Kalo te përmbajtja

Motrat qëndrojnë pranë stendave me literaturë, afër stadiumit që u përdor për Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj

29 SHKURT 2024
KOREJA E JUGUT

Njerëz nga e gjithë bota marrin dëshmi gjatë Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj 2024, në Korenë e Jugut

Njerëz nga e gjithë bota marrin dëshmi gjatë Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj 2024, në Korenë e Jugut

Nga data 19 janar deri më 1 shkurt 2024, në 4 qytete të Koresë së Jugut u mbajtën Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj 2024. Mijëra atletë, gazetarë e spektatorë nga më shumë se 70 vende ndoqën këtë eveniment. Gjatë lojërave, mbi 2.600 Dëshmitarë të Jehovait morën pjesë në një iniciativë speciale predikimi. U vendosën stenda me literaturë në 34 pika dhe u vunë në dispozicion informacione të bazuara në Bibël në 4 gjuhë.

Stendat me literaturë që u vendosën në pika të ndryshme në Gangnang, Koreja e Jugut

Një i ri që flet gjuhën kineze mandarin erdhi te stendat ku ishin 2 vëllezër dhe tha se i kishte parë stendat tona edhe në pika të tjera në qytet. Megjithatë, kur pa te njëra stendë posterin që fliste për lumturinë familjare, vendosi të ndalonte për të mësuar më shumë. Vëllezërit i shpjeguan si mund të shkarkonte nga siti jw.org broshurën Familja jote mund të jetë e lumtur në gjuhën mandarin. I riu hapi menjëherë sitin tonë në celular dhe i falënderoi vëllezërit për ndihmën.

Një çift Dëshmitarësh filluan një bisedë në mënyrë joformale me një burrë nga Ukraina. Meqë nuk flisnin gjuhën e tij, komunikuan me anë të një aplikacioni përkthimi në smartphonin e tyre. Gjatë bisedës, burri u tregoi një fotografi ku panë si e kishte shkatërruar një raketë qytetin e tij. Çifti shprehu keqardhje për situatën ku gjendej ai burrë dhe i lexuan një varg nga Bibla që thoshte se së shpejti nuk do të ketë më luftë. Kur e lexoi premtimin e Biblës në gjuhën e vet, u prek thellë. Çifti la takim për të vazhduar bisedën me të.

Një motër duke folur në mënyrë joformale me një çift në Parkun Olimpik Gangnang

Një motër që quhet In Suk filloi një bisedë në anglisht me një atlete të re dhe me mamanë e saj nga Evropa. Ndërsa flisnin, motra jonë u tregoi për disa tema që gjenden te siti ynë, te pjesa «Rritja e adoleshentëve». Mamasë i pëlqeu informacioni dhe tha se do ta vizitonte sitin prapë.

Jemi të lumtur që gjatë këtij evenimenti ndërkombëtar, Dëshmitarët në Korenë e Jugut kishin mundësi t’u jepnin dëshmi kaq shumë njerëzve dhe ‘të lëvdonin emrin e Jehovait’.—Psalmi 148:13.