Kalo te përmbajtja

Vëllezërit u japin zemër nga Bibla lajmëtarëve të shpërngulur

23 MAJ 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 8 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Shtohen përpjekjet e vëllezërve për t’u dhënë zemër lajmëtarëve teksa lufta vazhdon

PËRDITËSIM NR. 8 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Ndërsa në Ukrainë vazhdon situata kritike, zyra e degës atje i ka intensifikuar përpjekjet për të ngushëlluar e për të mbështetur lajmëtarët. Vëllezërit përgjegjës anekënd vendit po punojnë pa u lodhur për të inkurajuar nga Shkrimet mijëra lajmëtarë që janë shpërngulur. Vëllezërit e motrat po marrin shumë forcë falë këtyre vizitave inkurajuese. Një anëtar i Komitetit të Degës shkoi për të takuar vëllezër e motra të shpërngulur në perëndim të Ukrainës. Pas vizitës, një motër që përkohësisht është strehuar me 30 të tjerë në një Sallë Mbretërie, në qytetin e Uzhgorodit, tha: «Ishte sikur Jehovai po më merrte në krahët e tij dhe po më përqafonte.»

Vëllezërit po bëjnë çmos që t’u japin zemër edhe rreth 100 anëtarëve të guximshëm të 27 Komiteteve të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK). Ihori, anëtar i një KNRK-je, tregon: «Kur më caktuan të shërbeja në KNRK, unë dhe gruaja ishim shpërngulur tashmë nga shtëpia jonë dhe ishim strehuar në një shtëpi tjetër. Tamam kur po ndiheshim shumë të sfilitur, një anëtar i Komitetit të Degës, që për vete është shumë i zënë, gjeti kohë të na vizitonte dhe të na dëgjonte me vëmendje. E ndiem vërtet interesimin e tij të sinqertë.» Ihori vazhdon: «Shpesh, kur gjendemi në një situatë ku ndihemi si foshnja që nuk kemi asgjë në dorë, kur nuk shohim dritë në fund të tunelit dhe gjithçka që mund të bëjmë, është t’i lutemi Jehovait që t’i drejtojë gjërat, atëherë e shohim si vepron dora e Tij për të mirën tonë.»

Për sa i përket gjendjes së Sallave të Mbretërisë në zonën e luftës, ju raportojmë se 4 janë shkatërruar plotësisht, 8 kanë pësuar dëme të rënda dhe 33 kanë pësuar dëme të lehta.

Një Sallë Mbretërie jashtë Kievit në vitin 2019 (majtas) dhe sot (djathtas)

Deri më 17 maj 2022, kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë

  • 37 lajmëtarë kanë vdekur

  • 74 lajmëtarë janë plagosur

  • 45.253 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë drejt zonave më të sigurta

  • 418 shtëpi janë shkatërruar

  • 466 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.213 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 4 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 8 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 33 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 27 KNRK po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 48.806 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 21.786 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje