Kalo te përmbajtja

Para 25 vjetësh, Dëshmitarët e Jehovait vunë në dispozicion të publikut sitin watchtower.org. Në vitin 2012 u prezantua siti JW.ORG, i cili është siti më i përkthyer në botë

17 GUSHT 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE

«Lajmi i mirë në internet»

Mbushen plot 25 vjet që kur Dëshmitarët e Jehovait prezantuan sitin e tyre të parë në internet

«Lajmi i mirë në internet»

Këtë vit mbushen plot 25 vjet që Dëshmitarët e Jehovait kanë një sit zyrtar në internet. Shërbimi ynë i Mbretërisë nëntor 1997 kishte një artikull me temë «Lajmi i mirë në internet», në të cilin prezantohej siti watchtower.org. Në artikull shpjegohej: «Shoqata ka vendosur në internet disa informacione të sakta mbi bindjet dhe aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait. . . . Qëllimi i vendndodhjes sonë në rrjet nuk është prezantimi i botimeve të reja, por vënia e informacioneve në dispozicion të publikut në një format elektronik.»

Që nga ai moment, publiku mund të shkarkonte nga siti watchtower.org disa fletushka, broshura dhe artikuj nga revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Kjo faqe u vu në dispozicion të publikut më 15 janar 1997. Kurse në vitin 1999 u vu në dispozicion siti jw-media.org. Ai përmbante informacione të sakta për median mbi ngjarjet më të fundit në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait, ku përfshiheshin edhe zhvillimet ligjore dhe veprimtari të tjera të organizatës.

Në vitin 2005 u krijua jw.org dhe me kalimin e kohës filloi të përdorej për shkarkimin e botimeve të caktuara dhe të regjistrimeve audio.

Në gusht të 2012-s, të tria sitet u shkrinë në një të vetëm, që mbajti emrin jw.org. Shërbimi ynë i Mbretërisë dhjetor 2012 thoshte për sitin e përditësuar: «Rreth një e treta e popullsisë botërore përdor internetin. Për shumë veta është bërë burimi kryesor i informacionit, sidomos për të rinjtë. . . . Kështu, lajmi i mirë mund të arrijë edhe në ato vende ku njerëzit nuk kanë shumë mundësi të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë.»

Në sitin JW.ORG u vunë në dispozicion materiale të shkruara dhe në formatet audio e video. Tani mund të shkarkoheshin botime në 411 gjuhë. Rreth 7 vjet pas përditësimit më 2012, jw.org përmbante literaturë në një numër të jashtëzakonshëm prej 1.000 gjuhësh, ku përfshiheshin 100 gjuhë shenjash.

JW.ORG u bë veçanërisht i dobishëm kur filloi pandemia COVID-19. Ai filloi të vizitohej gjithnjë e më shumë kur u pezulluan mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe u bë e vështirë shtypja dhe shpërndarja e botimeve. Më 7 prill 2020, ditën e Përkujtimit të Vdekjes së Jezuit, siti pati një numër rekord prej 7 milionë vizitash. Në vitin 2019 siti pati 800 milionë vizita dhe ky numër u rrit më 2020 me mbi 1 miliard vizita. Që nga janari i vitit 2022, siti ka pasur një mesatare prej 3 milionë vizitash çdo ditë.

Informacioni i saktë që përmban jw.org, i ka ndihmuar disa që të heqin paragjykimet për Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, Tenesha Gordoni tregon: «Më pëlqente që ishte mjaft e lehtë të informohesha për Dëshmitarët, si për shembull, cilët janë, çfarë besojnë dhe ku i bazojnë bindjet. Kjo më ndihmoi të sqaroja idetë e mia të gabuara.»

Tenesha u pagëzua më 2017. Tani ajo shërben si vullnetare e jashtme për Bethelin në Xhamajkë.

Informacioni i saktë në jw.org e motivoi Teneshën të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait

Vëlla Klajv Martini, i cili mbikëqyr departamentin që mirëmban sitin, tha: «Jemi tejet të lumtur tek shohim si e ka përdorur Jehovai sitin jw.org për të çuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë te shumë njerëz nga prejardhje të ndryshme në çdo cep të tokës.»

I jemi mirënjohës Jehovait për këtë mjet që na ndihmon në veprën e predikimit, na informon për zhvillimet më të fundit të organizatës dhe na bashkon si vëllazëri mbarëbotërore, e gjithë kjo për lavdi të Jehovait.—Psalmi 145:1, 2.