Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Filmat vizatimorë prekin zemrat e çiltra

Filmat vizatimorë prekin zemrat e çiltra

Tani Danieli, djaloshi i serisë së videove Bëhu mik i Jehovait në jw.org, është bërë i njohur në gjithë botën. Videoja e parë e këtij çamarroku të lezetshëm u përkthye në më se 130 gjuhë dhe për këtë seri videosh kanë ardhur qindra letra.

Ja çfarë thanë dy motra, 11 dhe 8 vjeçe: «Duam të japim një kontribut për veprën mbarëbotërore të predikimit. Rritëm dy viça, Big Redin e Ërlin, dhe i shitëm. Paratë që fituam dëshirojmë t’jua dhurojmë, sepse do të na pëlqente t’i përdornit për të bërë më shumë filma Bëhu mik i Jehovait. Do të ishte e lezetshme sikur Danieli të bëhej me motër të vogël e të shihnim ç’do të bënte kur ajo të marrë gjithë vëmendjen. Filmi me Danielin na pëlqen më shumë se çdo film tjetër!»

Shumë fëmijë e kanë mësuar përmendsh gjithë videon, përfshirë këngën dhe fjalët e tregimtarit. Një motër shkroi se në kongregacionin e saj me 100 lajmëtarë, 40 janë fëmijë, shumica nën moshën dhjetëvjeçare. Në fund të një mbledhjeje u këndua kënga 120 dhe motra ishte ulur në rreshtin e tretë. U përlot kur dëgjoi të gjithë fëmijët tek këndonin tërë entuziazëm «këngën e tyre».

Një gjyshe tregon se pasi mbesa e saj pa dy herë videon, u tha të gjithëve: «Duhet ta pastroj dhomën time që asnjeri të mos pengohet te lodrat e të mos vritet.» Ishte kaq e vendosur të kryente ‘misionin’, sa këmbënguli që ta rregullonte dhomën para se të hante.

Në një fshat në Afrikën e Jugut, çdo ditë shumë fëmijë hynin e dilnin nga shtëpia e një familjeje Dëshmitarësh. Disa mendonin se kjo ndodhte ngaqë familja shiste ëmbëlsira. Por, fëmijët e fshatit kishin ftuar fëmijë të tjerë për të parë videon Bindu! Dëgjo! Merr bekim! në gjuhën e tyre, xhose. Një herë, njëmbëdhjetë fëmijë e panë së bashku dhe të gjithë i mësuan përmendsh fjalët e këngës.

Isaku tetëvjeçar dhe vëllai i tij Sauli pesëvjeçar jetojnë në Ekuador. Ata flasin gjuhën kiçua dhe nuk janë Dëshmitarë. Paratë që u jepnin prindërit çdo ditë për në shkollë i kishin kursyer që të blinin lodra: pistoleta, shpata dhe kukulla të personazheve të filmave të dhunshëm. Një ditë mamaja u kërkoi të rregullonin dhomën e tyre e t’i vendosnin lodrat në kutinë e kartonit poshtë krevatit. Më vonë, djemve u dhuruan DVD-në që sapo kishte dalë, Bëhu mik i Jehovait, dhe e panë së bashku. Pas një jave, kur mamaja po pastronte shtëpinë, pa se kutia poshtë krevatit nuk kishte asgjë veç një makine-lodër. I pyeti djemtë: «Ku janë lodrat?» Ata u përgjigjën: «Jehovait nuk i pëlqejnë ato lodra, prandaj i hodhëm në plehra.» Tani, kur fëmijët e lagjes luajnë me lodra që nxitin dhunën, Isaku u thotë: «Mos luani me ato lodra. Jehovait nuk i pëlqejnë!»

Kroaci: Këngët e Mbretërisë prekin zemrat e njoma