Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Prodhimi i librit më të rëndësishëm të të gjitha kohërave

Prodhimi i librit më të rëndësishëm të të gjitha kohërave

1 JANAR 2021

 «E kam pritur prej 19 vjetësh!» Çfarë po priste vëllai ynë? Po priste Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimin Bota e Re në gjuhën e tij amtare, bengale. Shumë veta kanë reaguar gati njësoj kur kanë marrë në gjuhën e tyre Përkthimin Bota e Re. Por, a ke menduar ndonjëherë çfarë do të thotë të përkthesh dhe të prodhosh këto Bibla?

 Si fillim caktohet një skuadër përkthimi, e cila punon nën drejtimin e Komitetit të Shkrimit të Trupit Udhëheqës. Sa kohë i duhet një skuadre të përkthejë Biblën? Nikolas Ahladis, që punon për Shërbimet e Përkthimit në Uoruik, Nju-Jork, shpjegon: «Varet nga disa elementë: sa përkthyes janë në dispozicion për projektin, sa komplekse është gjuha, sa mirë e kuptojnë lexuesit jetën në kohët kur u shkrua Bibla dhe nëse gjuha ndryshon nga rajoni në rajon. Mesatarisht, një skuadre mund t’i duhet pak a shumë nga një deri në tre vjet vetëm për Shkrimet e Krishtere Greke dhe zakonisht katër ose më shumë vjet për të përkthyer të gjithë Biblën. Procesi zgjat edhe më tepër për gjuhët e shenjave.»

 Për përkthimin e Biblës nuk mjafton vetëm skuadra e përkthimit. Një grup lexuesish të jashtëm—të formimeve të ndryshme, ndonjëherë edhe nga vende të ndryshme—e vlerësojnë përkthimin dhe japin mendime pa kërkuar diçka në këmbim. Opinioni i tyre i ndihmon përkthyesit që Bibla të jetë e saktë, e qartë dhe me kuptim. Siç tha një vëlla në Afrikën e Jugut që stërvit skuadrat e përkthimit të Biblës, «përkthyesit ndiejnë një përgjegjësi të madhe ndaj Jehovait dhe ndaj atyre që e lexojnë Fjalën e Tij».

 Pasi mbaron përkthimi, Biblat duhen shtypur dhe duhen lidhur. Për këtë, shtypshkronjat përdorin të paktën 10 «përbërës»: letër, bojë, material për kapakun, ngjitës, material për veshjen e brendshme të kapakut, fletë argjendi, shirita, fill për lidhje librash, fortesë për kurrizin e librave dhe material për ta mbajtur të lidhur të gjithë Biblën bashkë. Më 2019 u shpenzuan mbi 20 milionë dollarë vetëm për këto materiale për prodhimin e Biblës. Personeli i shtypshkronjës sonë punoi mbi 300.000 orë gjatë 2019-s që të prodhonte dhe të shpërndante Biblat.

«Bibla është botimi më i rëndësishëm që prodhojmë.»

 Pse investojmë kaq shumë kohë e pará për të prodhuar këto Bibla? Xhoel Blu, që punon në Repartin Ndërkombëtar të Shtypjes, thotë: «Bibla është botimi më i rëndësishëm që prodhojmë. Prandaj duam që pamja e saj e jashtme të lartësojë Perëndinë që adhurojmë dhe mesazhin që predikojmë.»

 Përveç botimeve standarde të Përkthimit Bota e Re, prodhojmë edhe botime për lexues me nevoja të veçanta. Për shembull, Përkthimi Bota e Re në braile disponohet në 10 gjuhë. Vetëm për të shtypur një Bibël të plotë braile mund të duhen deri në 8 orë punë dhe vëllimet e saj të shumta kërkojnë të paktën 2,3 metra vend në bibliotekë. Gjithashtu prodhojmë një botim special të Biblës për të burgosurit që janë në burgje ku lejohen vetëm libra të mbështjellë me kapak letre.

 Përkthimi Bota e Re ndikon në jetën e lexuesve të tij. Për shembull, kongregacioni i gjuhës kilube ndodhet në një vend që quhet Tombe, në Republikën Demokratike të Kongos. Tombe është mbi 1.700 kilometra larg kryeqytetit. Dëshmitarët atje kishin në dispozicion vetëm një Bibël, edhe atë në gjuhën e vjetër kilube. Të vetmen Bibël që kishin, vëllezërit ia jepnin njëri-tjetrit, që të përgatitnin pjesët për mbledhje. Mirëpo, që nga gushti 2018 Përkthimi Bota e Re i plotë në gjuhën e sotme kilube ka qenë në dispozicion për këdo në kongregacion.

 Një motër që flet gjermanisht, tha për Përkthimin Bota e Re të rishikuar në gjuhën e saj: «Nuk them më duhet të lexoj Biblën. Përkundrazi them: ‘Mezi pres ta lexoj Biblën!’» Një i burgosur shkroi: «Më dhanë një Bibël Përkthimi Bota e Re, e cila po më ndryshon jetën për mirë. Kurrë më parë s’e kam kuptuar kaq mirë Fjalën e Perëndisë; vetëm tani që po lexoj këtë përkthim. Dua të mësoj më shumë për Dëshmitarët e Jehovait dhe si të bëhem edhe unë Dëshmitar.»

 Të gjithë lexuesit e Përkthimit Bota e Re janë mirënjohës për dhurimet që mbështetin prodhimin e këtij botimi. Këto dhurime për veprën mbarëbotërore bëhen nëpërmjet mënyrave që gjenden në donate.pr418.com. Faleminderit për bujarinë që tregoni!