Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dy përkthyes që rivendosën emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re

Dy përkthyes që rivendosën emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re

 Një nga lutjet e para që mësojnë shumë njerëz, është lutja «Ati ynë», që Jezui ua mësoi dishepujve të tij. Këtë lutje e gjejmë tek ajo që njihet gjerësisht si Dhiata e Re dhe fillon me fjalët: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!» (Mateu 6:9) Megjithatë, emri i Perëndisë, që në anglisht është përkthyer «Jehovah» e ndonjëherë «Yahweh», (në shqip, Jehova e me raste Jahve) gjendet rrallë në përkthimet e Dhiatës së Re në anglisht. Por të bën përshtypje që në këto përkthime gjejmë emrat e perëndive të rreme, si Zeusi, Hermesi dhe Artemisa. Ndaj, a nuk duhej të ishte përdorur edhe emri i Perëndisë së vërtetë dhe i Autorit të Biblës?Veprat 14:12; 19:35; 2 Timoteut 3:16.

Në Dhiatën e Re shfaqen emrat e disa perëndive të rreme, ndaj a nuk është logjike që aty të jetë edhe emri i Perëndisë së vërtetë?

 Përkthyesit e Biblës në gjuhën angleze, Lanselot Shaduelli dhe Frederik Parkeri besonin se emri i Perëndisë duhej rivendosur në Dhiatën e Re. Pse përdorim fjalën «rivendosur»? Sepse ata arritën në përfundimin se në fillim emri i Perëndisë gjendej në shkrimet origjinale, por më vonë u hoq. Pse arritën në këtë përfundim?

 Shaduelli dhe Parkeri e dinin se emri i Perëndisë shfaqej me mijëra herë në dorëshkrimet ekzistuese të asaj që shpesh quhet Dhiata e Vjetër, e cila fillimisht u shkrua kryesisht në hebraisht. Prandaj vrisnin mendjen pse dorëshkrimet e Dhiatës së Re që dispononin ata, e kishin hequr formën e plotë të emrit të Perëndisë. a Përveç kësaj, Shaduelli vuri re se, kur në dorëshkrimet e Dhiatës së Re përdoreshin shprehje të njohura nga Dhiata e Vjetër, si «engjëlli i Jehovait», me sa duket kopistët e Dhiatës së Re në greqisht e kishin zëvendësuar emrin e Perëndisë me terma, si Kírios, që do të thotë «Zotëri».—2 Mbretërve 1:3, 15; Veprat 12:23.

Emri i Perëndisë në hebraisht

 Disa përkthyes të tjerë të Dhiatës së Re në anglisht e kishin rivendosur emrin e Perëndisë në përkthimet e tyre përpara Shaduellit dhe Parkerit, por vetëm në relativisht pak vende. b Me aq sa dimë, para vitit 1863, kur Parkeri botoi Biblën A Literal Translation of the New Testament, asnjë përkthyes i gjuhës angleze nuk e kishte rivendosur emrin e Perëndisë në aq shumë vende sa e rivendosi ai në Dhiatën e Re. Çfarë dimë për Lanselot Shaduellin dhe Frederik Parkerin?

Lanselot Shaduelli

 Lanselot Shaduelli (1808-1861) ishte avokat dhe djali i sër Lanselot Shaduellit, zëvendëskancelarit të Anglisë. Ai ishte anëtar i Kishës së Anglisë. Ndonëse besonte te Triniteti, tregoi respekt për emrin e Perëndisë dhe e quante «emri i lavdishëm i JEHOVAIT». Në përkthimin e tij, The Gospels of Matthew, and of Mark, ai e përdori emrin «Jehova» 28 herë në tekstin kryesor dhe 465 herë në shënimet shoqëruese.

 Shaduelli mund ta ketë mësuar emrin e Perëndisë kur lexoi Dhiatën e Vjetër në hebraishten origjinale. Ai tha se ata që e kishin zëvendësuar emrin e Perëndisë me termin Kírios në përkthimin grek të Dhiatës së Vjetër, «nuk ishin përkthyes të ndershëm».

The Gospel according to Matthew me shënime i përkthyer në anglisht nga L. Shaduelli (1859), u sigurua nga Bodleian Libraries. E licensuar sipas CC BY-NC-SA 2.0 UK. Modifikim: teksti i theksuar

Mateu 1:20 në përkthimin e Shaduellit

 Në përkthimin e tij, Shaduelli e përdori për herë të parë emrin «Jehova» te Mateu 1:20. Shënimi i tij për këtë varg thotë: «Fjala [Kírios] këtu dhe në vargje të tjera të Dhiatës së Re duhet përkthyer JEHOVA, që është emri i vetë Perëndisë; është tejet e rëndësishme që ky emër të rivendoset në përkthimin në anglisht.» Më tej shton: «Duhet ta bëjmë patjetër këtë që të nderojmë Perëndinë. Ai e ka bërë të njohur veten me emrin JEHOVA; ndaj s’ka më mirë se sa ta përdorim këtë emër kur flasim për të.» Pastaj komenton: «Në Biblën tonë Established Version [që ndryshe quhet King James Version], emri i JEHOVAIT del rrallë. . . . Në vend të emrit të Perëndisë, lexojmë fjalën Zotëri.» Shaduelli pohon se «Zotëri . . . është një titull absolutisht i padenjë» për të zëvendësuar emrin e Perëndisë dhe shton se edhe atë vetë e thërrasin «Zotëri» në vendlindjen e tij.

«[Perëndia] e ka bërë të njohur veten me emrin JEHOVA; ndaj s’ka më mirë se sa ta përdorim këtë emër kur flasim për të.»—Lanselot Shaduelli

 Në vitin 1859, Shaduelli botoi përkthimin e tij të Mateut dhe më 1861 botoi një version që përfshinte përkthimet e Mateut dhe të Markut. Mirëpo, puna e tij u ndërpre, sepse vdiq më 11 janar 1861, në moshën 52-vjeçare. Gjithsesi, përpjekjet e tij nuk shkuan dëm.

Frederik Parkeri

 Përkthimi i Mateut nga Shaduelli tërhoqi vëmendjen e një biznesmeni të pasur londinez, Frederik Parkerit (1804-1888), i cili kishte nisur të përkthente Dhiatën e Re kur ishte rreth 20 vjeç. Ndryshe nga Shaduelli, Parkeri e kishte hedhur poshtë mësimin e Trinitetit. Ai shkroi: «[Uroj] që krejt Kisha e Birit të dashur [të Perëndisë] . . . ta pranojë me gjithë zemër të vërtetën . . . dhe të adhurojë Jehovain e Plotfuqishëm, që është një i vetëm.» Parkeri besonte edhe se dorëshkrimet e Dhiatës së Re që përdornin termin Kírios edhe për Perëndinë, edhe për Jezuin, e mjegullonin dallimin mes tyre. Prandaj i bëri shumë përshtypje kur pa se në kontekste të caktuara Shaduelli e përkthente «Jehova» fjalën Kírios.»

 Si e kuptoi Parkeri këtë gjë? Ai studioi gjuhën greke dhe shkroi disa libra e fletushka për gramatikën greke. Gjithashtu u bë anëtar i Institutit Biblik të Anglisë, i cili i dha shtysë punës kërkimore për dorëshkrimet e Biblës, me synimin për të prodhuar Bibla më cilësore në anglisht. Në vitin 1842, Parkeri nisi të botonte përkthimin e tij të parë të Dhiatës së Re në disa pjesë e vëllime. c

Përkthim i Dhiatës së Re nga Parkeri (Hajnfeteri)

Përpjekjet e Parkerit për të rivendosur emrin e Perëndisë

 Prej disa vitesh, në shkrimet e tij Parkeri kishte trajtuar pyetje të tilla, si: «Në cilat raste fjala Kírios i referohet Jezuit dhe në cilat raste i referohet Perëndisë? Pse shpesh fjala Kírios përdoret gramatikisht si emër dhe jo si titull?»

 Kur Parkeri pa përkthimin e Mateut të vitit 1859 nga Shaduelli me komentet e tij për fjalën Kírios, u bind se në disa kontekste, Kírios «duhej përkthyer Jehova». Prandaj, ai e rishikoi të gjithë përkthimin e tij të Dhiatës së Re, që të fuste emrin «Jehova» aty ku mendonte se e kërkonte konteksti ose gramatika e tekstit në greqisht. Ndaj, në botimin e vitit 1863 A Literal Translation of the New Testament, që kishte një vëllim, emri i Perëndisë shfaqet 187 herë në tekstin kryesor. Me sa dimë deri më sot, ky është përkthimi i parë në anglisht që përdor emrin hyjnor në të gjithë Shkrimet e Krishtere Greke. d

Faqja e titullit e përkthimit të Dhiatës së Re, e vitit 1864 nga Parkeri

 Në vitin 1864, Parkeri publikoi edhe botimin A Collation of an English Version of the New Testament . . . With the Authorized English Version. Ai i bashkoi dy Dhiatat e Reja në një vëllim të vetëm për të treguar ku dhe si ndryshonte versioni i tij nga tjetri. e

 Për të theksuar sa e rëndësishme ishte të rivendosej emri i Perëndisë, Parkeri e tërhoqi vëmendjen te disa vargje nga Bibla Authorized Version, ndër to edhe te Romakëve 10:13, që thotë: «Sepse kushdo që do të thërrasë emrin e Zotërisë, do të shpëtojë.» Parkeri ngriti këtë pyetje: «[E kush] vallë mund ta kuptojë nga Authorized English Version se në këto vargje bëhet fjalë për Jehovain, dhe jo për Birin, pra Zotërinë tonë Jezu Krisht?»

Romakëve 10:13 në Biblën King James Version (lart) dhe në përkthimin e vitit 1864 nga Parkeri

 Parkeri shpenzoi mijëra paunde—një shumë marramendëse në atë kohë—për të botuar dhe për të reklamuar fletushkat, veprat e tij dhe shkrime të tjera. Në fakt, në vetëm një vit, ai shpenzoi 800 paunde, që sot janë të barasvlershme me mbi 100.000 paunde britanike (132.000 dollarë amerikanë). Ai gjithashtu u dhuroi kopje të mjaft prej botimeve të tij disa të njohurve dhe klerikëve të lartë që t’i lexonin.

 Megjithatë, disa studiues i vunë në lojë veprat e Parkerit dhe përkthimet e tij të Dhiatës së Re, të cilat u shtypën në numër shumë të limituar. Në këtë mënyrë, ata lanë në hije përpjekjet e sinqerta që ai, Shaduelli dhe të tjerë kishin bërë për të rivendosur emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re në anglisht.

 Nëse ke dëshirë të dish më shumë, mund të shohësh edhe videon 10-minutëshe: Vizitat në muzeun e Uoruikut: «Bibla dhe emri hyjnor».

a «Jah», forma e shkurtuar e emrit «Jehova», gjendet te Zbulesa 19:1, 3, 4, 6 në fjalën «Halelujah», që do të thotë «Lëvdoni Jah!»

b Shaduelli nuk e përktheu të gjithë Dhiatën e Re. Ndër përkthyesit e tjerë ishin: Filip Dodrixhi, Eduard Harudi, Uilliam Njukami, Edgar Tejlëri dhe Gilbert Uejkfilldi.

c Për të ndarë çështjet e biznesit nga studimet e tij rreth Biblës, Parkeri përdori pseudonimin Herman Hajnfeteri në veprat e tij fetare dhe në përkthimet e Biblës. Ky emër del disa herë në shtojcat e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re.

d Në vitin 1864, Parkeri botoi An English Version of the New Testament, që përdor emrin e Perëndisë 186 herë.

e Para përkthimeve të Parkerit, kishte mjaft përkthime të Dhiatës së Re në hebraisht që përdornin emrin e Perëndisë në vargje të ndryshme. Gjithashtu, më 1795, Johan Jakob Shtolci botoi një përkthim në gjermanisht ku e përdor emrin e Perëndisë mbi 90 herë nga Mateu deri te Juda.