë përmendet te Psalmi 15:4—një mysafir në tendën e Jehovait «nuk del nga fjala edhe sikur t’i dalë për keq». Po të mos i mbajmë premtimet, do t’i lëndojmë të tjerët. (Mat. 5:37) Për shembull, Jehovai pret që mysafirët e tij të respektojnë betimin e martesës. Ai kënaqet edhe kur prindërit përpiqen fort t’i mbajnë premtimet që u bëjnë fëmijëve. Dashuria për Perëndinë e për të tjerët do të na motivojë që të bëjmë çmos ta mbajmë fjalën.

16. Cila është një mënyrë tjetër si i respektojmë miqtë e Jehovait?

16 Një mënyrë tjetër si i respektojmë miqtë e Perëndisë është duke qenë mikpritës dhe bujarë. (Rom. 12:13) Kur kalojmë kohë me vëllezërit e motrat, forcojmë miqësinë me ta dhe me Jehovain. Veç kësaj, duke treguar mikpritje, imitojmë Atin tonë.

KUJDES TË MOS USHQESH DASHURI PËR PARÁ

17. Pse flitet për paratë te Psalmi 15?

17 Te Psalmi 15 lexojmë edhe se një mysafir i Jehovait «nuk jep hua me kamatë dhe nuk pranon ryshfet kundër të pafajshmit». (Psal. 15:5) Pse ky psalm, ndonëse i shkurtër, flet edhe për paratë? Sepse po të zhvillojmë një pikëpamje të paekuilibruar për paratë, mund t’i lëndojmë të tjerët dhe të shkatërrojmë miqësinë me Perëndinë. (1 Tim. 6:10) Në lashtësi, disa përfitonin nga vëllezërit e tyre të varfër duke u kërkuar kamatë për paratë që u jepnin hua. Gjithashtu, disa gjykatës merrnin ryshfet e pastaj i gjykonin padrejtësisht viktimat e pafajshme. Veprime të tilla janë të neveritshme për Jehovain.—Ezek. 22:12.

18. Cilat pyetje mund të na ndihmojnë të kuptojmë qëndrimin tonë ndaj parave? (Hebrenjve 13:5)

18 Bëjmë mirë të shqyrtojmë çfarë qëndrimi kemi ndaj parave. Pyet veten: «A mendoj shpesh për paratë dhe për gjërat që mund të blej me to? Nëse marr pará borxh, a e vonoj shlyerjen e borxhit, me mendimin se ai që m’i dha paratë s’ka nevojë për to? A më bën paraja të ndihem më i rëndësishëm dhe të jem dorështrënguar me të tjerët? A i gjykoj si materialistë vëllezërit e motrat vetëm ngaqë kanë pará? A dua të jem mik vetëm me të pasurit e jo me ata që janë të varfër?» Jehovai na ka nderuar sa s’ka duke na pranuar si mysafirë të tij. Që të mos e humbim këtë privilegj, duhet të bëjmë kujdes të mos ushqejmë dashurinë për pará. Kështu Jehovai s’ka për të na braktisur kurrë!—Lexo Hebrenjve 13:5.

JEHOVAI I DO MIQTË E TIJ

19. Cili është qëllimi kryesor i kërkesave të Jehovait?

19 Psalmi 15 mbyllet me premtimin: «Ai që vepron kështu, nuk do të lëkundet kurrën e kurrës.» (Psal. 15:5) Këtu psalmisti zbulon cili është qëllimi kryesor i këtyre kërkesave të Jehovait: Ai dëshiron të jemi të lumtur. Kur bëjmë gjërat që kërkon Perëndia, kemi një jetë më të bukur dhe mbrojtjen e tij.—Isa. 48:17.

20. Ç’e ardhme i pret mysafirët e Jehovait?

20 Mysafirët e Jehovait kanë përpara një të ardhme të shkëlqyer. Të mirosurit besnikë do të jetojnë në ‘banesat e shumta’ që ka përgatitur Jezui për ta në qiell. (Gjoni 14:2) Ata me shpresë tokësore presin me zjarr plotësimin e premtimeve të Zbulesës 21:3. Pa dyshim, secili nga ne ndihet jashtëzakonisht i nderuar që Jehovai e ka ftuar me ngrohtësi të jetë mik me të, të jetë përgjithmonë mysafir në tendën e tij!

KËNGA 39 I këndshëm qoftë emri im për Ty!