Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Lajme shkurt nga e gjithë bota

Lajme shkurt nga e gjithë bota

Policët i ndihmuan të shkarkonin blloqet e betonit

Për 13 vjet në Kutaisi, qyteti i dytë për nga madhësia në Republikën e Gjeorgjisë, asambletë mbaheshin në një kantinë të vjetër e të rrënuar shampanje. Sipër vendeve për t’u ulur viheshin plastmasë që auditori të mos lagej nga shiu. Tani vëllezërit kanë një ndërtesë të përshtatshme, një Sallë të re të Mbretërisë që mund të zgjerohet e të përdoret si sallë e hapur për asamble e kongrese. Gjatë ndërtimit, 50 vullnetarë po shkarkonin blloqet e betonit nga një kamion dhe policët u afruan të shihnin ç’po ndodhte. U bëri aq shumë përshtypje gëzimi dhe zelli i punëtorëve, sa i lavdëruan dhe i ndihmuan të shkarkonin blloqet e betonit. U thanë vëllezërve t’i thërritnin nëse i bezdiste kush dhe premtuan se do të ndiqnin kongresin e parë që do të mbahej në Sallën e re të Asambleve.

Shiti biçikletën

Malakia, një plak kongregacioni që jeton në Burundi, merrej me bujqësi dhe transportonte ngarkesa me biçikletën e tij për të siguruar jetesën. Që të mbështeste projektin e ndërtimit të Sallës së Mbretërisë, Malakia vendosi të ishte çdo ditë në kantierin e ndërtimit. Por, i duheshin pará që të kujdesej për familjen gjatë dy muajve të ndërtimit. Kështu, shiti biçikletën dhe një pjesë të parave ia dha gruas për nevojat e familjes, kurse pjesën tjetër e futi në kutinë e kontributeve për shpenzimet e ndërtimit. Si pasojë e përpjekjeve të tij, mori një stërvitje të mirë nga shërbëtorët e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Kur salla u ndërtua, Malakia gjeti punë sepse njerëzit panë që ishte usta i zoti. Ndërkohë, Malakia ka blerë një biçikletë tjetër!

U nxitën të ndihmonin

Është mjaft e vështirë të ndërtosh Salla të Mbretërisë në zona të izoluara të Malavisë. Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, u ndërtua një sallë në një zonë ku rrugët janë shumë të këqija. Vëllezërit nga dega transportuan në kantier materiale ndërtimi me automjete me katër rrota aktive. Vëllezërit vendës thanë se shumë banorë të zonës që nuk janë Dëshmitarë shfaqën interes të paparë për këtë projekt. Mjaft prej tyre ofruan ndihmë dhe punuan deri natën vonë duke shkarkuar rërë, gurë ndërtimi, thasë me çimento dhe llamarina për çatinë. Madje, në disa raste njerëzit që nuk ishin Dëshmitarë ishin më shumë se Dëshmitarët. Ata u nxitën të ndihmonin, ngaqë u prekën thellë nga përpjekjet e Dëshmitarëve të Jehovait për të ndërtuar vende dinjitoze adhurimi në këto zona të izoluara.

Fëmijët shitën karamele tofí

Një çift pionierësh specialë në Bregun e Fildishtë studion Biblën në gjuhën bete, gjuha e asaj zone, me një çift që ka dhjetë fëmijë. Në maj të 2013-s do të mbahej asambleja e parë në bete në qytetin e Daloas, dhe gjithë familja donte të merrte pjesë. Por, udhëtimi vajtje-ardhje për një person kushtonte 800 CFA (1,6 dollarë) dhe babai nuk e përballonte dot këtë shpenzim për familjen e tij të madhe. I vendosur për të ndjekur asamblenë, i erdhi një ide. I dha 300 CFA (0,6 dollarë) vajzës së madhe dhe i sugjeroi të blinte karamele tofí e t’i shiste. Vajza bëri tamam ashtu dhe fitoi aq pará sa i duheshin për udhëtimin. Babai bëri të njëjtën gjë me fëmijët e tjerë, i dha secilit 300 CFA që të fillonin biznesin e tyre të vogël me tofí dhe të gjithë siguruan pará mjaftueshëm për udhëtimin. Në fund, ndoqën asamblenë bashkë me të tjerë. Ishin jashtëzakonisht të lumtur që dëgjuan programin në gjuhën amtare.