Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN

Oqeania

Oqeania
  • VENDE 29

  • POPULLSIA 39,508,267

  • LAJMËTARË 96,088

  • STUDIME BIBLIKE 63,333

«Tani kuptoj»

Freda, e cila nuk dëgjon, u gëzua pa masë kur mori vesh se ajo dhe motra që i bën studimin do të shkonin në kongregacionin e parë të gjuhës së shenjave në Papua Guinenë e Re. Kongregacioni u formua më 1 mars 2013. Freda pa se kuptonte shumë më tepër gjatë mbledhjes kur i linte botimet mënjanë dhe e përqendronte gjithë vëmendjen te shenjat dhe te mjetet ndihmëse pamore në podium. Për habinë e saj, kapërceu ndrojtjen dhe nisi të komentonte disa herë gjatë mbledhjeve. Në prill të 2013-s, u kualifikua si lajmëtare e papagëzuar dhe tani ka shumë rezultate të mira ndërsa ndihmon të tjerë që nuk dëgjojnë, të ndjekin mbledhjet. Kur e pyetën pse shpesh derdh lot gjatë mbledhjeve, u përgjigj: «Sepse tani kuptoj.»

Hipi në makinën e gabuar

Australi, teksa po shkonte të bashkohej me grupin e shërbimit, Barbara parkoi makinën pranë trotuarit që të kontrollonte nëse e kishte marrë bllokun ku shënonte rivizitat. Papritur një grua hapi derën e makinës dhe u fut brenda.

«Më falni,—tha Barbara,—më duket se keni hipur në makinën e gabuar.»

Gruaja ia ktheu: «Më vjen keq. Mendova se ishit ajo që do të më shoqëronte me makinë.» Kur pa revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, tha: «Vite më parë i merrja këto revista nga dy zonja që më mësonin për Biblën.» Barbara ia dha me kënaqësi revistat gruas dhe më vonë filloi një studim biblik me të.

«Letra nga Perëndia»

Zelanda e Re: Përmes letrave të saj, Violeta ua tregon të vërtetën shumë vetave

Violeta është një motër 82-vjeçare në Krajstçërç, Zelanda e Re, që ka probleme me shëndetin. Rregullisht dërgon letra dhe literaturë biblike në azilet që ndodhen në zonën e saj. Infermierët që shpërndajnë letrat thanë se të moshuarit i presin me padurim ato që i quajnë «letra nga Perëndia». Disa i lexojnë e pastaj i shkëmbejnë me njëri-tjetrin ose ua lexojnë me zë atyre që kanë shikim të dobët. Gjithashtu, infermierët thanë se të moshuarit që i lexojnë letrat dhe literaturën janë më të qetë, më pozitivë dhe më paqësorë se të tjerët. Duke folur për përpjekjet e saj për të dëshmuar, Violeta thotë: «E ndiej se Jehovai po më përdor ende për të ndihmuar të tjerët. Kur e shpall të vërtetën në këtë mënyrë, bëhem vërtet me krahë.»

Ajo lexoi për trëndafilat

«E kam lexuar tashmë.» Kjo përgjigje e befasoi Bernën një të shtunë në mëngjes kur po ofronte numrin më të fundit të Kullës së Rojës në ishullin e Sajpanit. Vriste mendjen si e kishte lexuar tashmë revistën Bernadeta, një studente në universitet që e gjeti në shtëpi. Berna futi dorën në çantë dhe mori një revistë tjetër. «Edhe këtë e kam lexuar»,—tha Bernadeta. E habitur, Berna e pyeti: «Ku i ke lexuar këto revista? Mos je gjë Dëshmitare e Jehovait që ke ardhur këtu me pushime?» Bernadeta i shpjegoi se nuk ishte Dëshmitare, por i kishte lexuar online revistat. Një ditë, ndërsa po kërkonte në Internet informacione për lulet, Bernadeta shkroi fjalën «trëndafila» dhe një rezultat kërkimi e bëri veçanërisht kurioze. Ishte artikulli i revistës Zgjohuni! me temë «Trëndafila magjepsës nga Afrika» që dilte në sitin e Dëshmitarëve të Jehovait. Bernadeta i tha Bernës se i kishte pëlqyer aq shumë artikulli, sa vendosi ta eksploronte më tej sitin. Në fillim u përqendrua tek informacionet për bimët e kafshët, por shpejt zbuloi edhe gjëra mjaft interesante për Biblën. Duke kuptuar se Bernadeta kishte interes, Berna i ofroi një studim biblik falas në shtëpi dhe u kthye më vonë me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Në vizitën e saj të tretë, Berna dhe Bernadeta trajtuan kapitullin e parë të librit. Rreth një vit më vonë, në nëntor të 2012-s, Bernadeta u pagëzua. Përparoi aq shpejt, sa miqtë e saj thonë se Bernadeta «hyri me vrap» në të vërtetën. Patjetër, gjithçka u bë më shpejt falë sitit.