Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

REPUBLIKA DOMENIKANE

E ardhme emocionuese

E ardhme emocionuese

Një reputacion i shkëlqyer

Dëshmitarët e Jehovait në Republikën Domenikane kanë rreth gjashtë dekada. Gjatë kësaj kohe kanë fituar një reputacion të shkëlqyer. Shpesh njerëzit u afrohen lajmëtarëve e u kërkojnë literaturë, dhe s’është çudi që në territor të dëgjohen komente, si «më pëlqen kjo fe» ose «ju jetoni vërtet sipas Biblës».

Për shembull, të shohim ç’ndodhi kur një Sallë Mbretërie u ndërtua në një truall të dhuruar nga një vëlla. Kur vëllai shkoi të regjistronte pronën, zbuloi se dikush tjetër e kishte regjistruar duke mashtruar dhe ky e akuzonte vëllanë se donte t’ia merrte tokën. Çështja shkoi në gjyq. Ishte situatë e ndërlikuar sepse ai kishte dokumente që vërtetonin se prona ishte në emër të tij.

Në njëfarë pike gjykatësi i kërkoi avokatit të vëllait të tregonte qartë se kë përfaqësonte. Kur avokati i shpjegoi se përfaqësonte interesat e shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait, gjykatësi tha: «Atëherë nuk ka pse të dyshojmë se këto pretendime janë të vërteta. I njoh mirë Dëshmitarët e Jehovait dhe jam i sigurt se janë të ndershëm. Kurrë nuk do të mashtronin dikë e të merrnin atë që s’u takon.»

Gjatë gjyqit, kur u paraqitën provat, u bë e qartë se i pandehuri kishte dokumente fallso, prandaj gjykatësi vendosi në favor të Dëshmitarëve. Avokati Dëshmitar tha: «Ky nuk është i vetmi rast. Sa herë që në gjykatat anekënd vendit përmenden Dëshmitarët e Jehovait, reagimi ndaj tyre është gjithnjë plot respekt.»

Shohin nga e ardhmja

Koha do ta tregojë edhe sa të tjerë me zemër të drejtë do të mësojnë të vërtetat biblike e do të bëhen adhurues të Perëndisë së vërtetë. Ndërkohë po bëhet çdo përpjekje për t’i arritur këta individë. Për shembull, në vitin 2013 Dëshmitarët e Jehovait në Republikën Domenikane kaluan mbi 11 milionë orë në predikim dhe drejtuan 71.922 studime biblike. Ishte inkurajuese edhe të shihje se 9.776 veta morën pjesë në ndonjë formë të shërbimit si pionier. Në gusht të po atij viti në shërbim ishin aktivë 35.331 lajmëtarë. Për më tepër, shpresat për të ardhmen duken shumë të mëdha, sepse në Përkujtim morën pjesë 127.716 veta.

Që nga ajo e diel e prillit 1945, kur Lenart e Virxhinia Xhonsoni filluan të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë në Republikën Domenikane, vepra e predikimit dhe e bërjes së dishepujve atje ka përparuar mjaft. Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend e çmojnë trashëgiminë e tyre të pasur frymore. I vlerësojnë sakrificat e guximshme të brezave të mëparshëm të adhuruesve të vërtetë. Por më tepër vlerësojnë privilegjin që tani ‘japin dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë’. (Vep. 28:23) Mezi presin ditën kur i gjithë ky ishull bashkë me adhurues të tjerë në mbarë botën të bashkohen e të këndojnë: «Jehovai është bërë mbret! Le të gëzojë toka! Le të ngazëllojnë ishujt e shumtë!»Psal. 97:1.