Kalo te përmbajtja

Foto e kohëve të fundit e Qendrës Memoriale të Ravensbrukut në Fyrstenberg, Gjermani

10 JANAR 2019
GJERMANI

Një qendër memoriale organizon ekspozitë udhëtuese në kujtim të Dëshmitarëve të Jehovait të persekutuar në Gjermani

Një qendër memoriale organizon ekspozitë udhëtuese në kujtim të Dëshmitarëve të Jehovait të persekutuar në Gjermani

Qendra Memoriale e Ravensbrukut ka organizuar një ekspozitë udhëtuese me temë: «Të ndaluar dhe të persekutuar—Dëshmitarët e Jehovait në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut dhe në burgjet e RDGJ-së». Kjo ekspozitë nxjerr në pah vështirësitë që hasën Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani gjatë qeverisjes së Republikës së Vajmarit (1918-1933), regjimit nazist (1933-1945) dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ ose Gjermania Lindore; 1949-1990). (Shih kutinë « Persekutimi dhe sfidat ligjore gjatë sundimit të tri qeverive gjermane».) Ajo u hap për herë të parë të dielën më 22 prill 2018 në Qendrën Memoriale të Kampit të Përqendrimit të Ravensbrukut në Fyrstenberg, Gjermani. Gjatë vitit 2019, ekspozita do të shfaqet në qytetet gjermane të Erfurtit, Rostokut dhe të Potsdamit. Në këtë të fundit, ekspozita do të mbahet në ambientet e parlamentit të shtetit të Brandenburgut.

Biografia e Adolf Grafit, i cili u përndoq nga dy qeveri gjermane

Ekspozita përmban informacione për 12 vëllezër e motra që ishin viktima të dy qeverive të ndryshme gjermane, asaj naziste dhe komuniste të RDGJ-së. Vizitorët mund të dëgjojnë edhe incizime të historive dhe të letrave të lamtumirës nga Dëshmitarët e dënuar me vdekje, si dhe të gazetave e dokumenteve historike nga periudha e nazizmit. Ekspozita tregon se, ndryshe nga dhjetëra mijë të burgosurit për shkak të kombësisë, pikëpamjeve politike dhe të ashtuquajturave krime, vëllezërit tanë u burgosën për shkak të besimit të patundur.

Gjatë një fjalimi në ceremoninë hapëse, historiani dr. Detlef Garbe shpjegoi: «Që nga fillimi, besimi dhe siguria e palëkundur, fryma e unitetit dhe qëndrimi i paepur i Dëshmitarëve të Jehovait i bëri ata shënjestër të urrejtjes së madhe të oficerëve SS. . . . Siguria e pakushtëzuar në premtimin hyjnor për shpëtim dhe ndjenja e fortë e solidaritetit u dha Dëshmitarëve të Jehovait forcën e brendshme për t’u qëndruar besnikë bindjeve të tyre edhe në kampet e përqendrimit.»

Edhe sot, sa herë që Dëshmitarët e Jehovait hasin kundërshtimin dhe ndalimin e qeverisë, si në rastin e Rusisë, ata janë të sigurt se Jehovai do t’i mbështetë.—Isaia 54:17.