Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti botëror

Raporti botëror

Raporti botëror

AFRIKA

Numri i vendeve: 56

Popullsia: 770.301.093

Numri i lajmëtarëve: 983.057

Numri i studimeve biblike: 1.769.182

A e dinit që lajmi i mirë po predikohet në Sahara? Nafisatu 17-vjeçare banon në një qytezë minatorësh, në veri të Nigerit. Kur ca shoqe shkolle e kthyen bisedën te pornografia, ajo u largua menjëherë. Një nxënëse i shkoi pas dhe e pyeti çfarë kishte. Nafisatu iu përgjigj se nuk i pëlqenin ato lloj bisedash. Në fillim vajza e talli dhe tha se nuk kishte asgjë të keqe të shihje pornografi. Kurse Nafisatu iu përgjigj se ishte diçka e rëndë, sepse Krijuesi nuk i miraton ato gjëra. Pastaj nxori nga çanta e shkollës librin Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike dhe i tregoi vajzës atë pjesë që flet për rreziqet e pornografisë. Pastaj nxori Biblën dhe i lexoi vajzës 2 Korintasve 7:1. Vajza pranoi se kur shihte filma imoralë, i ngjalleshin dëshira të forta dhe s’e shpjegonte dot përse. I kërkoi një kopje të librit Të rinjtë pyesin. Nafisatu i dha një libër. Ca kohë më vonë tregoi ç’ndodhi: «Herën tjetër që e pashë, ishte vetëm, ndaj e pyeta ku i kishte shoqet. M’u përgjigj: ‘Shoku im është ky libër.’ Fillova studim me të, dhe erdhi në Përkujtim.»

Më shumë se 15 vjet më parë, një grua studioi Biblën me një misionare në Tanzani. Studimi vazhdoi disa vjet. Gruaja ngurronte të përkrahte të vërtetën se e kundërshtonin njerëzit e shtëpisë, dhe me kalimin e kohës e ndërpreu fare studimin. Gjithsesi, dy vajzat e saj të vogla rrinin e dëgjonin gjatë studimit që bënte e ëma. Kur vajza e madhe iku nga shtëpia në moshën 18-vjeçare, menjëherë shkoi në Sallën e Mbretërisë dhe kërkoi studim. Bëri përparim të shpejtë dhe u pagëzua. Edhe motra më e vogël kërkoi një studim biblik, e u pagëzua edhe ajo. Nëna mori zemër nga qëndrimi i patundur i vajzave dhe vendosi ta fillonte prapë studimin. Kësaj here e mposhti frikën nga njeriu, që e kishte bllokuar më parë, dhe u pagëzua në një asamble qarkore në maj 2004.

Kur kongregacioni i bindet urdhrit ‘për t’u kujdesur për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre’, patjetër që Jehovai e bekon. (Jak. 1:27) Kështu ndodhi në një kongregacion në Lezoto. Një motër në kongregacion, që quhej Mapolo, ishte prind i vetëm e kishte katër djem të vegjël. E dinte që kishte një sëmundje vdekjeprurëse dhe i mësoi fëmijët të kujdeseshin për veten. Studionte Biblën me ta, i merrte në mbledhje dhe u mësonte të bënin fshesa, që t’i shisnin në rrugë. Kur Mapoloja vdiq, në vitin 1998, djemtë e saj jetimë i mori gjyshja, që të kujdesej për ta. Motra misionare që e kishte ndihmuar Mapolon të bëhej Dëshmitare, shkoi në një agjenci për përkrahje sociale që t’i kërkonte ndihmë për jetimët dhe ata i dhanë paratë për shkollimin e djemve. Dëshmitarët e tjerë u jepnin rroba. Pastaj u vdiq edhe gjyshja. Një vëlla në kongregacion që studionte me ta, u pagoi qiranë. Të katër djemtë shkojnë rregullisht në mbledhje. Dy janë lajmëtarë të papagëzuar, kurse më i madhi, Rantsoi, që tani është 20 vjeç, u pagëzua në një asamble qarkore në mars 2004. Ai studioi Biblën me kushëririn e vet, Retselisitsuen, i cili u pagëzua në një ditë me të. Rantsoi shpreh mirënjohje të thellë që vëllezërit janë përkujdesur me dashuri për atë dhe për vëllezërit e tij, për shumë vjet.

Një misionar në Kamerun thotë: «Çdo javë, teksa studioja Biblën me një djalë të ri, dëgjoja dikë në shtëpi që këndonte këngë fetare. E pyeta studentin: ‘Kush është ky këngëtar misterioz?’ Ishte i vëllai, Stiveni, që është i verbër. Fillova të studioja me Stivenin, duke përdorur broshurën Çfarë kërkon Perëndia nga ne? në audiokasetë. Vumë si qëllim të ngulitnim në mendje një shkrim nga Bibla në çdo mësim. Stiveni ka kujtesë të shkëlqyer dhe mësoi shumë vargje biblike. Ai ndjek mbledhjet dhe komenton shpesh. Kohët e fundit, mbajti fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ishte një lexim i Biblës dhe, meqë Stiveni nuk e di gjuhën braile, e mësoi fjalimin përmendësh. Mezi po pres që së shpejti ta marr për krahu e ta shoqëroj në shërbim. Një nga vargjet e preferuara të Stivenit është Isaia 35:5, ku thuhet: ‘Do të hapen sytë e të verbërve.’ Stiveni ngazëllon pa masë që sytë e besimit i janë hapur tashmë, dhe tani i këndon lavde Jehovait, duke e falënderuar që në të ardhmen do t’i kthehet edhe shikimi i mirëfilltë.»

Liberinë e shkretuar nga lufta, një grua me emrin Nensi iu afrua një Dëshmitareje dhe i kërkoi të studionte Biblën. Pastori i kishës së saj i kishte thënë që Perëndia do t’i çonte në ferr Dëshmitarët e Jehovait, pasi janë të krishterë të rremë. Mirëpo ajo banonte afër ca Dëshmitarëve dhe kishte vërejtur që sapo kishte një armëpushim, pleqtë e kongregacioneve gjithmonë interesoheshin nëse ishin mirë vëllezërit. Ajo kishte vënë re edhe që Dëshmitarët përfitonin nga çdo periudhë qetësie që t’u predikonin të tjerëve. Nensit e shumë të tjerëve në qytet u bënte përshtypje që një makinë nga zyra e degës e kalonte e para vijën e frontit, dhe sillte ndihmat që u nevojiteshin aq shumë, të cilat ishin dhuruar nga Dëshmitarët në Francë e në Belgjikë. «Mendoj se ju keni të vërtetën»,—tha ajo. Tani po përparon në studim.

Një djalë i ri shkoi në një fshat në Ugandë për të bërë ca riparime në shtëpinë ku vëllezërit mbanin mbledhjet. Njëri nga pionierët përfitoi nga rasti për t’i dëshmuar muratorit, të cilit i pëlqyen ato që dëgjoi. Megjithatë, pas pak ai duhej të kthehej në fshatin e vet, që ndodhej më thellë në male. Meqë atje ku banonte ky djalë, nuk kishte Dëshmitarë, pionieri i shpjegoi ku mund ta gjente Sallën e Mbretërisë më afër tij. Që t’i gjente vëllezërit, djaloshi eci me biçikletë për 30 kilometra në një rrugë të ngushtë e me pluhur, tatëpjetë malit. Ngaqë nuk gjeti njeri në Sallën e Mbretërisë, la një shënim që kërkonte studim biblik, dhe e futi poshtë derës. Një pionier që më pas shkoi për ta kërkuar në fshatin e vet, u befasua kur gjeti gati 200 veta që prisnin për të dëgjuar mesazhin e Biblës. Shumë prej tyre shfaqën interes të sinqertë për të studiuar Biblën. Tani në këtë zonë të thellë mbahen mbledhje.

Një mbrëmje herët, në një fshat të vogël me gati 600 banorë në Nigerinë Juglindore, fshatarët panë një dritë të fortë në qiell, që pasqyrohej në lumë. Dukej sikur drita po shkonte drejt tyre, prandaj ikën me vrap për të shpëtuar. Shumë veta menduan se ishte shkatërrimi për të cilin predikonin Dëshmitarët e Jehovait, kështu që vrapuan për në Sallën e Mbretërisë, sepse thanë: «Kjo ndërtesë nuk do të shkatërrohet në Harmagedon.» Më në fund, aty nga ora 10 e darkës, fshatarët e kuptuan se burimi i dritës ishte një zjarr i madh që kishte rënë në pyll. Kur vëllezërit i pyetën fshatarët pse nuk vrapuan për te kishat që ishin aty afër, një burrë u përgjigj: «Të tjerat janë kisha koti. Harmagedoni që predikoni ju, do t’i shkatërrojë ato, por jo Sallën e Mbretërisë.»

Një motër që është pioniere e rregullt në një kamp refugjatësh në Guine, rrëfen: «Po predikoja, kur takova një vajzë tetë vjeçe në shtëpinë e vet, që është e gjymtuar. Më tha se prindërit zakonisht e lënë në shtëpi gjithë ditën dhe e kyçin derën. I thashë që doja ta kisha shoqe. Pastaj e pyeta se çfarë kishte qejf ajo që të bënte Perëndia për të. Ma ktheu se donte që Perëndia ta bënte të ecte. I hapa Biblën tek Isaia 35:5, 6 dhe i tregova se Jehovai premton që i çali do të kërcejë si një dre. Pastaj e hapa broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! te figura ku Jezui po shëron të sëmurët. I thashë se këto bekime do t’i gëzonte edhe ajo, po të studionte Biblën dhe po të bënte gjërat që kërkon Jehovai prej saj. Pranoi të studionim Biblën bashkë. E kemi mbaruar broshurën Gëzo jetën në tokë! dhe jemi në fund të broshurës Ti mund të jesh miku i Perëndisë! Pas tri javësh studim, shprehu dëshirën të vinte në mbledhje. Meqë nuk ecën dot, i shkoj në shtëpi dhe e marr në kurriz për ta çuar në mbledhje. I pëlqejnë mbledhjet kaq shumë sa, po të mos shkoj ta marr, mërzitet me mua e madje fillon e qan.»

KONTINENTET AMERIKANE

Numri i vendeve: 56

Popullsia: 868.871.739

Numri i lajmëtarëve: 3.165.925

Numri i studimeve biblike: 3.089.453

Maria nga Guadelupa raporton: «Në plazhin para hotelit ku punoj, disa klientë më thanë që te një shkëmb kishte dy ditë që kishin mbetur ca rroba e një palë këpucë. I mblodha plaçkat me mendimin që do të gjeja ndonjë të dhënë për të kuptuar se të kujt ishin. Mirëpo, gjeta edhe një qeskë me 1.067 euro. Shumë nga ata që qëlluan aty, më nxitën të mbaja një pjesë të parave, kurse pjesën tjetër ta ndaja me ta. Menjëherë u tregova që jam Dëshmitare e Jehovait dhe ndërgjegjja nuk më lejon të sillem pandershmërisht. Prandaj i çova të gjitha gjërat në banakun e recepsionit të hotelit. Edhe punonjësit e hotelit u habitën që nuk i mbajta paratë për vete. U shpjegova edhe atyre pikëpamjen time. Kur u ktheva prapë në plazh, disa nga njerëzit që ishin aty donin të mësonin më shumë për bindjet e mia. U dëshmova duke përdorur Biblën. Një grua tha: ‘Unë për vete do të marr në punë vetëm Dëshmitarë të Jehovait.’» Që nga ajo kohë, u gjet i zoti i parave dhe policia e përgëzoi motrën për ndershmërinë që tregoi.

Antonioja është bethelit në Meksikë. Ai shfrytëzon çdo rast që t’u flasë njerëzve për të vërtetën. Kohët e fundit, teksa po shkonte me autobus për në mbledhje, i dha një fletushkë një burri e një gruaje, që ishin veshur goxha mirë. Pas kësaj u hap një bisedë e këndshme. «U thashë ‘Mirupafshim’ kur arrita në stacionin tim,—tha Antonioja,—por, për habinë time, donin që të zbrisnin me mua për të vazhduar bisedën, megjithëse nuk ishte stacioni ku duhej të zbrisnin ata. Pasi zbritëm, biseduam dhe për pak, dhe prapë u thashë mirupafshim. Më pyetën: ‘Ku po shkon?’ Iu përgjigja: ‘Në një mbledhje kongregacioni.’ Ata vështruan njëri-tjetrin dhe më pyetën: ‘A të vijmë me ty?’ Ua ktheva: ‘Me gjithë qejf!’» Ajo grua ishte avokate, kurse i nipi studionte në universitet. Që të dy e kishin dëgjuar mesazhin e së vërtetës para ca vjetësh, por nuk vazhduan më tej, ngaqë patën kundërshtime nga familja. Kur po shkonin në mbledhje bashkë me Antonion, thanë se shpresonin të takonin Dëshmitaren që u kishte folur për herë të parë për Biblën. Sa surprizë e bukur ishte për ta kur e takuan motrën në sallë! Ata ishin tejet të kënaqur që shkuan në mbledhje dhe mezi po prisnin të studionin Biblën. «Jehovai na drejtoi për këtu, dhe tani e tutje do të vazhdojmë të vijmë në mbledhje»,—tha gruaja. U morën vesh për të rifilluar studimin, të cilin e bëjnë dy herë në javë.

Haiti, Zhaklina, gruaja e një mbikëqyrësi qarkor, po shoqëronte një pioniere në veprën e predikimit, kur pa një grua të re, që rrinte ulur buzë rrugës, e vetme fare, dhe qante. Motrat iu afruan dhe e pyetën çfarë e shqetësonte. Në fillim, gruaja s’deshi të përgjigjej, por ngaqë motrat këmbëngulën me butësi, ajo u përgjigj: «E bëra atë që kisha ndër mend.» Zhaklina e kuptoi menjëherë se ajo kishte pirë helm, ndaj e pyeti a ishte ashtu, dhe vajza pohoi me kokë. Motrat e çuan me të shpejtë në spital për mjekim. Pas një jave pionierja shkoi ta vizitonte dhe t’i jepte zemër. Me të u fillua një studim biblik.

Paraguai, tek arka e llogarisë në një supermarket, Lurdesi u befasua kur mori vesh se po paguante me një kartëmonedhë fallso. Arkëtari menjëherë thirri rojën e sigurisë. Lurdesin dhe Ingridin, vajzën e saj pesë vjeçe, i çuan në një dhomë të vogël për të pritur policinë. Administratori i supermarketit dhe roja i sigurisë i kërkuan motrës që t’u thoshte se ku e kishte marrë kartëmonedhën fallso. Lurdesi nuk e mbante mend dhe u tha se nuk e dinte fare që ishte fallso. Ingridi, e mërzitur, iu drejtua administratorit dhe rojës e u tha: «Ju po na quani hajdute! Mami im nuk është hajdute. Ne jemi Dëshmitare të Jehovait dhe nuk i gënjejmë njerëzit.» Administratori e pyeti Lurdesin a ishte Dëshmitare, dhe ajo tha po. Një telefonatë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait i bindi më në fund këta burra që Lurdesi ishte vërtet Dëshmitare. Ata i kërkuan ndjesë Lurdesit e Ingridit për shqetësimin që u kishin sjellë dhe i lanë të iknin. Më pas, Ingridi e vogël tha se e keqja e gjithë kësaj historie ishte se nuk e bleu dot qesen me kokoshka që i pëlqenin kaq shumë.

Një vëlla në Kosta-Rikë po predikonte dhe vendosi t’i afrohej fqinjit të vet katolik për t’i dëshmuar. Vëllai kishte ca frikë, pasi burri nuk i pëlqente Dëshmitarët, madje i kishte keqtrajtuar. Për habinë e vëllait, burri e ftoi brenda dhe i shpjegoi pse kishte ndryshuar qëndrim. Një miku i vet e kishte ftuar të vizitonte një bashkësi të largët, për të shkuar në një kishë evangjeliste. Me të mbërritur atje, burrin e ftuan të jepte «dëshminë» e vet. Ai tha vetëm se ishte katolik. Njerëzve nuk u pëlqeu kjo dhe e urdhëruan të dilte nga kisha e i thanë që rrezikonte të ndëshkohej edhe miku i tij, sepse shoqërohej me një katolik. Burri u largua nga kisha, por ndodhej larg shtëpisë e në një zonë të panjohur, kështu që nuk dinte ku ta kalonte natën. Trokiti në një shtëpi, u shpjegoi ç’i kishte ndodhur, dhe atje e ftuan brenda. I dhanë për të ngrënë dhe i siguruan një vend ku të kalonte natën. Gjithashtu, të zotët e shtëpisë i predikuan këtij burri. Po, ishin Dëshmitarë të Jehovait. Sa thellë ndikoi tek ai kur zbuloi që Dëshmitarët e duan vërtet të afërmin! Tani po studion Biblën me Dëshmitarët.

Një motër në Trinidad shkruan: «Po jepja dëshmi në rrugë, kur një grua m’u afrua e më kërkoi revistat e reja. Pasi i dhashë disa revista, i propozova të bënim një studim biblik falas në shtëpi. Gruaja më tha që kishte studiuar më parë, por tani së fundi ishte transferuar në atë zonë. I kërkova emrin dhe adresën, por ajo nuk pranoi të m’i tregonte. Më tha që Perëndia i vërtetë do të më tregonte se ku banonte ajo, në qoftë se ne i shërbejmë vërtet atij. Të nesërmen, ndërsa po predikoja nga shtëpia në shtëpi, trokita në një derë dhe më doli ajo grua. Kur na pa, mua e shoqen time, qeshi e habitur dhe tha: ‘Si më gjete kaq shpejt?!’ E pyeta a e mbante mend se ç’më kishte thënë një ditë më parë. Na ftoi brenda dhe filluam studim. Tani gruaja është lajmëtare e papagëzuar.

AZIA DHE LINDJA E MESME

Numri i vendeve: 47

Popullsia: 3.971.703.969

Numri i lajmëtarëve: 574.927

Numri i studimeve biblike: 444.717

Genshjami është një pionier i rregullt në Nepal. Punon si shofer taksie për të siguruar jetesën. Në punë takon njerëz me prejardhje të ndryshme dhe sheh që pjesa më e madhe janë me nxitim, madje edhe në mbrëmje, e nuk kanë kohë për të biseduar. Prapëseprapë, ai përpiqet të gjejë mënyra për të filluar biseda. Sa herë që mundet, u jep pasagjerëve një fletushkë të përshtatshme dhe adresën e Sallës së Mbretërisë që kanë më afër. Shumë pasagjerë e kanë vlerësuar këtë. Pesë prej tyre tani studiojnë Biblën me Genshjamin.

Tajvan, burri i një motre shpesh e përdorte zërin e tij të fuqishëm për t’iu hakërruar së shoqes, sidomos kur ajo bëhej gati të shkonte në mbledhje. Pastaj një ditë i ra një apopleksi. U paralizua dhe mbeti i ngujuar në spital. Motra me durim u kujdes për të, dhe me takt e ndihmoi për ta kuptuar të vërtetën e Biblës, duke shfrytëzuar kohën kur ai po merrte veten. Ajo i tha: «Ti duhet të bësh ca ushtrime për trurin, prandaj unë do të të them ca gjëra, dhe ti do të përpiqesh t’i mbash mend, në rregull?» Ai e dinte që duhej të vinte mendjen në punë, kështu që pranoi. Motra përdori informacione nga broshura të ndryshme, që t’i mësonte atij disa të vërteta themelore, si për shembull emrin e Perëndisë, cilësitë e tij dhe temën e Biblës. Përveç kësaj, shumë vëllezër e vizituan në spital dhe u sollën përzemërsisht me të. Kjo e preku kaq shumë, sa me t’u kthyer në shtëpi, pranoi të bënte studim biblik. Tani, në një karrocë invalidësh, ka filluar të ndjekë mbledhjet dhe po e përdor zërin e tij të fuqishëm për të bërë komente.

Rohanain, një pionier special që predikon në një zonë fshatare në Sri-Lankë, e kundërshtonte vazhdimisht një burrë që punon me një lloj triçikli me dy vende për pasagjerë. Sa e shihte Rohanain në shërbim, e mallkonte me zë të lartë. Një herë e kërcënoi Rohanain se do ta vriste, po të mos pushonte së predikuari në atë zonë. Rohanai iu përgjigj me të butë. Më vonë, burri pësoi një aksident dhe u shtrua në spital me dëmtime të rënda. Rohanai i shkoi për vizitë dhe i çoi një dhuratë. Kur burri pa që Rohanai i kishte vajtur ta vizitonte, zuri të qante dhe i kërkoi të falur që ishte sjellë aq ashpër me të. «Zotëri, si të kam trajtuar unë ty, do të ishte më mirë të më rrihje me një shkop, sesa të bëje tërë këtë udhë për të më ngushëlluar»,—i tha burri. Tani, ka dalë nga spitali dhe vazhdon punën e vet me triçikël. Gjithashtu i lexon rregullisht revistat tona.

Hong-Kong ka një numër të madh grash të huaja që kanë zënë punë si punëtore shtëpie. Në një rast, një nga këto gra kishte filluar të studionte broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? në Filipine dhe tani donte ta vazhdonte studimin. Mirëpo nuk dinte ku t’i gjente Dëshmitarët, ndaj iu lut Perëndisë që ta ndihmonte t’i gjente. Atë ditë që ishte pushim, udhëtoi përmes portit deri në zonën kryesore të biznesit dhe në zonën e parkut qendror, ku mblidhen shumë filipinas gjatë fundjavës. Ajo kërkoi, por nuk gjeti askënd që t’i dukej si Dëshmitar i Jehovait, edhe pse ata rregullisht predikojnë në park gjatë fundjavës. Por i zuri syri një broshurë Çfarë kërkon?, të flakur në një kosh plehrash. Gruaja e mori dhe pa se në të ishte shkruar një numër telefoni. Numri ishte i motrës që e kishte shpërndarë broshurën. Gruaja u habit e u gëzua pa masë kur mësoi se motra punonte po në atë kompleks ndërtesash ku punonte edhe ajo. E nisi prapë studimin dhe po ndjek mbledhjet.

Një mbikëqyrës qarkor dhe një plak tjetër në Republikën e Koresë bënë një vizitë baritore tamam në kohë. Vizituan një motër që kishte qenë joaktive për dhjetë vjet. I shoqi, një ateist, kishte vendosur të merrte pjesë në kishë pasi kishte bërë një operacion. Kur vëllezërit e vizituan, u takuan me të shoqin, i cili pas një bisede miqësore pranoi broshurën Çfarë kërkon? Ndërkohë që studionte me të shoqin, plaku e inkurajonte motrën. Burri e pranoi ftesën për të ndjekur një kongres krahinor, e pas tij nuk shkoi më në kishë, por po ndiqte rregullisht mbledhjet tona. Edhe motra përparoi dhe kërkoi që t’u bënin vizita edhe katër fëmijëve të tyre që jetonin në një qytet tjetër. Si rrjedhim, u pagëzuan burri i motrës, vajza e madhe me të shoqin, si dhe vajza e vogël. Më vonë u pagëzua edhe djali i madh bashkë me të shoqen, e kështu gjithsej u bënë gjashtë Dëshmitarë të tjerë në familje.

Juki, një nxënëse në shkollë të mesme në Japoni, e kishte të vështirë t’u tregonte shokëve të klasës që ishte Dëshmitare e Jehovait. E dinte që duhej të jepte dëshmi, por, meqë shokët e klasës nuk bënin kurrë muhabete për fenë, duhej ta merrte ajo iniciativën. Vendosi t’i linte shokët ta shihnin që ajo lutej para se të hante drekën. Gjithë paraditen, u lut për guxim. Pastaj, në vend që ta bënte shpejt e shpejt lutjen para dreke, që të mos e shihte njeri, uli kokën dhe u lut pak më gjatë se zakonisht. Kur mbaroi, një shoqe klase e pyeti a ndihej mirë. Por prapëseprapë Juki nuk dëshmoi dot. U ndie mjaft keq për këtë, prandaj më pas i kërkoi të falur Jehovait dhe iu lut përsëri për guxim. Të nesërmen, pasi Juki u lut, shoqja e klasës e pyeti prapë si ndihej, dhe Juki mendoi: «Tani është çasti!» I shpjegoi që ishte Dëshmitare e Jehovait. Në fillim shoqja u habit, por pastaj e bombardoi me një sërë pyetjesh: ‘Për çfarë lutesh?’ ‘Si e ka emrin Perëndia?’ ‘Kush ishte Jezui?’, e kështu me radhë. Juki fluturonte nga gëzimi.

Në Kupang, Indonezi, Glenin e njihnin si njeri pijanec dhe të droguar. Njerëzit e paguanin për të kërcënuar a për të rrahur të tjerët. Ai po rrinte te prindërit e vet kur erdhën Dëshmitarët e Jehovait dhe folën me ta për Biblën. Pas pak kohësh, Gleni pranoi të studionte me ta dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i lënë veset që kishte. Një ditë, një pronar dyqani i ofroi një shumë të madhe parash, që të rrihte një burrë. Gleni u mendua një çast për këtë propozim, por vendosi të mos pranonte më kësi lloj punësh. Ia ktheu paratë dhe nuk e pranoi punën. Më vonë, kur Gleni shkoi në një dyqan tjetër, pronari kishte frikë se mos kishte vajtur për ta rrahur. Ai e bindi pronarin që tani studionte Biblën dhe bënte jetë të qetë. Pronari i dyqanit pranoi një studim biblik dhe gjithashtu e mori në punë në dyqan. Gleni u pagëzua në kongresin krahinor vitin e kaluar, dhe pronari i dyqanit ishte i pranishëm.

EVROPA

Numri i vendeve: 46

Popullsia: 728.373.014

Numri i lajmëtarëve: 1.490.345

Numri i studimeve biblike: 733.728

Holandë, pasi Jakoba, një motër 88-vjeçare, u nda nga jeta, të afërmit e saj morën një letër zyrtare nga policia e rajonit. Me besnikëri u kishte dhënë atyre revistat për shumë vjet. Në letër, pjesërisht thuhej: «Kjo grua ishte shumë e veçantë për ne. Na bënte vizita rregullisht në rajonin tonë dhe kënaqeshim kur pinim një filxhan çaj me të. E admironim guximin e saj: në moshë të shkuar ende ngiste biçikletën, dilte në shi e në diell, të vizitonte njerëzit për të përhapur bindjet e veta. Neve këtu do të na marrë malli jashtë mase për të.»

Një përvojë tjetër vjen nga Zvicra. Një familje Dëshmitarësh të Jehovait shkuan me pushime dhe ia besuan çelësat e apartamentit djalit të një familjeje tjetër Dëshmitarësh, e i kërkuan atij që të ushqente peshqit në akuarium gjatë kohës që nuk ishin. Kur djali shkoi për herë të parë tek apartamenti, s’po hapte dot derën. Një grua në apartamentin përballë dëgjoi zhurmë dhe hapi pak derën për të vëzhguar. Kur pa që djali po përpiqej të futej në apartament, e pandehu për hajdut dhe thirri policinë. Kur djali mbaroi së ushqyeri peshqit, doli nga apartamenti dhe ndeshi dy policë të armatosur. «Ç’po bën këtu?»—e pyetën. «Ushqeva peshqit, siç më kishin kërkuar të bëja»,—u përgjigj. Policët nuk e besuan. Ai u shpjegoi: «Jam Dëshmitar i Jehovait, dhe po ashtu edhe familja që banon këtu. Ata më kërkuan të ushqeja peshqit gjatë mungesës së tyre, ndaj më dhanë çelësat.» Policëve nuk iu mbush mendja dhe donin ta çonin në rajon. «Prisni një minutë,—u tha djaloshi.—Miqtë e mi kanë lënë numrin e celularit në këtë letër. Merrini që tani dhe pyetini a është vërtet kështu si them unë.» Atëherë policët morën në telefon dhe verifikuan që djali u kishte thënë të vërtetën. I kërkuan ndjesë dhe u larguan. Kur u kthye familja nga pushimet, folën me gruan në apartamentin përballë, e cila ishte transferuar atje kohët e fundit. E falënderuan për kujdesin që tregoi. Pastaj i shpjeguan se, ashtu si ata vetë, djali është Dëshmitar i Jehovait dhe është krejt i besueshëm. Meqë gruaja nuk dinte shumë gjëra për Dëshmitarët e Jehovait, u hap një bisedë, e nga kjo, më pas gruaja pranoi studim biblik.

Ndërsa po predikonte nga shtëpia në shtëpi, një motër në Itali pati rastin të fliste me një grua të re, që është nënë dhe e zënë me karrierën e vet. Motra provoi shumë herë ta takonte prapë, por nuk ia doli dot, ndaj vendosi ta merrte në telefon. Në telefon, gruaja i shpjegoi që vërtet nuk kishte kohë të fliste për Biblën. Motra i tha: «Për 10 a 15 minuta mund të mësoni diçka të re, madje edhe me telefon.» «Epo mirë, meqë është me telefon, në rregull»,—ia ktheu gruaja. Kohët e fundit motra i la librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe filluan studim në telefon. Studimi mbahet të shtunave paradite, mirëpo nga ato 10 a 15 minuta, tani e zgjatin bisedën 30 minuta.

Anxhela është një nga ata lajmëtarë në Britani, që sa vjen e po shtohen, të cilët kanë marrë përsipër t’u dëshmojnë të huajve që banojnë atje. Kur vizitoi një dyqan ku shiten ushqime kineze, njëri nga punonjësit ia bëri me dorë që të ikte. Mirëpo, teksa Anxhela po largohej, një grua kineze doli me vrap që nga prapa dyqanit dhe thërriti emrin e Perëndisë në gjuhën kineze. Pasi biseduan atë ditë, Anxhela i linte revistat rregullisht. Ndonëse gruaja i pëlqente botimet, thoshte se i dukej e vështirë të besonte që universin e ka krijuar Perëndia. Ajo mendonte se gjithçka ndodhi rastësisht.

Gruaja në dyqan merrej me përgatitjen e byrekut kinez. Anxhela e pyeti sa gjëra përdorte për të bërë një byrek kinez. Ajo ia ktheu: «Pesë.» Pastaj Anxhela i sugjeroi që kur të bënte prapë një byrek kinez, t’i hidhte pesë përbërësit në ajër dhe të shihte se sa byrekë do të dilnin. Javën tjetër, kur Anxhela vizitoi dyqanin, kinezja e takoi, i nxori një byrek të freskët dhe i tha se tani e pranonte që universin e ka krijuar Perëndia. Me të u fillua një studim biblik i rregullt, dhe tani kjo grua po përparon e po mëson të vërtetën nga Fjala e Perëndisë.

Gjermani, ambientalistët shpesh protestojnë kur mbetjet radioaktive nga centralet bërthamore transportohen nëpër linjat hekurudhore. Prandaj të gjitha aktivitetet e hekurudhës mbikëqyren me kujdes nga policët, të cilët duhet të pastrojnë linjat hekurudhore para se të kalojë treni. Në nëntor 2003 u zhvillua një nga këto operacione të policisë në vendin ku Gudruna shërbente si pioniere. «Përfytyrova policë që uleshin e prisnin me orë të tëra,—tha ajo,—prandaj vendosa t’u afrohesha e t’u jepja ndonjë gjë për të lexuar.» Gudruna pa që policët ishin mjaft miqësorë. Me një shportë plot me numra të revistës Kulla e Rojës e Zgjohuni!, ajo pati mundësi të takonte policët pa shumë vështirësi. Madje një grup policësh nga Bavaria i bënë një fotografi, teksa po u jepte një Zgjohuni! në makinën e tyre. Brenda dy ditësh udhëtoi mbi 120 kilometra, e foli me më shumë se 100 policë gjatë rrugës. Shpërndau 184 revista. «Është një përvojë që nuk do ta harroj kurrë!»—tha me entuziazëm.

Spanjë, një ditë, pasi doli nga puna, Ana-Maria shkoi te stacioni i autobusit, dhe ndërkohë që priste, po lexonte ca njoftime që ishin vënë në afishe. Njëri prej tyre i ra menjëherë në sy. Në të lexoi: «Dua të lidhem urgjentisht me Dëshmitarët e Jehovait, që të vazhdoj studimin e Biblës.» Ana-Maria mori në telefon menjëherë dhe e la që të takohej me gruan që kishte bërë njoftimin, Felisitën. Felisita kishte ardhur kohët e fundit nga Ekuadori, ku kishte studiuar Biblën për dy vjet. E filloi prapë studimin, dhe që nga ajo kohë Felisita bashkë me të birin kanë ndjekur të gjitha mbledhjet. Janë të kënaqur që përparimi i tyre frymor nuk u ndërpre për një kohë të gjatë.

Një grua në Bullgari u bashkua me të nipin që po studionte Biblën me Dëshmitarët. Ajo u magjeps kur mësoi që Perëndia e ka emrin Jehova. Meqë në Biblën e saj nuk gjendej emri i Perëndisë, vendosi të shkonte në një librari e të blinte një Bibël me emrin e Perëndisë. Shitësi e pyeti se çfarë po kërkonte. Kur ia tha, ai zuri t’i bërtiste: «Ti je nga ai sekt!» Pikërisht në atë çast, në dyqan u fut një prift. Kur e pyetën: «Si e ka emrin Perëndia?», ai u përgjigj: «Jehova e ka. E mjaft i bërtite kësaj gruaje!» Shitësi mbeti i shastisur. Gruaja dhe tri pjesëtarët e familjes së saj, po bëjnë përparim frymor të shkëlqyer.

Një familjeje në Rusi i ndodhi një fatkeqësi: humbën birin e tyre të dashur. Një ditë para varrimit, nëna u telefonoi të gjithë miqve të djalit, duke përdorur numrat e telefonit që kishte pasur ai në bllok. Në të ishte edhe numri i një familjeje Dëshmitarësh të Jehovait, dhe nëna i ftoi edhe ata në varrim. Dëshmitarët nuk i njihnin prindërit, por vendosën të përfitonin nga ky rast për të ngushëlluar familjen. Vëllai i foli babait të djalit për shpresën e ringjalljes dhe i la broshurën Kur të vdes një njeri i dashur. Pastaj, u kthye ta vizitonte pas dy ditësh. Babai i djalit tha: «Broshura na ka bërë shumë përshtypje. Vendosëm të gjejmë kohë për të studiuar Biblën.» Gruaja është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe po bëhet gati të dalë lajmëtare.

OQEANIA

Numri i vendeve: 30

Popullsia: 34.820.382

Numri i lajmëtarëve: 94.087

Numri i studimeve biblike: 48.307

Olena ishte vetëm 12 vjeçe kur u pagëzua në dhjetor 2003, në Havai. Ndryshe nga fëmijët e tjerë, që e kanë mendjen vetëm te lojërat, Olena ka synime frymore të qarta. Ajo tha: «Isha shumë e gëzuar që shërbeva si pioniere ndihmëse në mars e në maj, dhe u kënaqa vërtet duke predikuar me pionierët dhe me të rriturit. Për shembull, të shtunave pasdite pata privilegjin të dilja me një ish-misionare që shkonte te vizitat dhe te studimet me kinezë. M’u duk e bukur gjuha kineze. Kam synim që një ditë të bëhem pioniere e rregullt në një kongregacion të gjuhës së huaj. Për të arritur këtë synim, dal në shërbim pas shkolle të mërkurave, si edhe të shtunave e të dielave. Gjithashtu kam në plan që të bëj pioniere ndihmëse sa më shpesh të mundem.» Por, si mendon Olena, ç’gjë tjetër do ta ndihmojë të arrijë synimet e veta? «Të ruaj zemrën, pra të tregoj me gjërat që bëj, se për mua ka rëndësi t’i pëlqej Jehovait,—tha ajo.—Shoqëria me ata që mendojnë të njëjtën gjë për Jehovain, do të më ndihmojë të qëndroj në shtegun e drejtësisë. Po të kaloj më shumë kohë duke i shërbyer Jehovait, do të kaloj më pak kohë me njerëzit që kanë prirjet e botës. Kjo më mbron nga mendimi që gjërat materiale dhe zbavitjet imorale, mund të më bëjnë të lumtur.»

Ishujt Solomon është zakon që prindërit, një ose dy nga fëmijët ua japin të afërmve që t’ua rritin. Kur mësuan çfarë pret Jehovai nga prindërit, një çift foli me familjen që kishte marrë fëmijën e tyre dhe e morën prapë në shtëpi vajzën, Deborën, e cila në atë kohë ishte adoleshente. Si do të ndihej ajo kur papritur të gjendej në një familje Dëshmitarësh, ku të gjithë kishin një program të ngjeshur me mbledhje, predikim e studim familjar biblik? Debora kujton: «Që në mbledhjen e parë që vajta, m’u duk sikur të gjithë në sallë ishin vërtet të kënaqur që ndodhesha atje. Prisja të shihja ca klerikë me veshje të veçanta, por nuk pashë asnjë. Nga sa dukej, gjithsecili merrte pjesë në mbledhje, madje edhe të vegjlit fare.» Pas pak kohësh, edhe Debora filloi të merrte pjesë. Një gjë tjetër që i bën përshtypje asaj, është mënyra si i mëson i ati vëllezërit dhe motrat e tjera. Ajo thotë: «Babi na ndihmon të mendohemi mirë për shembujt e njerëzve në Bibël. Kjo më ndihmon me të vërtetë kur jam duke bërë luftë me veten.» Debora, tani lajmëtare e papagëzuar, thotë se është shumë e kënaqur që e vërteta nga Fjala e Perëndisë i shtyu prindërit ta merrnin prapë në shtëpi dhe ta futnin në udhën e jetës.

Disa rajone në Papua Guinenë e Re janë malore, dhe në shumë fshatra nuk ka asnjë rrugë për të shkuar. Disa prej tyre, qytetërimi modern as i ka prekur fare. Gjithsesi, lajmi i mirë i Mbretërisë e ka gjetur udhën për të depërtuar edhe në këto zona. Një burrë me emrin Liana vajti në mbledhje në një kongregacion në kryeqytet, Port-Moresbi. Vëllezërit u befasuan kur morën vesh që ai është kryeplak në një fshat të izoluar, thellë në male, ku nuk ka asnjë lloj komoditeti të jetës moderne. Lianait iu deshën pesë ditë rrugë nëpër pyll për të dalë në rrugën kryesore. Që atje shkoi në kryeqytet me një kamion. Ai tha se afro katër vjet më parë kishte vajtur në qytet dhe kishte takuar në rrugë një vëlla që i kishte dhënë një revistë Kulla e Rojës. Lianai e mori me vete në fshat revistën, dhe, pasi e lexoi, filloi t’u mësonte njerëzve në fshat gjërat e revistës. E bëri këtë çdo të diel, disa vjet rresht, dhe e ruajti me kujdes revistën në një mbështjellëse plastike që të mos dëmtohej. Më në fund, njerëzit e fshatit ia mbushën mendjen të kërkonte botuesit e asaj reviste. Ai shkoi prapë në qytet dhe gjeti vëllezërit. U morën masa që të fillohej një studim me të. Lianai ndenji gati dy javë me një familje Dëshmitarësh dhe mbaroi studimin e broshurës Çfarë kërkon? Kur i shpjeguan që kishte një kongregacion në një qytet që nuk ishte dhe aq larg nga fshati i tij, ai sa s’fluturoi nga gëzimi dhe thërriti: «Qenka kollaj fare! Mban vetëm dy ditë udhë më këmbë nga fshati im!» I pajisur me një çantë plot literaturë dhe me një kuptueshmëri më të thellë për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, mori udhën e gjatë për t’u kthyer në fshatin e vet. Janë marra masa që të vizitohet së shpejti fshati i tij, kështu që edhe njerëzit atje të mësojnë për Biblën me saktësi.

Kiribati, një ishull-shtet, një motër e cila punon në zyrën e përkthimit të Dëshmitarëve të Jehovait, rrëfen këtë përvojë: «Një mëngjes futa në çantë një revistë Kulla e Rojës që fliste për ferrin dhe vendosa ta prezantoja, megjithëse ishte numër i vjetër. Isha në shërbim me një motër dhe takuam një burrë. I thamë emrat tanë dhe i prezantuam revistën, pasi i shpjeguam shkurt se ç’thotë Bibla për ferrin. Ai uli kokën dhe për një copë here nuk tha asnjë fjalë, kështu që e pyeta a ndihej mirë. Kur ngriti kokën, pashë që i kishte sytë me lot. Na tha se tema e revistës e kishte prekur thellë. Para ca javësh i kishte vdekur i biri, prandaj ai dhe e shoqja ishin ende të pikëlluar. Të dy ishin lutur vazhdimisht që Perëndia t’ua lehtësonte brengën e zemrës, sepse besonin që djali ndodhej në ferrin e zjarrtë. Kur dëgjoi se ç’thotë në të vërtetë Bibla për gjendjen e të vdekurve, burri u mahnit dhe u gëzua pa masë. Me të u fillua studim që në rivizitën tjetër. Shpesh thotë se ai i ishte lutur Perëndisë që t’i tregonte të vërtetën dhe që me zjarr dëshironte të gjente një fe që mëson me të vërtetë Biblën. Ka filluar të ndjekë mbledhjet dhe përgatitet mirë që të japë përgjigje të ndjera gjatë Studimit të Kullës së Rojës

Në dhjetor të vitit 2003, mbi 60.000 delegatë ndoqën kongresin më të madh që kanë mbajtur Dëshmitarët e Jehovait në Australi. Sapo u kthye nga kongresi në Sidnei, Alisja gjashtëvjeçare mezi priste t’u tregonte shokëve të shkollës librin e ri, Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Atë pasdite, kur shkoi të merrte Alisjan nga shkolla, e ëma u habit kur pa fjalët «T’i japim lavdi Perëndisë», të shkruara me shkronja të mëdha në dërrasën e zezë të klasës. Atë mëngjes, Alisja u kishte folur për kongresin tri mësueseve dhe 24 shokëve të klasës. Të gjithëve u bëri përshtypje libri i ri dhe rishikimi i disa pikave kryesore të programit, që Alisja e bëri gjithë entuziazëm. Fjalët «T’i japim lavdi Perëndisë» kishin mbetur në dërrasë të zezë gjithë ditën.

[Figura në faqen 43]

Nafisatu, Niger

[Figura në faqen 43]

Rantsoi (i dyti nga e djathta) me kushëririn dhe vëllezërit e vet, Lezoto

[Figura në faqen 48]

Maria, Guadelupë

[Figura në faqen 48]

Antonio, Meksikë

[Figura në faqen 52]

Genshjami, Nepal

[Figura në faqen 56]

Jakoba, Holandë

[Figura në faqen 58]

Anxhela, Britani

[Figura në faqen 61]

Olena, Havai