Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 4)

1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 4)

Luftojnë analfabetizmin

Në fillim të vitit 1963, gjatë vizitës së dytë në Sierra-Leone, Milton Hensheli i kushtoi vëmendje një problemi që dega kishte kohë që provonte ta zgjidhte. I nxiti vëllezërit të shtonin përpjekjet kundër analfabetizmit.

Disa kongregacione po i zhvillonin në anglisht kurset për të mësuar shkrim e lexim. Por, pas vizitës së vëlla Henshelit, vëllezërit nisën t’u mësonin në gjuhën amtare të shkruanin e të lexonin. Disa kongregacione i mbanin kurset në dy ose tri gjuhë. Ato ishin kaq të suksesshme sa një e treta e lajmëtarëve në gjithë vendin u regjistrua në to.

Më 1966, vëllezërit në Liberi bënë një abetare me figura në gjuhën kisi. Kur ia treguan qeveritarëve liberianë, atyre u bëri aq përshtypje sa vendosën ta shtypnin broshurën dhe ta shpërndanin falas. Abetarja u shpërnda në Guine, Liberi e Sierra-Leone dhe ndihmoi qindra kisi të mësonin shkrim e lexim. Më vonë u përkthye ose u përshtat edhe për grupe të tjera gjuhësore, duke ndihmuar kështu edhe shumë të tjerë.

Sia mbante shënim shërbimin duke përdorur shirita të kuq e të zinj

Këto kurse nuk i ndihmonin njerëzit vetëm të mësonin shkrim e lexim, por edhe të përparonin frymësisht. Për shembull, Sia Ngala, lajmëtare e papagëzuar 50-vjeçare ishte analfabete. Ajo mbante shënim shërbimin duke përdorur shirita të kuq e të zinj. Pas një ore në predikim, lidhte një nyje në shiritin e zi. Kur bënte një rivizitë, lidhte një nyje në shiritin e kuq. Sia ndoqi kursin për shkrim e lexim që e ndihmoi t’i mbante më mirë shënimet për shërbimin. Gjithashtu përparoi e u pagëzua dhe u bë predikuese e mësuese më e zonja.

Ende sot, shumë kongregacione në Sierra-Leone dhe Guine organizojnë kurse për të mësuar shkrim e lexim. Një zyrtar i lartë i qeverisë në Sierra-Leone u tha vëllezërve në zyrën e degës: «Përveç veprës së arsimimit biblik, ju po bëni një punë të lavdërueshme duke i ndihmuar njerëzit në shoqërinë tonë të mësojnë shkrim e lexim.»

«Gurët» thërrasin

Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz nga grupe të ndryshme etnike mësonin të lexonin, u shtua nevoja për përkthim. Shumica e anëtarëve të fiseve kishin pak ose aspak literaturë në gjuhën e tyre. Të arsimuarit në Sierra-Leone lexonin anglisht, kurse ata në Guine, frëngjisht. Ç’mund të bëhej për të siguruar literaturë biblike në gjuhët e tyre amtare?

Më 1959, dy të diplomuar në Galaad përkthyen në gjuhën mende një fletushkë dhe një broshurë, por vetëm pak kopje u shpërndanë. Dhjetë vjet më vonë, u përkthyen në gjuhën kisi broshurat «Ky lajm i mirë për Mbretërinë» dhe Jeta me shpresën për botën e re të drejtë. Rreth 30.000 kopje të këtyre broshurave u shpërndanë dhe u përdorën për të drejtuar studime biblike.

Në vitin 1975, zyra e degës nisi të botonte në gjuhën kisi artikuj studimi të Kullës së Rojës. Lajmëtarët kisi ishin shumë të entuziazmuar. Një vëlla shkroi: «Jehovai ka bërë mrekulli për ne. Askush prej nesh s’ka shkuar ndonjëherë në shkollë. Ishim si gurë, të paaftë për të folur. Tamam ashtu ishim, por tani që kemi Kullën e Rojës në kisi mund të flasim për veprat e mëdha të Jehovait.» (Luka 19:40) Edhe disa botime të tjera janë përkthyer në kisi.

Sot, shumica e njerëzve në Sierra-Leone dhe Guine i lexojnë ende botimet tona në anglisht ose frëngjisht, gjuhë në të cilat mbahen mbledhjet e kongregacionit. Por kohët e fundit është rritur shumë numri i botimeve që përkthehen në gjuhët vendëse. Tani ka literaturë biblike në guarzi, kisi, krio, maninkakane, mende, pulare dhe në susu. Broshurat Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë dhe Dëgjoje Perëndinë janë në dispozicion në të gjitha këto gjuhë. Këto mjete mësimore që përdoren lehtë po ndihmojnë shumë njerëz që s’dinë të lexojnë mirë, të kuptojnë e të çmojnë mesazhin e pashoq të Biblës.

Ndërtohet një zyrë dege

Në fillim të viteve 60, vëllezërit në Fritaun kishin kërkuar tokë për të ndërtuar një zyrë të re dege. Më në fund, më 1965, blenë një pronë në Rrugën Uilkinson me pamje nga oqeani në një nga zonat e banimit më të mira në qytet.

Projekti përfundimtar ishte një ndërtesë e bukur që përfshinte një Sallë të Mbretërisë, një shtëpi misionare dhe zyra. Gjatë ndërtimit, shpesh trafiku përgjatë Rrugës Uilkinson gati-gati bllokohej sepse shoferët dhe pasagjerët donin të shihnin çfarë po bëhej atje. Ndërtesa u kushtua më 19 gusht 1967. Afro 300 veta ndoqën programin, ndër ta funksionarë vendës dhe disa Dëshmitarë prej kohësh në të vërtetën të pagëzuar nga Brauni «i Biblës» në vitin 1923.

Zyra e degës dhe shtëpia misionare në Fritaun (1965-1997)

Ndërtesa e re e degës ua shtoi respektin për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait shumë njerëzve. Ajo gjithashtu u dha një përgjigje të fortë disa kritikëve fetarë që thoshin se Dëshmitarët nuk do ta kishin të gjatë në Sierra-Leone. Ndërtesa e re tregonte qartë se Dëshmitarët e Jehovait do të qëndronin atje për shumë kohë akoma.

Misionarët e zellshëm përshpejtojnë rritjen

Një grup lajmëtarësh në shërbim po kalojnë në fushat e orizit plot llucë

Nga mesi i viteve 70 e më tej, një vërshim i vazhdueshëm misionarësh të stërvitur në Galaad i dhanë shtysë veprës në Sierra-Leone dhe Guine. Disa kishin shërbyer në shtete të tjera të Afrikës ndaj u përshtatën shpejt me kushtet e vendit. Për disa të tjerë, kjo ishte hera e parë në Afrikë. Si do t’ia bënin në «varrin e të bardhëve»? Ja çfarë kanë thënë disa:

«Njerëzit ishin të përulur dhe të uritur frymësisht. Kënaqësha shumë kur shihja si ua përmirësonte jetën e vërteta.»Hanelora Altmajëri.

«E kisha shumë të vështirë me klimën dhe sëmundjet tropikale. Por gëzimi që ndieja tek ndihmoja njerëzit me zemër të sinqertë t’i shërbenin Jehovait s’kishte të krahasuar.»Sherila Fergusoni.

«Kam mësuar të kultivoj durimin. Kur pyeta një motër se kur do t’i vinin mysafirët, m’u përgjigj: ‘Ndoshta sot, ndoshta nesër, ose ndoshta pasnesër.’ Duhet të jem dukur shumë e tronditur sepse vazhdoi: ‘Por është e sigurt që do të vijnë!’»Kristina Xhonsi.

«Në shtëpinë misionare të Fritaunit ishim katërmbëdhjetë misionarë me prejardhje të ndryshme etnike e kulturore. Kishim vetëm dy banja, një dush, një lavatriçe dhe një kuzhinë. Kishte pak ushqime dhe nuk ishin cilësore. Dritat iknin orar pa orar, ndonjëherë për ditë të tëra. Shumë prej nesh i zuri malaria dhe sëmundje të tjera tropikale. Edhe pse mund të dukej sikur nuk do t’ia dilnim mbanë, mësuam të jetonim së bashku, të falnim dhe t’i kalonim me humor situatat e vështira. Predikimi ishte burim gëzimi dhe misionarët farkëtuan lidhje të forta miqësie.»Robert dhe Polina Lendisi.

Polina Lendisi po drejton një studim biblik

«Vitet që kemi kaluar në Sierra-Leone ishin ndër më të bukurat në jetën tonë. Nuk jemi bërë pishman për asgjë dhe nuk kemi ankesa. Thjesht na ka marrë shumë malli.»Benxhamin dhe Monika Martini.

«Njëherë ndenjëm te shtëpia e një gruaje të interesuar, e cila na ofroi një ushqim paksa të çuditshëm në pamje. ‘Është nepërkë—tha ajo.—Ia kam hequr dhëmbët helmues. Doni pak?’ Me takt, nuk pranuam, por ajo këmbëngulte. Sado frikësuese që ishin ato përvoja, e çmonim mikpritjen e ngrohtë që na ofronin dhe na u shtua shumë dashuria për ta.»Frederik dhe Barbara Morisi.

«Gjatë 43 vjetëve në shërbimin si misionare, kam jetuar me më se 100 misionarë. Ka qenë privilegj të njoh kaq shumë njerëz, të gjithë me personalitete të ndryshme, por që punojnë për të njëjtin qëllim. Sa gëzim është të jesh bashkëpunëtor i Perëndisë e të ndihmosh njerëzit të përqafojnë të vërtetën!»Lineta Pitërsi.

«Sa gëzim është të jesh bashkëpunëtor i Perëndisë e të ndihmosh njerëzit të përqafojnë të vërtetën!»

Që nga 1947-a, në Sierra-Leone kanë shërbyer 154 misionarë dhe në Guine 88. Shumë Dëshmitarë të tjerë kanë ardhur për të shërbyer këtu ku ka më shumë nevojë. Sot ka 44 misionarë në Sierra-Leone dhe 31 në Guine. Përpjekjet e palodhura dhe përkushtimi i tyre altruist kanë prekur zemrat e shumë e shumë vetave. Alfred Gani, anëtar i Komitetit të Degës prej shumë kohësh, thotë: «I kujtojmë ata me shumë dashuri.»