Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

Shpëtuam nga ushtarët rebelë

Endrju Bani

Shpëtuam nga ushtarët rebelë
  • LINDUR: 1961

  • PAGËZUAR: 1988

  • TË DHËNA: Kur nisi lufta më 1991 ishte pionier i rregullt në Pendembu, në provincën lindore të Sierra-Leones.

NJË pasdite, rebelët erdhën në qytetin tonë dhe qëlluan me armë në ajër për rreth dy orë. Disa prej tyre ishin të mitur që mezi mbanin armët. Ishin të palarë, me flokë të shkatërruar dhe dukej që ishin të droguar.

Të nesërmen nisën të vritnin. Ekzekutonin e gjymtonin njerëzit në mënyrë mizore dhe përdhunonin gra. Kudo mbizotëronte kaosi. Vëlla Amara Babauo, familja e tij dhe katër të interesuar u strehuan në shtëpinë time. Ishim të tmerruar.

Pa kaluar shumë, erdhi një komandant rebel dhe na urdhëroi të paraqiteshim për stërvitje ushtarake të nesërmen në mëngjes. Ishim të vendosur të qëndronim asnjanës, ndonëse kjo na vinte kokën në rrezik. U lutëm thuajse gjithë natën. U zgjuam herët në mëngjes, shqyrtuam shkrimin e ditës dhe pritëm rebelët. Por ata nuk erdhën më.

«Duhet të jeni Dëshmitarë të Jehovait përderisa po lexoni shkrimin e ditës»

Më vonë, ia behën një oficer rebel me katër ushtarë dhe morën nën kontroll shtëpinë time për nevoja ushtarake. Por na thanë se mund të qëndronim, kështu ne vazhduam të mbanim mbledhjet rregullisht e të shqyrtonim shkrimin e ditës në shtëpi. Disa ushtarë thanë: «Duhet të jeni Dëshmitarë të Jehovait përderisa po lexoni shkrimin e ditës.» Nuk ishin të interesuar për Biblën, por na respektonin.

Një ditë erdhi një kryekomandant për të inspektuar ushtarët që qëndronin në shtëpinë time. Përshëndeti vëlla Babauon dhe i shtrëngoi dorën. Komandanti u tha prerazi ushtarëve: «Ky njeri është shefi im dhe juaji. Nëse i preket një fije floku atij ose atyre që janë me të, do ta keni punën pisk, morët vesh?» «Si urdhëroni, zoti komandant!»—u përgjigjën ata. Pastaj, komandanti na dha një letër ku urdhëronte Frontin e Bashkuar Revolucionar të mos na trazonte sepse ishim qytetarë paqësorë.

Disa muaj më vonë, grupet rebele nisën të luftonin me njëri-tjetrin, prandaj ikëm në Liberinë fqinje. Atje na kërcënoi një tjetër grup rebelësh. U thamë: «Jemi Dëshmitarë të Jehovait.» «Atëherë çfarë thotë Gjoni 3:16?»—pyeti një ushtar. Kur cituam vargun na lanë të kalonim.

Më vonë takuam një komandant tjetër të rebelëve i cili më urdhëroi mua dhe vëlla Babauon ta ndiqnim. Menduam se kaq e patëm. Pastaj rebeli na tha se para luftës kishte studiuar me Dëshmitarët. Na dha pará dhe mori një letër nga ne për t’ia dhënë vëllezërve në një kongregacion aty pranë. Pas pak, dy vëllezër erdhën me ndihma dhe na çuan në një vend të sigurt.