Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1915-1947 Fillimet (Pjesa 2)

1915-1947 Fillimet (Pjesa 2)

Mposhten gladiatorët

Kur klerikët e Fritaunit panë se delet e tyre po kënaqeshin me fjalimet e vëlla Braunit, u mbushën me xhelozi dhe zemërim. Në Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 1923, thuhej: «Klerikët kanë marrë kërbaçin në dorë e po sulmojnë të vërtetën përmes shtypit. Vëlla Brauni ka reaguar herë pas here dhe gazetat kanë publikuar fjalët e të dyja palëve.» Më në fund, klerikëve iu qep goja. Arsyetimet e tyre të rreme ishin demaskuar haptazi. Të vërtetat biblike u përhapën anekënd dhe nxitën shumë lexues të gazetave të kërkonin literaturë biblike. Klerikët kishin kurdisur plane për t’ia mbyllur gojën popullit të Perëndisë, por Jehovai ‘ua ktheu të këqijat që kishin bërë’.Psal. 94:21-23.

Një grup të rinjsh të kishës, të njohur si gladiatorët, u ngritën në mbrojtje të klerikëve dhe njoftuan disa mbledhje publike për të hedhur poshtë «rasëllizmin», siç e quanin ata mesazhin e Mbretërisë. Në përgjigje të kësaj, vëlla Brauni i sfidoi publikisht duke i ftuar në disa debate. Gladiatorët e refuzuan kërkesën e tij dhe kritikuan botuesin e gazetës që publikoi sfidën e vëlla Braunit. Gjithashtu e penguan vëlla Braunin të merrte pjesë në mbledhjet e tyre, prandaj në vend të tij shkoi Alfred Xhozefi.

Mbledhjet u mbajtën në Kishën Përkujtimore Bakstën, një kishë prestigjoze metodiste në Fritaun. Alfredi kujton: «Gjatë pjesës me pyetje-përgjigje vura në pikëpyetje kredot anglikane, doktrinën e trinitetit dhe mësime të tjera jobiblike. Arriti një pikë që drejtuesi nuk pranoi më pyetje.»

Një nga gladiatorët e pranishëm atë natë ishte Melbërn Garbëri, që më parë kishte dëgjuar fjalimet e Braunit «të Biblës». Në fakt, ai ishte studenti i kishës që kishte thënë: «Zoti Braun e njeh Biblën e tij.» Pasi peshoi me kujdes gjithë ç’kishte dëgjuar, Garbëri u bind se kish gjetur të vërtetën. Si pasojë i kërkoi vëlla Braunit të studionte Biblën me të. Ai e ftoi të ndiqte Studimin e përjavshëm të Kullës së Rojës që mbahej në shtëpinë e tij. Edhe pse familja e bëri hasha, Garbëri përparoi shpejt dhe, pa kaluar shumë, u pagëzua bashkë me disa të tjerë.

Përpjekjet e Satanait për ta ndalur veprën e predikimit në fillimet e saj, dështuan. Doli siç u kishte thënë kryetari i bashkisë së Fritaunit gladiatorëve: «Nëse kjo vepër është e njerëzve, do të marrë fund. Por nëse është nga Perëndia, ju nuk do ta ndaloni dot.»Vep. 5:38, 39.

Feja e Braunëve

Në fillim të majit më 1923, vëlla Brauni i dërgoi telegram zyrës së degës në Londër për më shumë literaturë. Shpejt sollën 5.000 libra e më vonë edhe më shumë botime. Gjithashtu, ai vazhdoi të mbante mbledhje publike, dhe kjo tërhoqi mijëra të interesuar.

Më vonë, po atë vit, Kulla e Rojës raportonte: «Vepra [në Sierra-Leone] është rritur kaq shpejt sa vëlla Brauni kërkoi një ndihmës; ndaj Klod Brauni, nga Vinipegu, por me origjinë nga Inditë Perëndimore, tani është nisur për në Sierra-Leone.»

Klod Brauni ishte një predikues i rrahur me vaj e me uthull. Gjatë Luftës I Botërore, kishte duruar trajtime mizore nëpër burgjet e Kanadasë dhe të Anglisë për shkak të asnjanësisë së krishterë. Shërbeu katër vjet në Sierra-Leone dhe i forcoi jashtëzakonisht vëllezërit e motrat atje.

Polina Kouli kujton: «Para se të pagëzohesha, në vitin 1925, vëlla Klodi më pyeti me kujdes:

—Motër Koul, a e ke kuptuar atë që ke mësuar nga Studime mbi Shkrimet? Nuk duam të largohesh nga e vërteta vetëm ngaqë s’ke kuptuar mësimet e Biblës.

—Vëlla Klodi, e kam lexuar e rilexuar atë që kam mësuar. E kam ndarë mendjen!—i thashë.»

Polina Kouli

Polina i shërbeu Jehovait për më se 60 vjet, pjesën më të madhe si pioniere speciale. Përfundoi jetën e saj në tokë më 1988.

Veç të tjerash, Uilliam Brauni «i Biblës» dëshironte t’i ndihmonte të tjerët që të zhvillonin zakone të mira frymore. Alfred Xhozefi tregon: «Kur takoja vëlla Braunin në mëngjes, zakonisht thoshte: ‘Mirëmëngjes vëlla Xho. Si je? Cili është shkrimi i ditës sot?’ Po të mos e dija, ai më theksonte sa e domosdoshme ishte të lexonim shkrimin e çdo dite nga broshura Mana e përditshme. [Tani quhet Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë.] Të nesërmen në mëngjes e lexoja shkrimin sa hapja sytë, që të mos më kapte mat. Në fillim nuk e çmoja shumë stërvitjen e pashoqe që po më jepej, por më vonë po.»

E gjithë kjo stërvitje solli rezultate të mira. Gjatë vitit 1923 u formua një kongregacion në Fritaun dhe u pagëzuan 14 persona. Një nga vëllezërit e rinj ishte Xhorxh Brauni, i cili e çoi në tre numrin e familjeve «Braun» në kongregacion. Aktiviteti i zellshëm i këtyre tri familjeve bëri që shumë banorë të Fritaunit t’i etiketonin Studentët e Biblës si feja «e Braunëve».