Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1915-1947 Fillimet (Pjesa 3)

1915-1947 Fillimet (Pjesa 3)

Nëpër provinca e përtej

Plot zjarr për të vërtetën, kongregacioni i Fritaunit «ishte tërësisht i zënë me predikimin e fjalës». (Vep. 18:5) Alfred Xhozefi tregon: «Shpesh lidhja një kuti kartoni me libra biblikë te motoçikleta ime e madhe. Pastaj, me vëlla Tomas ose Silvester Grentin në sediljen e pasme, shkonim nëpër zonat rurale dhe qytezat përreth Fritaunit për të mbuluar territorin.»

Deri në vitin 1927, lajmëtarët predikuan kryesisht brenda Fritaunit dhe rrethinat e tij, në një zonë që quhej Kolonia. Por duke filluar nga 1928-a, çdo vit para se të nisnin shirat, kongregacioni prenotonte një autobus dhe udhëtonte drejt provincave. Ata që nuk shkonin dot kontribuonin për rrugën. Melbërn Garbëri merrte drejtimin. Grupet predikuan në lindje deri në Kailahun dhe në jug deri pranë kufirit me Liberinë, duke mbuluar qyteza e fshatra. Të dielën e parë të çdo muaji ktheheshin për të kultivuar interesin e gjetur.

Rreth asaj kohe, vëlla Brauni vizitoi Inditë Perëndimore dhe u kthye me një makinë, një nga të parat që hyri në Sierra-Leone. Makina ishte e pajisur me një sistem të fuqishëm akustik, enkas për dëshminë publike. Vëlla Brauni e parkonte në një zonë publike dhe vinte pak muzikë të bukur për të tërhequr njerëzit. Pastaj, mbante një fjalim të shkurtër ose vinte një fjalim të regjistruar dhe ftonte turmën të merrnin literaturë biblike. «Makina që flet» ishte fenomen dhe njerëzit turreshin ta dëgjonin.

Japin dëshmi me guxim

Më pas, vëlla Brauni e drejtoi vëmendjen te territoret e paprekura, te vendet e tjera anglishtfolëse të Afrikës Perëndimore. Në fund të viteve 20, nisi një seri udhëtimesh predikimi në Gambie, Ganë, Liberi dhe Nigeri. Vëlla Brauni gjeti shumë të interesuar në çdo shtet, por Nigeria dukej veçanërisht e frytshme. Më 1930, u transferua bashkë me familjen nga Fritauni në Lagos. Nga atje, vazhdoi të mbikëqyrte veprën e Mbretërisë në Afrikën Perëndimore.

Tani, më shumë se 500.000 Dëshmitarë i shërbejnë Jehovait në Afrikën Perëndimore

Në vitin 1950, shëndeti i dobët e detyroi vëlla Braunin të rikthehej në Xhamajkë, por po linte pas një trashëgimi të mrekullueshme. Për 27 vjet, ai bashkë me gruan panë popullin e Jehovait të rritej nga 2 në më shumë se 11.000 Dëshmitarë. Panë me sytë e tyre plotësimin e profecisë së Isaisë: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm.» (Isa. 60:22) Sot, mbi 60 vjet më vonë, «një komb i fuqishëm» prej më shumë se 500.000 Dëshmitarësh i shërbejnë Jehovait në Afrikën Perëndimore.

Të palëkundur nën ndalim

Kur Lufta II Botërore shtriu hijen e saj vrastare në Afrikë, populli i Jehovait në Sierra-Leone qëndroi asnjanës. (Mik. 4:3; Gjoni 18:36) Në mënyrë të rreme, autoritetet britanike i quajtën Dëshmitarët subversivë, pra njerëz që duan të rrëzojnë pushtetin, ndaj ua kontrollonin aktivitetin dhe ua ndaluan literaturën. Zyrtarët e doganës ndalën një ngarkesë me literaturë dhe e dogjën. Disa vëllezër i arrestuan sepse mbanin literaturë të ndaluar, por shpejt i liruan. *

Ndonëse nën ndalim, Dëshmitarët vazhduan predikimin. Polina Kouli shpjegonte: «Një vëlla që punonte në anije na vizitonte rregullisht e na siguronte disa kopje të Kullës së Rojës. Ne shtypnim në makinë shkrimi kopje të tjera të këtyre revistave për mbledhjet. Shtypnim edhe fletëpalosje me tema biblike dhe i shpërndanim. Vëllezërit mbanin fjalime publike dhe vinin fjalimet e regjistruara të vëlla Radhërfordit që ishin transmetuar më parë në radio, sidomos në fshatra të thella.»

Është e qartë se Jehovai i bekoi ato përpjekje. Xhejms Xherëti, plak dhe pionier special prej shumë kohësh, kujton: «Gjatë luftës, punoja si gurgdhendës dhe një motër e moshuar më dha broshurën Refugjatët. Meqë në Fritaun vinin shumë refugjatë, ai titull më bëri kurioz. E lexova që atë natë broshurën dhe e kuptova menjëherë se kjo ishte e vërteta. Të nesërmen në mëngjes, e gjeta motrën dhe i mora kopje të tjera për tre vëllezërit e mi. Të katër ne e pranuam të vërtetën.»

Kur lufta mbaroi, më 1945, kongregacioni i Fritaunit kishte 32 lajmëtarë. Ata kishin mbajtur integritetin dhe kishin mbetur aktivë frymësisht. Ishin gati dhe të zellshëm për të vazhduar para.

Fushata për Mbledhjen Publike

Më 29 gusht 1945, në Mbledhjen javore të Shërbimit, kongregacioni i Fritaunit diskutoi për një fushatë të re që u lajmërua në Njoftuesin e dhjetorit 1944 (tani Shërbimi ynë i Mbretërisë). Çdo kongregacion duhej të lajmëronte dhe të mbante katër mbledhje publike në «çdo qytet, qytezë dhe fshat» të territorit. Në secilën mbledhje do të mbahej një fjalim njëorësh nga një vëlla (18 vjeç e sipër) që ishte student i mirë i Shkollës së Shërbimit Teokratik. Pas të katërta mbledhjeve, vëllezërit do të organizonin grupe për studimin e Biblës që të ndihmonin të interesuarit në çdo zonë.

Si iu përgjigjën lajmëtarët këtij drejtimi të ri? Në shënimet e dokumentuara nga Mbledhja e Shërbimit në kongregacionin e Fritaunit tregohen komentet e mëposhtme:

Drejtuesi: «Si mendoni, si do t’ia bëjmë me këtë fushatë të re?»

Vëllai i parë: «S’mund të presim të njëjtin rezultat si në Amerikë. Njerëzit këtu janë ndryshe.»

Vëllai i dytë: «Jam dakord.»

Vëllai i tretë: «Po ta provojmë njëherë!»

Vëllai i katërt: «Do të jetë e vështirë ama.»

Vëllai i pestë: «Prapëseprapë, duhet të ndjekim drejtimin që vjen nga organizata e Jehovait.»

Vëllai i gjashtë: «S’ma ha mendja se do të ketë sukses këtu te ne.»

Motra e parë: «Gjithsesi, drejtimi nga Njoftuesi është i qartë. Hajde ta provojmë!»

Kështu bënë. Nga bregdeti i Fritaunit deri në Bou në juglindje dhe deri në Kabalë në rrafshnaltën veriore, vëllezërit mbajtën mbledhje nëpër klasa shkollash, tregje dhe shtëpi private. Kjo fushatë i përtëriu zellin kongregacionit dhe «fjala e Jehovait shtrihej e përhapej».Vep. 12:24.

Gjithsesi, lajmëtarët kishin nevojë për stërvitje teokratike. Tamam këtë u siguroi Jehovai.

^ par. 10 Ndalimi u hoq më 1948.