Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

2002-2013 Zhvillimet e kohëve të fundit (Pjesa 1)

2002-2013 Zhvillimet e kohëve të fundit (Pjesa 1)

«O Jehova, faleminderit!»

Kur gjendja u stabilizua, vëllezërit dhe motrat u kthyen në shtëpitë e tyre të plaçkitura. Kongregacionet që ishin shpërndarë gjatë luftës rilindën, sidomos në pjesën lindore të Sierra-Leones, të shkatërruar nga lufta. Pionierët specialë nga një zonë raportuan: «Mbledhjen e parë e ndoqën 16 veta, në të dytën erdhën 36, në mbledhjen e tretë 56 dhe në Përkujtim ishin të pranishëm 77 persona! U kënaqëm jashtë mase!» U formuan nëntë kongregacione të reja, kështu u bënë gjithsej 24 kongregacione. Erdhën dhjetë misionarë të tjerë të Galaadit që i dhanë shtysë veprës së predikimit. Më 2004, në Përkujtim ishin të pranishëm 7.594 veta, pesë herë më shumë se numri i lajmëtarëve. Një rritje të ngjashme pati edhe në Guine.

Trupi Udhëheqës siguroi menjëherë fonde për të ndihmuar refugjatët e kthyer që të sistemoheshin. (Jak. 2:15, 16) Skuadrat me vullnetarë shkuan në disa vende dhe ndërtuan ose riparuan 12 Salla të Mbretërisë dhe një Sallë Asamblesh në Koindu. Veç kësaj ndërtuan 42 banesa modeste me qerpiç për familjet që u ishin shkatërruar shtëpitë. Duke qëndruar përbri shtëpisë së saj të re me çati llamarine, një motër e ve në të 70-at thirri me lot gëzimi: «O Jehova, faleminderit! O Jehova, faleminderit! Vëllezër, faleminderit!»

Zyra e degës nisi të ndërtonte Sallat e Mbretërisë me fondet nga programi për vendet me të ardhura të pakta. Saidu Xhuanai, plak dhe pionier në kongregacionin «Bou Perëndimi» tregon: «Një motër më tha: ‘Po dëgjova se do të kemi një Sallë të re të Mbretërisë, do të duartrokas me duar e me këmbë.’ Kur njoftova se do të bëheshim me sallë të re, motra brofi nga karrigia dhe nisi të përplaste duart e të kërcente—po ‘duartrokiste’ me duar e me këmbë.»

Më 2010, kongregacioni i Vaterlosë kushtoi një Sallë të re të Mbretërisë që mund të zgjerohet e të bëhet Sallë Asamblesh me 800 vende. Ditën kur kongregacioni bleu tokën, një klient tjetër i ofroi pronares një çmim më të lartë. Ajo tha: «Më mirë të ketë një qendër fetare në pronën time se sa të përdoret për tregti.»

Falë programit për vendet me të ardhura të pakta, janë ndërtuar 17 Salla të Mbretërisë në Sierra-Leone dhe 6 në Guine. Këto vende adhurimi modeste, por dinjitoze, kanë nxitur shumë të tjerë të ndjekin mbledhjet.

Gjenden delet e humbura të Jehovait

Kur vepra e predikimit po merrte vrull, zyra e degës organizoi një fushatë dy mujore për të predikuar në territoret e punuara rrallë. Lajmëtarët shpërndanë 15.000 libra dhe patën shumë përvoja të bukura. Disa pyetnin nëse do të kishte kongregacione në ndonjë nga qytetet e tyre. Si pasojë, me kohë u formuan dy kongregacione të reja. Në një fshat të thellë vëllezërit gjetën dy motra, që gjatë luftës ishin shpërngulur dhe kishin humbur lidhjet me organizatën. Vëllezërit organizuan menjëherë mbledhje të rregullta dhe nisën disa studime biblike në atë fshat.

Në vitin 2009, zyra e degës mori vesh se në një fshat të thellë në pyjet e Guinesë disa pohonin se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Kur dërgoi disa vëllezër për të parë si ishte puna, zyra mësoi se një vëlla i moshuar ishte kthyer në fshatin e lindjes pasi kishte dalë në pension. Kishte studiuar me disa burra para se të vdiste. Një prej tyre besoi te Jehovai dhe nisi të fliste me të tjerë për të vërtetat biblike. Mbante edhe mbledhje duke përdorur botimet e vëllait që kish vdekur. Ky grup kishte 20 vjet që adhuronte Jehovain kur takoi rastësisht një lajmëtar. Zyra dërgoi menjëherë vëllezër që t’i ndihmonte frymësisht. Në 2012-n, njëqind e shtatëdhjetë e dy veta në fshat ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.

Kohët e fundit janë gjetur gjithnjë e më shumë ‘dele të humbura’. Ndër ta janë persona që ishin larguar ose që ishin përjashtuar nga kongregacioni. Shumë nga këta plëngprishës lanë rrugën e keqe dhe u kthyen në të vërtetën. Populli i Jehovait i ka mirëpritur krahëhapur.Luka 15:11-24.

Myslimanë të sinqertë pranojnë të vërtetën

Kur fliste me të tjerët për lajmin e mirë, apostulli Pavël bëhej «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Kor. 9:22, 23) Po kështu, shërbëtorët e Jehovait në Sierra-Leone dhe Guine kanë përshtatur metodat për të tërhequr njerëz të ndryshëm. Për shembull, shikoni si arsyetojnë disa lajmëtarë me myslimanë mendjehapur, grupi më i madh fetar në të dyja këto vende.

Saidu Xhuanai, një ish-mysliman, shpjegon: «Myslimanët besojnë se Adami është krijuar nga pluhuri, por më parë ka jetuar në parajsë në qiell. Për t’i ndihmuar që të kuptojnë pikëpamjen e duhur, unë i pyes: ‘Nga vjen pluhuri?’

‘Nga toka’—thonë ata.

‘Pra ku duhet ta ketë krijuar Zoti Adamin?’—vazhdoj unë.

‘Në tokë’—përgjigjen ata.

Për të nxjerrë pikën kryesore lexoj Zanafillën 1:27, 28 dhe pyes: ‘A kanë fëmijë krijesat qiellore?’

‘Jo. Engjëjt nuk janë as meshkuj as femra’—thonë ata.

Dhe unë arsyetoj: ‘Kur Perëndia i tha Adamit dhe Evës të bënin fëmijë, ku duhet të kenë qenë?’

‘Në tokë’—përgjigjen.

‘Atëherë, kur Perëndia të risjellë parajsën, ku duhet të jetë kjo parajsë?’

‘Këtu në tokë’—thonë.»

Në fund Saiduja thotë: «Ky arsyetim nga Shkrimet shtyn shumë myslimanë të sinqertë të dëgjojnë më shumë e të pranojnë literaturë biblike.»

Shikoni rastin e Momohut, dyqanxhi mysliman që një ditë shpresonte të bëhej imam. Kur misionarët Dëshmitarë arsyetuan me të nga Shkrimet, Momohu u bë kureshtar. Ndoqi një pjesë të asamblesë qarkore dhe i pëlqeu ajo që dëgjoi. Katër ditë më vonë, bashkë me gruan, Ramatunë, dhe pesë fëmijët ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Pastaj Momohu nisi të studionte Biblën me zell. Pasi bëri disa herë studimin, vendosi të mos shiste më duhan. U tha klientëve se duhani dëmton shëndetin dhe nuk i pëlqen Perëndisë. Gjithashtu nisi të studionte me gruan dhe fëmijët në dyqan. Kur vinin klientë gjatë studimit familjar, u thoshte të uleshin e të pritnin, se studimi kishte shumë rëndësi për familjen e tij. Kur çifti celebroi martesën, familjarët i kundërshtuan ashpër. Pa u stepur, Momohu dhe Ramatuja u dëshmuan me guxim të afërmve që tani e respektojnë sjelljen e tyre të shkëlqyer. Momohu u pagëzua në 2008-n, kurse Ramatuja në 2011-n.

Përkrahin shenjtërinë e gjakut

Populli i Jehovait ka përkrahur me guxim normat morale të Perëndisë, përfshirë pikëpamjen e tij për gjakun. (Vep. 15:29) Ky qëndrim ka fituar respektin e gjithnjë e më shumë specialistëve të mjekësisë në Sierra-Leone dhe Guine.

Vëllezërit po ngushëllojnë një motër në spital

Më 1978, vëllezërit u shpërndanë broshurën Dëshmitarët e Jehovait dhe çështja e gjakut mjekëve, infermierëve, administruesve të spitalit, avokatëve dhe gjykatësve në gjithë Sierra-Leonen. Pak pas kësaj, një motër gati për të lindur pati hemorragji të brendshme, por mjekët nuk pranuan ta trajtonin pa gjak. Megjithatë, një mjek ra dakord ta ndihmonte falë materialit informativ dhe logjik që kishte lexuar te broshura Dëshmitarët e Jehovait dhe çështja e gjakut. Motra lindi një djalë të shëndetshëm dhe e mori veten plotësisht.

Rreth vitit 1991, dr. Bashiru Koroma, kirurg në spitalin e Kenemës, lexoi broshurën Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën? I bëri aq shumë përshtypje, sa filloi një studim biblik dhe nisi të ndiqte mbledhjet. Kur një Dëshmitari nëntëvjeçar iu dëmtua shpretka në një aksident, mjekët e djaloshit nuk pranuan ta operonin pa gjak dhe u thanë prindërve: «Merreni në shtëpi që të vdesë.» Prindërit iu drejtuan dr. Koromës, i cili e kreu me sukses operacionin.

Dr. Koroma shpejt u bë vëlla Koroma—mbrojtës i flaktë i mjekësisë pa gjak. Mjekë të tjerë e dënonin për këtë qëndrim, por pacientët e tij dilnin vazhdimisht mirë. Më vonë, disa nga kolegët kërkuan ndihmën e tij në ndërhyrjet e vështira kirurgjikale.

Që nga 1994-a, Zyra e Informacioneve Shëndetësore në degën e Fritaunit ka formuar Komitetin e Lidhjes me Spitalet në Sierra-Leone dhe Guine. Këto komitete kanë mbështetur me dashuri Dëshmitarët me probleme shëndetësore dhe kanë bindur dhjetëra specialistë të mjekësisë të bashkëpunojnë me ne për çështjen e gjakut.