Kalo te përmbajtja

6 QERSHOR 2019
VENEZUELË

Venezuelë: Vepra e Dëshmitarëve po rritet, pavarësisht nga vështirësitë

Venezuelë: Vepra e Dëshmitarëve po rritet, pavarësisht nga vështirësitë

Në Venezuelë vazhdon kriza sociale dhe ekonomike. Ushqimi, uji, ilaçet dhe karburanti mezi gjenden dhe çmimet janë të larta. Shkëputjet e shpeshta të energjisë e vështirësojnë situatën pasi ushqimi nuk reziston pa u mbajtur në frigorifer. Edhe krimi është një shqetësim i vazhdueshëm.

Pavarësisht nga kushtet e vështira, mbi 136.500 lajmëtarët në Venezuelë vazhdojnë të predikojnë me zell. Për shembull, në janar të 2019-s, edhe pse kishte 7.000 lajmëtarë më pak se viti i kaluar, ata shpenzuan 90.000 orë më shumë në shërbim. Në prill të këtij viti, mbi 195.600 veta po studionin Biblën. Numri i pionierëve të rregullt e kaloi shifrën 30.000. Ndërsa, gjatë fushatës speciale mbarëbotërore për të ftuar njerëzit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, numri i pionierëve ndihmës arriti 20.400. Si rezultat i kësaj fryme të zellshme, në Përkujtim erdhën pothuajse 471.000 persona, më shumë se trefishi i lajmëtarëve në vend. Gjithashtu, në mbledhjet e kongregacionit ka pasur goxha të pranishëm, pasi vëllezërit vazhdojnë t’u flasin për mesazhin e Biblës atyre që kërkojnë zgjidhjen e vërtetë të problemeve.

Dega e Venezuelës po bën ç’është e mundur që vëllezërve t’u sigurohet ushqimi i nevojshëm. Falë mbështetjes së degëve fqinje dhe dhurimeve bujare për veprën mbarëbotërore, dega e Venezuelës u ka dërguar çdo muaj qindra tonë ushqim 75.000 lajmëtarëve në 1.595 kongregacione.

Vëllezërit në Venezuelë po hasin shumë vështirësi, por inkurajohemi kur shikojmë se ata vazhdojnë ‘të ngazëllojnë falë Jehovait dhe gëzojnë falë Perëndisë së shpëtimit të tyre’.—Habakuku 3:17, 18.