Kalo te përmbajtja

4 NËNTOR 2021
GRËNLANDË

Dalin Shkrimet e Krishtere Greke në grënlandisht

Dalin Shkrimet e Krishtere Greke në grënlandisht

Më 30 tetor 2021, vëlla Piter Geuitzi, anëtar i Komitetit të Degës të Skandinavisë, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën grënlandeze. Kjo ndodhi gjatë një programi special të transmetuar drejtpërsëdrejti nëpërmjet JW Stream për 413 shikues, ndër ta edhe 164 veta në Grënlandë. Për momentin kjo Bibël është në dispozicion në format dixhital, por në të ardhmen do të disponohet edhe në format të shtypur.

Kulla e Rojës është përkthyer në grënlandisht që nga viti 1973. Këtë gjuhë, që i përket familjes së gjuhëve inuite të cilat fliten në rajonin arktik, e flasin rreth 57.000 veta. Dalja e kësaj Bible është një bekim i veçantë për 134 lajmëtarët që shërbejnë në fushën e gjuhës grënlandeze.

Në përgjithësi grënlandezët kanë shumë respekt për Biblën. Në vitin 1766, djali i një misionari norvegjez ishte personi i parë që përktheu Shkrimet e Krishtere Greke në grënlandisht. Më 1822, një misionar danez përktheu librin e Zanafillës dhe përdori emrin e Perëndisë, Jehova, në tekstin kryesor. Për të pasur të gjithë librat e Biblës të përkthyer në grënlandisht duhej të pritnin vitin 1900. Veç kësaj, duhej të pritnin vitin 2000 për të pasur gjithë Biblën në një vëllim të vetëm.

Gjatë programit të prezantimit, vëlla Geuitzi tha: «Kur lexon këtë Bibël, mund të kesh sigurinë e plotë se është një përkthim i saktë i Fjalës së frymëzuar të Perëndisë në gjuhën e sotme grënlandeze.» Ky përkthim i përshkruan më saktë ndjenjat njerëzore. Për shembull, Gjoni 11:38 flet për ndjenjat që provoi Jezui kur ishte te varri i Lazarit. Disa përkthime të Biblës në grënlandisht thonë se Jezui «u inatos» ose «u fye» në atë situatë. Kurse Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re e përshkruan më saktë këtë moment duke thënë se ai «rënkoi thellë».

Jemi të sigurt se ky përkthim i qartë dhe i saktë do t’i ndihmojë lexuesit grënlandezë të kapin më mirë kuptimin e mësimeve të Biblës.—Mateu 13:51.