Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëllezërit Eldor dhe Sanjarbek Saburovi

7 GUSHT 2020
TURKMENISTAN

Gjykata në Turkmenistan dënon me dy vite burg vëllezërit Eldor dhe Sanjarbek Saburovin

Gjykata në Turkmenistan dënon me dy vite burg vëllezërit Eldor dhe Sanjarbek Saburovin

Më 6 gusht 2020, një gjykatë në Turkmenistan dënoi vëllezërit Eldor Saburovin, 21 vjeç, dhe Sanjarbek Saburovin, 25 vjeç, me 2 vite burg, ngaqë refuzuan ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Ata bënë kërkesë për apel, por gjykata nuk e pranoi. Kjo është hera e dytë që këta vëllezër dënohen për asnjanësinë e tyre.

Në vitin 2016, vëlla Sanjarbek Saburovi me respekt nuk pranoi të kryente ushtrinë. Për pasojë e dënuan me 2 vite liri me kusht.

Një vit më vonë edhe Eldori, vëllai i tij i vogël, nuk pranoi të kryente ushtrinë. Atë e dënuan me 2 vite punë të detyruar dhe shteti do t’i mbante 20 për qind të rrogës për atë periudhë kohe.

Sipas ligjeve në Turkmenistan, ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, mund të akuzohen penalisht për herë të dytë, nëse vazhdojnë të refuzojnë prapë shërbimin ushtarak. Në prill të vitit 2020, zyra e rekrutimit i thirri sërish dy vëllezërit që të regjistroheshin për ushtrinë. Ata refuzuan dhe për pasojë i ndoqën penalisht dhe i burgosën.

Përveç dhembjes emocionale, burgosja e vëllezërve do të ndikojë shumë edhe te gjendja ekonomike e prindërve të tyre. Babai vuan nga dhimbja kronike e shpinës, prandaj nuk punon dot gjatë. Djemtë mbështetnin financiarisht familjen duke kultivuar pambuk. Por tani që janë në burg, nuk mund t’i mbështetin më ekonomikisht prindërit. Përkundrazi, prindërit duhet të kujdesen për fëmijët e tyre në burg.

Turkmenistani nuk ofron shërbim alternativ civil. Prandaj, vëllezërit e rinj që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, mund të dënohen nga 1 deri në 4 vite burg. Bashkë me vëllezërit Saburov, në Turkmenistan ka 10 të rinj Dëshmitarë të burgosur për shkak të asnjanësisë.

E dimë që Jehovai do t’i bekojë vëllezërit në Turkmenistan për guximin që po tregojnë. Urojmë që secili prej tyre të kujtojë gjithmonë premtimin që i bëri Jehovai Asës: «Por ju jini të fortë dhe të mos ju lëshojë zemra, sepse do të shpërbleheni për atë që do të bëni.»—2 Kronikave 15:7.