Kalo te përmbajtja

14 QERSHOR 2018
SHTETET E BASHKUARA

Guximi për të vepruar sipas ndërgjegjes krijoi një precedent në Gjykatën e Lartë 75 vjet më parë

Guximi për të vepruar sipas ndërgjegjes krijoi një precedent në Gjykatën e Lartë 75 vjet më parë

Nëntëvjeçarja Gethi Barnet dhe Maria, motra e saj tetë vjeçe, qëndruan në këmbë, me respekt dhe në heshtje, teksa shokët e klasës nderonin flamurin amerikan. Në atë moment as që ua priste mendja se ky akt besimi do t’i bënte protagoniste të një çështjeje historike në Gjykatën e Lartë më 1943. Motrat Barnet besonin se betimi i tyre i besnikërisë i takonte vetëm Perëndisë. Ato janë ndër mijëra fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait që kanë vepruar në harmoni me ndërgjegjen e tyre të krishterë.—Veprat 5:29.

Gethin dhe Marinë i përjashtuan nga shkolla fillore Slip Hill në Virxhinian Perëndimore për shkak të qëndrimit të tyre të guximshëm. Babai i tyre e çoi çështjen deri në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Më 14 qershor 1943 gjykata vendosi se shkollat nuk mund t’i detyrojnë fëmijët të nderojnë flamurin dhe nxorën në pah se Dëshmitarët e Jehovait s’kishin për qëllim «të tregonin mungesë respekti as për flamurin e as për vendin». Në çështjen Drejtoria Shtetërore e Arsimit në Virxhinian Perëndimore kundër Barnetit u hodh poshtë vendimi i gjykatës për çështjen Drejtoria arsimore e Minersville kundër Gobitis. Në këtë çështje, tre vjet më parë, gjykata kishte vendosur se shkollat kishin të drejtë t’u kërkonin nxënësve të nderonin flamurin. a

Gjyqtari Robert Xheksën, në opinionin me shkrim të Gjykatës së Lartë me 6 vota pro dhe 3 kundër, u shpreh bukur: «Nëse ka ndonjë yll të fiksuar qartë në yjësinë e kushtetutës sonë, ai është parimi se asnjë zyrtar, sado i rëndësishëm a i parëndësishëm qoftë, nuk mund t’u imponojë shtetasve bindje politike, nacionaliste, fetare e të tjera dhe as t’i detyrojë të flasin a të veprojnë siç do qeveria.»

Fëmijët Dëshmitarë ishin të parët që nxorën dobi nga ky vendim. Megjithatë, Endrju Kopëllmeni, profesor juridiku në Universitetin Veriperëndimor, tha: «Amerikanët që kanë për zemër të drejtat civile, duhet t’u jenë tejet mirënjohës Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët duruan përndjekje të ligë dhe mizore në Amerikë ndërsa luftuan për të drejtat civile që gëzojmë të gjithë ne sot.»

Vendimi nuk ndikoi vetëm te legjislacioni i Shteteve të Bashkuara. Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, shpjegon: «Ndikimi i fuqishëm i çështjes Barnet mund të shihet te fakti që Gjykatat e Larta të Argjentinës, Ganës, Indisë, Kanadasë, Kosta-Rikës, Filipineve dhe të Ruandës bashkë me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kanë duartrokitur vendimin dhe kanë ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi.»

Më 2006, Gethin dhe Marinë i ftuan të flitnin për vlerën e çështjes së tyre me një panel të mirënjohur e të respektuar studiuesish në Qendrën Robert Xheksën në Nju-Jork. Maria u shpreh: «Jam veçanërisht e lumtur që falë këtij vendimi nxorën dobi edhe fëmijë të tjerë pas nesh.» Gethi shtoi: «Më kujtohet kur djalin e madh e çuan në zyrën e drejtorit ngaqë nuk nderonte flamurin. Drejtori i tha: ‘Me sa duket mësuesi yt e ka harruar vendimin e Gjykatës së Lartë.’»

Duke shprehur mendimin e të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait, Gethi tha: «Ne e respektojmë flamurin dhe atë që përfaqëson. Nuk kemi asgjë kundër. Thjesht besojmë se nuk duhet ta adhurojmë ose ta nderojmë.»—1 Gjonit 5:21.

a Nëpunësit e gjykatës e kishin shkruar gabim mbiemrin e fëmijëve Gobitas dhe Barnet.