Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Raporte ligjore

Raporte ligjore

ARMENI: Themelohet Programi i Shërbimit Civil Alternativ që respekton asnjanësinë e krishterë

Armeni: Disa vëllezër janë dërguar nga qeveria të kryejnë shërbim civil alternativ në zona të thella të vendit. Atje vazhdojnë të marrin pjesë me zell në predikim

Më 2013 qeveria armene krijoi një program shërbimi civil alternativ që u jep mundësi Dëshmitarëve të Jehovait atje të zgjedhin shërbimin alternativ, që të mos burgosen ngaqë kundërshtojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Në janar 2014, dega raportoi se 71 vëllezër filluan punë sipas kësaj mase të re. Për shembull, disa vëllezër janë caktuar të punojnë si ndihmëskuzhinierë ose si ndihmësinfermierë në spitale. Mbikëqyrësit e programit kanë bërë komente pozitive për etikën e vëllezërve në punë, si edhe për qëndrimin e tyre të mirë gjatë punëve shpesh të vështira. Vëllezërit janë mirënjohës që u morën masa të kryejnë shërbim civil, që të vazhdojnë të mbajnë një ndërgjegje të pastër si të krishterë. * Një vëlla tha: «I jemi mirënjohës Jehovait që mund të bëjmë shërbim civil alternativ, pasi kështu mbetemi asnjanës dhe e adhurojmë atë lirisht.»

REPUBLIKA DOMENIKANE: Shpallet dasma e parë fetare jokatolike e Dëshmitarëve të Jehovait

Në vitin 1954 Republika Domenikane firmosi një pakt me Vatikanin, që e shpallte Kishën Katolike të vetmen fe me autoritet për të drejtuar ceremoninë e martesave. Nëse një çift nuk martohej nga Kisha Katolike, martesën e kryente një zyrtar i gjendjes civile. Por, në vitin 2010 qeveria hartoi një kushtetutë të re që ua jepte këtë të drejtë edhe përfaqësuesve të kualifikuar të feve të tjera. U organizuan trajnime për ata që donin të merrnin këtë leje zyrtare. Zyra e degës në Republikën Domenikane zgjodhi 30 pleq për të ndjekur këtë program. Nga mbi 2.000 individët që kërkuan lejen, u kualifikuan vetëm 32 veta. Sidoqoftë, të 30-të vëllezërit e morën lejen zyrtare që të drejtonin ceremoninë e martesës për çiftet Dëshmitarë.

INDI: I vendosur të predikojë pa frikë

Sundip dhe Dipalakshmi Munisuami

Më 27 janar 2014 Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Shtetin e Karnatekës deklaroi se nëninspektori i policisë i Rajonit të policisë së Hublit të Vjetër në Karnatekë kishte dhunuar të drejtat e vëlla Sundip Munisuamit, sepse nuk e kishte mbrojtur nga sulmi i një turme më 28 qershor 2011. Komisioni e shpalli nëninspektorin fajtor për dhunimin e të drejtave të njeriut dhe, përveçse udhëzoi qeverinë e Karnatekës të merrte masa disiplinore ndaj nëninspektorit, duhej edhe t’i paguante vëlla Munisuamit 20.000 rupi (326 dollarë amerikanë) si dëmshpërblim. Komisioni udhëzoi qeverinë të kompensonte shumën e marrë nga të ardhurat e nëninspektorit të policisë.

Vëlla Munisuami u shpreh se ai dhe familja e tij i janë mirënjohës Jehovait për këtë vendim të jashtëzakonshëm dhe se janë të vendosur të predikojnë lajmin e mirë pa frikë. Vendimi ua ka forcuar besimin vëllezërve dhe sigurinë tek aftësia e Jehovait për ta mbrojtur popullin e tij. Gjithashtu është një mesazh i fortë për autoritetet që të mbrojnë të drejtat e njeriut që kanë edhe Dëshmitarët e Jehovait në Karnatekë. Për të njëjtën ngjarje, në gjykata është ende pezull një çështje penale kundër vëlla Munisuamit e një vëllai tjetër.

KIRGIZISTAN: Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë mbron të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes

Dita e 19 nëntorit 2013 ishte e shënuar për ata që kundërshtojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë nxori një vendim për rastet e 11 Dëshmitarëve të Jehovait dhe shpalli se programi i qeverisë për shërbimin alternativ ishte antikushtetues. Ligji u kërkonte atyre që bënin shërbim alternativ të paguanin një sasi parash për të mbështetur veprimtaritë ushtarake. Gjithashtu, me të mbaruar shërbimin alternativ, duhej të rekrutoheshin automatikisht në rezervën e forcave të armatosura. Dhoma Kushtetuese shpalli se ishte dhunim i të drejtës së lirisë fetare t’i detyroje ata që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes të kryenin shërbim alternativ në këto rrethana. Prandaj, muajt e parë të vitit 2014 Gjykata e Lartë e Kirgizistanit zbatoi vendimin e Dhomës Kushtetuese dhe shfajësoi 14 Dëshmitarë të Jehovait, që ligji i mëparshëm i kishte shpallur fajtorë për krim. Këto vendime të favorshme i japin fund një beteje shtatëvjeçare për lirinë fetare të atyre që s’pranojnë të kryejnë shërbim ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Vendosmëria e këtyre të rinjve paqësorë lartëson emrin e Jehovait dhe mbron lirinë tonë të adhurimit në Republikën e Kirgizistanit.

Kirgizistan: Dëshmitarët, çështjet e të cilëve u paraqitën në gjykatën më të lartë të Kirgizistanit

NIGERI: «Jehovai më kishte shpërblyer»

Në shtetin Abia Dëshmitarët e Jehovait shpesh i kërcënojnë e i përjashtojnë nga shoqëria ngaqë s’pranojnë të marrin pjesë në organizata vendëse *—aktivitetet e të cilave shpesh përfshijnë dhunë dhe rite spiritiste. Një mëngjes herët në nëntor të vitit 2005, pjesëtarë të organizatës në Asaga Ohafia pushtuan shtëpinë e vëlla Emanuel Ogvos e të gruas së tij, të cilëve kundër ligjit u morën me forcë gjithçka duke ua konsideruar si taksë anëtarësimi. Gjithë sa iu la çiftit ishin rrobat që kishin veshur. Më 2006 komuniteti e dëboi vëlla Ogvon nga shtëpia e nga fshati. Çifti Ogvo u strehua te një vëlla në një fshat tjetër, që u kujdes për ta. Ndonëse vëlla Ogvo u kthye në shtëpi vitin tjetër, vazhdoi të duronte presionin për t’u bashkuar me atë organizatë, ndërsa kërkesat që t’i rikthenin pronën nuk iu morën parasysh.

Më në fund, më 15 prill 2014 Gjykata e Lartë e shtetit Abia vendosi në favor të vëlla Ogvos, duke mbrojtur të drejtat e tij kushtetuese për lirinë e fesë dhe të anëtarësimit në organizata. Vëlla Ogvos i është rikthyer prona e plaçkitur, Dëshmitarët nuk i përjashtojnë dhe aq shumë nga shoqëria e komunitetit dhe vëllezërit në Asaga Ohafia tani predikojnë lirisht.

Kur u shpall vendimi i gjykatës, vëlla Ogvo tha: «U hodha përpjetë nga gëzimi. Isha tejet i lumtur. E ndjeva se Jehovai e kishte fituar çështjen dhe se engjëjt ishin me mua. Jehovai më kishte shpërblyer.»

RUSI: Një vendim në favor të jw.org

Vështirësitë e shumta ligjore që kanë hasur vëllezërit tanë në Rusi ‘kanë dalë për përparimin e lajmit të mirë’ atje. (Filip. 1:12) Ndonëse disa zyrtarë të lartë e udhëheqës fetarë e kundërshtojnë ashpërsisht adhurimin tonë, vëllezërit tanë në Rusi po mbajnë integritetin dhe Jehovai po ua bekon përpjekjet.

Një dëshmi e kësaj është një fitore ligjore në qytetin e Tverit. Në vitin 2013 prokuroria e Tverit ngriti një akuzë në një gjykatë vendëse për të mbyllur sitin jw.org në mbarë Rusinë. Gjykata vendosi në favor të prokurorisë pa i njoftuar përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait për gjyqin. Vëllezërit e morën vesh këtë vendim dhe apeluan. Më 22 janar 2014 Gjykata Rajonale e Tverit e përmbysi vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe vendosi në favorin tonë. Falë Jehovait dhe lutjeve të vëllazërisë ndërkombëtare, shumica e vëllezërve rusë tani mund të gëzojnë dobitë frymore nga siti jw.org.

TURQI: Vazhdon të shpërfillet e drejta e kundërshtimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes

Barish Gormezi, një Dëshmitar i Jehovait në Turqi, bëri mbi katër vjet burg se nuk pranoi të shërbente në ushtri. Teksa vuante dënimin, policia ushtarake e trajtoi ashpër duke e rrahur me kërbaçë. Vuajti edhe në qeli. Vëlla Gormezi ishte dy metra i gjatë e s’flinte dot në shtratin e tij, por u detyrua të shtrihej në dy shtretër i mbledhur kruspull. Në fund autoritetet e burgut e lejuan të kishte një dyshek më të madh, që ia dha kongregacioni vendës.

Në vitin 2008 vëlla Gormezi dhe tre Dëshmitarë të tjerë iu apeluan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke pohuar se Turqia dhunonte lirinë e tyre fetare duke mos pranuar të drejtën për të kundërshtuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Më 3 qershor 2014 Gjykata vendosi në favor të katër Dëshmitarëve * dhe udhëzoi qeverinë turke t’i dëmshpërblente vëllezërit. Kjo është hera e tretë që në këto çështje Gjykata Evropiane ka vendosur në favor të Dëshmitarëve të Jehovait kundër Turqisë. Edhe pse në Turqi aktualisht nuk ka Dëshmitarë të Jehovait në burg, çështja nuk do të zgjidhet plotësisht derisa Turqia të pranojë këtë të drejtë.

Raporte të tjera

Azerbajxhan: Vëllezërit vazhdon t’i sulmojë policia teksa janë në mbledhje, kanë kufizim të literaturës fetare, i arrestojnë në predikim dhe u dhunohen të drejta të tjera njerëzore. Ndërkohë qeveria vazhdon të refuzojë regjistrimin e Komunitetit Fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Për këtë çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë ngritur nëntëmbëdhjetë akuza kundër Azerbajxhanit. Pavarësisht nga këto vështirësi, bekimi i Jehovait duket qartë në rritjen e vazhdueshme të numrit të lajmëtarëve. Një arsye tjetër për gëzim ishte kur doli botimi i plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën azerbajxhane.

Eritre: Vëllezërit tanë këtu vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait besnikërisht me gjithë përndjekjen e egër. Tre vëllezër, Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami tashmë kanë 20 vjet në burg, që nga 24 shtatori 1994. Autoritetet e Eritresë arrestuan rreth 150 Dëshmitarë e të interesuar në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit më 14 prill 2014. Të arrestuarit ishin nga 16 muajsh deri në 85 vjeç. Autoritetet arrestuan rreth 30 Dëshmitarë e të interesuar të tjerë gjatë fjalimit special më 27 prill 2014. Që nga ajo kohë shumica janë liruar.

Kazakistan: Agjencia e Çështjeve Fetare ka ndaluar importimin dhe shpërndarjen e 14 botimeve tona në territorin e Republikës së Kazakistanit. Gjithashtu, vëllezërve tanë u është hequr e drejta për të folur për bindjet e tyre jashtë vendeve zyrtare të adhurimit, dhe rreth 50 vëllezër janë dënuar gjoja për aktivitet misionar të paligjshëm. Për të mbrojtur lirinë individuale të fjalës, iu drejtuan 26 ankesa Komitetit të Kombeve të Bashkuara të të Drejtave të Njeriut.

^ par. 1 Zgjedhja e shërbimit civil alternativ është çështje ndërgjegjeje.

^ par. 1 Këto organizata vendëse përbëhen nga individë, zakonisht meshkuj, që janë bashkëkohës dhe jetojnë në të njëjtin fshat.

^ par. 2 Buldu dhe të tjerë kundër Turqisë, nr. 14017/08, 3 qershor 2014.