Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

2002-2013 Zhvillimet e kohëve të fundit (Pjesa 2)

2002-2013 Zhvillimet e kohëve të fundit (Pjesa 2)

Ndihmojnë ata që nuk dëgjojnë

Sipas një llogaritjeje, në Sierra-Leone ka rreth 3.000 deri në 5.000 njerëz që nuk dëgjojnë, kurse në Guine ka me qindra. Meqë ‘vullneti i Jehovait është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë’, atëherë si do ta mësojnë lajmin e mirë ata që nuk dëgjojnë?1 Tim. 2:4.

Mishel Uashingtoni, një misionare e stërvitur në Galaad që shkoi në Sierra-Leone më 1998, tregon: «Unë dhe im shoq, Kevini, u caktuam në një kongregacion ku ndiqnin mbledhjet katër veta që nuk dëgjojnë. Meqë dija gjuhën amerikane të shenjave, doja t’i ndihmoja. Zyra e degës më ftoi të përktheja në gjuhën e shenjave mbledhjet e asambletë dhe njoftoi kongregacionet aty pranë për këtë masë. Zyra organizoi edhe kurse për të mësuar gjuhën e shenjave ku mund të merrnin pjesë lajmëtarët që dëshironin të ndihmonin ata që nuk dëgjojnë. Nisëm të kërkonim ata që nuk dëgjojnë dhe të studionim Biblën me ta. Kur shihnin përpjekjet tona për t’i ndihmuar, shumë na lavdëronin. Por, jo të gjithë ishin të kënaqur me veprën tonë. Pastori i një kishe ku shkonin ata që nuk dëgjojnë na quajti «profetë të rremë» dhe i paralajmëroi ata dhe familjet e tyre të na qëndronin larg. Disave u thanë që nëse shoqëroheshin me ne, kisha nuk do t’u siguronte më ndihmë financiare. Shpejt, komuniteti i atyre që nuk dëgjojnë u nda në dy grupe: ata që nuk na kishin takuar dhe përkrahnin pastorin, dhe ata që na kishin takuar dhe s’e mbështetnin pastorin. Disa nga këta të fundit morën anën e së vërtetës, përparuan dhe u pagëzuan.»

Një prej tyre është Femi, i cili nuk dëgjon që nga lindja. Ai dinte vetëm pak shenja, ishte dyshues ndaj kujtdo, sidomos ndaj atyre që dëgjojnë, ishte i trishtuar dhe ndihej sikur askush nuk e donte. Pastaj nisi të studionte Biblën me vëllezërit nga grupi i gjuhës së shenjave. Pa kaluar shumë, filloi të ndiqte rregullisht mbledhjet dhe të mësonte mirë gjuhën e shenjave. Femi përparoi, u pagëzua dhe tani me kënaqësi u mëson të vërtetën të tjerëve që nuk dëgjojnë.

Femi, (në të djathtë) duke kënduar një këngë të Mbretërisë

Në korrik të 2010-s, grupi i gjuhës amerikane të shenjave në Fritaun u bë kongregacion. Ka grupe të gjuhës së shenjave edhe në Bou e Konakri.

Të varfër, por «të pasur në besim»

Bibla tregon se shumica e të krishterëve në shekullin e parë ishin të varfër nga ana ekonomike. Dishepulli Jakov shkroi: «A nuk i zgjodhi Perëndia ata që janë të varfër për sa i përket botës, që të jenë të pasur në besim?» (Jak. 2:5) Besimi te Jehovai u ka sjellë ngushëllim e shpresë lajmëtarëve në Sierra-Leone dhe Guine.

Besimi nxit shumë familje të varfra Dëshmitarësh nga zona të thella, të kursejnë pará për muaj të tërë që të ndjekin kongreset. Disa merren me bujqësi që të sigurojnë paratë për udhëtimin. Grupe me nga 20 deri 30 delegatë ngjeshen në kamionë të vegjël e udhëtojnë për 20 orë a më shumë në vapë, nëpër rrugët tërë pluhur dhe gropa. Delegatë të tjerë përshkojnë rrugë të gjata në këmbë. Një vëlla thotë: «Tetëdhjetë kilometrat e parë për në kongres ecëm, ndërsa mbanim ngarkesa të mëdha me banane. Rrugës shitëm bananet, kështu u lehtësuam nga pesha dhe siguruam paratë që të udhëtonim me kamion pjesën tjetër të rrugës.»

Udhëtojnë me kamion për në kongresin krahinor

Veç kësaj, besimi i ka ndihmuar shumë lajmëtarë t’i rezistonin tundimit për të shkuar në vendet më të pasura. Emanuel Pejtëni, i cili ka ndjekur Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë, thotë: «Besojmë se Jehovai do të kujdeset për nevojat tona. Jetojmë në një vend ku ka shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, prandaj e kuptojmë se shërbimi ynë këtu vlen jashtë mase.» (Mat. 6:33) Tani Emanueli shërben si plak kongregacioni dhe bashkë me gruan, Eunikën, punojnë pa u lodhur për të çuar para interesat e Mbretërisë. Kryefamiljarë të tjerë zgjedhin të mos transferohen, që të mbrojnë unitetin dhe gjendjen frymore të familjes. Timothi Niuma, që ka shërbyer si pionier special dhe zëvendësmbikëqyrës qarkor, tregon: «Nuk pranova punë që do të më largonin nga familja për periudha të gjata. Bashkë me gruan, Florencën, i kemi shkolluar fëmijët këtu, në vend që t’i dërgonim diku larg e t’i rritnin të tjerët.»

Disa vëllezër e motra tregojnë besim duke ngulmuar në aktivitete të krishtere pavarësisht vështirësive. Kevin Uashingtoni, i përmendur më sipër, vëren: «Shumë lajmëtarë predikojnë rregullisht dhe kujdesen për përgjegjësitë në kongregacion, ndonëse hasin probleme për shkak të të cilave mund të rrinë në shtëpi e të acarohen. Për shembull, disa vuajnë nga sëmundje kronike e nuk kanë mundësi të marrin kujdesin shëndetësor dhe ilaçet që në vende të tjera gjenden kollaj. Të tjerë përpiqen shumë të mësojnë shkrim e lexim. Nëse ndonjëherë më vjen të kritikoj mënyrën si i kryen caktimet një vëlla, pyes veten: ‘A do t’i kisha bërë edhe unë kaq mirë caktimet po të punoja në kohë të plotë, të kisha probleme me shëndetin, shikim të dobët pa mundësinë për të pasur syze, pak botime teokratike dhe po të mos kisha drita?’»

Në këto dhe në shumë mënyra të tjera, vëllezërit e motrat në Sierra-Leone dhe Guine i sjellin lavdi Jehovait. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ata e rekomandojnë veten si shërbëtorë të Perëndisë ‘përmes qëndrueshmërisë në shumë gjëra: përmes shtrëngimeve, përmes rasteve në nevojë, . . . si të varfër, por duke bërë të pasur shumë të tjerë, sikur nuk kanë asgjë e megjithatë duke zotëruar gjithçka’.2 Kor. 6:4, 10.

Presin të ardhmen me besim

Më shumë se 90 vjet më parë, Alfred Xhozefi dhe Leonard Blekmani raportuan se fushat në Sierra-Leone ishin «të bardha për korrje». (Gjoni 4:35) Afro 35 vjet më vonë, Manuel Diogo shkroi nga Guineja këto fjalë: «Këtu ka interes të jashtëzakonshëm.» Sot, shërbëtorët e Jehovait në të dyja këto shtete janë të bindur se edhe mjaft të tjerë akoma do t’i përgjigjen lajmit të mirë.

Në vitin 2012, në Guine ndoqën Përkujtimin 3.479 veta, mbi katër herë e gjysmë më shumë se numri i lajmëtarëve në vend. Në Sierra-Leone, 2.030 lajmëtarët mirëpritën 7.854 veta në Përkujtim, afro katër herë më shumë se numri i lajmëtarëve. Në Përkujtim ishte e pranishme edhe një pioniere speciale 93-vjeçare dhe prej shumë vitesh në të vërtetën, Uinifreda Remi. Ajo dhe burri i saj, Liçfildi, mbërritën në Sierra-Leone më 1963. Pas 60 vjetësh në shërbimin e plotkohor, ajo vazhdonte ende si pioniere speciale. Uinifreda tha: «Kujt ia priste mendja që Sierra-Leone do të ishte kaq e pasur me vëllezër e motra të fortë frymësisht. Edhe pse jam e moshuar, dua të marr pjesë edhe unë në këtë rritje të gëzueshme.» *

Dëshmitarët e Jehovait në Sierra-Leone dhe Guine bashkohen me gjithë zemër me ndjenjat e Uinifredës. Ashtu si pemët madhështore dhe të ujitura mirë, ata janë të vendosur të vazhdojnë të japin fryt në lavdi të Jehovait. (Psal. 1:3) Me forcën nga Jehovai do të vazhdojnë të shpallin shpresën e vërtetë të njerëzimit për liri—«lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».Rom. 8:21.

Komiteti i Degës, nga e majta në të djathtë: Kolin Atiku, Alfred Gani, Tamba Josia dhe Delrai Uilliamsoni

^ par. 16 Uinifreda Remi vdiq ndërsa po përgatitej ky artikull.